Po jep shpirt (apo po heroizohet) establishment-i i vjetër politik?

Sipas të gjitha gjasave, partitë e vogla “na e marrin të keqen” këtë herë. E ndoshta “na e marrin të keqen” njëherë e mirë (për sa kohë që do të mbetet në fuqi ky kod elektoral). Bashkë me to ikin edhe kryetarët pehlivanë të këtyre partive, të cilët ia kanë dalë të mbijetojnë në politikën shqiptare falë akrobacive politike (duke u hedhur sa në një krah në tjetrin e duke iu bërë rriqër partive të mëdha), dhe falë ushtrive të vogla klienteliste, të cilat gjatë fushatave elektorale kanë luajtur rolin e militantit, gjatë votimit kanë luajtur rolin e zgjedhësit e pas zgjedhjeve kanë kërkuar e ngrënë copën e premtuar të byrekut (kjo copë byreku është rëndom një vend pune në administratën publike). Këtë kanë bërë edhe partitë e mëdha? Deri diku po, por me ndonjë diferencë thelbësore. Së pari, partitë e mëdha nuk i janë bërë rriqër askujt. Së dyti, në partitë e mëdha mund të gjesh tek-tuk edhe ndonjë idealist. Së treti, edhe sikur të mos ishin këto dy dallime nga partitë e vogla, PD-ja e PS-ja janë gjithçka që ne kemi mundur të prodhojmë (deri më tani, të paktën), si oferta të mirëfillta politike e qeverisëse në një kontekst demokratik; në këtë kuptim, edhe në qofshin katran me bojë, ato përbëjnë një taksë/barrë, që ne duhet ta paguajmë/mbajmë me hir a me pahir. Përthyerja e mësipërme e këtyre zgjedhjeve nuk ka lidhje me fituesin. Kushdo që të fitojë, partitë e vogla fshihen nga faqja e dheut. Por ka edhe një përthyerje tjetër mjaft interesante, e cila lidhet me fitoren e mundshme të Edi Ramës. Kjo e fundit përbën një kërcënim për pothuaj gjithë establishment-in politik, që ka komanduar Shqipërinë e tranzicionit. Me fjalë të tjera, një fitore e Edi Ramës u jep një goditje vdekjeprurëse dinozaurëve të politikës shqiptare, të cilët bash për këtë arsye nuk kanë munguar t’i dërgojnë sinjale mirëkuptimi apo mbështetjeje shoqi-shoqit. Nuk është më sekret tanimë mirëkuptimi në distancë midis Sali Berishës e Fatos Nanos. Gjatë katër viteve të fundit ata kanë gjetur rast herë pas here jo vetëm ta përshëndesin e ta ledhatojnë njëri-tjetrin me etiketën e leader-it historik të së majtës/djathtës, por edhe të lënë të nënkuptuar një aleancë ende të panyjëtuar (e ndoshta s’ka pse të jetë e nyjëtueshme) përballë Edi Ramës. Sali Berisha, i vetëdijshëm se këto zgjedhje janë kambanat e vdekjes politike të tij, nuk po lë gjë pa bërë në këtë fushatë. Ka mobilizuar si kurrë ndonjëherë më parë gjithë makinën shtetërore, ka thirrur në ndihmë miqtë e vjetër e të rinj nëpër botë (e fundit ishte një grua sharlatane dhe e pacipë me emrin Doris Pack), ka thirrur sërish në apel bandat e rrugës, të cilëve u ka futur shiringat e militantizmit të improvizuar e të përkohshëm, ka koncertuar një ushtri të çuditshme sondazhistësh e komentatorësh të sondazheve (parmbrëmë te Fevziu nuk përtonin të komentonin me seriozitetin më të madh - situatë më surreale nuk e bën nëna! - faktin që PD-ja është nja dhjetë pikë para PS-s&eumlsmiley, ka shtënë në punë gjithë bateritë masmediatike (televizionet e veta i ka shtrënguar të kalojnë çdo kufi e masë deontologjike), e pritet t’i bëjë një mbyllje plot bujë fushatës. Është i terrorizuar prej humbjes së mundshme. Ndërsa Fatos Nano, i kapur nga i njëjti panik, u shfaq në fillim të fushatës elektorale në studion e programit “Opinion”, për të thënë mirë e qartë tri gjëra: 1. Shqiptarët duhet të votojnë kundër Edi Ramës 2. Sali Berisha është më i mirë sesa Edi Rama dhe 3. Ilir Meta është përfaqësuesi autentik i së majtës.

