"Rruga e Diellit" - Mrekullite e Jonit, tani per pese ore nga Tirana ne Sarande

Rruga e Rivierës, ose Rruga e Diellit, që përshkon krejt fshatrat e Bregut, nga Vlora në Sarandë tashmë është gati. Ajo është zgjeruar dhe shtruar me asfalt, gati të presë mijëra turistët vendas e të huaj, që do të vërshojnë këtë sezon veror në plazhet e mrekullueshme të Jonit të kaltërt.
          
Këto ditë të para të Qershorit, ndërsa u nisëm nga Tirana në një mot me vranësira dhe me shi, në më pak se dy orë mbërritëm në Vlorë, duke përshkruar deri në Fier autostradën e sapopërfunduar.
 
Mbi bregdetin e Radhimës, mbi Karaburun dhe më tej, në ishullin e Sazanit, rrezet e diellit të ngrohtë, binin mbi kaltërsinë e kthjellët të detit. Në krejt këtë zonë, deri në Sarandë, ditët me diell janë rreth 300 në vit.
 
Mbas Llogarasë e Dhërmiut, ku rruga përfundoi gjatë vitit të kaluar, të shfaqet një tjetër mrekulli. Rruga me dy kalime, megjithëse në një terren shkëmbor tepër të vështirë, ka përfunduar dhe është e shtruar e tëra me asfalt deri në Himarë, ku disa firma po punonin në unazën e qytetit bregdetar për ta përfunduar brenda këtij muaji.
 
Mbas Himarës, krejt rruga deri në Sarandë, që përshkron disa fshatra të mrekullueshme turistike si Qeparoi, Borshi, Lukova, është komplet e asfaltuar dhe e zgjeruar në pjesën kryesore të saj, duke bërë të mundur që aksi Vlorë- Sarandë prej 171 km të përshkohet nga automjetet për 2 orë e 30 minuta. Ndërsa nga Tirana në Sarandë tashmë krejt ky aks i rëndësishëm përshkohet për 5 orë, nderkohe qe përpara dy-tre vitesh duheshin rreth 10 orë të mundimshme.     
 

Banorët e Bregut nxitojnë të përgatisin vilat dhe hotelet për turistët
 
Lajmi i shtrimit me asfalt të rrugës së Rivierës ka mbërritur edhe në Greqi, ku punojnë emigrantë të shumtë nga kjo zone. Në Himarë takuam disa prej tyre. Paksi Nërënxi, i cili ka ndërtuar së bashku me djemtë e tij një vilë në Spille, afër molit, kishte mbërritur para dy ditësh nga Greqia për të sistemuar dhomat dhe ambientet e tjera. "Këtë sezon turistët e parë pritet të vijnë më shpejt, sepse rruga tashmë ka përfunduar. Presim jo vetëm turistë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, por dhe nga Kosova e Maqedonia"- thotë Paksi. "Vjet kur u larguam në fillim të Shtatorit, as na shkonte në mënd që kjo rrugë e vështirë mes maleve dhe me kthesa të vështira të përfundonte kaq shpejt" - shprehet ai. Përfundimi i autostradës së veriut, duke u gërshetuar me aksin e Rivierës, pa dyshim do të sjellë më shumë turistë në brigjet e Jonit.
 
Në fakt plazhet e Himarës, Dhërmiut, Qeparoit dhe Borshit, që përbëjnë perlën e Jonit, deri më sot janë shfrytëzuar shumë pak, për shkak të rrugës së vështirë. Vetëm në pikun e sezonit, nga 15 Korriku ne 15 Gusht, këto plazhe mbusheshin plot. Ndërsa në periudhën tjetër të vitit mbretëronte qetësia, megjithëse natyra, moti dhe deti i pastërt, - ndër më të pastrit në Mesdhe, - ishin gjithnjë të favorshme për të pritur në çdo moment mijëra turistë.
 
Thomai, një banor mbi 80 vjeçar, që çdo mëngjes nxjerr barkën e tij të vogël për peshkim në gjirin e Himarës, thotë se këtu mund të fillojë turizmi sapo përfundon muaji Shkurt e deri në Nëntor dhe rruga e re pritet ta zhvillojë më shumë zonën. Tashmë nëpërmjet rrugës edhe banorët vendas do të kenë mundësi të transportojnë më lehtësisht materialet e ndërtimit për të riparuar banesat e vjetra qindra vjeçare prej guri.
  
