Publikohet raporti 4 vjecar i monitorimit te Kuvendit

www.mjaft.org

Lëvizja Mjaft publikon raportin e fundit të projektit “Unë votoj” në të cilin përmblidhet veprimtaria e Kuvendit gjatë të katër viteve të legjislaturës së fundit. Vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të cilat do të sjellin në Kuvend një përbërje të re deputetësh, është e rëndësishme të hidhet një vështrim përfundimtar për mënyrën sesi janë sjellë deputetët në largim të Parlamentit, si kanë votuar ata, çfarë sjelljesh i kanë karakterizuar ata gjatë këtyre katër viteve, cilat kanë qenë shpenzimet e institucionit të Kuvendit dhe cili ka qenë produktiviteti i tij.

Ky Raport, ashtu si dhe publikimet paraardhëse, përqëndrohet në disa kategori kryesore, të cilat bazohen në punën e seancave plenare dhe komisioneve parlamentare, të monitoruara nga skuadra UnëVotoj, gjatë këtij katër vjeçari parlamentar të karakterizuar nga situata shpesh herë problematike për sa i përket cënimit të normalitetit në punimet kuvendore, të përcaktuar në Rregulloren e këtij institucioni. Këto kategori përfshijnë: krahasimin e votimeve të grupeve më të mëdha parlamentare me premtimet elektorale që këto parti kanë përfshirë në programet elektorale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, evidentimin e rasteve të shkeljes së Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, prezencën dhe mënyrën e votimit të deputeteve shqiptar, shtyrjet e seancave plenare dhe komisioneve parlamentare, deputetët antikonformist në raport me qëndrimin e grupit parlamentar ku bëjnë pjesë etj.

Për sa i takon monitorimit të financave të deputetëve, ka qenë e pamundur të sigurohet informacioni në kohë, me gjithë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për shkak të ndryshimit të procedurave dhe sistemit të të dhënave të këtij institucioni. Me përfundimin e procesit të deklarimit nga ILDKP dhe marrjen e këtij informacioni, analiza e pasurisë dhe financave të deputetëve do të publikohet në faqen e internetit të projektit www.unevotoj.com.

Gjatë monitorimit të gjithë legjislaturës parlamentare vërehet me shqetësim numri i madh i shkeljeve të Rregullores, konstatuar nga skuadra UnëVotoj. Bëhet fjalë për dhunimin e vazhdueshëm që i bëhet nenit 57, pika 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, ku përcaktohet në mënyrë të qartë se “...vota është vetjake...” dhe se “e drejta e votës nuk delegohet”. Gjatë gjithë katër vjeçarit rezultojnë 42 ligje të miratuara në kushtet e dhunimit të këtyre rregullave. Gjithashtu, në mënyre te vazhdueshme është shkelur neni 34, ku përcaktohet se “mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to merr pjesë  më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të komisionit” dhe se “...vendimet merren me shumicëne votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të komisionit”. Ndërkohë nga monitorimi figuron se gjatë kësaj legjislature janë zhvilluar 98 mbledhje të komisioneve parlamentare në mungesë kuorumi, si dhe është marr vendimi për kalimin në seance plenare dhe votimin e 62 nismave ligjore dhe 8 raporteve institucionale. Kështu, rezulton që së paku 104 ligje, që sot kanë fuqi te plotë vepruese, të jenë miratuar në kushtet e dhunimit të rregullave procedurale, duke vënënë dyshim ligjshmërinë e tyre, ç’ka përbën rreth 20% të gjithë ligjeve të miratuara dhe monitoruara nga skuadra UnëVotoj.

Një tjetër shkelje e Rregullores që është vërejtur gjatë monitorimit është ajo e neneve 62 dhe 67 të Rregullores së Kuvendit, ku përcaktohet etika e sjelljes parlamentare dhe detyrimi i deputetëve për të mos përdorur telefona të lëvizshëm gjatë punimeve parlamentare. Të dhëna më të hollësishme për këtë kategori thyerjesh të rregullave, gjenden në brendësi të këtij publikimi.

Gjatë vitit të fundit të monitorimit të veprimtarisë parlamentare janë hasur dhe dy raste të reja shkelje të procedurave, të cilat nuk janë ndeshur më parë, bëhet fjalë për dhunimin e nenit 35 sipas të cilit mbledhjet e komisioneve parlamentare bëhen të hapura, ndërkohë që monitoruesit janë ndaluar të ndjekin zhvillimin e një mbledhje të komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme edhe pse nuk kishte vendim për zhvillimin e tij me dyer të mbyllura, apo mbylljen e veprimtarisë së tij.

