Qetsori rrëfehet: Përse vendosa të braktis garën për deputet, PDK më shfrytëzoi

“Këtu rrugët tona ndahen...”, ka qenë një pjesë e mesazhit telefonik që Qetsor Ferunaj i ka dërguar të shtunën në mëngjes kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka. Fituesi i “Big Brother 2”, i dyti në listat për deputetë të demokristianëve për Qarkun e Vlorës, ka vendosur të tërhiqet në kulmin e fushatës politike për zgjedhjet e 28 qershorit. Një ditë pasi gazeta “Panorama” publikoi lajmin që Qetsori braktisi PDK-në dhe lë në mes fushatën për zgjedhjet e 28 qershorit, ai jep këtë intervistë ekskluzive. 33-vjeçari nga Dukati zbardh të vërtetën e marrëdhënieve me Nard Ndokën, si u detyrua ta hidhte firmën brenda 24 orëve dhe fushata që e gjeti të papërgatitur pas daljes nga spektakli.

Vendosni të hiqni dorë nga kandidatura në listën e deputetëve të PDK-së pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Cila është arsyeja?
Unë s’e kam pasur asnjëherë në mendje të bëhem deputet. Me këtë situatë u përballa dhe prezantova vetëm pas daljes sime nga “Big Brother 2”.

Në cilën mënyrë u prezantove?
Pikërisht ditën që dola nga “reality show”, familjarët më tregojnë gazetën “Panorama” ku kishte dalë fotografia ime si kandidat për deputet i Partisë Demokristiane për Qarkun e Vlorës. Unë kisha punuar me demokristianët në zgjedhjet lokale 2007, pasi politika që unë kam bërë ka qenë e fokusuar në politikat e vogla.

Më konkretisht cili ka qenë kontributi juaj për Partinë Demokristiane?
Atëherë PDK-ja ishte në koalicion me Partinë Demokratike për kryetarin e Bashkisë së Orikumit. Kam punuar bashkë me kryetarin e PDK-së në Orikum, mikun tim Nako Mjalti dhe me punën tonë arritëm të çonim dy këshilltarë të PDK-së në këtë bashki. Edhe atëherë isha i dyti në listën e PDK-së.

Anëtarët e PDK-së janë kryesisht besimtarë katolikë. A është një minus ky për ju?
E vërteta është që nuk jam katolik, por mendoj që besimi fetar nuk është një pengesë për t’u bërë pjesë e PDK-së.

Kthehemi te kontributi juaj në këtë parti, sa i angazhuar keni qenë pas zgjedhjeve lokale 2007, dhe deri ditën që mësuat se ishit në listën e kandidatëve për deputetë?
Kam qenë i pranishëm në disa takime me kryetarin Nard Ndoka, isha në festën e krijimit të PDK-së para se të hyja në BB2, dhe po ashtu kam marrë pjesë në disa takime politike të rangjeve të ndryshme.

Jeni takuar privatisht me Nard Ndokën, keni një opinion personal për të?
Jo. Gjithmonë takimet me Ndokën kanë qenë në nivel bisedimesh në grup. Por kam pasur përshtypje të mira, kam folur dhe brenda shtëpisë BB me superlativa. Ndoshta bisedat që kam bërë aty brenda i kanë shtyrë demokristianët të përdorin imazhin tim për të më vendosur në listat për deputet në Qarkun e Vlorës.

Çfarë keni parasysh kur thoni “përdorim imazhi”?
E shikoj “përdorimin e imazhit” për motivin e parë që isha i dyti në garën për deputet. Dhe e shikoj po ashtu si shfrytëzim të imazhit tim këtë lëvizje të PDK-së nisur nga fakti që s’dija asgjë për vendosjen e emrit tim në listat për zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Kontaktin e parë e mora direkt pasi dola nga spektakli “BB2”, ku u shpalla fitues dhe tashmë kisha fituar një famë. Fakti që isha bërë i njohur ishte në interes të PDK-së.

Dhe si reaguat, si e pritët?
Pas një stërlodhje psikologjike të 100 ditëve të kaluara në reality shoë, e ndieja të domosdoshme të qetësohesha. Në fakt ndodhi e kundërta, dola nga një spektakël i lodhur dhe u gjenda përballë një realiteti politik impenjativ. Isha konfuz dhe nuk kuptoja se çfarë po ndodhte realisht. Duke pasur parasysh ngutjen për të hedhur firmën brenda vetëm 24 orëve pas daljes nga spektakli, (pasi duheshin dorëzuar listat në KQZ), kam nxjerrë konkluzionin se në fakt më ishte dashur kohë për të reflektuar. Pra ishte një veprim i nxituar.

Mund ta quajmë këtë tërheqje nga ana juaj frikë se do dilje humbës pas fitores në BB?
Jo, realisht gjatë këtyre ditëve nuk po më shqetësonte fakti pse isha i dyti në listë, por më trembte fitorja, dhe nëse do bëhesha deputet...

Fitorja?! Pse ku e gjenit këtë siguri, dhe si i kishit bërë llogaritë për të fituar, kur dihet që Vlora është një bastion i majtë?
Duke parë vlerësimet që publiku ka dhënë për mua në BB, edhe pse mund të ishin të pozicionuar politikisht, besoj se do më mbështesnin për një fitore të dytë edhe në politikë. Askush nuk më njeh aq mirë sa fansat e mi. Mendoj se njerëzit dinë të vlerësojnë personin, por në këtë rast nuk jam gati për një përgjegjësi të tillë, pasi e quaj përgjegjësi të jesh deputet. Supozojmë se do fitoja, por a do të jem i aftë ta bëj detyrën e deputetit lind pyetja? Mendoj se nuk jam gati, kjo është arsyeja e tërheqjes sime, që më bëri të marr vendime me më shumë maturi.

