Përsiatje në distancë për zhurmërimën e “Darkës së gabuar” të Kadaresë

Në distancë…
Them ‘në distancë’, se, përderisa reagimet e mia menjëherë pas leximit muaj më parë, ishin të përziera, e lashë veten për ca kohë pa shkruar e menduar për të, pra u distancova nga vepra dhe nga vetja e, pastaj, pas ca muajsh, i riafrova sërish copat e vetes me veprën. Gjithashtu them ‘në distancë’, sepse, pas disa vjetësh pa u prekur shumë nga letërsia e Kadaresë, u ripreka sërish nga ky roman, sido që jo aq njëtrajtshëm sa dikur. ‘Në distancë’ së fundi, sepse jam larg Shqipërisë, dhe gjithashtu larg ‘zhurmërimës ndjekëse’ të një vepre arti a letërsie, zhurmërimë e krijuar zakonisht nga jehona brenda një lloj bashkësie kulturore më aktive dhe reaktive vendase, kur vepra e re sapo është shfaqur, zhurmë që më pas i përcillet gradualisht publikut. Kjo e ashtuquajtur zhurmërimë është e domosdoshme për të shijuar e ndjerë shqiptarisht një ngjarje kulturore (nuk e reduktoj këtë term as në thashetheme dhe as në komente dashakeqe). Dhe të ndjerët shqiptarisht, besomëni, është aq ndryshe e aq më i gjallë sesa çfarëdolloj abstragimi e përjetimi larg Shqipërie i një vepre. Por sidoqoftë, jo pa vlerë.

Dukuria e ‘zhurmërimës ndjekëse’
Në disa shoqëri me publik më veprues e të pavarur zhurmërima kulturore është e decentralizuar, shumëburimëshe, jo lineare e sidomos jo njëkahëshe - veç nga lart poshtë, por edhe anasjelltas. Ndjesia e ëmbël e përjetimit në tufë të një ngjarjeje kulturore (që unë e kujtoj mir&eumlsmiley, më lë disi sakate duke qenë larg, por përpiqem të kap ç’mundem nga Interneti dhe lidhjet e tjera me Shqipërinë. Dhe meqenëse sasia e gjërave që përbëjnë vërtet art ose kulturë në dekadat e fundit s’ka qenë aq e madhe, edhe ndjesia e sakatllëkut tim nuk ka qenë aq e shpeshtë dhe ‘shkallmuese’. Por për këtë vepër të fundit të Kadaresë, ‘zhurmëria’ në Shqipëri m’u duk disi e vakët dhe e njëanshme, rrallë edhe zhgënjyese: rastet kur autorit i bëhet gjykim moral në vend të atij letrar, ose kur analiza është tërësisht post-moderne dhe publiku e ka të vështirë ta ndjekë, ose kur analiza shfaqet më shumë si lavde për shenjtin, sesa si kritikë për autorin, ose kur diskutohet seriozisht sesa reale ose jo ishin karakteret e veprës dhe bëmat e tyre në historinë e Gjirokastrës. Një vepër e rëndësishme duhet të ngjallë atë zhurmërimë kritike që i bën njerëzit të riperceptojnë, qoftë edhe vetëm në formë ndjesie, nga pikëvështrime të ndryshme, veten dhe ngjarjet më shenjuese të historisë së shoqërisë ku jetojnë. Këto lloj diskutimesh popullore shpesh vlejnë