Vasil Rrapo sapo ka përfunduar hotelin e tij të ri modest në hyrje të Himarës, nga ana lindore e qytetit. Ai ka punuar së bashku me të shoqen dhe fëmijët në Greqi dhe me fitimet e kursyera ka arritur të ndërtojë këtë hotel dy katësh, mbi themelet e godinës së vjetër, pronë e prindërve të tij. Hoteli me 6 dhoma, tre prej të cilave edhe me kushte për gatim, ka një pamje të mrekullueshme përballë detit. Dhomat janë me orendi kejt të reja dhe me kondicionerë. “Më ka kushtuar shumë - thotë Vasili - mbi të gjitha transporti i materialeve nëpër këto rrugë të vështira, por tani që rruga u bë do ta kem më të lehtë për të ndërtuar edhe një kat tjetër komod për pushuesit".
 
Ndërkohë kodra sipër qytetit, apo siç quhet Himara fshat, ku ndodhen pjesa kryesore e shtëpive të banorëve, që deri tani, në pjesën dërmuese kanë qënë të braktisura prej 19 vitesh, për shkak të largimit masiv të të rinjve për të punuar në Greqi, kishte filluar të gjallërohej. Vila të reja kanë filluar të ndërtohen në faqet e kësaj kodre të mbushur me ullishta dhe agrume. Pamja nga këto vila është magjepëse pasi dritaret vështrojnë të gjitha nga Joni. "Tani që rruga përfundoi, do ta kemi më të lehtë për të shpejtuar punimet në banesat tona." - thotë Jani, që ka punuar 14 vite në Korfuz në baret dhe restorantet greke. Shumica e pushuesve që vijnë në Himarë, thotë ai, zbarkojnë në godinat dhe hotelet në breg të detit dhe nuk e njohin këtë zonë sipër tyre, që është akoma më e bukur, sepse këtu ndihet jo vetëm era e detit, por edhe e malit. Këtu pushuesit gjejnë edhe prodhimet tradicionale të freskëta bujqësore, gjejnë jo vetëm peshkun, por dhe mishin, perimet bio, mjaltin, vajin e ullirit dhe agrumet. "Rruga,” - thotë ai - “i ka penguar deri tani të vijnë këtu turistët, por vilat e reja që kemi filluar të ndërtojmë do ti bëjnë shumë shpejt konkurencë hoteleve poshtë nesh".            
 

TRISS, kompania që ka marrë përsipër akset më të vështira të Rivierës
 
Në këtë rrugë që sapo ka përfunduar, - me përjashtim të unazës së Himarës, që pritet të përfundojë brenda muajit Qershor, - kompania " TRISS" ka marrë përsipër akset më të vështira. Banorët vendas shprehen se pa punën e specialistëve, inxhinierëve dhe punëtorëve të saj ishte e vështirë përfundimi në kohë i kësaj vepre të re infrastrukturore që i shtohet vendit.
 
Në këtë rugë janë zbatuar 10 kontrata (lote). Gjatësia totale e saj është 70,125 km dhe vlera e ndërtimit llogaritet në 43 milionë euro. TRISS ka mobilizuar në kantier makineritë moderne për të përfunduar unazën e Himarës. Inxhinieri nga Tirana i kësaj firme Ilir Murthi, thotë se punohet natën dhe ditën që ky aks të përfundojë pa u afruar dyndja e turistëve, që tashmë e kanë marrë vesh se rruga në krejt gjatësinë e saj ka përfunduar. “Është një terren mjaft i vështirë” - thotë Iliri – “këtu nuk ka është vënë dorë asnjëherë prej mbi disa dekadash dhe po punohet që krahas rrugës të ketë edhe trotuare si dhe të shtrohet në breg të detit një shëtitore e ndriçuar që lidh lagjet e qytetit bregdetar."
 
Por dhe projektet e ndërtimit të ujësjellësave në fshatrat Dhërmi e Vuno, respektivisht 50 dhe 60 km në jug të Vlorës, të financuara nga Qeveria Shqiptare dhe Banka Botërore janë në fazën përfundimtare të punimeve dhe këtë sezon do të vihen në funksionim. F.Marko, drejtues i punimeve, thotë se "ritmet e punës janë të larta dhe garantojnë përfundimin e projekteve, me qëllim garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm për 24 orë në fshatrat Dhërmi e Vuno, duke zgjidhur një problem të vjetër të komunitetit të këtyre fshatrave.”
 
Përveç projekteve të mësipërme, në to përfshihen ndërtimi i rrugëve të daljeve në det në fshatrat Ilias e Qeparo, rikonstruksioni i qendrës së fshatit Dhërmi, ndërtimi e sistemimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në Himarën e Vjetër, etj. Edhe në projektet e tjera, punimet janë në një fazë të avancuar dhe pritet të finalizohen brenda pak javësh, gjë që do të shoqërohet me përmirësimin e ndjeshëm të standardeve të infrastrukturës rrugore dhe do të sigurohet komunikimi me bregun e detit.
 
