Reportazh me zgjedhje nëpër këmbë

Qyteti i Lushnjës nuk është dosido. Kur hyn këtu të pret një baner i kapur në dy palma paralele nga anët respektive të trotuareve ku shkruhet “SHQIPËRIA PO NDRYSHON”

Ky baner pasohet nga një tjetër dhjetë metra larg apo e thënë ndryshe dy palma më tutje me të njëjtat përmasa ku sigla “VOTO EDI RAMA” është me ngjyra të ndezura. Nuk ka dyshim se gjithëkush që hyn në Lushnje pret të gjejë një atmosferë të ndezur paraelektorale ndërmjet dy partive të mëdha motra që dikur dolën nga e njejta nënë e më pas e bënë hasha njëra-tjetrën.

Sapo hyn në qytet pasi kalon Urën me Flutura apo “përroin” (të dy emrat e lagjes qëndrojnë për banorët), në taracën e lokalit të parë që të del përpara dhe që mban mbiemrin e ish deputetit të ndjerë socialist, “KORRESHI”, gjen dy flamuj të Partisë Lëvizja e Legalitetit. E pazakontë kjo shfaqje në kryeqytet dhe qytetet e mëdhenj. Në mes të dy flamujve sheh banerin e Myslim Murrizit, kandidatit të kësaj partie. Sipas tregimeve Myslimi është ish-fshatar nga Çermë-Sektor, kushëri i parë i Ali Murrizit i njohur ndryshe si Ali Kali i Divjakës, ish-eksponent i Partisë Demokratike që në një moment të caktuar e ndërroi doktorin me Ekrem Spahinë pasi kuptoi se monarkia e nxirrte popullin në dritë dhe jo republika. Por Myslimi s’është i vetmi që garon në këtë qytet. Në berberhanen përbri “KORRESH”-it gjendet posteri i Robinson Lipes. Robinsoni apo Soni siç e thërret i tërë qyteti është qytetar lushnjar, ish mjek në Fier-Shegan dhe aktualisht drejtor i spitalit të qytetit. Ky fshat që mban në përbërje emrin e një qyteti tjetër nuk ka lidhje fare me këtë të fundit. Ai ndodhet midis Lushnjes dhe Beratit. Robinsoni ndryshe nga Myslimi, ka moton e tij “Sot në NATO, Nesër në BE!”. Robinsonin e duan të gjithë. Foton e Sonit e gjen në çdo Fast-Food, ngjitur në xhamet e berberëve dhe në stendat e tregut të fruta-perimeve. Soni është më i ri se Myslimi jo për shkak të emrit por për çështje të Allahut.

Soni s’e ka ndërruar kurrë partinë ndryshe nga Myslimi. Soni s’ka asnjë kushëri në Fier-Shegan por e kishte caktuar shteti të punonte atje ndërsa Myslimi ka kushërinj në Çermë-Sektor dhe e ka caktuar partia të jetojë në Lushnje. Por unë besoj se ja kanë pasur me të keq. Përderisa Myslimi është monarkist duhet të rrinte në Çermë apo një fshat ngjitur si Divjaka. Atje ka kushëririn i tij dhe detin. Kështu do ishte më pranë Lartmadhërisë së Tij, Leka Zogu I. Kot nuk thonë “Afër detit – Afër mbretit!”

Kur i hyn më thellë qytetit sërish syri të sheh vetëm fotografitë e Myslimit dhe të Robinsonit. Robinsonin e gjeta madje dhe në xhamin e kompanisë së sigurimeve SIGAL. Këtu se mbajta dot veten e ironia në vend që të më bënte të zgërdhihesha, më ndezi fantazinë. Eksponenti i Partisë Republikane që reklamohet nga një kompani sigurimesh. Hej Zot! Partia e ish-ministrit Mediu i cilësuar nga opinioni publik si vrasës në seri dhe për shfarosje në masë në fshatin Gërdec reklamohet nga një kompani serioze sigurimesh. Përsa i përket korrupsionit të bërë në atë fshat fatzi dhe më gjërë, nuk po flas se ma ka marrë stafetën Anila Basha e Gazetës Shqiptare. Kur e pashë foton e Sonit te SIGAL-i më vinte t’i shtoja motos së tij edhe pak fjalë të tjera. Përshembull “DJE NË GËRDEC, SOT NË NATO, NESËR NË BE!”. Kështuqë mund t’i pasuroja zinxhirin e reformave Fatmir Mediut.
Po si mund të reklamohet në një kompani sigurimesh partia që tregoi se siguria në punë është zero dhe jeta e shqiptarit është në fije të perit... Nejse, i zoti e di ku i pikon çatia.

