Rruga Kadare

Klithma jeniçerësh, urdhëra pashallarësh, ulërima biznesmenësh, muzikë haremi, ritme rock dhe pop, spasma epileptikësh, hajdutë OJF-sh, luftë guerrilie mokrarësh, adhurues të pështirë dhe të rrezikshëm të soc - realizmit, mbledhje të frikëshme kolektivi, idhtarë hipokritë partish postdiktatoriale, kosovarë që venë në plazh, gërrvima karrocash, gënjeshtra gazetash, pehlivanllëqe deputetësh, zhaurima benzash, shqiptarë modernë shkartisur me malësorë me tirqe, Gjorgu që është nisur ta gjejë Dianën në Kosovë, hakmarrje drithëruese marramëndëse, pusira gjaksish, hajdutë ordinerë mbi Toyota, të vdekur e të gjallë gjith' baltë mbi kalë që sfidojnë gravitacionin, bëjnë lesh hapësirën, zerojnë kohën, ruse të ëmbëla të pabesa, zonja të rënda dinjitoze rënkuese të përvuajtura jetënxira nën thundrën e diktaturës së proletariatit, Skënderbeu autostopist i lodhur ulur mbi një shkëmb, Mao Ce Duni duke përshëndetur mirditorë, Hrushovi freskon tullën në një krua, Alush Tabutgjati mbi nje kabriolet studion rrugët e Mokrës me Navigator elektronik, Dy prostituta ruse nisur me pajton drejt Durrësit.

 

Mark Zavalina, kandidat për deputet, duke ikur në fushatë, Ganimete Cuka, që ka hapur një rrjet Sallonesh Bukurie, po vete të inspektojë një prej tyre në Vaksincë të Kumanovës. Zonja Nurihan me dy celularë në secilin vesh; Në njërin po flet me disa mikesha të vdekura njëkohësiht, në tjetrin me ambasadorin amerikan i cili po e siguron në mënyrë të përsëritur se më e bukur se sot nuk ka qënë kurrë, Besnik Struga në një kioskë duke ngrënë groshë Dibre dhe duke shëtitur në Internet me laptop, Kryeveqilharxhi mbi fuoristradë kërrusur mbi hesape të ardhëshme për ca punë të vjetra. etj. etj.

A është vallë e mundur kjo mrekulli ?!

Po, është e mundur ! Por kij pak durim, prit ta marrim shtruar.

Kush udhëton dhe nuk mendon, është sigurisht leshko. Kush nuk udhëton por mendon është Heremit. Në të vërtetë, nuk ka njerëz që të jenë vetëm të tillë apo vetëm të atillë. Sepse leshkua udhëtar, ai që më së shumti udhëton jashtë vetes, e vë mbi makinë një patkua që ka lidhje me meditimin, destinin. Dhe heremiti mendimtar që udhëton kryesisht brënda vetes, ëndërron edhe udhëtime. Megjithatë, rreziku i një ndarje të re të shqiptarëve, në leshko grahës të çmendur të makinave, dhe heremitë të heshtur të topitur, sedentarë të dhjamur me komjuter përpara, ekziston.

Të bëjmë diçka që t'i dalim para këtij rreziku. Ndonjë gjë që sa të mundemi t'i bëjmë; leshkot të udhëtojnë edhe brënda vetes, heremitët edhe jashtë vetes.

Durrës - Mitrovicë, të quhet Rruga Kadare !

Sfiduesi madhështor i Diktaturës më të egër dhe më të shëmtuar të Botës, Gjeniu me ndikim iluminues më të madh se i të gjithë librave, filmave, radiove, televizorave, parë e lexuar fshehtas a haptas gjatë dhjetra viteve të Diktaturës, këtë e meriton.

Dhe, jo vetëm Autostrada, por edhe pjesët e asaj Autostrade, të marrin emrat e romaneve të Tij.

