Problemi me propagandën elektorale

Imagjinoni një zotëri, në pamje të parë një xhentelman i vërtetë, i afrohet zonjushës më të bukur në atë mbrëmje dhe plotë me vetësiguri i thotë; "Ju jeni e mrekullueshme. Unë jam i përkryer. Martohuni me mua"
Gruaja e re buzëqesh nervoze. E intriguar nga oferta teatrale e zotërisë ia kthen, "Dukeni tip interesant. Mund të më tregoni më shumë për veten?". Zotëria lëshon një buzëqeshje plot sharm dhe përsërit, "Ju jeni e mrekullueshme. Unë jam i përkryer. Martohuni me mua." Tani bukuroshja është më pak e argëtuar se herën e parë... "Jeni i sjellshëm, por do të duhej t'ju njihja shumë mirë për tu martuar bashkë. S'mendoni?"
"Ju jeni e mrekullueshme. Unë jam i përkryer. Martohuni me mua." ... "Ju jeni e mrekullueshme. Unë jam i përkryer. Martohuni me mua."
"Ju lutem mjaft. E tepruat!"
Kandidati për burrë këmbëngul, "Ju jeni e mrekullueshme. Unë jam i përkryer. Martohuni me mua."

Në javën e fundit të fushatës dyshoj se ka mbetur ende në këtë vend ndonjë plak apo fëmijë që nuk është bërë objekt i mesazheve elektorale që po bombardojnë publikun javët e fundit. Spotet televizive të qeverisë kanë rreth një vit që transmetohen rregullisht, ndaj në një farë mënyre, ekspozimi ndaj reklamës politike nuk i vjen elektoratit si një goditje e beftë, por më tepër si një krah i hedhur miqësisht rreth qafës që ngadalë kthehet në një shtrëngim mbytës. Slogani "Shqipëria po ndryshon" e shoqëroi Kryeministrin për muaj me rradhë në inagurimet ku ky shfaqej gjithmonë me në sfond pejzazhin e Shqipërisë ndryshuese, të përpunuar me Photoshop. "Dialogu me Shqipërinë" i Edi Ramës ishte gjithashtu një formë fushate e vazhdueshme që nisi fill pasi Rama fitoi mandatin e tretë në 2007. Të gjitha forcat politike ndodhen në këto momente në kulmin e fushatës, në një betejë të përditshme për ekspozim ndaj publikut. E këto janë të gjitha pjesë e lojës politike, brenda lirisë demokratike që secila forcë apo udhëheqës ka për të përçuar mesazhin e vet politik apo për të takuar publikun. Problemi nis kur komunikimi i ideve zëvendësohet nga propaganda e rënduar dhe hipokrite, ashtu siç ka ndodhur gjatë kësaj fushate.

Në rrugë autobuzët e linjave urbane mbartin logot e forcave politike, reklamat ndriçuese në trotuarë janë veshur me portrete politikanësh, siç janë veshur çuditërisht edhe disa furgonë të rretheve. Postera, fletushka, spote ne radio, në televizion, koncerte me muzikë pop dhe mezash poop, furgonë buçitës, minifunde, parashutistë (paragliding), banderola që varen mbi rrugët, stilolapsa, çakmakë, bizhu, veprimtarë, mitingashë, debate televizive pa asnjë dobi publike, opinionistë mercenarë... ky operacion patjetër kap shifra miliona dollarësh në shpenzime, dhe pa diskutim kjo ka qënë fushata më e kontrolluar politikisht në historinë e shkurtër të demokracisë shqiptare. Mediat janë zbythur thuajse tërësisht nga roli i tyre hetues dhe informacioni që përcjellin është i kontrolluar në mënyrë shqetësuese.

Forcat politike kanë arritur të shpenzojnë aq para sa të kurojnë deri në imtësi imazhin publik duke u mbështetur fuqimisht në taktikat e propagandës. Fushata kthehet kështu në një teatër, por kjo ndodh kudo në qytetërimin e sotëm perendimor ndaj nuk po e ngacmoj si fenomen. Ajo që kërkohet nga forcat politike, më e pakta pra, është që qoftë edhe teatër të mos jetë vulgar, i tillë që publiku-spektator ta përbuzë. Historia e demokracive të tjera na mëson se me shfaqjen e reklamës politike në televizion apatia ka njohur vetëm rritje.

