Përse mungon lajmi në fushatë?

...Si Rama edhe Berisha e kuptojnë shumë mirë se një përplasje mes tyre do nxjerrë në pah jo diferencat por ngjashmërinë, duke i dëmtuar të dy njësoj. Sot mesazhi real që të dy palët i përçojnë elektoratit për liderin e tyre është: “Vjedh, vjedh, por punon”. Në këto kushte të dyja palët përpiqen t’i rrinë sa më larg palës tjetër, jo vetëm fizikisht por edhe verbalisht.  ....

 

Sepse fushata kontrollohet tërësisht nga dy liderët përkatës të partive kryesore politike, që nuk lejojnë as kamerat e xhirimit në mitingje – do ishte përgjigjja e menjëhershme. E megjithatë fakti që palët kontrollojnë pamjet e fushatës mund të shpjegojë mungesën e lajmeve në lidhje me ndonjë incident në rrethe, por jo mungesën e lajmit në përgjithësi. Ajo që të çudit në këtë fushatë është fakti se asnjë prej deklaratave, debateve, apo aktiviteteve të liderëve në rrethe nuk ngjall interes dhe për pasojë nuk përbën lajm.  Është e vërtetë që sistemi proporcional e ul nivelin e konfliktit në bazë ama ai duhet të rriste përplasjen në qendër mes liderëve dhe vizioneve të tyre politike për vendin. E kundërta ka ndodhur.  Edhe pse fushata e secilës parti është reduktuar tek lideri përkatës përplasja mes dy liderëve Berisha dhe Rama pothuajse nuk ekziston. Për pasojë debatet mes kandidatëve në vend që të jenë kombëtare janë bërë edhe më lokale se dje kur sistemi ishe maxhoritar. 

Pikërisht këtu buron edhe mungesa e lajmit. Lajmi mungon sepse mungon debati mes liderëve Rama dhe Berisha. Debati mungon sepse në kontekstin politik, ku ndodhemi përplasja reale mes Ramës dhe Berishës do degjeneronte lehtë në një spirale, ku duke i nxjerrë të palarat njëra-tjetrës të dyja palët do humbitnin pikë në elektorat. Shembulli tipik i kësaj ishte përplasja rreth Gërdecit, ku secila palë tregonte se sa gjatë dhe sa thellë kish shkuar pala tjetër me Delijorgjin, duke i dhënë shqiptarëve mesazhin e qartë se ty dyja palët ishin zhytur në pisllëk. Për ta kuptuar se si përplasja Rama-Berisha do eskalonte duke i dëmtuar të dy mjafton të imagjinojmë një debat imagjinar mes Ramës dhe Berishës:

Berisha – Unë kam bërë rrugët.
Rama – Unë kam bërë Tiranën.
Berisha – Ti vjedh në Bashki.
Rama – Ti vjedh në Qeveri.
Berisha – Ti vjedh nga lejet e ndërtimit.
Rama – Ti vjedh nga rruga Durrës–Kukës.
Berisha – Ti vjedh me bashkëpunëtorët e tu kriminelë.
Rama – Ti vjedh me familjen.
Berisha – Ti ndërtove pallate me Delijorgjin.
Rama – Ti ndërtove Gërdecin me Delijorgjin.
Berisha – Ti je djali i byrosë politike të Partisë së Punës.
Rama – Ti ke qenë 25 vjet komunist i devotshëm.