Një rast flagrant i dhunimit të Rregullores dhe procedurave të organizimit dhe funksionimit të punës së Kuvendit të Shqipërisë, është vënë re në mënyrën e organizimit të grupeve parlamentare. Janë tre grupe parlamentare, grupi Agrar-ambientalist, grupi Demokristian dhe ai Qendra Demokrate, që janë organizuar në kushte të shkeljes së plotë të kritereve të përcaktuara në nenin 15 të Rregullores, këto grupe përbëhen nga 6 deputet, në një kohë që Rregullorja sanksionon përbërjen e çdo grupi parlamentar nga minimalisht 7 deputet.

Për sa i takon qasjes së mënyrës së votimit të nismave ligjore me premtimet zgjedhore, nga monitorimi i 529 çështjeve gjatë seancave plenare, rezulton se Partia Demokratike përmes grupit të saj parlamentar ka arritur të qas me platformën e saj elektorale 106 nisma ligjore nga 529, dmth 20% të totalit të ligjeve, një shifër kjo tepër e ulët për një parti që ka mazhorancën parlamentare. Grupi parlamentar i Partisë Republikane ka arritur të prekë platformën dhe premtimet zgjedhore me 170 nga 529 nisma ligjore, ose 32.1% të këtyre nismave të monitoruara. Vlen të theksohet fakti se përtej nivelit të qasjes mes premtimeve dhe veprimtarisë parlamentare të zhvilluar nga grupi Republikan,  premtimi më i rëndësishëm zgjedhor që kjo parti ka patur në fushatën zgjedhore të vitit 2005, aimbi zgjidhjen e problemit të kthimit dhe kompesimit të pronës, jo vetëm që nuk është mbrojtur, por qëndrimi i këtij grupi shkon kundër platformës elektorale me të cilën kjo parti u votëbesua nga elektorati.

Përsa i takon krahasimit mes mënyrës se si kanë votuar deputetët gjatë katër viteve të mandatit parlamentar dhe shqetësimeve që qytetarët shqiptar kanë identifikuar si më të rëndësishme (sipas sondazheve parazgjedhore), vërehet se këto shqetësime janë prekur përmes veprimtarisë legjislative në masën e vetëm 20.4%-shit.

Në hapësirën kushtuar analizës së buxhetit të Kuvendit të Shqipërisë vërehet me shqetësim një rritje e theksuar e zërit të shpenzimeve operative nga fillimi i legjislaturës deri në fund të saj. Kështu, shpenzimet operative të Kuvendit të Shqipërisë janë rritur me 30.3% nga viti 2006 deri në vitin 2009, që e përkthyer në vlerë monetare do të thotë se në vitin 2009 Kuvendi i Shqipërisë ka rritur shpenzimet operative me rreth 113.000.000 lekë (të reja). Sipas këtyre të dhënave Kuvendi i Shqipërisë vazhdon të jetë ndër institucionet me shpenzime operative shumë të larta krahasuar me vendet e rajonit dhe jo vetëm.

Sa i takon prezencës së deputeteve në punimet parlamentar, nga monitorimi vërehet se mesatarja e prezencës së deputeteve në katër vite shënon vlerën e 76.5% të të gjitha çështjeve të diskutuara  dhe miratuara në Kuvendin e Shqipërisë. Vlen të theksohet fakti i vërejtur nga skuadra UnëVotojse tendenca e pjesëmarrjes së deputetëve në veprimtarinë parlamentare ka qenë në rënie pas vitit të parë të mandatit, për t’u rritur më pas gjatë katër mujorit të tretë të vitit 2007, periudhë në të cilën janë miratuar pjesa më e madhe e marrëveshjeve të shfrytëzimit minerar dhe atyre të huas për investimet në infrastrukturë. Trendi i prezencës së përgjithshme të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka pësuar një rënie me 7.8% gjatë vitit 2008 me fillimin e parakohshëm të veprimtarisë elektorale.

Së fundi, në këtë publikim finalizues të veprimtarisë parlamentare gjatë Legjislaturës së XVII të Kuvendit të Shqipërisë, kemi vërejtur se në katër vite puna legjislative e Kuvendit të Shqipërisë mund të përshkruhet si e orientuar në 53.3% të saj drejtë ratifikimeve të marrëveshjeve ndërshtetërore rajonale/ndërkombëtare, në 33% drejtë ndryshimeve të legjislacionit ekzistues (ku 23.4% e ndryshimeve janë bërë për ligje të miratuara brenda legjislaturës) dhe vetëm 13.6% e veprimtarisë parlamentare i është kushtuar hartimit të nismave të reja ligjore, të nevojshme për plotësimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor të vendit, i cili jo rrallë është kritikuar për mangësi.
 

9 Komente

Ky eshte nje nga raportet me te rendesishme, per te mos thene me i rendesishmi, qe prodhon shoqeria civile shqiptare. Por ngelet pa jehone. I bie qe ne e kemi te qarte cfare parlamenti te dobet, te perunjur, te paafte, genjeshtar, jotransparent, antiligjor kemi, dhe gjithsesi presim te votojme, te marrim rezultatet, dhe te shijojme edhe per 4 vjet te tjera, pastaj edhe 4, edhe 4, se na eshte bere jeta cikle 4-vjecare (pyesni njehere edhe biznesin).