Do thonë shqiptarët që do udhëtojnë mbi Rrugën kryevepër inxhinierike me emrin e Gjeniut të kryeveprave letrare; E mban mënt që desh' vdiqe kur u pamë tek Gjenerali, Të kujtohet si u theve kur të putha te Prilli, Sa kinezërisht deshe të më mashtrosh kur kaluam te Koncerti, kur pimë ujë te Ebu Qerimi, kur u shplodhëm tek Hani etj.

Ka më bukur ?!

S'ka më bukur. Por bukuria dhe progresi e kanë të përpjetë rrugën dhe të lartë çmimin. Sepse do thonë mizat që zukasin rrotull Viganit; Jo, sepse është gjallë, ende nuk ka vdekur.

E ç'të bëjmë tani ? Të dëgjojmë mizat ? Të presim të vdesi Gjeniu ?! Ore edhe mund të presim, se edhe jemi mësuar të presim. Por problemi është, sa mileniume duhet të presim që ajo vdekje të ndodhi ?! Sepse, që të bëjë vaki' ajo që duan mizat, pra që Gjeniu të vdesi, i bie që ne vdekëtarët banalë të mbetemi gjallë edhe pasi Botës t'i ketë ardhur fundi. Pra, çfarë thonë mizat hipokrite është një hile që s'mund të ndodhi. Për më tepër që pretendimi absurd mizor, nekrofilik, moralist, vjen pikërisht prej zevzekëve të sotëm të neveritshëm konformistë të pështirë të djeshëm, atyre që, aspak Gjeniun, por diktatorin dhe diktaturën i quanin të pavdekshëm.

Prandaj ejani pra t'ia vëmë emrin që meriton kryevepra infrastrukturore. Ta bëjmë jo vetëm Rrugë të Bashkimit, por edhe të mirkuptimit, paqes, stilit, elegancës, Artit, perfeksionizmit. T'i nderojmë në këtë mënyrë të dy; Gjeniut të letrave shqiptare dhe botërore t'i dedikojmë më së fundi diçka si e meriton, dhe kryeveprës së bashkimit të shqiptarëve t'i vëmë një emër për të qënë.

Do jetë një mrekulli realizimi i kësaj nevojë urgjente përmes  një mpleksje madhështore inxhinieriko - artistike që do sillte në vete edhe leshkot edhe heremitët ?!

Është më e pakta që mund të bëjmë për Gjeniun në të mirë të gjithë të tjerëve.

Se edhe jemi zhytur në turp me emrat e rrugëve. Me vet' rrugët po i kemi punët çdo ditë e më mirë, ndërsa me emrat e tyre çdo ditë e më zi.

Në fare pak raste të pranueshme, rrugët tona mbajnë emrat e ca gjytyrymëve. Në të gjitha rastet e tjera, njëri më i zi se tjetri, kaluar nëpër filtrat kriminalë të propagandës së Diktaturës kur heronjtë më së shumti shpikeshin se ishin, një numur prej të cilëve nuk janë as emra shqiptarë, emrat e rrugëve tona mbajnë emra terroristësh,vrasësash, atentatorësh, injorantësh, të cilët me rrugën nuk i lidh kurgjë tjetër përveç rrugaçërisë.

Unë për shembull, banoj në një rrugë që mban emrin e një anonimi. Atë emër kurrë nuk e sjell dot në hatër para se të mendohem disa minuta. Kafexhiu poshtë pallatit, dhe shitësi i zarzavateve të mëhallës s'ime, janë sigurisht më të famshëm se derdimeni i rrugës. Por s'ankohem. Se ka, edhe më keq, madje shumë më keq. Sepse, tjetër shembull, një miku im ka lindur e është rritur në një rrugë që mban emrin e një vrasësi injorant. Ky mik, që për dreq ishte edhe qefli i letrave të shkruara me dorë, të mbyllura në zarf, të ardhura me postë, duroi sa duroi tek merrte e dërgonte letra me mbi zarf emrin e vrasësit të pllakës në krye të rrugës, dhe, qefliu i penës, bojës, zarfit, zamkut, postës, ankthit aq të bukur për të marrë një letër, një ditë të bukur hoqi dorë përfundimisht nga të gjitha këto, j'u fut atij komunikimi të cilin deri atëhere e kishte patur aq zët, komunikimit elektronik.

