Qerimaj, ar e argjend dhe dy rekorde në "Peskara 2009"

Triumfon në shkëputje, i dyti në shtytje. Shqipëria me 5 medalje

Erkand Qerimaj shkëlqen edhe në Lojërat Mesdhetare "Peskara 2009", që po mbahen në Itali që nga 26 qershori deri më 5 korrik. 21-vjeçari shkodran rikonfirmohet si një ndër peshëngritësit më të mirë të peshës 77 kg, kur edhe dje fitoi një medalje ari në shkëputje, një medalje argjendi në shtytje dhe vendosi dy rekord të reja për Lojërat Ndërkombëtare. Kampioni shqiptar është ngjitur në pedanë në provën e parë të shkëputjes, duke ngritur 147 kg. Dy rivalët e tij, turku Semih Jagçi dhe egjiptiani Tarek Abdelazim, e nisën mirë provën e parë, përkatësisht me 150 dhe 151 kg. Qerimaj ngjitet sërish në pedanë dhe kalon me sukses peshën 152 kg, ndërsa turku ngriti 154, egjiptiani 155. Në provën e tretë talenti shqiptar triumfoi me ngritjen e 156 kg, ndërsa dy rivalët e tij dështuan në tentativën për të ngritur 157 kg. Me peshën e ngritur, Qerimaj siguroi medaljen e arit në stilin e shkëputjes dhe fiksoi kështu një rekord të ri për Lojërat Mesdhetare. Ndërsa në stilin e shtytjes, Qerimaj u rendit i dytë (medalje argjendi), duke ngritur 193 kg, po aq sa egjiptiani Ibrahim Abdelbaki i vendit të parë, por humbi vetëm medaljen e artë për shkak të peshës së tij trupore më të rëndë (200 gram&eumlsmiley se rivali. Rezultati i tre provave të Qerimajt ishte 182, 188, 193. I treti në këtë stil u pozicionua egjiptiani Tarek Abdelazim. Me peshën prej 193 kg, Qerimaj dhe egjiptiani Abdelbaki ndajnë së bashku meritën për vendosjen e një tjetër rekordi të ri në stilin e shtytjes në Lojërat Mesdhetare. Një sukses i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në këtë fillim të Lojërave Mesdhetare "Peskara 2009", ku e gjithë merita i përket peshëngritjes, e cila ka koleksionuar të pesë medaljet e deritanishme (2 ari dhe 3 argjendi). Deri para konkurrimit të djeshëm, rezultati më i mirë i Qerimajt ishte 345 kg në dygarësh, por në "Peskara 2009" ai ka vendosur edhe një rekord personal duke ngritur 349 kg. Interesant është fakti se Qerimaj ka fituar në Europianin 2009 një medalje ari dhe një argjendi, duke ngritur 3 kg më pak se në aktivitetin e vitit 2008, kur me 345 kg ai nuk arriti më shumë se vendi i katërt. Në vitin 2002, sportisti 165 centimetra i gjatë u shpall kampion i trefishtë Europe në peshën 50 kg për U-17. Një vit më pas ai u përsërit me tre medalje ari në peshën 56 kg për U-17, ndërsa në vitin 2004 fitoi një medalje bronzi në Europianin 2004 në peshën 62 kg. Në vitin 2005, Qerimaj u shpall nënkampion Europe në kampionatin U-17 në peshën 69 kg dhe për të rinj. Ai mban edhe titujt si kampion bote në stilin e shtytjes dhe nënkampion në dygarësh në Kampionatin Botëror të të Rinjve të vitit 2006. Pas pesë medaljeve të fituara deri më tani, peshëngritja shqiptare do të ketë sot padite mundësinë e fundit për të arritur të tjera suksese. Do të jenë dy peshëngritësit tanë, Endri Haxhihyseni dhe Ervis Tabaku, të cilët do të konkurrojnë në kategorinë 85 kg. Dy sportistët tanë kanë një tjetër mundësi të mirë për ta shtuar më tej numrin e medaljeve në këto Lojëra Mesdhetare.
 