Spotet televizive të forcave politike janë një realitet të cilit asnjë qytetar që interesohet qoftë dhe minimalisht në aktualitetin nuk u shpëton dot. Dhe një farë soj ato janë ndoshta mënyrë më e mirë për të gjykuar ofertat politike sesa kakofonia e debateve në studio. Sekreti është që pas çdo reklame politike qytetari të vrasë mendjen se çfarë kanë dashur ta bëjnë të mendojë me atë mesazh. Lipset pra që qytetari të arsyetojë mbi arsyet pse X forcë politike po thotë ato që po thotë. A po ekzagjeron? A po gënjen? A po thotë gjysmë të vërteta? Pse? Në rast se kjo do të ndodhte mjaftueshëm, reklamat politike mund të shfrytëzoheshin nga qytetari kritik për të hetuar arsyet pse një forcë politike propagandon një mesazh të caktuar. E kur reklamat politike arrijnë të jenë kaq patetike sa këtu tek ne, atëherë merret vesh se sa vlen oferta e tyre. Nganjëherë e kuptojmë më thellë atë që gënjen sesa atë që thotë të vërtetën. Kur dikush gënjen haptazi, ne e kuptojmë se është një mashtrues por kur një tjetër na thotë të vërtetën nuk dmth patjetër se është burrë i mirë.

Reklamat politike janë një formë interesante publiciteti elektoral për faktin që shpesh ato tregojnë më shumë për publikun të cilit i drejtohen sesa për forcat politike që i kanë krijuar. Me sondazhet e sofistikuara të konsulentëve të huaj, partitë politike kanë arritur të krijojnë spote të cilat u thonë njerëzve pikërisht atë që duan të dëgjojnë dhe besojnë. Kështu, mund t'i ndjekësh reklamat e forcave politike për të kuptuar sesi mendojnë njerëzit që të rrethojnë, është një formë shumë e mirë. Nga ana tjetër reklamat negative që portretizojnë kundërshtarin janë ndoshta forma më e faktike për të mësuar rreth garuesve, por kanë gjithashtu një efekt mpirës mbi publikun, dhe e shtyjnë atë atë drejt mospjesëmarrjes në zgjedhje. Reklamat negative janë të vërteta të paketuara negativisht për të demtuar kundërshtarin, por mbeten gjithësesi më të ndershme se gjysmë të vërtetat që përdoren për t'i bërë elozhe vetes në reklamat pozitive.

Në mënyrë ironike, reklamat janë një formë më efikase përçimi të imazhit sesa kronikat e lajmeve (që janë gjithashtu të monduara nga shtabet elektorale) . Në një studim të kryer nga PBS në ShB.A. u gjet se edhe fëmijët e moshave 3-5 vjeç i njohin kandatët politikë nga reklamat por e kanë të vështirë t'i dallojnë kur bëhet fjalë për edicionet e lajmeve. Por problemi (i politikanëve) me reklamat është që kur ekzagjerohen mund të kenë efekt të kundërt sepse bëhen të bezdisshme dhe qytetarët e bombarduar prej tyre nisin të vrasin mendjen pse propaganda është kaq e shfrenuar. Havel shkruante se një sistem politik që rëndon mbi njerëzit ka nevojë jetike për propagandën dhe se propaganda në vetëvete përbën provën e kalbjes së sistemit.

Si çdo gjë në botë edhe fushata elektorale duhet të ketë një masë. Bombardimi i publikut me gjithfarë mesazhesh elektorale nuk ka sesi të mos krijojë një ndjesi të kundërehatisë ndër njerëzit dhe kjo kundërrehati e shkaktuar nga propaganda e tepruar ka gjasa të kthehet në bumerang në fomën e një vote kundër. Të paktën mua më krijohet përshtypja se kjo përmbytje mesazhesh elektorale po e zgjon qytetarin si atë bishën e fjetur. Nuk është ide fort e mirë për politikanë që kanë ca llogari pa dhënë, sepse hipokrizia e turpshme u zgjon ndërgjegjen edhe njerëzve që janë mësuar të përulen.