Ilir Meta, dinozauri i fundit i politikës shqiptare, ca prej hallit e ca prej mallit, nuk vonoi t’i përgjigjej: marrje! Duke i kapur në befasi që të gjithë, doli e bëri si kofini pas të vjelit një thirrje për bashkimin e së majtës, por aty për aty u mor vesh, se ajo thirrje iu drejtua veç Fatos Nanos, me të cilin nuk e lidh asgjë, përveç frikës së fundit politike. Siç shihet, Rama po shqetëson seriozisht establishment-in. Ai, afërmendsh pa e llogaritur, pa e kërkuar e pa e merituar, është bërë armiku i klikës sunduese të këtij vendi. Nuk ka shumë kuptim që Edi Rama të jetë armik i një klike, produkt i së cilës është edhe vetë. Por ja që ky është fakt. Edi Rama kërcënon me zhbërje klasën politike të tranzicionit, e bash për këtë arsye, fitorja e mundshme e Ramës do të prodhonte një realitet të ri politik. Dhe me këtë analizë besoj që duhet të biem dakord të gjithë. Tani është radha për të shtruar pyetjen: kemi të bëjmë në këtë mes me një rrezik, apo me një shpresë?

Personalisht, e kam zët të jap përgjigje as mish, as peshk; apo edhe mish, edhe peshk. Përgjigje të tilla burojnë ose prej merakut për të qenë politically correct, ose prej komplekseve shterpë të paanësisë, ose prej frikës për të mos marrë etiketa prej atyre që, pasi e bëjnë gjithë ditën punën e shërbëtorit, kërkojnë në mbrëmje të shohin një shërbim pas çdo qëndrimi. Por në këtë rast, përgjigjen e kam gjetur in the middle. Çfarë do të thotë? Që Edi Rama nuk është as shpresë, as rrezik? Ndoshta, por më e sakta do të ishte që ai është edhe shpresë, edhe rrezik. Rrezik? Rrezik për çfarë? Mos vallë kanë të drejtë ata njerëz, që bërtasin në kor se Rama është po aq i rrezikshëm, sa edhe - në mos ca më shumë se - Berisha? E vërteta është, që ata kanë të drejtë kur shqetësohen prej ardhjes në pushtet të Edi Ramës, por puna është se ata i presin drutë shkurt e tregojnë se nuk kanë pikën e dëshirës për t’u thelluar, kur thonë se Rama është po aq i rrezikshëm - ose më i rrezikshëm se - sa Berisha (këtu s’e kam fjalën për ata, që ua do puna ta thonë këtë broçkull, e kam fjalën për ata që e mendojnë vërtet, jo si broçkull, por si xhevahir). Po shpjegohem. Po, Edi Rama është problematik. Është problematik në rrethanat e një fitoreje për një mori arsyesh. Në radhë të parë, vetë konsekuencat e kësaj fitoreje (shkërmoqja e establishment-it politik) bartin në mënyrë të natyrshme një rrezik. Krijohet një vakuum i madh politik, në rrethanat e të cilit Edi Rama mund të bëhet më kabá e më voluminoz sesa është. Ku është e keqja këtu? Hëm, së pari ta shndërrosh në lider të padiskutueshëm një njeri, të cilit të gjitha arritjet i kanë ardhur në një masë të madhe prej një kombinacioni tekanjoz rrethanash, është praktikisht shumë; është dhe e padrejtë. Së dyti, kjo fuqi e jashtëzakonshme e liderit mund të jetë vetvetiu shtypëse e uzurpatore në kushtet e një mazhorance shumë kompakte (e tillë pritet të jetë mazhoranca e komanduar nga Rama), në kushtet e një bote institucionale të dobët e në kushtet e një bote masmediatike të shthurur e aspak indipendente. Së treti, Edi Rama, ashtu si të gjithë politikanët populistë e karizmatikë, s’e ka për gjë e s’e ka të vështirë ta tejkalojë forcën e ndikimin që i jep vota dhe pushtetin që i jep Kushtetuta. Në radhë të dytë, Rama, si të gjithë big-wig-ët e politikës së Tiranës, e ka siguruar fuqinë e ndikimin e madh edhe falë marrëdhënieve non-chalant-e (ku jotransparente e ku joqibare) me sipërmarrës, tycoon-ë, gazetarë, deputetë etj. Me fjalë të tjera, Rama jo vetëm nuk e ka marrë mundimin për t’u shpallur luftë presioneve, mes të cilave është ndodhur natyrshëm si kryetar bashkie (sipas të gjitha gjasave, po ta bënte këtë luftë, do të mund të qëndronte në atë post veç tri javë, e jo tre mandate), por është përpjekur t’i ledhatojë e t’i administrojë këto presione në favor të ambicies së vet politike. Do të ketë fuqi e dëshirë t’i përballojë të njëjtat presione, plus edhe të tjera në postin e kryeministrit? Nuk jam i prirur të besoj. Thellë-thellë, Edi Rama, sado që është absolutisht i ndryshëm, është megjithatë një produkt tipik i mjedisit politik të Tiranës. Ai mund ta mundë establishment-in (dhe unë personalisht mezi po pres që ai ta bëjë kët&eumlsmiley, por ai është pjesë e pjellë e këtij establishment-i. Kjo do të thotë se ai është njëri prej tyre. E në këtë kuptim, kam frikë se nuk do të jetë i lirë (dhe nuk do ta ketë mendjen) për të bërë reforma të mëdha, për të cilat ka nevojë ekonomia, politika, shteti e shoqëria shqiptare.

