Plehrat dhe ujërat e zeza po shkatërrojnë turizmin në Shqipëri dhe po dëmtojnë investimet

Nga Adam Tanner, “Reuters”

Sarandë - Duke e izoluar Shqipërinë nga bota e jashtme, liderët e saj komunistë arritën të ruajnë brigjet e virgjëra të Mesdheut nga zhvillimet e pakontrolluara.

Tani, mbeturinat dhe plehrat e konsumatorëve dhe ndërtimeve të shumta pas rënies së komunizmit, rrezikojnë këtë bukuri perfekte që mund të furnizojë në të ardhmen rritjen ekonomike përmes turizmit.

Kandidatët kryesorë në zgjedhjet kombëtare të 28 qershorit, kryeministri, Sali Berisha, dhe rivali i tij, lideri socialist, Edi Rama, thonë se do ta luftojnë këtë problem, nëse do të fitojnë zgjedhjet.

Shqipëria ishte vendi më i varfër në Evropë dhe vendi më i izoluar nën regjimin komunist dhe njerëzit konsumonin shumë pak.

Hapja e vendit me botën e jashtme në vitin 1990 solli dhe më shumë mallra të paketuara që sollën gjithashtu dhe male plehrash në të gjithë vendin.

“Ky është me të vërtetë një realitet shqetësues. Është një realitet i ri i një shoqërie të konsumit”, - thotë Edi Rama, lideri socialist dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, që shpreson të bëhet kryeministri i ardhshëm.

“Është një prioritet absolut që të pastrojmë vendin nga mbeturinat, veçanërisht në zonat me turizëm, ku situata ka dalë jashtë kontrollit.”

Një udhëtar në Shqipëri përballet përherë me grumbuj plehrash në krah të rrugës e shpesh të hedhura në sasi të mëdha nëpër lumenj e në brigje të tjera.

Në raste të tjera, shishet plastike grumbullohen në lumenj apo në brigje, edhe pse shumë plazhe e male mbeten të izoluara dhe të paprekura.

Turizmi e ka ndihmuar Shqipërinë që të shijojë një rritje të qëndrueshme ekonomike prej më shumë se pesë përqindësh në vitet e shkuara, por, ndërsa kriza globale financiare po kafshon, zyrtarët ndërkombëtarë parashohin se Produkti i Brendshëm Bruto do të ketë një rënie në vitin 2009.

Vende të tjera në Ballkan kanë gjithashtu probleme me plehrat dhe mbeturinat, por kontrasti mes bukurisë madhështore të maleve dhe deteve me plehrat e mbeturinave është veçanërisht shqetësues në Shqipëri.

I pyetur se si do e përshkruante situatën e plehrave në vendin e tij, kryeministri Berisha, politikani dominues i vendit që pas rënies së komunizmit në vitin 1991, përgjigjet: “Keq”.

“Ne duhet të përgatisim sa më shpejt një strategji të re. Përfundimisht një Shqipëri e pastër do të jetë prioriteti kryesor”, - tha ai në një intervistë javën e kaluar.

“Ne po ndërtojmë landfille në çdo qark të vendit dhe nuk jam akoma i bindur, nëse kjo është zgjidhja përfundimtare.”

Disa zyrtarë thonë se ka progres gjatë kohëve të fundit, përfshi këtu dhe grupe të rinjsh që pastrojnë brigjet në fundjavë me ndihmën e ndërkombëtarëve për të ulur përhapjen e plehrave.

Të tjerë thonë se madje dhe në shtetet e zhvilluara si Shtetet e Bashkuara, dikur kishte mjaft debat dhe përplasje deri në fushata publike për këtë çështje.

 

Problemet mjedisore

 

Nëse plehrat janë një problem i padiskutueshëm, çështja e ujërave të zeza shpesh nuk çohet ndërmend e shumë preferojnë të mos diskutojnë realitetin e fatit të vërtetë të këtij problemi.