si shkolla ri-kuptimësimi, katarsisi dhe ndëshkimi e vetëndëshkimi popullor, më shumë sesa ligji për lustracionin (p. sh.). Po ndodh që Tirana ofron ose temena pa fund për veprën ose kritikon një aspekt, që shumë pak ka rëndësi për vlerat e saj. Romani servir në një pjatancë elegante copat më të rëndësishme të historisë sonë moderne, qartësisht të prera e pastaj të lidhura me njëra-tjetrën me gërshettha erëzash tërheqëse, pra edhe jep një shans të mrekullueshëm për këtë lloj zhurmërime kritike, me synim përsiatjen publike.
Gjykimi real për veprën (veç çmimit prestigjioz) shpesh iu la autorit vetë. Dhe Kadare në një nga intervistat e dhëna në Tiranë në fillim të vitit, tha se besonte që ajo të ish nga punët e tij më të mira. Jo se do ta shmangia po të ishte ndryshe, (nuk jam lodhur ende së zhgënjyeri prej veprave të fundit të Kadaresë…sepse për mua ai ka një histori të gjatë kënaqësish më të fuqishme sesa e sotmja e shkurtër e zhgënjimeve), por kjo që tha autori vetë, ishte intriguese, me apo pa zhurmërimë ndjekëse. Dhe në fakt vepra ishte pasqyrim tamam i dukurisë që po përshkruaj, veç jo një zhurmërimë e krijuar nga pak kokrra intelektualësh, analistësh apo mendimtarësh, por nga një kor kolektiv polifonik, i thjeshtë e i komplikuar njëkohësisht, ku zërat herë dëgjohen veç e veç e herë dalin në tufë të njësuar e pa dallim individual.
Zhurmërima popullore nuk duhet neglizhuar, vulgarizuar dhe as përçmuar. Në shkencat shoqërore ‘zhurmërima’ është gjithnjë një dimension që pasqyron e pjell një kulturë të caktuar, ndaj dhe konsiderohet një variabël dinjitoz i analizës shkencore të një shoqërie, sido që i vështirë për t’u quantifikuar. Sidomos në shoqëri me një të shkuar historike e kulturore si e jona, zhurmërima ishte një institucion i fuqishëm dhe i domosdoshëm që funksiononte për të kompensuar mungesën e medieve, një administrate të rreme e banale, mungesën e institucioneve kulturore që të përpunonin kulturën kombëtare, sidomos të shkollave dhe të një gjuhe të shkruar e kodifikuar, si dhe mungesën e një klase të shkruesve dhe krijuesve të kultivuar. Dhe në fakt kulturat kombëtare, kudo qofshin, krijohen mes të tjerash edhe nëpërmjet “zhurmërimës”, që ndoshta më shumë sesa ideologjitë e shkruara, ndikon e ngjiz mendësitë kritike, regresive e progresive, dhe i bën ato të kuptueshme e të metabolizueshme për masat. Pra, në këtë vështrim, historia e vërtetë, ajo e jetuara dhe ajo që krijon kulturat që trashëgohen brezave, është në fakt zhurmërima popullore, dhe jo shkrimet apo të dhënat e historianëve dhe shkruesve të rastësishëm.