Këto rreziqe dhe të tjera duhet të na shqetësojnë, por kur vjen puna që Edi Ramën e vëmë në kandar me Sali Berishën, shqetësimi nuk më hyn fare në sy. Pse? Shumë e thjeshtë, pasi mua (shpresoj dhe shumicës së shqiptarëve) nuk mund të më dalë nga mendja që Sali Berisha është politikani, prej të cilit kemi peshqesh ngjarjen më të panevojshme, më të evitueshme, më të çmendur e më të turpshme në historinë shtetërore të shqiptarëve (atë të viteve 1996-1997). Ai është politikani, që më 14 shtator 1998 sulmoi me tanke e me arkivole institucionet e brishta të shtetit të sapodalë nga kriza e një viti më parë. Ai është politikani me gjuhën që të ngjeth mishin, është politikani që ka burgosur udhëheqësin e opozitës, që ka urdhëruar rrahjen e deputetëve, që ka heshtur ndaj vrasjeve të markës shtetërore (sidozot, vrasja e Remzi Hoxhës), është politikani që ka mbjellë në shoqërinë shqiptare përçarje, urrejtje e intolerancë. Është politikani që rrethohet prej 18 vitesh me një ushtri me roje trupi, është politikani që ka gjithë familjen të ngatërruar në afera korruptive e kriminale, është politikani që nuk ka dëshmuar ende se mund ta lërë pushtetin urtë e butë (ata që e njohin, janë të sigurt se nuk ka për ta bërë këtë, derisa i Plotëfuqishmi të gjejë ngenë për t’u marrë me të, siç merret me të gjithë në mënyrë trillane) etj., etj.

E pra, përballë një oferte të tillë, nuk është se e lë veten të kërkoj qimen në vezë tek oferta e Edi Ramës. Përballë një oferte të tillë, rreziqet që paraqet Edi Rama më duken gati-gati si oportunitete. Përballë një oferte të tillë, mua do të më mjaftonte fakti që Edi Ramën e shoh nëpër rrugët e Tiranës me një bodyguard, do të më mjaftonte fakti që ai nuk ka ndonjë tribu të vetën, njerëzit e së cilës presin shpërblime e mirënjohje për mbështetjen elektorale. Do të më mjaftonte fakti, që ai ka premtuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së në rastin e humbjes së zgjedhjeve. Do të më mjaftonte fakti që, sa kohë ishte në opozitë, pushtetin nuk e pa si një entitet armik. Do të më mjaftonte fakti, që një fitore e tij do të bënte fije-fije gjithë establishment-in politik të dy dekadave të fundit.

Duhet shpresuar që shqiptarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi që u jepet, për të çuar në shtëpi ca horra me patentë. Në mos, ka rrezik që të tjerët të na marrin për një popull mazokistësh e reaksionarësh. Në mos, ka rrezik që të jemi vërtet të tillë. Ky po që është rreziku, të cilit duhet t’i trembemi! 