Në çfarë mënyre ia bëtë të ditur Ndokës vendimin tuaj për t’u tërhequr?
Me një mesazh telefonik të shtunën në mëngjes.  

Nuk duket normale, sidomos kur bëhet fjalë për kandidaturë deputeti, përgjegjësi e madhe siç e thatë më sipër apo jo?! Përse nuk i kërkuat takim në zyrë?
Unë nuk i detyrohem askujt në lëvizjet e mia politike, përkundrazi politika më detyrohet mua. Nuk më detyron askush ta them diçka ashtu si dua. Për mua mënyra e të thënit s’ka asnjë lloj vlere.

Na lë të kuptojmë që paska ekzistuar një hendek mes jush dhe kryetarit së PDK-së, Ndokës?
Realisht Ndoka ka qenë i zënë me punë këtë kohë, si dhe këto ditë i preokupuar me vrasjen që ndodhi në Shkodër. Unë nuk bëj lëvizje në jetë për qejfmbetje.

A keni bërë një fushatë konkrete, dhe a u ka dhënë Ndoka ndonjë direktivë orientuese?
Jo, nuk kam marrë porosi nga ai, dhe pothuaj nuk kam bërë fushatë.

Nëse bëni një analizë të këtyre ditëve, çfarë keni humbur dhe çfarë keni fituar?
Kam humbur nga imazhi im. Shumë fansa dhe njerëz që më duan janë mërzitur nga pozicionimi im me demokristianët. Pasi mendoj se më shikonin të angazhuar në një parti tjetër.

Ju vetë ku pozicionoheni, në cilën nga partitë e mëdha?
Më duhet dhe dy ditë kohë të jap një përgjigje të saktë për këtë.

I keni lexuar programet e partive politike për këto zgjedhje, dhe nëse po, cili program të duket më i miri?
Kam lexuar programet e PDK-së, PD-së dhe PS-së. Në vija të përgjithshme kam një ide dhe mund të them që të gjitha mëshojnë tek çështje ndryshimesh të rëndësishme, por baza është e njëjtë tek të tre programet.

A keni një parashikim tuajin se cila parti do të fitojë më 28 qershor?  
Duke parë situatën, mendoj se Partia Demokratike fiton.

Personalisht keni hequr dorë nga politika apo vetëm nga PDK-ja dhe këto zgjedhje?
Jo, nuk kam hequr dorë nga politika, por besoj kur të mbaroj shkollën për Shkenca Politike, që nis këtë vit akademik në Vlorë, do jem më i përgatitur për zgjedhjet e ardhshme.

Ndoka: Respektojmë vendimin e Qetsorit
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka komentuar largimin e Qetsorit nga gara për deputet si një vendim personal të tij, i cili do të respektohet. I ndodhur prej tri ditësh në Shkodër, pas vrasjes së kryetarit të degës së Malësisë së Madhe të PDK-së, Ndoka ka vlerësuar pozitivisht figurën e personazhit që fitoi “Big Brother”. “Qetsori ishte një kandidat me vlera dhe një personazh që kishte popullaritet në qarkun e Vlorës. Por tani që ai ka marrë vendimin për të lënë garën për deputet, ne e respektojmë vendimin e tij”, tha Ndoka i kontaktuar nga gazeta. Fituesi i edicionit të dytë të “Big Brother” nënshkroi një marrëveshje me Partinë Demokristiane sapo doli nga spektakli, duke pranuar të kandidojë nën siglën e kësaj partie në qarkun e Vlorës. Ai ishte i dyti në listë, por marrëveshja me PDK-në parashikonte që nëse kjo forcë arrinte pragun për të marrë deputet dhe nëse Qetsori do të merrte më shumë vota se kandidatët e tjerë në listë, ai do të fitonte edhe mandatin e deputetit.

5 Komente

A keni një parashikim tuajin se cila parti do të fitojë më 28 qershor?  
Duke parë situatën, mendoj se Partia Demokratike fiton.

 

 

Qetesori eshte cun me nuhatje smiley

"Ç'e do sorren, kur ke pulen", thote populli. Dhe Sori eshte djale i zgjuar, s'ka pse zgjedh PDK, kur ka mundesi te jete fitimtar diku tjeter, ne nje parti me te madhe...

 

sidoqofte ca pike i humbi qetsori ne kete nxitim te tij. po te mos terhiqej do humbiste me teper.

Subkultura e turbo-folkut po perpiqet qe te kapi edhe politiken. Nuk eshte cudi qe perfaqesuesit e popullit ne kuvendin popullor te sponzorizohen dhe te na prezantohen nga BBF.

Po fundja c´mund te presesh nga nje shoqeri ku nuk ka nje Parlament(flet mendja) por nje Kuvend Popullor, ku kuvendon turbo-folku.

Nuk e di pse kaq shume zhurme per Qetsorin?

Po mbteti Vlora per Qetsorin,vaj me det!!Po si ore e beni mizen buall,kot se koti,gje copa rrembythje dhe he ,o burra per deputet,sepse paska qene ne BB!

Aty ne Shqiperi te bekan deputet me zor!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).