Shpëtoni nëpunësit nga poshtërimi!

“…ata të përçmuan, të nënçmuan, të hodhën në harresë…”

M.H

 

Në kohën që juve ju ka kapur dalldia e fushatës, kur nuk keni kohë të shikoni gjë tjetër veç turmave të rrëmujshme që ju ndjekin të mbytura në djersë dhe pluhur nga vapa e këtij viti, kur thuajse e keni harruar se jo të gjitha gjërat kanë lidhje me emocionet tuaja të skajshme, por vazhdojnë të ecin në vragën e tyre të zakonshme sikur ju të mos ekzistonit fare, mirë është që ta ndalni atë turravrap mbresëlënës vetëm për pak çaste.

Në kohën që ju jeni duke u zvarritur pas karriges aktuale të pushtetit, apo edhe ju që jeni mbërthyer pas karriges së imagjinuar, ku do të ngjiteni nesër, ku gjithçka tek ju është kthyer në trajtë patologjike në një imazh mallëngjyes karrigeje, kur ju që do të ikni dhe ju që do të vini në këto dyzetepesë ditë ju duket vetja se jeni të gjithë bashkë pushtetarë të një pushteti surrealist që funksionon jashtë zyrave reale të shtetit, vetëm për pak çaste i lini mënjanë të gjitha këto.

Kur ju jeni duke parë ëndrra se ky komb ka humbur kohë përsa nuk ka pasur në krye të tij juve, kur ju mendoni se demokracia fillon sa herë që vini ju në pushtet dhe ajo humbet udhën kur ju rrëzoheni nga pushteti, duke krijuar idenë idiote se ky vend hyn në demokraci një herë në katër vite dhe po kaq herë e braktisë atë, a nuk është momenti t’i thoni vetes se si shumë bëma po merrni mbi supe dhe po harroni ca gjëra fare të thjeshta të cilat pikërisht tani duhet t’i sillni në kujtesë.

Në kohën kur mashtrimet tek ju nuk kanë asnjë njësi matëse dhe kufi, kur ju jeni duke masturbuar folklorisht me ato që thoni dhe gati-gati po u besoni, por që edhe vetë e dini se nuk bëhen kurrë, kur juve ju duket se keni gjetur mjetin me të cilën mund të zgërlaqni turmat derisa ato të betohen për ju, kur vetja ju duket si ca piedestale absurde që lëvizin çuditërisht si qenie të gjalla udhëve dhe pllajave të këtij vendi, nëse harroni disa çaste të gjitha këto natyrisht që nuk do të bënit gabim.

I harroni pra të gjitha dhe kujtoni se ndërsa ju jeni duke u endur në kërkim të shtigjeve të pushtetit, atje tej jush, larg jush dhe në të njëjtën kohë brenda jush, atje në zyrat e shtetit të cilat duhet të funksiononin absolutisht normalisht, dyert e tyre këto ditë nuk janë as hapur dhe as mbyllur, siç ka ndodhur gjithmonë sa herë që juve ju kap makthi i pushtetit. Duhet të kujtoni vetëm një moment se brenda tyre për fatin e keq keni lenë në një pritje të stërgjatë një turmë nëpunësish ngjyrë gri që ndjek me sy të çapëlyer nga frika për atë që do të ndodhë me ta pas ditës kur ju do të ndryshoni vendet.

Ky vend në këto vite demokraci ka pasur arritje dhe mosarritje, por nuk mund të mos thuhet se një nga zhgënjimet më të mëdha të kësaj kohe është krijimi i një administrate fluide, pa personaliet edhe pa integritet moral. Ky është faji më i madh i politikës, i cili kalohet në heshtje dhe harrohet se në çastin që ndërrohen pushtetet, harrohen edhe ata. Harrohet se shteti nuk ecën para me britma militantësh dhe buzëqeshje prijësish atje lart nga tribuna që duket se lindin me shumicë, por mes një vazhdimësie cilësisht të paprekshme administrate e cila ka lidhje me letrat, shkresat, tabelat, formularët, evidencat, etj, etj si këto të cilat njëherë në katër vite flaken në kosh. Harrohet se çfarë është thënë, harrohet radha e zotimeve të mëdha dhe që ditën e parë puna nis me këta nëpunës fatkeq. Askush nuk pyet kush janë ata dhe nga vijnë. Askujt nuk i shkon në mendje se mund të ndodhë që edhe ata të kenë personalitet i cili shkon tej tekave të atyre që vijnë e ikin nga pushteti. Dhe kjo ndodh sepse këta nëpunës të ndodhur nën presion dhe përdhosje të pakufi, janë latuar aq shumë dhe tani ngjajnë me skelete pa personalitet, janë plastelinizuar duke u kthyer në një formë amorfe që ndryshon si hije.

