Shitësi i impulseve

Selman Ganiu është 85 vjeç dhe ka 15 vite që shet impulse në kabinat telefonike në kryeqytet. Invalid prej 52 vitesh, ai e fillon punën që herët në mëngjes dhe e mbyll pasdite vonë.


Të gjitha fitimet që nxjerr nga shitja e impulseve telefonike, Selmani dhe e shoqja, ia kalojnë arsimimit të mbesave

Me njëzet impulset e para do të nxjerrë lekët e bukës. Me dyzet impulse do të nxjerrë lekët, me të cilët do të blejë bidonin e qumështit mëngjesin e ardhshëm.

Këto janë objektivat ditorë të punës. Nëse arrin të shesë edhe më shumë impulse, do të ishte një kënaqësi më vete. Selman Ganiu e mat çdo fitim që arrin të nxjerrë nga puna në kabinën telefonike, me mallrat e shportës.

Ai është 85 vjeç dhe ka pothuajse 15 vite që shet impulse në kabinat telefonike në kryeqytet. Fillimisht ka shitur impulse telefonike, në kabinat pranë sheshit "Vëllezërit Frashëri", në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".

Në këtë pjesë të rrahur nga kalimtarët, i moshuari ka shërbyer për plot 13 vite, deri në momentin kur bashkia vendosi të heqë kabinat telefonike nga aty, ndërkohë që prej dy vitesh është zhvendosur në kabinën telefonike përballë Librit Universitar.

Ai punon çdo ditë 8 orë, njësoj sikur të jetë në orar zyrtar pune. Vjen në kabinë në orën 9 të mëngjesit dhe largohet nga aty në 5 pasdite, pa u shkëputur për asnjë moment. Të vetmet ditë kur bën pushim janë ato me mot të keq.

Objekti që e shoqëron çdo ditë është një bastun i plakur sa edhe ai vetë. Jeta e Selmanit nuk ka qenë fort e lehtë. Ai është aksidentuar 52 vite më parë, gjatë punës.

"Unë nuk kam shkollë. Kam bërë vetëm 7 klasë. Në rininë time punoja në Kombinatin e Tekstileve, shtyja karrocat me fill peri. Ndërsa po vazhdoja punën normalisht, këmba më rrëshqet dhe aty thyej kockën e legenit. Për 11 muaj me radhë qëndrova shtrirë, derisa mjekët më operuan".

Që nga ai vit i largët, me gjithë punën e madhe që mjekët kryen, Selmani nuk arriti dot të ecë normalisht. Ende në të tridhjetat, ai kthehet në invalid pune dhe, si i tillë, gjendet fizikisht i pamundur për të punuar.

"Aksidenti më ndryshoi jetën. Tanimë isha një invalid, por falë ndihmës që më dha shteti në atë kohë, unë arrita të jem sërish i dobishëm për familjen. Sigurisht që nuk mund të bëja më punë të rënda, kështu që më angazhuan të punoja në dyqane, derisa dola në pension".

Demokracia e gjen Selmanin në pension. Kushtet e vështira të jetesës e detyrojnë, paçka moshës së thyer, që të nxjerrë bukën e gojës si të mundet. Në vitin 1992 tregton si ambulant në rrugët e Tiranës, paketa dhe çamçakëz dhe më pas nis të shesë impulse telefonike.

"Demokracia më gjeti në pension. Për mua që isha mësuar të punoja gjithë jetën, ishte e vështirë të qëndroja në shtëpi. Nuk e kisha për turp të shisja paketa, por edhe kishim nevojë të mbijetonim". Por, fatkeqësitë nuk kanë të sosur në jetën e Selmanit. Ai rrëfen, dhe një lot i rrëshqet nga sytë, se disa vite më parë ka humbur vajzën e madhe.

Dhe këtu qëndron e gjithë forca që e shtyn 85-vjeçarin të punojë çdo ditë pa u ndalur. "Nga martesa pata 5 fëmijë, tri vajza dhe dy djem, të gjithë të martuar dhe me fëmijë.

Ajo që ma ndryshoi edhe njëherë jetën dhe që më bëri të punoj më shumë ishte humbja e vajzës së madhe, e cila la dy vajza jetime". Janë pikërisht dy mbesat, ato për të cilat Selmani dhe bashkëshortja e tij kursejnë çdo të ardhur që kanë, të cilat janë edhe motivi i vërtetë që sakrifikojnë kaq shumë, në një moshë ku shumë pensionistë pëlqejnë rehatinë se sa të punojnë.

