Përse Berisha përdori tunelin dhe Thaçin për fushatë

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe ai kosovar, Hashim Thaçi, inauguruan hapjen e tunelit të Kalimashit, më i kushtueshmi dhe më i përfoluri në Shqipëri. Inaugurimi i këtij tuneli është bërë në një kohë kur fushata ka nisur, duke e shndërruar këtë moment historik për shqiptarët në një moment elektoral. Këtë fakt e evidenton edhe prezenca e madhe e militantëve të Partisë Demokratike në këtë inaugurim, të cilët bllokuan hyrjen e tunelit duke e kthyer atë në stadium.

Përveç dy flamujve kombëtare të të dy shteteve mbi hyrjen e tunelit, flamujt e tjerë ishin të Partisë Demokratike. Kjo i jep të drejtën çdo qytetari shqiptar të mendojë se ishte vetëm partia në pushtet ajo që festonte çeljen e tunelit. Gjithashtu, Berisha përpiqej të fliste si kryeministër, por qartazi nuk mund të fshihte përdorimin e këtij momenti për propagandë politike në favor të PD. Gjatë gjithë kohës, madje edhe në çastin kur u rrëzua muri brenda në tunel, Berisha përshëndeste këdo me dy gishta.

Nga ana tjetër, paraqitja e ndërtimit të kësaj rruge në mënyrë të tillë që shqiptarëve t’u duket se po e ndërton Berisha me paratë e tij, është përfitimi politik që kryeministri kërkon të nxjerrë nga kjo vepër madhore e qytetarëve shqiptarë.

Një fakt tjetër, i cili dëshmon se inaugurimi është bërë për arsye politike, është hapja me ngut e tunelit, i cili ende nuk ka përfunduar.

Me pretekstin se ky është tuneli i fundit që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe do t’i hapë portat kësaj të fundit për në detin Adriatik, Berisha ftoi në këtë inaugurim kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Figura e Thaçit duket se është përdorur vetëm për arsye elektorale dhe jo për të rrëzuar murin mes Kosovës dhe Shqipërisë, siç u propagandua.

Figura më e përfolur dhe e akuzuar për shpërdorimin e fondeve të kësaj rruge ka qenë ajo e ish-ministrit të Punëve Publike, Lulzim Basha, i cili, i rrethuar nga militantë të Partisë Demokratike që brohorisnin “Poshtë armiqtë e rrugës!”, filloi të numëronte “arritjet” e qeverisë dhe brezit të ri në politikë. “Kjo është një ëndërr që bëhet realitet. Ne jemi brezi që i bën ëndrrat realitet. Ne e bëmë realitet këtë rrugë. Ne e futëm Shqipërinë në NATO, e bëmë Kosovën të pavarur. Do të bëjmë realitet bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, Bashkimin Evropian. Do të ecim bashkë drejt destinacionit përfundimtar që është Shqipëria dhe Kosova në Evropë”, - tha Basha.

Megjithatë, shqiptarëve iu duhet me të vërtetë kjo rrugë, madje edhe kanë sakrifikuar për të, por ende nuk dihet kostoja e kësaj rruge dhe për më tepër nuk është zbardhur ende se sa pará janë përfituar nga zyrtarët e korruptuar të kësaj administrate. Madje, edhe vetë kryeministri Berisha nuk ka paraqitur asnjë shifër të përafërt rreth vlerës së kësaj vepre.

“Inauguruam tunelin, i cili bashkon më shumë shqiptarët me kombet e tjera të rajonit, maqedonasit, serbët, bullgarët. Kjo është një vepër e kushtueshme, por çmimi i kohës është çmimi i të gjitha çmimeve, ndaj ky tunel kushton shumë më pak se koha e kalimtarëve në të”, - tha ai.

 

Kritikat nga Kosova

 

Për inaugurimin e tunelit të Kalimashit, i cili u përdor nga kryeministri shqiptar, Sali Berisha, si meritë e tij dhe Partisë Demokratike, kanë reaguar edhe gazetarë e analistë nga Kosova. Sipas Halil Matoshit dhe Enver Robellit, inaugurimi i tunelit u bë nga kryeministri Berisha vetëm për fushatë elektorale, duke paralajmëruar se të njëjtën gjë do të bëjë edhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi.

“Gjithçka për shqiptarët përdoret për propagandë elektorale. Kosovarët nuk duhet të interferojnë në elektoratin shqiptar, edhe punët e mira që bëjmë ne shqiptarët, i prishim në sytë e të tjerëve duke i instrumentalizuar për qëllime të politikës së ditës. Edhe Kosova do ta përdorë këtë për fushatë vitin e ardhshëm”, - tha Matoshi.

Ndërsa analisti Enver Robelli u shpreh se në këtë inaugurim mungonin përfaqësues të opozitës.

“Ceremonia e hapjes ishte mjaft pompoze në raport me efektet reale. Nuk ishte një ceremoni me dinjitet. Ngjante me një turmë elektorale para zgjedhjeve në Shqipëri. Më mungonin njerëz të opozitës, sidomos ish-kryeministri, Pandeli Majko. Kishte një shije të hidhur”, - tha Robelli.

 

Rëndësia

Tuneli i Kalimashit është segmenti më i rëndësishëm i rrugës që lidh shqiptarët, asaj Durrës-Kukës-Morinë. Puna për hapjen e këtij tuneli nisi që më 25 maj 2007 nga kompania amerikane “Bechtel” dhe kompania nënkontraktuese turke, “Enka”.

Këtë fillim viti, e shtyrë ndoshta nga presionet e kryeministrit Berisha, “Bechtel-Enka” ka rritur ndjeshëm ritmet e punimeve edhe në sektorë të tjerë, si përfundimi i 27 urave me një gjatësi prej më shumë se 5 kilometrash në të gjithë segmentin e rrugës prej 60.4 kilometrash, Rrëshen-Kalimash. Rruga Durrës-Kukës-Morinë, një projekt ky i qeverisë shqiptare, është vepra më e madhe inxhinierike në Shqipëri, gjithashtu edhe më e përfolura nga opozita për shkak të financimeve të tepërta që janë investuar në të.

Me përurimin e njërit tunel, sipas premtimeve elektorale të kryeministrit Berisha, pritet që brenda qershorit të bëhet edhe përurimi i rrugës që ka një gjatësi prej 170 kilometrash, nga Durrësi deri në Morinë. Rruga do të mundësojë një lidhje të shpejtë mes Prishtinës dhe brigjeve shqiptare për më pak se 3 orë.

2 Komente

Or Rildo Ngjela nuk ka thene Sala qe rrugen e ka bo me leket e veta. Me leket e popullit e ka bo po pyetja duhet te ishte "Perse nuk u be rruga 8 vitet e shkuara po me leket e popullit?

Beji te fala Mero (gell)Bazes

Po pra pse? Bile sishte nevoja fare per leket e popullit, persa kohe qe egzistonte "ceku i bardhe". Nejse vate ajo kohe dhe erdhi '97 dhe.... parate e popullit perfunduan ne Greqi, Itali, Usa e Kanada. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).