Kjo periudhë postdiktatoriale i ka mësuar nëpunësit me trillin cinik të pushtetarëve të dëbimit të tyre në turmë. Kështu ata i janë përshtatur mjerisht një mënyre të tillë sjelljeje duke e quajtur madje morale këtë lloj përdhosje. Nëse njeh nga afër botën e tyre të tromaksur deri në palcë në situata të tilla parazgjedhore do të bindesh se këto vite kanë qenë plotësisht të mjaftueshme për të krijuar një tip të ri zyrtari, (duket se ngjallet sindroma “e njeriut të ri” që sapo lamë pas), ku nuk ka më rëndësi dinjiteti. Pak nga pak, më servilët hynë në terrenin e tyre duke i dhënë fenomenit të servilizmit një dimension të frikshëm me statusin e një institucioni të pa miratuar dhe të pa ligjëruar të bjerrjes së ndërgjegjes. Pas kësaj ata thuajse nuk ikin më, po edhe po të ikin pas pak i sheh tek pragu i derës me ngërdheshjen e atij që ka hak për të marrë për padrejtësinë që i është bërë. Këta lloj nëpunësish nuk mungojnë në të gjitha rangjet dhe në të gjitha llojet e pushteteve. Ata më të pabindurit, rezistuan, rezistuan deri në dhimbje, u kreshpëruan herë pas here duke thënë se sa të vinte rasti do t’i binin tavolinës me grusht nëse dikush do të shkelte mbi dinjitetin e tyre dhe pastaj do të ikin në lirinë e tyre, por më pas... Më pas duket se u zbutën edhe ata, u qullosën dhe morën me të mirë sedrën e tyre se nuk mund të bënin ndryshe derisa në mes ishte buka e përditshme. Më tej nuk dihet nëse ata e ruajnë ende atë karrige që u mori nderin, që i përdhunoi egërsisht, por një gjë dihet me saktësi. Për sa kohë që buka e përditshme u rri si shpata e Demokleut mbi krye, ata ndoshta nuk janë bërë servilë si të parët, ndoshta deformimi i tyre nuk ka arritur deri në atë nivel, por jo rrallë herë u duhet të kafshojnë buzën gjithsesi me hidhërim, në pritje të ikjes. Ata më idealistët, ata që vazhduan të besojnë se bota ka vend edhe për ta, e mbytën veten e tyre me trishtimin e vet, ndërsa ikën, ikën në arratinë e tyre vetmitare, duke iu dukur vetja si ciganë të mbetur pa atdhe sepse atdheun ua vranë.

E pra, e kuptoni se ç’ndodh me pjesën më të qenësishme të shtetit ndërsa gjithë zhurma, gjithë propaganda është përqendruar tek probleme të tjera të mëdha që kanë të bëjnë me hyrjen në Bashkimin Evropian, në NATO e lloj-lloj organizmash të respektuara të perëndimit? Nuk duhet ta harroni këtë problem kaq madhor pikërisht ju që tani keni rastin e artë për të shpërthyer nga thellësia e fjalëve të pafund, gjithë arsenalin e vlerave njerëzore. Sepse ky problem duhet të shihet shumë më gjerë. Shteti duhet të funksionojë edhe atëherë kur ju braktisni zyrat. Veç kësaj, në fund të fundit edhe ata nëpunës të rangjeve të ndryshme janë votuesit tuaj dhe kur më shumë se tani duhet t’u premtoni një pakt prestigji të cilën ata nuk e kanë pasur deri më sot. Ju bëni shumë mirë që shkoni edhe atje nëpër lagjet e romëve dhe u premtoni atyre më shumë dinjitet. Ju bëni shumë mirë që nuk u ikën nga vëmendja edhe një detaj fare i parëndësishëm i dikujt që në këtë kohë fushate i mbushet mendja se është çasti kur ju e dëgjoni deri në imtësi dhe ai nis e shkoqit hallin e tij me shpresë se ju jeni duke mbajtur shënim. Juve nuk ju ikën nga vëmendja askush, madje thuajse ngazëlleheni kur zbuloni një hall apo shqetësim të ri dhe vraponi t’i jepni premtimin tuaj kujtdo që mund t’ju dal para. Po pse neglizhoni të zbrisni edhe atje në “lagjet e zyrave” tuaja ku ca hallemëdhenj ju presin me sy të çapëlyer nga frika dhe ankthi? Ju i keni të gjithë në qendër të vëmendjes këto ditë me përjashtim të atyre që keni lënë nëpër zyra. Nuk merreni fare me ta, nuk u shkon në mendje se ata janë një vlerë e paçmuar. Edhe ashtu siç shfaqen ata nuk duhet neglizhuar, sepse në fund të fundit këto ditë ata janë vlerë e trembur. Dhe kjo ndodh sepse ju nuk i keni në listë ata dhe nuk ia vlen fare të merreni me ta kur problemi i tyre për ju është i zgjidhur me kohë, sipas stilit tuaj tani të njohur.