24 Komente

Cfare eshte "establishment-i" ne Shqip? Ne anglisht e di por nuk besoj te jete si ajo Car ne anglisht me Car ne shqip  ( me k) 

s'ke turp je dhe goxha burre! Babe me dy kalamoj flet me llafe turpe! hahahaha

 

Eshte njesoj sikur u pastruan qytetet nga tezgat e shitjeve ne trotuar, edhe zhdukja e ketyreve tregtaruceve politik.

Dashi i pyllit liris, me Gilmanin qe i vjedhin votat, votat e familjareve, sa jane 3, 4, turp, e marre, faqja e zese.

Ti marrin te keqen keta kumentatoret Sales tone te dashur qe vdes populli per te. Ai eshte i kulluar, eshte trim e sypatrembur, demokrat me kallash qe ta ben gropen e varrit sa nje fshat (psh sa gerdeci). Te gjithe ia kane me te keq apo me te futur, prokurore (te gjithe qe prej '92 pavaresisht se pjesen me te madhe i ka emeruar vete), presidente, bashkepuntore te tij me te ngushte, shefa shish-i, gjykate kushtetuese etj etj, por ai eshte i pathyeshem, konsekuent. Ai ose do ta bej kete popull ti ngrej nje statuje si ajo e dulles ne mes te Tiranes ose ka per ta shkrire fare. 

te na rroje biroja e re politike Sala, Xhozi, Luli, Delja,Mir mehdiu, Jar mustekja deri te komandanti i celules apo njesitit te bathores.

 

 Muc Nano, je i modh. Per mu je njish. Me sakte nuk mund te analizohet. Bravo.

Shumë e thjeshtë, pasi mua (shpresoj dhe shumicës së shqiptarëve) nuk mund të më dalë nga mendja që Sali Berisha është politikani, prej të cilit kemi peshqesh ngjarjen më të panevojshme, më të evitueshme, më të çmendur e më të turpshme në historinë shtetërore të shqiptarëve (atë të viteve 1996-1997). Ai është politikani, që më 14 shtator 1998 sulmoi me tanke e me arkivole institucionet e brishta të shtetit të sapodalë nga kriza e një viti më parë. Ai është politikani me gjuhën që të ngjeth mishin, është politikani që ka burgosur udhëheqësin e opozitës, që ka urdhëruar rrahjen e deputetëve, që ka heshtur ndaj vrasjeve të markës shtetërore (sidozot, vrasja e Remzi Hoxhës), është politikani që ka mbjellë në shoqërinë shqiptare përçarje, urrejtje e intolerancë. Është politikani që rrethohet prej 18 vitesh me një ushtri me roje trupi, është politikani që ka gjithë familjen të ngatërruar në afera korruptive e kriminale, është politikani që nuk ka dëshmuar ende se mund ta lërë pushtetin urtë e butë (ata që e njohin, janë të sigurt se nuk ka për ta bërë këtë, derisa i Plotëfuqishmi të gjejë ngenë për t’u marrë me të, siç merret me të gjithë në mënyrë trillane) etj., etj.

me beri pershtypje qe nuk e ka permendur Gerdecin

Edi Rama kërcënon me zhbërje klasën politike të tranzicionit, e bash për këtë arsye, fitorja e mundshme e Ramës do të prodhonte një realitet të ri politik.

thelbi

 Amon gre, ka aq shume per te permendur per berishen sa duhet nje liber. Por ata qe Muci permend me siper qendrojne te gjitha. Te pakten ky eshte opinioni im.

se mos eshte vetem dashi i pyllit te lirise, po eshte dhe zoti Lam, dhe Vlash mavria e ca mavrinj te tjere qe u erdhi dita te zhduken. Bravo Mustafa!

, Rama po shqetëson seriozisht establishment-in. Ai, afërmendsh pa e llogaritur, pa e kërkuar e pa e merituar, është bërë armiku i klikës sunduese të këtij vendi.

ca thote kshu ky mo?? O eshte 'establishment' Rama o s'eshte tjeter kush

Peme pa kokrra jane te dy. Do te deshiroja te fitonte Rama vetem qe mos ta kishim me Berishen ne skene. E ka marre peng kete vend per 20-vjet dhe s'po e heqim dot. Nuk e di po kam pershtypjen se po te iki ky komisari i partise, klima politike ne Shqiperi do te ndryshoj. Gjthsesi shpresoj.