Nuk njoh ndonjë të ketë ikur nga Shqipëria për shkak të emrit të rrugës. Por njoh mirë njërin që ka ndërruar shtëpi dhe lagje mu për atë shkak dhe për asnjë arësye tjetër.

Nuk mund të durohet më që mijëra të vuajtur nga mizoritë e Diktaturës të vazhdojnë të shkruajnë mbi zarfa emra terroristësh komunistë, dhe të marrin letra në zarfa mbi të cilët gjinden emra vrasësish.

T'i heqim fare emrat e rrugëve. S'është ndonjë ububu. Përkundrazi është zgjidhje për t'u pastruar nga balta e turpit të propagandës. Emrat e rrugëve t'i zëvëndësojmë me numura. S'do jemi të parët. E kanë disa vende të Botës.

Ndërkohë, emër rruge të këmi vetëm një; Rruga Kadare !

Dhe ajo rrugë ashtu të jetë, e tëra dedikuar Atij.

Diku e gdhëndur, diku e grryer, diku e shkruar diku e pikturuar, mbi faqe malesh rrëzë lumenjsh, gjatë gjithë saj të shtrihet vepra e Tij. Jo e tëra. E tëra nuk është e mundur. Për të tërën nuk do mjaftonte, jo Durrës - Mitrovicë, por as Durrës - Diell. Disa pasazhe, ato më të bukurat, ato më sugjestivet, ato më turbullueset, të shkruhen me gërma të bardha direkt mbi asfaltin e zi. Shqiptarët do t'i lexojnë margaritarët duke u grahur makinave. Nuk do ketë rreziqe. Sepse udhëtarët të përthithur nga leximi do tu grahin ngadalë makinave. Por nuk do t'i  ndalin. Sepse po i ndalën nuk do mund të lexojnë. Aty këtu mbi asfalt do shkruhet; "Çlodhu pak". Kjo në kuptimin, deri në tjetrin Varg gjigand a pasazh madhështor. Gjatë kësaj rruge e gjatë atij udhëtimi nuk do ketë vende pushimi. Udhëtarët, as leshkot, as heremitët, nuk do zbresin nga makinat. Ata do mund ta shuajnë etjen nëpër krojet, do hanë nëpër hanet, do mendohen nën mijëra Hënat, do ngrohen nën qindra Diejt, e romaneve të Tia.

Hajt pra t'ia vemë atë emër Rrugës.

Ta dëshmojmë se ky vend nuk lind vetëm guakër që ta zënë për fyti, por edhe njerëz ja duan të mirën.

T'i japim në këtë mënyrë Atij që nuk la të ndalej fryma, që nuk lejoi të fikej Drita, që nuk mundësoi të shprishej shija, një të miliontën e asaj që meriton.

Tu tregojmë të rinjve se në këtë vend që mund të jetohet për mrekulli, mund të ketë shpresë, se këtu ka Histori, është bërë dhe do bëhet Art, se gjuha e këtij vendi, nga më të pasurat dhe më të bukurat, nuk është bërë vetëm për dërdëllitije, por edhe për kryevepra që j'a ka zili' Bota.

T'i vëmë Rrugës së bashkimit të shqiptarëve emrin e Atij vepra e të cilit përmban më së shumti elementë bashkimi të tyre; rrugë, ura, tunele, udhëtime, frymëzime.

Që të mund të thonë; S'lanë dreqni' pa bërë, ama e bënë edhe një punë të mirë, vunë një emër për së mbari, jo emër budallai, as guaku, as vrasësi, as terroristi, as atentatori, madje as emër njeriu, por emër Gjeniu.