“Zhurmërima” si timoniere në vetë romanin e Kadaresë
Pa dyshim Kadare nuk e neglizhon zhurmërimën në Darkën e tij dhe tonën. Përkundrazi: ajo është epiqendra dhe periferia, folësi e dëgjuesi, krijuesi dhe shijuesi i ngjarjeve. Ky koncept është në sasi e cilësi i ndryshëm nga thashethemet qytetase, sido që këto të fundit kanë rol në të. Memoria kolektive është ajo që magjeps shkrimtarin këtu (e në fakt, edhe në vepra të tjera të Kadaresë, ajo ka rol të veçant&eumlsmiley dhe ai e braktis veten me kënaqësi e besim në krahët e saj. Ky roman që nuk është një shkrim historik, e megjithatë sjell tamam historinë disa dekadëshe të një qyteti, është në fakt një dokumentim i hollësishëm alla Kadare i jetës sonë të përbashkët, dhe vë në qendër preludin dhe fuqizimin e një regjimi të ashpër që deformoi fytyrën tonë kombëtare për disa dekada. Është gjithashtu dhe historia sesi shoqëria jonë, së pari e polli, e sesi ia doli (apo nuk ia doli) të kapërdinte kolektivisht gjëmën që deshi të shfaroste tamam atë fytyrë individuale që shoqëria kishte. Por autori e bën këtë pa iu futur e pa analizuar politikën drejtpërdrejt, madje ndërgjegjshëm duket se përpiqet t’i rrijë larg asaj. Ai përqendrohet në mënyrën sesi politika dhe historia gërmëzohet e riformohet në mendjen popullore.
Tufa njerëzore në shpirtin e së cilës ngjarjet dhe historia thyhen e ndahen në përbërës që rrallë i dallon aq qartë arsyeja njerëzore, tamam ashtu si shumëzohet në përbërës një rreze drite që ka përçuar një prizëm transparent, nuk është e thënë të jetë medoemos Gjirokastra. Mund të ishte çdo shoqërizë shqiptare apo universale me po atë shtresim shoqëror, ekonomik e kulturor. Gjetja e këtij prizmi dhe përshkrimi realist e artistik i përthyerjes së dritës në të, është sipas meje arritje e gjenisë artistike që vështirë të realizohet prej kujtdo. Më vjen keq që shkrimtarit nganjëherë i vihet mbi shpinë epiteti i endësit të thashethemnajës (që të përdor një fjalë dhënë shqipes nga vetë Kadareja) për shkak të kësaj gjetjeje, që s’mund të ishte më e goditur për të dhënë shpirtin e një epoke. Gërmimet se cili qytet është ai në të vërtetë, a e kish lënë vërtet apo jo Remzi Kadareja amanet në testament ta mbyllnin në dhomëzën me dritare me hekura po të ikte nga fiqiri, dhe a përputhet natyra dhe jeta e Gurametove historikë me ata letrarë, janë lodra fëmijësh dhe është qesharake të marrin hapësirë në zhurmërimën e pasveprës, e sidomos të zënë një vend të madh në të. Por mungesa ose mosdashja e dhënies së një gjykimi serioz kritik ose edhe mospranues por të bazuar për veprën, u hap rrugë ose u krijon hapësirë abuzimeve dhe vulgaritetit kritikues.
Lexoj që kërkohen nga komentuesit e veprës (dhe madje edhe gjenden) personazhet kryesore të romanit. Si lexuese, nuk mendoj se ka të tillë individë tek “Darka e gabuar”. Edhe ngjarja e veprës është gjynah të reduktohet në një histori konkrete darke, siç paraqitet në tekstin mbi kopertinën e librit. Nuk është Gurametoja, as i madhi e as i vogli, personazhi kryesor i veprës, dhe edhe autori vetë formalisht detyron veten të mos ketë shumë zë e vend në narrativë. Kadare shpesh duket si një mikrofon, mekanizëm “i papersonalitet” që është përpjekur të regjistrojë sa më realisht këtë zukamë mijëgojëshe të zhurmave që kanë rëndësi për të kuptuar një epokë apo shoqëri. Sa më i papersonalitet të shfaqet formalisht ky përgjues i mençur-- regjistrues historish me besnikëri inteligjente dhe përzgjedhëse-- aq më e madhe është letërsia që nxjerr ai.
Por jo gjithnjë ndodh kështu në vepër. Ka raste kur autori ngatërrohet (ose egoja e atij që i di gjërat më mirë nuk e lë rehat), dhe shfaqet drejtpërdrejt me një personalitet e mendësi të mëvetësishme nga ajo e turmës, ngatërron rolet që i ka caktuar vetes dhe ‘korit mitik’ të qytezës që përshkruan. Herë tjetër ndodh që e mbithjeshton mendimin e turmës që shfaqet jotërheqës, i pazgjuar e joartistik, po për të njëjtat arsye. Dhe në shfaqjen e autorit ndaraz zhurmërimës, herë del Kadareja me personalitetin e tij krijues që çdo shqiptar i viteve të socializmit e njeh mirë, shfarosës në imagjinatë dhe në humorin e mprehtë që mbërthen aq mirë paradoksin e situatave historike me një shprehje apo rresht të vetëm, dhe në raste të tjera del një Kadare më i vogël, njeriu që nuk i reziston dot një bindjeje apo pasioni personal ideologjik, dhe duhet ta thotë patjetër diçka, edhe kur kjo nuk sjell vlerë për veprën. Besoj këto janë ato çaste kur vepra bëhet kakofonike, disi e superthjeshtëzuar, dhe ai kori i përsosur kolektiv dobësohet. Përsosmëria e letërsisë së madhe, humbet në këto pika ekuilibrin dhe harmoninë e mëparshme e bëhet letërsi e zakonshme.
*Për këto dy aspekte të ndryshme të romanit, për ato elemente që e lartësojnë dhe ato që e dobësojnë, njëra palë më e fuqishme sesa tjetra - e flashkët por megjithatë e pranishme-, mund të lexoni pas një jave në: Reagime ndaj romanit “Darka e gabuar”.