Rama eshte faktor i rendesishem , ai reformoi nje PS te tipit europian ,duke lene mbrapa nje Nano ,dhe shpresojme te lere edhe nje "nano" tjeter sic eshte Berisha ..(politika e vjeter e grindjes, me lufte partizane ,pa kompromis interesash te vendit )!

Ai qe ka mend per momentin Edi eshte faktori me i mire .Neser mund te dal nje tjeter lider ,se edhe Rama nuk mund te jete i persosur dhe i perhershem ashtu sic eshte sot Berisha .

Freskimi i liderave eshte nje mentalitet pozitiv sepse permisojne gjendjen ,gjithmon kur kemi parasysh nje stad te ri zhvillimi .Mund ti besohet nje stad i ri zhvilli Berishes ,qe ka 18 vjet lider ? Kur ne disa fusha te rendesishme si drejtesia ,mjeksia ,administrata publike ,arsimi ,etj etj nuk kane arritur standartet !

ca flitni budallalleqe partit e vogla a normale te ekzistojn dhe ekzistojn kudo ne vendet demo. perdersa perfaqsojn interesa qe nuk i artikulojn te mdhajat.esht normal dhe "pelihvanlleku" i tyre. Eshte e veshtir te kesh "fitore te thelle" nga 1parti e madhe pa mbeshtetjen e te tjerave formacjoneve te vogla politike.

Dafine, ne parim ke te drejte ti, po ne realitet s'ke! Se ke ne s'po perfaqesojne interesat e askujt partite e medha, e jo me ato te voglat. Me thuaj se kujt demokracie i sherben ke perfaqeson Xhuveli, Gjinushi, Milo, Ndoka, etj etj

 

Sidoqofte rrofshin analistet e pavarur (po fare fare ama) si Muç Nano!

Rrofte media e depolitizuar duke fillu nga TVSH e Klan e tu maru me Top e News!

Rrofshin liderat politike aktuale e te pensionizuar, Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Fatos Nano, etj, qe u robtuan per te miren e atij vendi!

Rrofte ene Toko per frymezimin e ketij postimi! (duhej nje e vertete se bohesha 100% ironik si ty masnej!) 

miqte e mij te djathte dhe te majte, te qendres dhe te ekstremeve,

a nuk mendoni se ne keto zgjedhje realisht fitoi Shqiperia ? Vertet nuk u kapen standartet ne kuptimin e plote te tyre, por ndryshe nga te gjitha zgjedhjet e tjera te zhvilluara ne vend, keto demostruan me shume qytetari dhe krijuan premisa reale qe Shqiperia te futet ne nje faze te re te zhvillimit dhe endrra jone qe te behemi pjese e Kombeve te qyteteruara, po fillon te behet realitet.

Sikunder edhe te gjithe ju edhe une kam objeksionet e mija si per sistemin zgjedhor te aplikuar ashtu edhe per rezultatet qe ai prodhon, por me pelqen qe kesaj rradhe te shoh gjysmen e gotes plot dhe te mendoj pozitivisht, kjo, edhe ne shembullin dhe mesazhin qe po perpiqen te percjellin si lideret kryesore te dy forcave politike ashtu edhe perfaqsuesit e komunitetit nderkombetar.

Sipas meje, sistemi u aplikua qe te prodhonte kete rezultat : barazpeshen e plote te dy forcave kryesore politike dhe detyrimin e  minipartive , ne respekt te plote per to, qe ta shohin vehten te riformatuar pas zgjedhjeve ne dy a tre koalicionet kryesore.

Qeverisja mendoj se do te realizohet nga nje Qeveri teknike e mbeshtetur gjeresisht nga te gjitha forcat politike parlamentare, me mandat te kufizuar qe do te zgjidhe perfundimisht problemin e pronave, te te perndjekurve politike, te sistemit  te drejtesise,etj. Kjo sepse asnje nga forcat kryesore nuk eshte ne gjendje qe te krijoje nje qeveri te qendrueshme dhe nje maxhorance e brishte parlamentare nuk do te jete ne gjendje qe te miratoje ligjet e paketes se reformes te cilat kerkojne nje shumice te cilesuar per tu miratuar.

Une mendoj qe zgjidhja e mesiperme eshte edhe ajo qe po projektohet ne ditet e ardheshme....kur une pres nje qeveri teknicienesh te afte...te drejtuar nga nje kryeministre grua!

