Qeveria që Meritojmë

Sikundër mund të jetë vënë re gjerësisht në mediat shqiptare, këto kohëra po  dëshmojë të jenë vërtet interesante. Çdo buzëmbrëmje shqiptarët ulen para ekraneve televizive për të bërë sehir sherrin e rradhës. Sikur të mos ish’ për disa njerëz me kostum e kravatë dhe dosje në duar, fare mirë do të pandehnim se po ndjekim  një ring boksi.

Megjithatë faji nëse mund të quhet i tillë, është jo vetëm i tyre.  Po të reflektosh pak më gjatë  mbi arenën aktuale politikë-bërëse duket se ngjason më shumë me një soap opera 18 vjeçare që çdo katër vjet ndërron personazhet  por jo skenarin, sa për të mbajtur gjallë interesin e spektatorëve.

Paralelisht me produktin e dobët të ofruar nga politika, media, fuqia e katërt në vend, duket se më shumë se të informojë qytetarët e t’i ndihmojë ata të qartësohen mbi alternativat që do të formëzojnë jetët e tyre në  katër vjetët e ardhshme, është e përqëndruar të ofrojë asgjë tjetër veçse variante gazmore të të bërit politikë. Kjo është lehtësisht e konstatueshme çdo mbrëmje përmes titujve bombastikë të rubrikave televizive, si “Beteja për Beratin” apo “Kush e fiton Tiranën”. Ndërkohë që, që në gjenezë ky formulim e rrjedhimisht strukturim i formateve televizive është jo vetëm primitiv, por gati-gati pervers pasi në fakt  duhet të jenë ngastrat konkrete të platformave politike ato mbi të cilat duhet të ketë një debat, apo betejë  siç na pëlqen t’i themi, e jo qarqet.  E kështu në vend që të ketë përqendrim në fusha konkrete e me interes për qytetarët shqiptarë, siç janë arsimi, shëndetësia, papunësia etj, çdo mbrëmje mbetemi peng i debateve-betejë që në thelb nuk janë tjetër veç një vërshim të sharash e mallkimesh periodike të  qeveritarëve  të ardhshëm, me politikë të re e fjalor të vjetër.  Ndërkohë askush nuk merr vesh se ç’do të bëhet në fakt me taksat, investimet apo zhvillimin e qëndrueshëm rural: terminologji kjo ende abstrakte për “popullin e thjeshtë”. 

Po të vëresh gamën e premtimeve të të gjithë kaheve politikë, në vetvete janë të njëjta, pra të gjitha palët premtojnë arsim më të mirë, liberalizim vizash më të shpejtë, ulje taksash e ngritje punësimi. Por rrallëherë, për të mos thënë asnjëherë , nuk flitet me platforma dhe reforma konkrete.  Në fund të fundit, ajo çka dallon një votues nga një tjetër nuk është fakti se sa të pranueshme janë këto premtime. Kushdo sot në vend, me pak logjikë dhe bonsens është i ndërgjegjshëm të pranojë se në fakt ka nevojë për arsim më të mirë , shërbim shëndetësor më të zgjeruar dhe cilësor, apo punësim më të lartë. Por ajo çka bën ndryshimin, aq shumë të manipuluar si term kësaj fushate, është rruga që do të ndiqet drejt tij e jo premtimi në vetvete. Qytetarët që do të votojnë apo janë ende në mëdyshje për të votuar, meritojnë të dinë konkretisht se si partitë politike kanë në plan t’i arrijnë synimet e parashtruara në  axhendat e tyre elektorale,   ç’politika do të hartojnë për të përmbushur këto zotime  dhe a janë ato të përshtatshme në kontektin socio-ekonomik shqiptar  e pa dëme kolaterale.  Kjo në fund të fundit e ndan një votues të majtë nga  një i djathë: rruga dhe mënyra  që ndiqet drejt zotimeve në thelb të përbashkëta si dhe reformat përkatëse. Përkundrazi, mesa vërehet nga qasjet e deritanishme të politikanëve por dhe medias në përgjithësi, qytetarëve nuk ju mbetet tjetër veç të japin votën e tyre për të njëjtat premtime tek ata që sipas tyre janë më bindës sepse ulërasin me fort.

Por të mos harrojmë dhe rolin që i takon vetë forcës votuese, pra qytetarëve. Sot për sot për popullin shqiptar duket se është bërë një aktivitet social:  të sharit pa fre e politikanëve  dhe të dëgjuarit pa fre e qytetarëve, duke i shndërruar kështu këta të fundit në prodhimtarë perpetum mobil të të njëjtim sistem të lajthitur.  Ndërkohë që tashmë në këto kohëra apatia duhet t’i lerë vendin pretendimeve të larta qytetare për të dëgjuar më cilësisht prej qeveritarëve të ardhshëm se si konkretisht do të kryejnë ndryshimin e madh që premtojnë. Qytetarët shqiptarë duhet të respektojnë më shumë veten e tyre, duke pretenduar më shumë substancë në atë çka zgjedhin të dëgjojnë e rrjedhimisht votojnë.  Vetëm kështu mund të fitojnë dhe respektin e munguar të qeveritarëve të tyre. Në fund të fundit , ashtu sikur dhe  i mençuri  Thomas Jefferson pat’ thënë dikur, çdo popull meriton  qeverinë që ka. E për të merituar një qeveri më të mirë, shqiptarët në rradhë të parë duhet të ngrihen në nivelin e qytetarëve, me të gjithë drejtat  që ata gëzojnë, pa u bërë rob të parimeve të vendosura tjetërkund. Dhe së fundi, duhet kutpuar njëherë e mirë se të jesh qytetar përveç se e drejtë, është mbi të gjitha një përgjegjësi, që na jep ne detyrën të luajmë rol aktiv në formëzimin e jetës sonë jo vetëm në të tashmen por  dhe gdhendjen e brezave që do të vijnë. Ndaj është kaq e rëndësishme që qytetarët shqiptarë këto zgjedhje të kërkojnë më shumë, për të tashmen e tyre, por mbi të gjitha për të ardhmen.