Kjo do ishte esenca e debatit Rama–Berisha. Ky debat shumë lehtë do kthehej në një spirale të rrezikshme, ku secila palë në pamundësi për t’u mbrojtur përpara akuzave të palës tjetër do hidhej në sulm. Debati do eskalonte në një mënyrë të tillë, ku secila palë do të nxinte tjetrën dhe në fund do nxiheshin tej mase të dyja bashkë. Nga ky debat do humbitnin të dyja partitë kryesore dhe do fitonin shumë partitë e vogla në të dyja krahët, duke e rrezikuar kështu investimin PS-PD për ruajtjen e bipartizmit politik, investim që u materializua tek ndryshimet kushtetuese. Prandaj problemi nuk është thjesht se Rama nuk pranon të dalë ballë për ballë Berishës. Debati mund të bëhet edhe në distancë, mjafton të kujtojmë fushatën e 2003 Rama–Ngjela për këtë. Problemi është se një debat real mes Berishës dhe Ramës nuk i leverdis sot as njërit dhe as tjetrit, si përballë ashtu edhe në distancë. Mes Ramës dhe Berishës sot ekziston një ‘luftë e ftohtë’ që nuk e lë fushatën të ‘nxehet’ duke prodhuar kështu lajm.

Nuk kemi të bëjmë me ndonjë konspiracion, por thjesht me një ekuilibër që buron nga rrethanat politike ku ndodhen palët.  Si Rama edhe Berisha e kanë kuptuar se një përplasje reale dhe politike mund t’i fundosë të dy njësoj, duke ngritur partitë e vogla në secilin krah. Si Rama edhe Berisha e kuptojnë shumë mirë se një përplasje mes tyre do nxjerrë në pah jo diferencat por ngjashmërinë, duke i dëmtuar të dy njësoj. Sot mesazhi real që të dy palët i përçojnë elektoratit për liderin e tyre është: “Vjedh, vjedh, por punon”. Në këto kushte të dyja palët përpiqen t’i rrinë sa më larg palës tjetër, jo vetëm fizikisht por edhe verbalisht. 

Berisha flet për arritjet e qeverisë dhe Rama për politikën e re. Herë pas here ata ’përplasen’ me shumë kujdes. Ndonjëherë Berisha i thotë Ramës ’dil në shesh të burrave’ dhe Rama përgjigjet ’ashpër’ duke thënë ’unë nuk kam nevojë për një karrige në parlament’. Nga mungesa e përplasjes kemi një fushatë çuditërisht pozitive edhe pse secila palë e shikon liderin e palës tjetër si fatkeqësi kombëtare.

Nga këtu pra buron mungesa e lajmit: modelet politike në garë jo vetëm nuk janë të ndryshme, por për kushtet aktuale as nuk mund dhe as nuk duan të diferencohen nga njëri-tjetri.  Ndërkohë, në një fushatë elektorale lajmi nuk është gjë tjetër veçse diferenca mes palëve. Në pamundësi për t’u diferencuar secila palë në këtë fushatë, jo vetëm që e injoron palën tjetër por thjesht flet me vete. Aq i theksuar është ky fenomen në këtë fushatë saqë edhe tezat krejt të pabaza të palës tjetër pothuajse injorohen. Kështu teza e çuditshme e PD-së se ka rritur të ardhurat në buxhet nga lufta antikorrupsion dhe jo si pasojë thjesht e rritjes së Prodhimit të Përgjithshëm Bruto është kundërshtuar pak dhe nga rishtarët politikë të PS-së më shumë sesa nga vetë lidershipi. Po kështu teza e habitshme e Ramës ’ta bëjmë Shqipërinë si Tirana’  është pothuajse injoruar nga PD-ja edhe pse zhvillimi i Tiranës buron nga varfërimi i pjesës tjetër të Shqipërisë dhe prandaj Tirana nuk mund të jetë model zhvillimi për vendin.  Kjo ndodh jo sepse palët nuk dinë t’i hedhin poshtë tezat e njëri-tjetrit, por sepse liderët i tremben aq shumë përplasjes saqë e injorojnë tërësisht liderin tjetër dhe preferojnë monologun. Kontrolli i lajmit, i imazhit dhe i kandidatëve janë pjesë e përpjekjes elektorale për të shmangur një përplasje, që do eskalonte në akuza të ndërsjella që do i fundoste të dyja palët në sytë e elektoratit. Prandaj secila palë është kyçur në televizionin e saj nga ku bën monolog.  Sot kemi një fushatë elektorale që ka në qendër monologun, i cili është kthyer në gropën e zezë, ku lajmi zhduket bashkë me gazetarinë.