Pas 28 qershorit ata që janë në zyra do të ikin dhe në vend të tyre do të vijnë disa të tjerë që ju do t’i propagandoni se janë kontingjent i ardhur nga perëndimi, por realisht ata mund të jenë në perëndim e sipër të karrierës së tyre. Pas ikjes së tyre një turmë e pafund servilësh apo jo, militantë apo të pa përzier me politikë (nëse në ndonjë cep ka ngelur dikush si i till&eumlsmiley, të korruptuar apo të ndershëm, të gjithë do të ikin nga zyrat gjithë mllef, inat e trishtim bashkë dhe gati-gati si të turpëruar për një faj që nuk dihet se çfarë. Në vend të tyre do të sulen mbi sofrën e shtruar të pushtetit një turmë tjetër që edhe këta mund të jenë po si ata, servilë, militantë të bërë nga halli, korrekt, hileqar, të etur për pak korrupsion, të ndershëm, veçse në ndryshim nga të parët do të jenë krejt të ngazëllyer, por gjithsesi edhe këta me një dinjitet dhe personalitet të pa garantuar.

Mbi tavolinat e zyrave të shtetit do të mbyllen dosje, do të hapen të reja, do të grisen shkresa dhe në vend të tyre do të përpilohen të tjera, duke të krijuar idenë se do të nis nga zeroja jo vetëm puna në një zyrë të caktuar po vet shteti do të nisë nga e para. Pas kësaj turma e nëpunësve që iku do të ruajë brenda vetes mllefin për t’u kthyer përsëri në mënyrë aspak dinjitoze ashtu siç iku, ndërsa ata që sapo erdhën do të ndihen të qetë vetëm për katër vite aq pa denjësisht si të parët. Sepse të dy palët ndihen të poshtëruar. Që të mos ndodhë kjo ju duhet të bëni atë që nuk e keni bërë deri më sot. Ju duhet të filloni një erë të re dhe krejt ndryshe, qoftë edhe si fillim. Nëse ju që jeni në pushtet nuk lëvizni edhe pas 28 qershorit, u thoni atyre që presin me ankth në zyrat që tani nuk janë as hapur e as mbyllur, se nuk do t’i lëvizni në kërkim të disa të tjerëve të cilët kanë qenë më aktivë në vrapimin tuaj elektoral. Nuk do të lëvizin barbarisht vetëm për të vendosur një rregull të ri edhe nëse jashtë derës ju duket se presin ca më të aftë se ata. Edhe ju që prisni të merrni pushtetin, i thoni turmës së administratës në hije që ngjiret nëpër mitingje “e etur për demokraci”, se nuk do t’i jepet shansi të lëshohet si hordhi mbi administratën aktuale, pasi ju do të nisni një epokë të re. Është në moralin tuaj, në përgjegjësinë tuaj që ju të thoni se ata që kanë ikur nuk do të vijnë më kështu hordhërisht, por edhe ata që janë nuk do të ikin në atë formë. Mos hezitoni ta thoni këtë pasi përdhosja e nëpunësve është bërë një normë morale e kësaj shoqërie. E thoni këtë pa frikë dhe me zë të lartë. Edhe për autorin e këtyre radhëve, pa asnjë problem thoni se edhe ai nuk do të vijë më. Nuk do të vijë për faktin se edhe ai nuk do që stina e pafund e poshtërimit të nëpunësve të zgjatet kaq pambarimisht. Por ai nuk do që të vijë edhe për një fakt më shumë se specifik, sepse së fundi atij ia prezantuan shtetin në imazhin një nëpunëseje të thjeshtë që vinte nga provinca, e cila duk i treguar atij derën kujtoi një çast veç të tjerash, se ajo e kishte të sajin edhe ekskluzivitetin e dashurisë ndaj atdheut. E pra nëse do të vinte jo vetëm që do të hynte në rreshtat e nëpunësve të poshtëruar, por mund të ndodhte që sërish atdheun t’ia shfaqnin në lloj-lloj imazhesh nëpunësish shpirtvegjël duke ia vrarë brenda vetes ato që ai ka më të shtrenjta. Nuk ka më moshë ai për eksperimente të tilla në lidhje me dashurinë ndaj atdheut, të cilin e do sipas mënyrës së vet, prandaj thoni pa frikë se edhe ai nuk vjen më.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).