5 Komente

Begaj, kampione e rekord në Lojërat Mesdhetare

Olgert Serani
Gazeta Panorama

Vijnë medaljet e para për Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Peskara 2009”.Sikurse më parë, edhe kësaj radhe për flamurin kuqezi do të mendonte peshëngritja, konkretisht kampionia e Evropës, Romela Begaj. Përpos medaljes së artë në stilin e shkëputjes, në kategorinë e peshës 58 kg, Begaj vendosi edhe dy rekorde të njëpasnjëshme mesdhetare: fillimisht 92 kg, e më pas duke e çuar shtangën në 95 kg. “Ikona” e shtangës kuqezi për femra, 22-vjeçarja Romela Begaj, e nisi garën në stilin e shkëputjes me 92 kg, duke shkuar më pas në provën e dytë në 95 kg (një tjetër rekord ky). Në provën e tretë peshëngritësja shqiptare, që trajnohet nga mjeshtri me përvojë të madhe kombëtare e ndërkombëtare, Hektor Shaqiri, dështoi në tentativën për të çuar 98 kg e për të vendosur një rekord të tretë mesdhetar. Në vend të dytë në këtë stil u rendit grekja Konstantina Lapu (92 kg) dhe në të tretin turkja Ajlin Dasdelen (87 kg). Begaj do të ngjitej në podium edhe në stilin e shtytjes, ku do të nderohej me medalje argjendi. Për shkak të peshës më të madhe nga turkja Ajlin Dasdelen, ajo nuk mundi dot të bënte ‘bis’ me medalje ari brenda pak minutave. Turkja ia rrëmbeu Begajt  medaljen e arit, edhe pse ngriti të njëjtën peshë 110 kg. Pesha e turkes ishte 55.84 kg, ndërsa ajo e Romelës 57.45. Kësisoj peshëngritësja jonë mori medaljen e argjendtë. Ndryshe nga Begaj, për t’u harruar ka qenë rikthimi në pedanë pas 2 viteve pezullim i peshëngritëses tjetër shqiptare, Fetie Kasaj. Në të dyja stilet ajo nuk mundi të realizonte asnjë provë, si në shkëputje me 72 kg dhe në shtytje me 98 kg. Sot, në konkurrim për Shqipërinë do të ngjitet në podium në baterinë A për peshën 77 kg një tjetër pretendent për të marrë medalje, peshëngritësi Erkand Qerimaj.

Peshëngritje - Briken Calja, argjend në shkëputje
Briken Calja është shpallur nënkampion Mesdheu, në peshën 69 kg në stilin e shkëputjes. Në Lojërat Mesdhetare, Calja ishte peshëngritësi i parë kuqezi (nga gjashtë pjesëmarrës) që ka hipur në pedanë. Një paraqitje e kënaqshme e shqiptarit në baterinë A, i cili ka luftuar deri në fund, por pesha e ngritur në provën e tretë në stilin e shkëputjes ishte shumë larg nga ajo e rivalit të tij francez, që zuri vendin e parë. Calja e nis dhe e mbyll në mënyrën më të shkëlqyer garimin e tij fillimisht me 134 kg, pastaj me 137 kg dhe në provën e tretë fikson mbi supe plot 142 kg, duke marrë kështu medaljen e argjendtë.
 

Urime! Shyqyr ca lajme te mira. Shpresoj mos te na dezertojne edhe kta...

Urime....po po aty jemi o Llukan ! Tek ngritja dhe terheqja e trareve smiley

Urime për Romelën dhe Erkandin. Jemi krenarë për ju. 

Trarë ose hekura nuk ka rëndësi, rëndësi ka që ata ngritën flamurin shqiptar.

Më mirë Romela dhe Erkandi sesa Piro Dimas, Agim Xelilis, Mirela Manjani-Xelilis e tërci e vërci me shokë.

Urime dhe suksese Romela!

Urime dhe suksese Erkand! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).