6 Komente

"Berisha – Unë kam bërë rrugët.
Rama – Unë kam bërë Tiranën.
Berisha – Ti vjedh në Bashki.
Rama – Ti vjedh në Qeveri.
Berisha – Ti vjedh nga lejet e ndërtimit.
Rama – Ti vjedh nga rruga Durrës–Kukës.
Berisha – Ti vjedh me bashkëpunëtorët e tu kriminelë.
Rama – Ti vjedh me familjen.
Berisha – Ti ndërtove pallate me Delijorgjin.
Rama – Ti ndërtove Gërdecin me Delijorgjin.
Berisha – Ti je djali i byrosë politike të Partisë së Punës.
Rama – Ti ke qenë 25 vjet komunist i devotshëm."

 

e forte fareeee!!!!

Blendi Kajsiu shkim interesant. Por dicka duhet then, ne si elektorat i thjeshte, te pakten dallim arrijm ta shikojme midis fteses edhe refuzimit.

 

Berisha e ka bere ftesen, publikisht shume kohe me pare. ( e ka bere sepse e din,qe sdo e pranoje apo eshte nje skenare qe e ka shkruar me Ramen kete se di. )

Ilir Meta e ka bere ftesen publikisht.( e ka bere edhe ky i ngrati, se nuk i ngelet gje tejter.Kete po e censurojne nga te munden.Rrezik edhe po te kete debat, fytyr e Ilir do e bejne te sfumuar , qe mos duket mire hihihihiihih )

 

Populli i thjeshte e kupton qe eshte Rama qe nuk i pelqen perballja, kjo shikohet edhe tek fakti qe nuk e la Bashkine.Ai nuk don te rrezikoje, kjo eshte evidente. Nuk dihet tani,qe gjith keto zgjidhje ky i ka bere, sipas modelit te vete,apo ka ndonje marrveshje me Berishen. Mendoj qe me sh eshte kjo e dyta, qe e aludon edhe ti.

 

Do ishte me te vertet sh interesante nje debat Rama-Berisha, por mendoj qe 72% do fitonte Berisha smiley

 Eshte e vertete se nje debat ndermjet dy liderave, nuk sjell ndonje gje interesante. Interesante do te ishte nje debad ndermet njerit prej ketyre dhe qytetarve, nepermjet telefonit apo pyetjeve te shkruara me perpara,  pastaj javen tjeter apo te nesermen thirej lideri tjeter dhe i behej pyetje po nga qytetaret. pra lideret, pikerisht keta qe pellasin kot si hajvan, te ballafaqoheshin me popullin, me qytetarin, nepermjet telefonit apo pyetjeve te shkruara. 

Blendi Kajsiu, nga te paktet gazetaret shqiptare, qe e kapin demin nga briret dhe jo nga koqet, sic bejne shumica e analisteve dhe e atyre qe kane qejf te jene analiste shqiptare.

 Kajsiu eshte me te vertete ne nivel tjeter ne krahasim me "analistet" e tjere ne Shqiperi. Ka me te vertete zoterim te tere ideve bashkekohore akademike, dhe ka nje stil te mire shkrimi. Nga te rrallet qe e meriton vertete emrin analist.

Te tregon se cfare niveli kontrolli eshte media ne Shqiperi kur nje djale si ky nuk gjen thuajse fare hapsire ne TV por te tjere qe jane thuajse analfabete (dhe me te vertete nuk ekzgjeroj, perpiquni te gjeni se cfare eksperience pune kane) kane vend te rregullt ose ne kolltuqet e Klanit ose te TopChannel. 

une i dhashe nje 5ce

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).