Dhe te kerkojme nga shoqeria civile te jete me aktive. Mundesisht ta pastroje pak parlamentin, t'i zvogeloje shpenzimet, te propozoje ligje, te kundershtoje ratifikime, te zbuloje financat e deputeteve, t'i terheqe ata prej veshesh ne salle dhe ne komisione, t'u jape borxh nje fije dinjitet.

Pastaj raportin e ardhshem ta shkruaje ne trajte kenge per te festuar arritjet.

E forte kjo: nje parti voton komplet kunder programit te vet.

kemi vërejtur se në katër vite puna legjislative e Kuvendit të Shqipërisë mund të përshkruhet si e orientuar në 53.3% të saj drejtë ratifikimeve të marrëveshjeve ndërshtetërore rajonale/ndërkombëtare, në 33% drejtë ndryshimeve të legjislacionit ekzistues (ku 23.4% e ndryshimeve janë bërë për ligje të miratuara brenda legjislaturës) dhe vetëm 13.6% e veprimtarisë parlamentare i është kushtuar hartimit të nismave të reja ligjore, të nevojshme për plotësimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor të vendit, i cili jo rrallë është kritikuar për mangësi.

Si kohe publikimi nuk mund te kishin zgjedhur me keq. Nje nga projektet me te mira te tyre dhe eshte per te ardhur keq qe ky informacion nuk u perdor ne fushate.

në katër vite puna legjislative e Kuvendit të Shqipërisë mund të përshkruhet si e orientuar në 53.3% të saj drejtë ratifikimeve të marrëveshjeve ndërshtetërore rajonale

qyqja mi none!

Ca lodhen, ca zgerdhihen virtualisht. Keshtu eshte bota virtuale, puna e 3 viteve e ca hidhet poshte me nje "lol" te thjeshte nga njerez qe s'e kane idene se per cfare po flasin.

"...Gjatë vitit të fundit të monitorimit të veprimtarisë parlamentare janë hasur dhe dy raste të reja shkelje të procedurave, të cilat nuk janë ndeshur më parë, bëhet fjalë për dhunimin e nenit 35 sipas të cilit mbledhjet e komisioneve parlamentare bëhen të hapura, ndërkohë që monitoruesit janë ndaluar të ndjekin zhvillimin e një mbledhje të komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme edhe pse nuk kishte vendim për zhvillimin e tij me dyer të mbyllura, apo mbylljen e veprimtarisë së tij..."  

Une nuk e di se si eshte rregullorja ne Shqiperi, por nje fenomen i tille (mbledhja e komisioneve parlamentare pa gazetare) ndodh dhe ne parlamentet perendimore, dhe kjo eshte nje e drejte e komisionit, po te kemi parasysh qe komisionet parlamentare, jane instanca/organi me i larte i parlamentit. Komisioni parlamentar (dhe jane disa, per çeshtje te ndryshme) gjate mbledhjes se tij, mund te mos i lejoje gazetaret, biles dhe parlamentaret e tjere qe nuk jane ne komision, kur diskuton çeshtje kardinale, qe kane te bejne me sigurine kombetare, apo nje sekret shteteror. Gazetaret dhe persona te tjere, vendas dhe te huaj, jane te lire te ndjekin çdo seance parlamentare, por jo çdo mbledhje te komisioneve parlamentare.  

 

"...rezulton se Partia Demokratike përmes grupit të saj parlamentar ka arritur të qas me platformën e saj elektorale 106 nisma ligjore nga 529, dmth 20% të totalit të ligjeve, një shifër kjo tepër e ulët për një parti që ka mazhorancën parlamentare..."  

Kjo eshte per te qeshur,  parti handikapesh. Me siguri qe Mavria (si kryetar i tyre) duhet te kete pjesen e vet ketu me nja 13-14 nisma ligjore.  

 

"...Grupi parlamentar i Partisë Republikane ka arritur të prekë platformën dhe premtimet zgjedhore me 170 nga 529 nisma ligjore, ose 32.1% të këtyre nismave të monitoruara..." 

Megjithse me me pak deputete se PD, paskan futur me shum ligje se ta. Po ç'e do, i lane ne balte ish pronaret. 

 

"...se në vitin 2009 Kuvendi i Shqipërisë ka rritur shpenzimet operative me rreth 113.000.000 lekë (të reja)..." 

Qe do te thone rreth 900 000 euro, ne mos gaboj. Kjo eshte shifra e shpenzimeve per 2009 apo shifra permbi shpenzimet. Moniteruesi, nuk na e sqaron qarte kete pike. 

Dhe ky artikull, ose nje lajm tjeter per raportin, duhet te jete ne nje nga rubrikat kryesore. Mos u kompleksoni, vetecensuroni kaq shume, per gjera vertet te rendesishme - feel free te vetecensuroheni per gjera me te vogla.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).