Une mendoj qe zgjidhja e mesiperme eshte edhe ajo qe po projektohet ne ditet e ardheshme....kur une pres nje qeveri teknicienesh te afte...te drejtuar nga nje kryeministre grua!

 

Kjo eshte zgjidhje shume e bukur...vecanerisht nese behet e vertete... smiley. Ajo qe une nuk e shpjegoj dot ne supozimin tend eshte pse "kryeministre grua"?

....dhe meqe po supozojme ne me te miren e mundshme: Nje heqje dore e paqte e Berishes nga kryeministerlleku, a nuk do ta heroizonte me shume se c'duhet? Si t'ia bejme pastaj me gjithe turmen qe e adhuron si Skenderbeun antikomunist te mijevjecarit te ri?

Sidoqofte...me mire do behet smiley... Berisha, Rama apo Tekniku, ky eshte moment i mire historik per shqiptaret.  

Per fenix,

..."kryeministre grua" .....pasi une besoj ne forcen, pjekurine, sensibilitetin, ekuilibrin, mencurine e gruas shqiptare....dhe te grave ne pergjithsi... sepse eksperienca ka treguar qe ne nje vend si yni, ka funksionuar modeli i gruas ne drejtim : Kryetarja e Parlamentit, Kryetarja e Gj.Larte, Kryeprokurorja, etj... jane shume me pak te atakueshme nga fenomenet  negative ...

...nje doreheqje e paqte e Berishes do te ishte nje sherbim shume i madh qe ai do ti bente  vendit dhe popullit te tij...ne fund te fundit si politikani qe i ka qendruar tallazeve te politikes shqiptare ne keto 18 vjet, me te mirat e dhe keqijat, ai e kupton shume mire se roli i tij tani eshte qe te mos behet pengese e zhvillimit. Nese do ta heroizonte , sic shpreheni ju, Berishen kjo gje, une ketu nuk shoh asgje te keqe... 

...nuk duhet harruar Rama...edhe ky duhet te vazhdoje te luaje rol ne riformatimin e PS dhe te amortizoje cdo perpjekje qe do te bjere ndesh me procesin e bashkepunimit dhe te reformave te medha...

..une kam shume shprese...une besoj se kjo eshte Ora e Shqiperise dhe e Shqiptareve..

"react" edhe une jam me ndjesine tende te percaktuar ne fund por, ka nje kontradikte, ndermjet nje qeverie te dobet nga njera ane dhe zgjidhjes se problemeve kardinale, qe permend me siper. Pas nje diskutimi me nje specialist te huaj te politikave te Ballkanit, sot B_H si dhe Serbia vuajne per transformime rrenjesore ku nje nga aresyet eshte edhe qeveria e pa mbeshtetur fort.

Duke qene aq e dobet ajo do te kete shume kujdes ne mbajtjen e statuquose, se sa ne kardinalet, te cilat i lrijojne probleme dhe jane mjaft te ndjeshme.

Qeverite e dobeta jane regresive, korruptive si dhe krijojne ankthin e vazhdueshem te nje ndryshimi te pritshem. Kjo aq me teper ne nje vend me demokraci te dobet si dhe ne nje kohe krize te pergjitheshme ne rang boteror.