Në rast se kandidati për burrë do të vazhdojë të përsërisë, "Ju jeni e mrekullueshme. Unë jam i përkryer. Martohuni me mua.", shpejt zonjusha do të largohet e skandalizuar dhe me plot të drejtë do të mendojë se ka të bëjë me ndonjë maniak apo debil. Nuk mund të përsërisësh pafundësisht një sllogan. Herët apo vonë duhet të arsyetosh. Në thelb, në këto mesazhe elektorale duhet të kesh diçka më konkrete për të thënë në mbrojtje të pohimeve, ose më mirë të mos flasësh fare. Kur e tepron në të tillë mënyrë, me mesazhe të ngurtë, hipokritë dhe pa argument do të thotë se nuk i ke bërë hesapet mirë. Është sikur të përpiqesh ta kapërcesh një hendek me dy kërcime.
 

10 Komente

Blendi nje shkrim shume i mire. 

"Në rast se kandidati për burrë do të vazhdojë të përsërisë, "Ju jeni e mrekullueshme. Unë jam i përkryer. Martohuni me mua.", shpejt zonjusha do të largohet e skandalizuar dhe me plot të drejtë do të mendojë se ka të bëjë me ndonjë maniak apo debil. "

Ne rastin konkret, kam frike se "zonjusha-vote"e ketyre zgjedhjeve, e skllaveruar prej vitesh deri ne forma te nje prostitucioni te detyruar, por tashme e mesuar me zanatin e rruges deri ne mospershtypje, ajo do te martohet me maniakun dhe debilin "e perkryer". 

Shume i gjetur shembulli hyres dhe i gjithe shkrimi ne pergjithesi.

Duhet thene ama se Zoteria dhe Zonjusha nuk takohen per here te pare, pra nuk jane te panjohur. Ne syte e Zonjushes, Zoteria mund te jete edhe keshtu:

Pra, jo vetem qe i mungon arsyeja per te argumentuar "persene" e fteses per martese, por ky Zoteri mund te jete edhe nje "i cmendur" i zbukuruar me kostumin e marketingut.

Por jo vetem i cmendur, por edhe bixarr pasi jo vetem ai, por edhe ata qe kurojne imazhin e tij nuk kane nje eksperience te sprovuar per te tilla evente dhe kopjojne modele te papershtatshme.

E thene troc... 1) Te gjithe dyshojme ne ndershmerine dhe qellimet e ketyre politikaneve duke patur parasysh eksperiencen e deritanishme dhe 2) Kjo menyre te beri fushate "alla americana" ne nje vend tejet te prapambetur si Shqiperia, vecse stonon me realitetin.

If we call this "direct marketing", than the "lady" should slap him in his face...& this will be "the customer feedback"!

5

Hmm..po sikur lady ta marr kallup mesazhin lol

Të paktën mua më krijohet përshtypja se kjo përmbytje mesazhesh elektorale po e zgjon qytetarin si atë bishën e fjetur. Nuk është ide fort e mirë për politikanë që kanë ca llogari pa dhënë, sepse hipokrizia e turpshme u zgjon ndërgjegjen edhe njerëzve që janë mësuar të përulen.

Akoma me optimizem Blend?!

Shkrimi shume i mire, gjithesesi ...

Gjithmone me optimizem Monda. smiley Eshte shume interesante te shikosh cfare permasash ka marre propaganda politike ketu. Kam pershtypjen se as sitemi diktatorial nuk perdorte propagande ne kete shkalle. Partia-Shtet po mundohet te na binde se jemi te lumtur, se jetojme ne vendin me te mire ne boter... sounds familiar?

Opozita na fton te besojme qe jemi ne prag te gremines. Se duhet ndryshim i menjehershem.

Votuesi gjendet mes dy mesazhesh qe zerojne plotesisht njeri tjetrin, dhe kur ndodh kjo vjen edhe nje padeshire per te votuar. Sistemi politk eshte aq i korruptuar saqe nuk ka menyre tjeter per te qendruar ne kembe pervecse t'ia beje koken dhalle njerezve. Demokracia keshtu kthehet ne nje mirazh.