9 Komente

E kam thene edhe tjeter here, per mua "darka e gabuar" nuk futet ne romanet me te mira te Kadarese, madje habitem se si elitat e percaktojne si romanin me te mire te tij...

Per mua romani me i mire ose me sakte novela, mbetet "prilli i thyer"... (por ky eshte vetem mendimi im)

sidoqofte ju pershendes me keto vargjet fantastike tek "darka e gabuar", ku Kadareja tallet paq me poetet popullore...

 

"jeta ime shtrapa shtrapa,

jam gabeli i institutit

dhe nje dashnore qe e pata,

ma mori makine e m***t "

smiley

p.s

por ama ne kete roman eshte nje personazh i shkelqyer, nje i verber ... eshte nje personazh shume i arrire... pas te cilit, renditet sigurisht Remzi Kadareja qe shiti ne kumar katet e shtepise nje e nga nje, nga nje kat ne cdo dore smiley

Unë e kam filluar para nja dy muajsh dhe, megjithëse u gëzova sepse nuk pashë dhe aq shumë elemente të stërpërsëritura si në ca romane të fundit të autorit, libri  vazhdon të qëndrojë te koka e krevatit, por përsipër i kaluan ca të tjerë, si "Lehtësia e padurueshme e qenies" e  "Gur durimi", dhe s'po e lënë që të dalë në krye.

p.s. shkrimi më lart m'u ndie si i zhurmëruar.

postimi im ? smiley

jo jo, më lart akoma. : )

ah, ok smiley

Me lart me lart, vetem te shkojme ne Kine, ska tjeter me lart. Oh se m'u kujtua... "Koncert ne fund te dimrit". E kam pase ne shtepi, u bene ca dekada tani, atehere kur kushtonte tulla e letres 250 leke te vjetra, sa tre jave s'te fliste yt ate pse i ke harxhuar per libra. Nejse. Po qe s'e mbarova dot as une, koncertin ? M'u ngaterrua muhabeti tek lufta e Li Pengut me Hua Kuo Fenin. Kur pashe para ca ditesh nje dokumentar mbi Kinen, pashe me ne fund Hua Kuo Fenin, ju betohem me shkuan lote. M'u kujtua dhe Mao Ce Duni, qe kur vdiq, nena na la pa darke ne shenje zie.

Per çfare ishte tema ? Ah po, kete e ka kenduar njehere Adriana Ceka, dikur :

Ku ta gjejme lexuesin, valle ku ta gjejme ?

Ai vjen vetem njehere

A thua librat do te na i blejne

Thote shkrimtari qe shet ere.

Ku e kishnja llafne ? Harrova. Nejse. Dava librash kjo pune, s'te nxjerr ne selamet, siç thoshte nukedikushi. Te hyj drejt e ne teme :

A ska ndonje zog Tirane (fundja edhe zoge) qe na sjell lajme ketu per shtepite botuese shqiptare, psh, ku djallin fshihen shumica, as adrese interneti, as numer telefoni, as adrese shtepie, as ç'blejne, as ç'shesin, nuk e di si ia bejne, veç kur t'i shohesh qe i nxjerrin librat si simite furre. Kishte thene Shejza diku ne nje teme tjeter qe jane shtypur 2000 libra. Thashe me vete, hajt 2000 ashtushe i hanksha po qe se eshte e vertete. Se Shejza me duket e ka fjalen edhe per libra te tipit : 

"A te ka marre malli te jesh i pasur ?"

"Me ne, do te gjeni parajsen".

"Falja e abdesit, ferkimi i duarve dhe lloji i peshqirit"

"Hiresia e tij Papajoanu, vepra e tij nder shekuj"

"Jo, femije te dashur, jo ! Cufua nuk ka vdekur !"

 Tani nqs jane numeruar dhe keto, jo  dy mi por 20 mi do te jene duke u sorollatur tani neper Shqiperi.

Bashkallakerdia, lopa e kadise. Shtrembero kapuçin e dil matane.

 

Rubineto. Prape se paske pire ilacin jeshil? Vertet kokrra portokall duket me e bukur,por doktori te ka thene ti pish te dyja.

" src="http://arkivi.peshkupauje.com/sites/all/modules/smileys/packs/Yahoo!/smile.gif" />

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).