Ruli: One Stop Shop-i për lejet dhe liçencat është pjesë e revolucionit fiskal

Duke filluar që sot, lejet dhe liçencat do të merren në një qendër të vetme

Duke filluar nga dita e sotme, çdo i interesuar për të marrë një leje apo liçencë, do të kenë një qendër të posaçme, duke e marrë atë me një ndalesë të vetme. Nga sot, do të funksionojë një qendër e re, e cila do të ketë të njëjtën mënyrë operimi si qendra e regjistrimit të bizneseve. Do të mjaftojë një sportel i vetëm për të aplikuar dhe për të marrë një leje, liçencë ose autorizim. Kjo sa i përket fushave të arsimit, transportit, shëndetësisë, sigurisë kombëtare apo edhe shërbimit të përmbarimit. Reformës tjetër për lehtësinë ndaj biznesit pritet t'i hapet sot dera me inaugurimin e "One stop shop"-it për lejet dhe liçencat, e cila me praktika të shpejta dhe afate optimale të aplikimit, biznesi do të pajiset, që nga lejet profesionale e deri te liçencat. Qëllimi i formimit të një stacioni të vetëm është që të eliminohen burokracitë e sipërmarrësve nga një agjenci qeveritare në një tjetër. Biznesmenët që kanë nevojë për leje dhe liçenca për aktivitetin e tyre, e paraqesin kërkesën e tyre në një zyrë të vetme. Pas vënies në funksionim të "One-stop shop-it" për regjistrimin e biznesit dhe suksesit të saj, konsideruar edhe nga faktorët ndërkombëtarë si një ndër reformat më të suksesshme të qeverisë, krahas luftës kundër korrupsionit, informalitetit dhe evazionit fiskal, qeveria shqiptare po vë në funksion një tjetër qendër, këtë radhë për lejet dhe liçencat. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, duke folur për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend ka deklaruar se hapja e "One stop shop"-it pët lejet dhe liçencat është pjesë e revolucionit fiskal që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në mbështetje të biznesit vendas si dhe atij të huaj. Deri tani, funksionet e lëshimit të lejeve dhe liçencave profesionale dhe për biznes i lëshonin mbi 20 institucione, ku përfshihen ministritë dhe ente të ndryshme. Për shkak të kësaj situate, procedurat shoqëroheshin me kosto dhe burokraci në ushtrimin e aktivitetit të bizneseve. Liçencimi është hapi i dytë pas regjistrimit si person fizik apo juridik për krijimin e një enti që do të angazhohet në aktivitete ekonomike. Në përgjithësi janë ministritë, të cilat mbulojnë pjesë të ndryshme të aktivitetit ekonomik në vend ato që lëshojnë liçenca.

Si do të funksionojë One Stop Shop-i

Në kuadër të mirëfunksionimit të kësaj qendre, qeveria ka hartuar edhe ligjin për funksionimin e "One Stop Shop"-it. Ligji parashikon një afat kohor prej 1 deri në 3 ditë për marrjen e një leje apo liçence, kur në kuadrin ligjor të deri tanishëm duheshin 30-60 ditë për marrjen e një lejeje apo liçence. Me legjislacionin e ri për lejet dhe liçencat, do të aplikohet në të gjitha rastet parimi "heshtja është pranim". Edhe vetë biznesi e ka konsideruar "One Stop Shop"-in një ndërhyrje shumë e dobishme për klimën e biznesit. Por jo të gjitha lejet e licencat mund të përfshihen në "One Stop Shop", pasi disa prej tyre i nënshtrohen një procesi gare të pashmangshme, siç janë hidrocentralet, por edhe të tjera. Pra, një numër i kufizuar i tyre, për shkak të procedurave që mbartin në vetvete, mbeten si atribut i ministrive. Vetëm dy vjet më parë, në shtator të vitit 2007 u hap edhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit, QKR, e para qendër në vend, që mundëson regjistrimin e bizneseve brenda një dite dhe pajisjen e tyre me një numër identifkimi për tatimpgauesit dhe njëkohësisht regjistrimin për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Përcaktohen afatet për marrjen e vendimit

Afati i marrjes së vendimit sipas këtij dokumenti, është nga 10 ditë për lejet e peshkimit, 30 ditë për lejet e tjera të zakonshme dhe 60 ditë për lejet dhe liçencat që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Në këtë drejtim, të gjithë personat e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara për të marrë leje dhe liçenca, të cilat variojnë nga ushtrimi i së drejtës për prodhim ushqimesh, armësh, hapjen e një universiteti, deri te shfrytëzimi i minierave dhe pasurive të tjera kombëtare. Ligji i ri parashikon edhe elementin e miratimit të lejes në heshtje. Qendra Kombëtare e Liçencimit do të miratojë ose refuzojë aplikimin e çdo personi nga dy deri në katër ditë, në varësi të tipit të kategorisë së lejes ose liçencës. Nëse brenda këtij afati kohor, QKL-ja ose filialet e saj nuk publikojnë vendimin mbi refuzimin ose miratimin e aplikimit, atëherë leja ose liçenca, miratohen në mënyrë automatike. "Mosmarrja e vendimit brenda afatit nga institucioni tjetër vlerësohet miratim në heshtje, përveç rastit kur para mbarimit të këtij afati, institucioni tjetër shpall në regjistrin aplikativ shtyrje afati për atë rast. Shtyrja e pashpallur në regjistrin aplikativ është e pavlefshme. Shtyrja e afatit bëhet vetëm për shkaqe objektive të pamundësisë për shqyrtimin e kërkesës. Vendimi i shtyrjes sqaron domosdoshmërisht edhe shkaqet që e kanë diktuar atë. Shtyrja mund të përdoret vetëm njëherë dhe shtyrja shtesë nuk mund të jetë më e gjatë se vetë afati përkatës i marrjes së vendimit. Kundër vendimit të shtyrjes subjekti kërkues mund të ankohet sipas Kodit të Procedurave Administrative", thekson vendimi. Aplikimi për leje mund të bëhet duke dorëzuar dorazi dokumentet në njërin nga sportelet e QKL-së, në mënyrë elektronike ose me postë zyrtare.

1 Komente

 Lajmi eshte interesant, dhe do te ishte me interes per kedo, qe nje tv ta ndiqte/monitoronte nga afer regjistrimin e -2-3 bizneseve (per nje kohe 1-2 jave) per te pare se si dhe sa efikase apo burokratike eshte kjo pike regjistrimi dhe dhenie lejesh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).