Ndërsa pimë një kafe në lokalet e Himarës mbasdite vonë, kur dielli në perëndim duket sikur zhytet në detin e kaltër të Jonit, në portin e vogël krahas peshkarexhave ankorohen edhe jahte me turistë, që japin të parët sinjalin e një bumi turistik këtë vit në krejt Rivierën.

16 Komente

Këto ditë të para të Qershorit, ndërsa u nisëm nga Tirana në një mot me vranësira dhe me shi, në më pak se dy orë mbërritëm në Vlorë, duke përshkruar deri në Fier autostradën e sapopërfunduar.

Nëse respektohen rregullat e qarkullimit rrugor (kufiri i shpejtësisë 90km/orë në autostrad&eumlsmiley, nga Tirana deri në Fier të duhen 1h e 45' (e provuar në kushte të një trafiku pothuajse inegzistent... pikërisht sepse edhe unë e bëra në një ditë të vrënjtur dhe që s'kishte plazhista).

Është akoma për t'u habitur që e konsiderojnë 5orshin si një sukses... në shumë më pak se 5 orë, të nisesh nga Tirana shkon në Ulqin e përtej (për të mos thënëqëpo t'i hypësh avionit kushedi se ku arrin në ato 5 or&eumlsmiley.

A nuk ju shkon ndërmënd ndonjëherë atyre njerëzve në Shqipëri që të fillojnë transportin detar? Një traget Durrës-Vlorë-Sarandë?

Per 5 ore, me Shuttle, me bilete te agjencise ajrore "Nasa", del nga orbita e Tokes dhe kushedi ku arrin, po qe per ate muhabet. 

smiley

Kurse persa i perket shpejtesise dhe limiteve, ato nuk i di. Duhet pare sesa km autostrade jane, etj. etj.

Gjithesesi, llogarite eshte mire ti bejme duke u krahasuar me kontekstin tone, jo me hapesiren rreth nesh (anash, poshte, lart, etj.)

Persa i perket tragetit, ideja eshte sh interesante. E kam ngritur si pyetje edhe vete sa e sa here, duke biseduar me miq e te njohur (sidomos pas sa e sa udhetimeve te gjata e te lodhshme nga Tirana drejt jugut).

Kam pershtypjen se nuk eshte bere pasi nuk ka leverdi ekonomike.

Nese sot nuk ka nje linje te tille, kjo ndodh pasi asnje operator ekonomik privat nuk e ka pare te leverdishem investimin ne kete drejtim.

Nuk besoj se ka ndonje problem teknik pasi tragetet (ose 'delfinet') nga Greqia dhe Italia udhetojne ne Durres, Vlore, Himare e Sarande pa asnje problem.

 

 

 

 

 

"Rruga e dielli, mrekullite e Jonit, tani me se fundi shteti shkon edhe ne zonat bregdetare"

Mendoj se ky do te ishte titulli me i sakte, pasi jo vetem qe rruga e rivieres nuk eshte rruge shpejtesie, por lajmin e vertete ketu e perben fakti qe shteti po u ofron banoreve dhe turisteve infrastrukture e cila iu eshte mohuar per dekada me radhe.

Eshte me te vertete nje rruge e bukur, vecse me gjithe respektin per firmen Triss, nuk arrij te kuptoje "persene" e disa devijimeve te kota te cilat vecse risin konsumin e karburantit dhe rrezikshmerine e qarkullimit.

Duket sikur vuajme ende ne ndertimin e infrastrukturave rrugore ate vizionin e cunguar te kohes se komunizmit ku punimet e terrenit beheshin ne minimumin e mundshem duke harruar karakterin hidraulik te qarkullimit.

 

A nuk ju shkon ndërmënd ndonjëherë atyre njerëzve në Shqipëri që të fillojnë transportin detar? Një traget Durrës-Vlorë-Sarandë?

Shume e drejte!

Mu m'duket onderr kjo (se Tiron Fush kruje e kom pas bo per 1.5 ore me fizarmonike). Vetem kom fryk nga dyndja modhe. E du vetem per vete Bregun kur t'vije koha pensionit.  smiley   Mu te Borshi ne te dale, lule Sofo lule djale...

" 1.5 ore me fizarmonike" smiley

E du vetem per vete Bregun kur t'vije koha pensionit.

Eeeee , une e dua vetem per vete gjithnje. Tani do behet mullar me njerez!