Lipset pra që qytetari të arsyetojë mbi arsyet pse X forcë politike po thotë ato që po thotë. A po ekzagjeron? A po gënjen?

Po do te arsyetoje sigurisht,diten e votimit.,mos ki merak. Ai qe eshte mire,do te votoje per PD ai qe nuk eshte mire,pertoke,do te votoje per PS! Eshte i dam arsyetimi!

Ai qe eshte hajdut,mashtrues,dhe perfitues ne kurris te tjereve,do te votoje per PD,ai qe ka humbur punen,sigurine,shpresen do te fotoje per PS.!!

Ne kohe fushate si kjo, nje pjese e qytetareve,(ata qe nuk kane principe dhe arsyetime)jane viktima te karameleve,do te genjehen me nje karamele,dmth,do te marrin ca shuka parash,do te kompromentohen,per momentin,dhe "Partia" u adi mendjen ketyre qytetareve,dhe nga keta lloje qytetaresh,ajo do te kete nje perfitim te madh.po sa jane keta?Nuk e besoj se jane shumica.Shumica nuk do te genjehen me nje karamele,sepse jeta nuk mund te kalohen me "nje karamele"jeta eshte e gjate.!Kam besim se kete radhe arsyetimi i qytetareve do te jete i sakte!

Po do te arsyetoje sigurisht,diten e votimit.,mos ki merak. Ai qe eshte mire,do te votoje per PS ai qe nuk eshte mire,pertoke,do te votoje per PD! Eshte i dam arsyetimi!

Ai qe eshte hajdut,mashtrues,dhe perfitues ne kurris te tjereve,do te votoje per PS,ai qe ka humbur punen,sigurine,shpresen do te fotoje per PD.!!

Ne kohe fushate si kjo, nje pjese e qytetareve,(ata qe nuk kane principe dhe arsyetime)jane viktima te karameleve,do te genjehen me nje karamele (dhe nje pjate makarona) ,dmth,do te marrin ca shuka parash,do te kompromentohen,per momentin,dhe "Partia" u adi mendjen ketyre qytetareve,dhe nga keta lloje qytetaresh,ajo do te kete nje perfitim te madh.po sa jane keta?Nuk e besoj se jane shumica.Shumica nuk do te genjehen me nje karamele (pertej te majtes dhe te djathtes, pilitike e re(me figura te vjetra)) ,sepse jeta nuk mund te kalohen me "nje karamele"jeta eshte e gjate (me e gjate se kryesia e ps nga rama) .!Kam besim se kete radhe arsyetimi i qytetareve do te jete i sakte!

 Fushata elektorale ne Shqiperi po zhvillohet, per here te pare, duke ndjekur rregullat  komunikimit massiv dhe atij elektoral. Te hysh ne hollesira nje jave para zgjedhjeve do te thote vetevrasje. Nje mesazh i forte qe ben differencen per target-in eshte menyra me e mire per te realizuar Diferencimin dhe Pozicionimn e Idese ne Shitje per te hyre i pari ne mendjen e klientit/zgjedhesit.

Jo vetem kaq, por mesazhi duhet ndertuar duke menduar se çfare ka rendesi per zgjedhesin; mesazhi ndertohet ne formen e nje çelesi per te hyre i pari ne mendjen e zgjedhesit/klientit dhe per te mbetur aty i pashkulshem nga mesazhi i kundershtarit. Kjo ben diferencen dhe sjell fitoren. Natyrisht ne rastin kur zgjedhesi e pranon mesazhin si idene e vet, dmth mesazhi ja ka mbritur qellimit. 

Mos te harrojme qe marketingu (elektoral apo komercial) eshte nje beteje midis percepcioneve dhe jo midis produkteve  keshtuqe e Verteta (produkti) nuk hyn fare ne zgjedhjen ne Shqiperi. Dikush sigurisht do te me hidhet ne gryke ne emer te moralit. Sa kam shkruar me siper lidhet me realitetin dhe jo me moralin.

Nqse duam te jemi kunder per te qene kunder eshte nje gje, por nqse duam te ndjekim kriteret profesionale te komunikacionit, kjo eshte nje gje tjeter.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).