Per keiendi,

.....nje qeveri e dobet eshte ajo qeveri qe nuk gezon mbeshtetjen e duhur, jo vetem brenda vendit...madje do te thosha se eshte shume e rendesishme te gezoje mbeshtetjen nderkombetare...kujtoj ketu se progresi ka nevoje per burime financiare te qenesishme, te cilat zor se mund te sigurohen nga taksapaguesit shqiptare. Persa i perket  detyres se qeverise per te ruajtur ekuilibrat e brendeshme...keto vetrregullohen mjaft qe te shmanget konflikti i fymezuar nga lart-poshte.... shto ketu edhe faktin se mbeshtetja e projekteve te medha te zhvillimit ( e cila kondicionohet me shkallen e realizimit te reformave) do te prodhoje vende pune, prosperitet, ne analize te fundit pune qe do ti largoje njerezit nga militantizmi ekstrem i lidhur domosdoshmerisht me pushtetin. Gjithsesi kerkohet shprehje e vullnetit politik te  dy liderve te medhenj te politikes shqiptare... persa i perket eksperiences se BH apo edhe te Serbise, kujtoj se per te paren ajo nuk ben pjese ne asnje organizem nderkombetar te karakterit NATO, etj, problemet e saj te brendeshme dhe perplasja e interesave gjithfarengjyresh, persfhi ato religjoze, nuk jane karakteristike e vendit tone.  Dicka e ngjashme mund te thuhet per Serbine, per te cilen une besoj se hap pas hapi do ti kaperceje me nje vullnet politik qe dita dites duket te konsolidohet, problemet e se shkuares dhe te se tashmes te lidhura me te. Meqe jemi tek Serbia...procesi i demokratizimit te Ballkanit kerkon uljen e tensioneve dhe krijimin e frymes se bashkepunimit mes shteteve. Pa kete as mund te imagjinohet nje proces integrimi i dy vendeve tona  ( bashke me Kosoven) ne BE. Kjo eshte edhe nje arsye tjeter qe me forcon bindjen se nje qeveri teknicienesh te afte dhe njekohesisht te ftohte qe s'mund te etiketohen  me terma perjashtues si nacionaliste, etj., do te ishte nje interlokutor i dobishem ne uljen e tensionit dhe ne krijimin e raporteve te bashkepunimit , fillimisht ekonomik, mes Shqiperise -Serbise dhe Kosoves.

Shqiperia eshte nje vend pa tradite demokratike, por me nje deshire te madhe per liri...dhe demokraci te padeformuar...  e, qe te arrihet objektivi rruga eshte e gjate..por, nuk mund te mbrrihet asgjekundi po nuk u nise per udhe. Le te hedhim hapin e pare, le te marrim  leksionin e pare te demokracise.. le te mesohemi ta respektojme kundershtarin politik, te ndryshmin....Kete mesazh  mund ta percjelle fare mire bashkepunimi i gjere i spektrit politik te perfaqsuar ne parlament...

M. Nano çoku e ka pas mbajtur veten; ndonese dilte hapur kundra Berishes, sikur nuk para dilte hapur pro Rames, po ketu e paska shpalosur krejtesisht e hapur fare preferencen e tij per Edi Ramen. Jo per Partine Socialiste, por per Edi Ramen.

Ndonese mund te duket disi e panevojshme qe te ekzistojne kaq shume parti, si t'ja bejne njerezit (si une) qe anojne, p.sh. nga e djathta por nuk e shohin te djathten (me mire t'a quajme pseudo te djathte) te perfaqsuar nga Sali "ligji 7501 dhe legalizimet e vjedhjeve te tokave" Berisha apo Fatmir "Gerdec" Me(h)diu? Si t'ja bejne ata qe duan te perfaqsojne nje grup te caktuar? Te prostituojne (sic tha dikush ketu para nja dy ditesh) tek partite e medha? Apo te paguajne shumat marramendese per te konkuruar (si ne ankand) per t'u futur ne listat e dy partive te medha? Cfare te keqe ka nese ne Parlament ka edhe mendime te ndryshme nga dy polet PD-PS apo satelitet e tyre?

Mos te harrojme qe, p.sh. ne Italine fqinje, kur dolen ne fillim Lega Nord apo partia e Berlusconit, ishin cimka ne krahasim me dinosauret Socialiste apo Demo-Kristianet. Po tani si jane?

Persa i perket sharjes qe M. Nano i ben Ilir Metes, ndonese nuk i perkas asaj ane politike, me behet qefi qe rezultati i zgjedhjeve po del gati i barabarte, me asnjeren nga dy partite e medha si fituese absolute e shumices. Dy partite e medha (apo me mire, kreret e tyre) donin t'i benin gropen te vegjelve, perfshire LSI-ne, dhe tani do ju duhet t'i puthin kembet (apo ndonje pjese tjeter...) Metes qe t'u bashkohet grupit te tyre qe te mund te bejne qeveri. Si eshte ajo shprehja e popullit tone te mencur "Kur i ben gropen tjetrit... . " Te shohim si do e nderroje pllaken karshi Metes analisti i sh(p)quar M. Nano.

 Pavarsisht se ne ndonje pike nuk pajtohem me Muçin,  pajtohem ne thelbin e analizes se tij si ajo ndermjet dy te keqiave (Berishes dhe Rames) do te zgjidhte te keqen me te vogel, pra Ramen.   

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).