Ambientalistët thonë se ujërat e zeza të Tiranës shkojnë në lumenj, por i pyetur dy herë në mënyrë direkte për këtë çështje, Rama refuzoi të përgjigjej në mënyrë direkte duke thënë se ai kishte nevojë të punonte më të tjera komunitete për të hartuar një plan rajonal.

Edmond Komino, kryetar i Bashkisë së vogël jugore të Përmetit, që është e rrethuar nga malet dhe ka një lumë që i kalon përmes, u tërhoq, kur u pyet për këtë çështje.

“Ti më pyet sikur unë jetoj në një shtet të Amerikës”, - thotë ai. “Një qytet nuk mund të ndërtohet për dy vite. Ky vend daton që në shekullin e 12 dhe duhet shumë punë këtu”.

Ai thotë se ujërat e zeza derdhen në lumin e qytetit. Ndërsa hotelet po mbijnë si kërpudha përgjatë brigjeve të Shqipërisë, shumë pak kanë menduar për të krijuar vende të posaçme për ujërat e zeza dhe ekspertët thonë se ato përfundojnë në detin Adriatik dhe Jon.

“Këto zhvillime nuk janë kontrolluar gjatë këtyre viteve dhe problemi është bërë kritik”, - thotë Xhemal Mato, një aktivist mjedisor dhe drejtor i Eko Lëvizja. “Ata janë miopë, shohin thjesht që të investojnë në hotele.”

Një banor i qytetit bregdetar jugor të Sarandës thotë se vendi i tij është shkatërruar dhe ai nuk do të notojë më aty për shkak të ujërave të zeza.

“Ata nuk investojnë për ujërat e zeza, për shkak se mendojnë se kjo është një detyrë e bashkisë. Kjo iu është kthyer në bumerang atyre”, - thotë ai.

Berisha thotë se situata do të ndryshojë, në rast se ai do të fitojë një mandat të dytë.

“Brenda dy viteve, asnjë pikë nga ujërat e zeza nuk do të shkojë në detet tona”, - i tha ai “Reuters” në anglisht.

“Punime po bëhen gjithandej, në Durrës, në Vlorë, në Sarandë, projektet kanë nisur. Ne kemi nevojë të mbrojmë fillimisht liqenet e detet. Më vonë do fillojmë me lumenjtë.”

 

 

“Reuters” hap debatin

 

Kur në televizionet e gazetat shqiptare debatet zgjedhore janë krejt shterpë, një lajm i mirë vjen nga agjencia “Reuters”. Gazetari i saj, Adam Tanner, ka mbërritur në Shqipëri për të bërë një sërë artikujsh në prag zgjedhjesh. Me këtë rast ai ka ndërtuar disa nga debatet më të rëndësishme për këto zgjedhje.

Tanner ka intervistuar veçmas kryetarin e PS, Edi Rama, dhe kryeministrin, Sali Berisha, dhe po i përball në shkrime të veçanta.

Fillimisht ai shkroi në lidhje me qëndrimin e dy kandidatëve kryesorë për mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, më pas për rritjen ekonomike në vend, ndërsa në këtë shkrim ai hap diskutimin në lidhje me një çështje shumë të ndjeshme për vendin, si turizmi.

Tanner prek problemin e plehrave, për të cilin shumë pak është diskutuar në nivel kombëtar, e sidomos nga dy emrat kryesore të garës, Rama dhe Berisha.

Sipas gazetarit të “Reuters”, çështja e plehrave dhe ujërave të zeza mund të jetë një bombë me sahat për turizmin në vend. Por, edhe pse është problem shumë i mprehtë, për kandidatët ai është thjesht një premtim. Mjafton të shikohet si përgjigjet Berisha për këtë problem, kur thotë se pastrimi i plehrave do të jetë prioriteti kryesor i tij.

E rëndësishme është që tani për tani “Reuters” po na zbulon probleme që nuk i kemi parë të rrahura më parë, edhe pse premtimet mund të jenë thjesht shashka elektorale.

1 Komente

 Me premtimet e politikanve per kete çeshtje, te gjithe jane ngopur. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).