 Artikulli, te them te drejten, sikur me dha krahe. Mezi po pres korrikun e gushtin qe ta shoh ate rruge, qe kam vite pa e pare, vite ku autobuzi hecte me shpejtesine e nje vrapuesi/atleti  amator.

Na behet qefi qe me ne fund po shohim fryte konkrete nga nje qeveri. Te shohim njehere si shijohet vera me rruge te shtruara..

Me ner motre, po ta ket bo Sala ket mrekulli hallall e ka t'ma hudhi voten per veten e vet. 5 ore deri m'sarande osht prralle. Treni mezi t'co deri ne poradec per 6 ore.

Rruga ishte hapur si gjurme qe vjet ne vere dhe po punohej.

Ishte ndjesi shume e vecante te mund te udhetoje ne nje rruge te gjere si te varur mbi det, dhe nga ana tjeter te hijeshuar nga plantacionet me ullinj e peme frutore.

Rruga i prek te gjitha fshatrat kryesore te bregut, nga Vlora ne Sarande dhe implikacionet e perfundimit te saj jane me gjithe mend te kendshme (per ata qe e duan bregdetin e jugut te Shqiperise).

Natyrisht, celja e rruges dhe rritja per rrjedhoje e aksesibilitetit te zones nga ana e turisteve do te rrise edhe fluksin e ketyre te fundit.

Cka eshte gje e mire, po te qeveriset si duhet.

Fatkeqesisht, nga shembujt e meparshme qe kemi, ka vend per tu shqetesuar (imagjinoni/krahasoni plazhet e Durresit para dhe pas viteve '90).

Po kjo, natyrisht, nuk ka te beje me rrugen ne vetvete, por eshte ceshtje tjeter.

 

 

 

 

Une per vete do te kisha nje propozim.

Qe zona nga Palasa ne Kakome (bregu dhe kodrat pas tij) te shpallet park kombetar.

Kam parasysh nje model Europjan qe e njoh mire (si vizitor). Ate te Cinque Terre, ne Liguria, ne Italine e Veriut. 

www.cinqueterre.it

Aty, njelloj si ne jugun e vendit tone, nderthuren:

1. Plazhet e bukura shkembore

2. Gjiret e mrekullueshme detare

3. Qytezat/Fshatrat karakteristike (zona quhet "Pese Tokat" pikerisht prej pese qytezave karakteristike qe ndodhen aty).

4. Prodhimet e fresketa ushqimore te detit dhe te tokes, si edhe gatimet karakteristike

5. Mundesia e praktikimit te nje serie sportesh ne det dhe ne toke

6. Mundesia e shfrytezimit masiv turistik te parkut jo vetem ne vere, por edhe ne pranvere e ne vjeshte

7. Oferta e pasur e territorit edhe ne bregdet edhe ne prapatoke (me mundesine e zhvillimit te strukturave pritese ne te dyja zonat)

8. Oferta e pasur me objekte te trashegimise historiko-kulturore te vendit

Etj.

Une p.sh., si qytetar, do te ndiqja me shume vemendje hedhjen ne tregun e ideve te nje propozimi te tille, - ose pse jo, me mire akoma, te nje projekt-ligji te propozuar nga shoqeria 'e gjelber' civile - dhe do ta mbeshtesja pa rezerva (edhe financiarisht) cdo perpjekje serioze per ta shnderruar ate ne realitet.

 

  

 

 

e mer sa shkolla do ishin ndertu me leket e kesaj rruge ?

 

vej bast qe socialistet thone qe "kjo ka qene ide e vjeter e tyre dhe se, pa perkrahjen e tyre kjo rruge nuk do ishte bo". Shkurt, merita i takon atyne

plot shkolla do ishin ndertu!!!!

Jazek socialisteve qe lane mbrapa projektin e mbaruar ne detaje dhe canten me para per kete rruge!-do thosh nje specialist josocialist i punesuar dikur ne administrate.

qofsha i gabum po plot shkolla jane ndertu, me shume sesa u ndertun per 8 vjet te socialistve.

Cante me pare?! ku e ke pa ket endrren? u debatu deri vone per kredine qe u mor per rrugen pa llogarit ktu faktin qe u bo zhurme (mbase, me te drejte) per koston qe kaloi preventivin

E paske per here te pare ket rruge dhe si hera e pare eshte mbreselenese. Kot sa per ta dite ket ruge e kom pas bo ne vitet 80-te me motor Jawa pak me teper se 5 ore, pasi ndaloja nja 30 minuta tek ballkoni i rivieres per te pi nje cigare duhan.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).