Luftë për një kabinë telefonike

Selmani ka kujtesë të mirë. Edhe dëgjimin e ka të mirë. Problemin e ka me sytë. Normalisht mosha bën të vetën. Por, sidoqoftë, 85-vjeçari përpiqet të jetë i fortë. Në fillim ka fituar mirë. Kishte ditë kur mund të shiste edhe një kartë telefonike me 100 impulse. Sot kohët kanë ndryshuar. E pranon edhe vetë që fitimi ka rënë shumë.

Në ditë të mira, e shumta që mund të shesë janë 40 impulse. "Tani ka rënë shumë. As që bëhet fjalë të shesësh një kartë të plotë. Po edhe kaq sa shes për mua është mirë". Të gjesh punë në një kabinë telefonike në kryeqytet, nuk është fort e kollajshme.

Edhe këtu nuk të lenë rehat. Selmani e ka hequr vetë mbi shpatulla konkurrencën. Kabinën ku punon aktualisht ia ka lënë një shoku i tij, i cili si duket ishte i mërzitur nga kjo punë. "Kam pasur shumë probleme.

Duke qenë se isha invalid dhe e kisha të pamundur të lëvizja shpejt, shpeshherë klientët e mi merrnin personat e tjerë që shisnin impulse telefonike, pranë kabinës telefonike ku unë qëndroja. Po tani kam rënë rehat, sepse këtu jam vetëm dhe nuk më ngacmon njeri". Selmani do punojë sa të ketë fuqi.

Thotë që nuk ka ndërmend t'i kalojë ditët duke qëndruar në shtëpi. Motoja e tij është se njeriu duhet të rrojë me ndershmëri, me aq sa ka rrisk, pa i rënë më qafë askujt. Këtë ide përpiqet t'ua ngulisë edhe mbesave të tij, të cilat vazhdojnë studimet e larta.

"Njeriu duhet të jetojë me ndershmëri. Kjo ka qenë gjëja e parë që më ka mësuar babai kur isha i vogël. Kënaqësia ime më e madhe sot janë mbesat. Rroj vetëm për to. Të gjitha të ardhurat që kemi mbledhur me gruan, ua kalojmë mbesave, që ato të shkollohen".

Me bastun, të rrosh për 5 impulse

Kur e pyet për moshën, vitet i ngatërrohen. Duhet të ketë lindur më 1923-shin, por në gjendje civile e kanë regjistruar në vitin 1924.

Pastaj kujtohet që edhe datëlindjen nuk e ka të saktë. Me 17 dhjetor? Mendohet. Jo, jo, duhet të jetë datë tjetër. Kur shkon në këtë moshë njeriu e ka për zët të numërojë vitet që lë pas e aq më pak të ketë për zemër festimin e datëlindjeve.

Por, Selman Ganiu ka pse i numëron vitet. Ka një arsye të fortë, që në fund të fundit e ka çdo gjysh, por që për të është një mision që meriton të përmbushet deri në fund.

Një karrige kompesate pa mbështetëse qëndron lidhur pas këmbës mbajtëse të kabinës telefonike. Selmani ia ka gjetur tani dermanin. E ka lidhur me kavo biçiklete si e vetmja mënyrë për të mos ia vjedhur.

"Kjo është karrigia e katërt, -na thotë Selmani,- që kam sjellë në pak kohë në kabinën telefonike".

Të paktën kur lodhet ka mundësi të ulet, megjithëse pjesën më të madhe të kohës e kalon në këmbë me sytë nga kalimtarët. "Do punoj sa të kem takat,"- thotë kur e pyet se edhe për sa kohë ka ndërmend të punojë.

3 Komente

Ky artikull me kujtoi nje film amerikan mbi kabinat telefonike.  Sa per ne Shqiperi, ato impulset qe shesin ata xhambazet aty, jane shum te shtrenjta. Me fol me Tiranen, 2 impulse =35 cent. Te flasesh me Europen vetem 1 minut, ti paguan 1-2 euro, nderkoh qe ketu te flasesh me Shqiperine paguan 15 cent minuti tek postat private. 

I lumte ketij...57 vjet invalid....E di nuk me ngjalli ndonje mendim tip i shkreti ky.....Po me vika keq vetem per vajzen qe nuk e ka me...Aty i qenka thyer zemra keq...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).