Rritet në 80% vlera e letrave me vlerë

Nisur nga deklaratat e Kryeministrit Berisha ditët e fundit për rifutjen në përdorim të letrave me vlerë, si dhe nga deklarata e mbrëmëshme në mbledhjen e Qeverisë për kthimin e 80% të vlerës atyre që kanë paguar për letrat me vlerë për legalizimin duket se kufiri i ri i letrave me vlerë është tashmë 80%. Po sipas të njëjtës deklaratë të Kryeministrit Berisha mbrëmë, pritet një vendim i Ministrisë së Financave për të qartësuar këtë veprim. Më poshtë lajmi nga faqja e KM

 

Kryeministri Berisha: Qytetarët të jenë të sigurtë se procesi i legalizimit të banesave është një proces i shpejtë dhe i pandalshëm 

Vendimi për letrat me vlerë do t’u njohë qytetarëve plotësisht të drejtën që 80 për qind të vlerës monetare për legalizim, ta paguajnë me letrat me vlerë

Kryeministri Berisha, u shpreh sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se qytetarët duhet të jenë të sigurt se procesi i legalizimit të banesave është një proces i shpejtë dhe i pandalshëm.

Duke iu referuar vendimit të miratuar në mbledhjen e sotme për legalizimin e 6 mijë banesave të tjera,  Kryeministri kërkoi mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që kanë banesat në proces legalizimi. “Ata duhet të jenë të sigurt se ky është një proces tashmë i shpejtë dhe i pandalshëm. Qeveria, çdo javë, gjatë dy muajve të fundit, ka miratuar  së paku 5-6 mijë banesa për legalizime”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri kërkoi nga ministria e Financave që të paraqiste sa më shpejtë për miratim vendimin për aktivizimin e letrave me vlerë për shlyerjen e vlerës së legalizimit në masën 80 për qind përmes këtyre letrave.  “Është emergjente dhe duhet të vijë sa më shpejtë për miratim vendimi për letrat me vlerë, të mërkurën tjetër ai duhet të vijë për miratim. Unë kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve sepse ai vendim donte një kohë të caktuar. Vendimi do t’u njohë atyre plotësisht të drejtën që 80 për qind të vlerës monetare për legalizim, ta paguajnë me letrat me vlerë. Kjo është së pari mbajtja e premtimit tonë ndaj disponuesve të letrave me vlerë, se ne do t’í fusim këto letra në përdorim. Mendoj se ky është tregu më i fuqishëm në Shqipëri, ku ato mund të valorizohen”, theksoi Kryeministri Berisha.

Kryeministri vlerësoi se ky vendim është një lehtësim për të gjithë ata të cilët legalizojnë objektet. Gjithashtu, kryeministri saktësoi se vendimi u njeh të drejtën edhe atyre që kanë paguar tashmë paratë për legalizimin, që përmes letrave me vlerë tú kthehet shuma prej 80 për qind. “”Nuk ka asnjë diskriminim. Pra, çdo qytetar që deri tani ka likujduar tërësisht shumën monetare që detyrohej për legalizimin, është i ftuar të blejë letrat me vlerë dhe 80 për qind e asaj shume do t’i kthehet në monedhën që ka paguar, në lekë. Aq më mirë që tashmë leku është forcuar.”, u shpreh Kryeministri Berisha.

23/06/2009

1 Komente

 "...Pra, çdo qytetar që deri tani ka likujduar tërësisht shumën monetare që detyrohej për legalizimin, është i ftuar të blejë letrat me vlerë dhe 80 për qind e asaj shume do t’i kthehet në monedhën që ka paguar, në lekë..."

 

Po nese ai i ka likuiduar shtetit  ate qe i detyrohet, pse ai duhet te bleje letrat me vlere, pyes une naivi. Me duket se ose eshte lapsus ose ndonje budedallik i mavrise, nga ato qe thote gjithmone. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).