Megjithatë nëse do më duhej të zgjidhja midis Robinsonit dhe Myslimit sigurisht që i pari bën më shumë sens. Ai është kundër kultit të individit dhe shumë i thjeshtë aq sa në posterin e tij përveç të tjerash shkruan se duhet votuar Robinsoni – Djali juaj lushnjar. Myslimi mban portret 2 metra katror të mbretit të mbetur në tentativë dhe e përmend emrin e PLL kudo, në cdo poster dhe billboard ndërsa Soni as nuk do t’ia dijë.

As Fatmir Mediu e as emri i partisë nuk përmendet gjëkundi. Vetëm moto dhe logo të bëjnë të kuptosh që është i Partisë Republikane. Robinsoni madje nuk ka as zyra elektorale. Ka vetëm fast-foodet, kompanitë e sigurimeve dhe berberët. Myslimi ka nja dy kafene, tri zyra të tijat dhe një shkollë private 9-vjecare që reklamon kandidatin në fjalë. Emri i shkollës është “Nënshkruesi i Pavarësisë”. Për nënshkruesin thuhet se njihet si tradhëtar i Atdheut dhe mbiemrin e ka Sefa por meqënëse nipërit i ka të pasur dhe fati e donte që ta hidhte dhe ai një firmë në 1912 në Aktin e Pavarësisë, edhe shkolla duhej ndërtuar po dhe emri duhej zëvendësuar me një llagap tjetër. Kështu edhe mishi piqet edhe helli nuk digjet për lushnjarët.

Po me partitë e famshme c’po ndodh në Lushnje? Të ishte gjyshja ime ndjesë pastë do thoshte se “po bëjnë një vërrë në ujë” por unë po i shkruaj 3 rreshta për to. Sa për fillim LSI-ja dhe G99 nuk figuron fare. Kur them fare, domethënë hiç.

Kandidatët e PS, PD, G99 dhe LSI nuk dihen se kush janë pasi nuk kanë asnjë fotografi apo emër të varur gjëkundi. Asnjë shenjë e ekzistencës së tyre në këtë qytet. Partia Socialiste ka hapur 6 zyra që më pas i ka shndërruar në lokale ku rrijnë burra që pijnë raki ose birrë e luajnë domino ndërsa Partia Demokratike ka hapur më shumë zyra se socialistët. Në fillimi me idenë e zyrës elektorale e më pas edhe ajo i shndërroi në lokale por së fundmi i ka rënë hiles. Ato janë kthyer në agjensi turizmi. Po, po turizmi. Partia Demokratike në Lushnje organizon udhëtime Lushnjë-Durrës-Kalimash. Nis autobuzë nga qyteti me ish të përndjekur të moshave 30-50 vjec për të vizituar mrekullinë e tetë të botës. Ndërkohë ish kandidati i kësaj partie, Ilir Bano u vjen njerëzve vërdallë nëpër kafenetë e qytetit si Xhebrail-Emini. Dje madje e kisha ngjitur te Piceri “Arifi” me reklamën e tij shkruar ngushtë e ngushtë: “FURA-DRUR tel 20622”. Bano për të shfaqur koherencën e njeriut të politikës që detyrimisht duhet të jetë i pasur, po pinte Red Bull nga ai që të bën me krahë. Kaq për partitë e mëdha! Më shumë s’dijnë të tregojnë as vetë banorët. Në fund të fundit qyteti i Lushnjes nuk është dosido!
 

2 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).