20 Komente

jo po t'i vejm emrin e vizionarit Stefan Dushan per bashkimin e Ballkanit

 

"Rruga e Kombit" e qu Olldashi, "Korridori i Kombit" e qu Berisha. ka i kuptim simbolik dhe menoj se Olldelja e ka gjet tamom

Bravo,beni nje peticion qe rruga te quhet "Rruga Kadare* dhe filloni te mblidhen firmat.Une i pari qe do ta firmosja.

Ky ka qënë dhe ngelet gjë e pështirë (dhe për dreq ka edhe mjaft idjotë të tjerë që bëjnë si ky)... Nga një anë ngre në qiell lavdinë e kombit(I.K) dhe nga ana tjetër shkruan:"adhurues të pështirë dhe të rrezikshëm të soc - realizmit"

Kta njerëz që flasin për gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje janë gjëja më e pështirë... të paktën të kenë bythë dhe të rrinë e të thonë një gjë të vetme të paktën.

Ca thote ky mer aman, Ypi eshte out fare nga realiteti.

 

Ismail Kadere, ( edhe pse personalisht nuk me duket ne ate nivel qe e ngrejn keto ) eshte ne ate sektor te librave,edhe kaq. Rruga le te jete pa emer, thjeshte nje autostrade.Ska pse te kete emra, te pervecem, se nuk eshte  rruge lagjeje.ja ta quajm tani , Rruga e Skenderbeut smiley

 

Ja ke fut kot Ypo, fundja fare, si gjithmone smiley

Yp, per tipat si ty, keta anglishtfolesit kane nje shprehje: "open mouth, insert foot". 

PS Te isha une si Ismaili, do te dergoja nje shenim: Amon mos me duj kaq shume!

Me lejoni te vecoj ca thagma nga ky shkrim:

1. Kush udhëton dhe nuk mendon, është sigurisht leshko. Kush nuk udhëton por mendon është Heremit.

Të bëjmë diçka që t'i dalim para këtij rreziku. Ndonjë gjë që sa të mundemi t'i bëjmë; leshkot të udhëtojnë edhe brënda vetes, heremitët edhe jashtë vetes.

p.s.1 Ku hyn Ypi?! 

2. Ndërkohë, emër rruge të këmi vetëm një; Rruga Kadare !

Dhe ajo rrugë ashtu të jetë, e tëra dedikuar Atij.

ps.2. Me gjithe respektin dhe adhurimin qe kam per Kadarene, per bese, nje rruge dedikuar Atij, vetem Ypit mund t'i shkoje nder mend...

3. Ta dëshmojmë se ky vend nuk lind vetëm guakër që ta zënë për fyti, por edhe njerëz ja duan të mirën.

ps.3 ???!!!!!! jam pa fjale!

Eh, mjaft se u lodha!

Edhe nje pyetje: Inxhinieri ( apo grupi i inxhiniereve) qe ka projektuar rrugen ka emer?! Ne duhet patjeter t'i vene nje emer, pse te harrohen meritat e atyre qe punojne per te?! 

Eh mer Em... disave ju është mërzitur dhe Skënderbeu dhe ju doni që të kujtohen dhe inxhinjerat... sa shumë mosmirnjohje ka ndaj inxhinjerave smiley

Icik histori:

After the "unofficial inauguration" occurred by the drive with Minister Baumgartner on October 23rd 1853, a provisional transportation of goods was arranged. Officially the goods traffic did not start until May 15th 1854. Because of the signed "highest resolution" through emperor Franz Josefph I. on July 9th 1854 no solemn inauguration was held, since the Semmering railway formed only a section of the southern state railway from Vienna to Triest. Finally the scheduled operation of the Semmering line was taken up with passenger traffic on July 17th, 1854 while the whole line from Vienna to Triest was finally opened on July 27th, 1857.

Meqe i jena qep ksaj fjale: bota e zhvillume qe ne duhet te marrim shemull, nuk jon "butaforik". Plus qe perandori nuk u merrte me pislliqe si puna zgjedhjeve, ene s'kish nevoj me bo si shpirt i keq. Me tynelna e me brryla rrugesh.

