Roland Tasho dhe shqiptarët e Amerikës

Ka një fill lidhës në punën e tij. Në fakt disa fije lidhëse. Para gati dy shekujsh, shqiptaro-amerikani i parë me origjinë nga Erseka, mbërriti në Kontinentin e Ri. Vetë, Roland Tasho, është pinjoll nga ky vend, që ka sjellë shumë kulturë në Shqipëri. Por, në projektin e ri, që është realizuar me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë, FAVA - Bordi i Zhvillimit të Miqve të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe MTKRS, fotografi ka dashur të mos lerë në mes aventurën e tij, për të koleksionuar të gjithë emigracionin shqiptar, kudo që ndodhet. Këtë e ka bërë më parë dhe në vendet e tjera.

Nga ersekalliu i parë, valë të pafundme emigracioni, e kanë pushtuar vendin e madh të kombeve, duke i dhënë gjakun, dëshirën dhe kanë realizuar ëndrrën e përbotshme amerikane. Në kërkim të saj, Fotografi i njohur shqiptar, Roland Tasho, realizoi katër javë më parë setin e tretë të suksesshëm kushtuar emigracionit shqiptar nëpër botë. E veçanta e Amerikës, është se hapësira e saj e pamatë e ka bërë ëndrrën shqiptare reale. Amerika i ka dhënë barazi, dinjitet dhe shumë dashuri shqiptarëve për vendin e ri. Tasho e ka ndjerë në përshtatjen e tyre, por më shumë në suksesin e tyre real, që do të thotë mirëqenie dhe identitet.
 
Sqarojmë se pas “Urë Ndërtuesit”, albumit kushtuar emigracionit shqiptar në Zvicër; dhe një tjetri që ishte përgatitur kohë më parë suksesshëm për Italinë; Tasho mëtoi dhe arriti të sjellë për publikun, komunitetin e ri dhe përshtatshmërinë e emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa zhurmë, e gjithë kjo punë u realizua me një nga stilet e zakonshme të natyrës së punës së Tashos, ai, vetë, ka përshkruar mijëra kilometra në kërkim të personazheve të njohura të vendit të tij, që kanë ndërtuar një jetë tjetër në kontinentin e mundësive të barabarta. Jo më kot, projekti i tij, është realizuar me mbështetjen e disa aktorëve të rëndësishëm potencialë: Ambasadës Amerikane në Tiranë, FAVA - Bordi i Zhvillimit të Miqve të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe MTKRS. Mbase, si nuk e ka parashikuar, rezultati teknik ka qenë i jashtëzakonshëm: “për një udhëtim 2 mujor fotografova 120 shqiptarë të Komunitetit të vjetër dhe të ri të punës dhe të suksesit në të gjithë hapësirën amerikane”, është shprehur ai.
Pa përmendur emra sepse do të ishte një listë e gjatë, mjeshtëria teknike, e cila tani pret dhe një konceptim të mirë mediatik, në albumin për emigrantët e Amerikës, ka treguar realitetin e vërtetë të Neo albanicus.
“Shqiptaret i gjeta të sistemuar kishin gjetur vetveten sepse e tillë është Amerika e barabartë për të gjithë. Suksesin e shqiptarëve të Amerikës e gjeta në çdo fushë: kishte arkitektë, mjekë, pedagogë, inxhinierë, ekonomistë, artistë dhe shumë të tjerë në pozicione kyçe falë hapësirës që të krijon jeta në Amerikë”. Kjo ndihet dhe në punën e Tashos, që këta shqiptarë i ka treguar me shumë dashuri, duke rrëfyer që qytetërimi shqiptar është pjesë e denjë e Civilizimit bashkëkohor. Ai ka treguar me anë të portretit të goditur të tyre-se jo vetëm ata janë përshtatur në institucionet elitare amerikane, por i kanë dhënë dhe karakteristikat më të mirë të shqiptarit të ri. Dhe, ata janë, që nga të punësuarit e thjeshtë, duke vijuar me karpentierin, baristin dhe deri te menaxherët, avokatët dhe profesorët.
Njerëz të thjeshtë, që tash e kanë ndërtuar jetën e tyre në SHBA në të gjithë shtrirjen e tij, por edhe që e kanë shpërfaqur racën shqiptare krejtësisht të integruar. Modeli i projektit të Tashos, është një i tillë që zakonisht e kanë pasur vendet me emigracionin më të zhvilluar, ndaj linja e tij është e thjeshtë dhe shumë prekëse. Pak e miksuar për të treguar se shqiptarët, mbeten njësoj të thjeshtë dhe me pretendime të respektuara, kudo që të jenë.
Imazhi i pastër i portretit të Tashos, na ka dhënë një nga mjeshtërit tashmë të spikatur të portretit, që ka treguar aftësisht sfidën, pajtimin me dinjitet të realitetit, por edhe panjohjen e përpjekjes për të ardhmen e personazheve të tij. Tjetër, ndër faqet e albumit, mund të kundrohet edhe një ndjesi krenarie por edhe respekti, për këta njerëz, që në një farë mënyre- i kanë dhënë Shqipërisë aq shumë.
Tasho ka ruajtur raportet e mirë të kohës me hapësirën, por edhe të vendosjes së personazheve, për t’i lënë sa më të çlirët. Ky ka qenë dhe një nga qëllimet e tij, që figurat të ishin sa më të pastra para objektivit. Nuk ka pompozitet dhe shtirje, por në të shumtën e herës ke përballë njerëz të zakonshëm në të pazakonshmen e fatit të jetës së tyre. Ndaj, misioni i tretë i Tashos, mund të themi, se ka përfunduar me sukses. Tashmë, mbetet, që të realizojë një ekspozitë me imazhet e tyre dhe pastaj një album, që nga cilësia dhe konceptimi, të mos bjerë poshtë nivelit të dy të parëve. Ecuria e Tashos dhe serioziteti për punën e tij- do të thotë që edhe këtë mision do ta kryejë me sukses.

3 Komente

Sa pare ka marre Peshkupauje per kete reklame private? pfff

aq ne menyre konfuze eshte shkruar sa tek paragrafi i pare kujotva se emigranti i pare shqiptar quhej Roland Tasho... ne fakt ky eshte fotografi smiley

 Me interes, do te ishte mire te sillej dhe ndonje foto.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).