Erisa Çela
 

8 Komente

Me pelqen shkrimi pasi eshte i sakte ne pershkrimin e gjendjes dhe te problemeve por do kisha dashur te shikoja pak me teper "zgjidhje", sidomos tek paragrafi i fundit.

Cfare mund te bejne shtetasit e ketij vendi nese partite jane te korruptuara qe ne krye, dhe organizmat e tjera vuajne nga mungesa e besueshmerise? A mund te ndermerren veprime individuale? A ka kuptim te organizohen fushata bojkotimi ndaj debateve tip "Beteja per Stalingradin", apo te organizohen fushata dergimi SMS qe shprehin acarimin me shterpesine e nxitur nga partite dhe te mundesuar nga mediat kryesore?

Seriozisht, ka dicka me shoqerine tone qe nuk shkon dhe nje nder simptomat me te dukshme eshte situata politiko-administrative ne vendin tone. Me duket sikur ne jemi te pavetdijshem individualisht mbi ate se cfare eshte sistem vlerash ne nje shoqeri; sistem qe nuk eshte brendesuar  dhe qe funksionon krejt artificialisht. Kufiri i asaj cfare konsiderohet normale eshte zgjeruar me shume se c'duhet si dhe ka nje shtremberim te raportit te individit me te tjeret. Tani, kete gje e kemi krijuar me duart tona dhe na takon ne qe ta shperbejme pak nga pak duke pare drejt nje perspektive (shume) afatgjate.

Llukan, pse kishte ndonjë gjë në shkrim që nuk është thënë më parë këtu tek Peshku?

ah, po... artikulli kishte edhe një paragraf poshtë emrit të autores... ndoshta aty qëndronte "sekreti" smiley (dhe nuk e mora vesh se përse duhej të ishte ai "epitaf" smiley )

Ed, perseritja e shpeshte e kushteve ku gjendemi eshte e domosdoshme per te nxitur njefare pergjigje se deri me sot s'ka pasur gje. Ndersa paragrafi ne fjale eshte praktike pune e shtypit Shqiptar smiley

 "....Dhe së fundi, duhet kutpuar njëherë e mirë se të jesh qytetar përveç se e drejtë, është mbi të gjitha një përgjegjësi, që na jep ne detyrën të luajmë rol aktiv në formëzimin e jetës sonë jo vetëm në të tashmen por dhe gdhendjen e brezave që do të vijnë. Ndaj është kaq e rëndësishme që qytetarët shqiptarë këto zgjedhje të kërkojnë më shumë, për të tashmen e tyre, por mbi të gjitha për të ardhmen..." 

 

Po ku ta kerkojne, tek partite.

 kur problemi me madhor i nje fushate eshte premtimi se kush do realizoje me pare liberalizimin e vizave, besoj se s`ka nevoje per komentare te metejshem...

eksodi i dyte masiv ose me i qyteteruar eshte si duket zgjidhja e vetme qe ofron elita politike...

jom dakord me autoren. menoj se ngritja e nivelit qytetar realizohet per 0.5-2.5 shekuj jete ne qytet me kushte qytetare.

pra osh imperative qe per te arrit objektivin, tia nisim tani te ndertojme qytete me kushte qyteti, qe masnej te prodhojm qytetare. dhe hapi i pare fare menoj, per me dhene shembullin e mire eshte me ia nis ka kryeqyteti i venit, dhe pikrisht ka plani urbanistik i qytetit.

Me te vertete eshte nje artikull me ide te cilat duhen publikuar me shpesh ndermjet nesh, me qellim sensibilizimin e njerezve dhe ndikimin ne zgjedhjen e personave qe duhet te na drejtojne.

Ne nje debat 2 jave me pare, nje mikja ime,  e shkolluar dhe me pozicion te mire profesional, po theksonte se mos-vajtja ne votime, me 28 qershor, do ishte pergjigja me e mire qe do i jepej klases sone te paafte dhe te pandergjegjshme politike. Une kundershtova fort, por sapo fillova te ndjek debatet, kuptova qe ndoshta ajo ka te drejte! Nese ti e di qe 'ne dyqanin ku do shkosh te ebsh pazar, nuk ka asgje, atehere me mire te mos dalesh nga shtepia' dhe te fillosh te mendosh per nje zgjidhje tjeter.

M

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).