PS: S'di e e ke bo najher at tunelin e Voralrbergut kur shko ne Zvicer prej Austrie, Ed-o.

http://a7.vox.com/6a00c2252010c7f21900fa9686183f0003-500pi

... Dhe rrugen e Rivieres ta quajme Dritero Agolli.

...po pra, ky tynel nuk quhet tyneli  "Karl Gega",  por tyneli i Semeringut.

Edhe kete kishte mangut Kadareja, ta mbante neper goje rrypi. Ja urdho, dikush te thote "kishte shkrujt rrypi qe rruges DR-KU duhet me i vone emrin Kadare". Pergjigja e pare qe i vjen gjithkujt ne maje te gjuhes eshte "ama rrypi e paska thone? Varja fare"

E thojne pastaj qe Sala ska punu...Deri para 4 vjetesh ju keputej makina neper rruge me gropa mer cuna kurse sot ka ardh koha qe rruget i quni te mirqena e merreni me emrat e rruges. Ketij i them standart une.

edhe në kohën e madhe të optimizmit komunist (kur ishte mjaft kollaj që të haje burg për agjitacion e propogandë për gjysëm llafi) të gjithë ishin dakort me atë që: as kalamajtë e kalamajve të kalamjve tanë nuk do të mund ta shikojnë komunizmin e vërtetë... Ndërsa tani, mjaft që të rrosh përpara një kompiuteri duke parë lajmet e Partisë, e jo vetëm që të duket rruga e mbaruar, por ke të dejtë t'i vësh edhe emrin që do.
Unë s'jam supersitcioz, por ata që e ëndërrojnë rrugën të bërë (dhe aq më tepër së shpejti... sidomos para votimeve), do të thonë që ishte faji i atij gojmutitja vuri emrin fëmijës që pa lindur që dështoi smiley

 Edisoni, nuk e ka keq (biles vura buzen ne gaz), veç ai nuk e ditka qe autostradat shkruhen ne harte me numra, si psh. A12, E40, A1, etj. 

E lexova, me interes te dyfishuar, pasi shkruhet per ca zona qe me jane te shenjta. Prishur dora, Yp, edhe ne shenimet e udhetimit, imagjino!  smiley  Qekur eshte futur igrasia e politikes, kane reumatizem e ngerc deri edhe keto lloj shkrimesh qe dikur i qaje! E njejta gje si dhe te shkrimi i rruges, por ketu dhimbjet e kockave te tekstit qene me te forta.

Me keqardhje te sinqerte, e gjithe kjo.

Ah, Yp, se mos harroj, une kur udhetoj permes ures W. Whitman, ke kujton ti se mendoj tjeter pervecse Gjeniut (tonit)! S'ka pak kohe qe kalova permes asaj ure. Ama te perdoresh emrin e Ismailit ne nje gje kaq kontroversiale e te perfolur politikisht sa eshte tani per tani kjo rruge, nuk e di, por nje efekt bumerang te cfaredo qellimi te mire them se e ndjen, apo jo. Prandaj te thashe open mouth, insert foot.

Lere Gjeniun ashtu si eshte, nje institucion ne llojin e vet. Ai i ka kaluar keto stadet qe me kujtojne kohen "postenver" me duhma emerveniesh (kombinati, universiteti, porti e ku di c'tjeter). Langot qe flasin keq per Ismailin jane elemente te neglizhueshem. Pra mire e kishe me "Gjak gjeniu", c'duhen keto budalliqe me rruge e tabela qe perfliten kaq shume? Kupton? Ka kohe te caktuar per gjerat. Ja psh vetem tani Triboro Bridge e quajten R F Kenedy.

Rruga Kadare vertet largpamese ..mbaron ne Qafe te Morines ...me tej fillon asfalti i rruges  Qosja ....

Imagjino titujt e gazetave pas ndonjë incidenti në autostradë: "Përplasje Kadare-Qosja, dy viktima dhe 3 të plagosur" smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).