Pensionet private, lehtësi për ata që do të futen në skemë

Qeveria bën gati draftin: Do t‘u hiqet një pjesë e taksave

Personat që kanë mundësi të rrisin të ardhurat e tyre pas daljes në pension, përveçse duhet të kontribuojnë në skemat e pensioneve private, do të kenë lehtësi fiskale, në forma të ndryshme. Dështimi i skemës aktuale, detyron qeverinë të rishikojë ligjin "Për fondet e pensioneve private", drafti i të cilit pret firmën e Kryeministrit. Projektligji krijon hapësira të konsiderueshme për të rritur kontributin vullnetar në skemat e pensioneve private, të cilat do të administrohen nga shoqëri të posaçme dhe të mbikëqyrura nga autoriteti financiar. Fondet private në reformën e pensioneve quhen ndryshe si "shtylla e tretë" (kontribut vullnetar), kurse dy të parat do të jenë të detyrueshme. Ndryshimi thelbësor në projektligj paraqitet në kreun 13 "Tatimi" (nenet 88-91) dhe u referohet rasteve kur persona, në varësi të moshës dhe kontributit do të kenë lehtësi fiskale, si në tatimin mbi të ardhurat personale ashtu dhe në TVSH. Në skemë do të përfitojnë edhe punëdhënësit, në rast se japin ndihmë me fonde për punëmarrësin.

Kriteret e përfitimit

Çdo individ ka të drejtë të kontribuojë në skemën e pensioneve private, sipas dëshirës dhe mundësisë, duke lidhur kontratë me shoqërinë që do të bëjë menaxhimin e fondit. Sa u takon lehtësive fiskale, neni 88 "Lehtësirat tatimore të kontributeve të anëtarëve të fondit të pensionit" i ka të ndara dhe të sqaruara qartë rastet e përfitimit. Si fillim, çdo person duhet të ketë parasysh se, kontributi i bërë në fondin e pensionit zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi. Po ashtu, kthimi i investimit, duke përfshirë fitimet nga kapitali, prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese. Pika 3 e nenit 88, tregon se, kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk konsiderohen si të ardhura personale të anëtarit. Për të pasur një kufi përfitimi dhe lehtësie fiskale, Ministria e Financave ka vendosur në projektligj disa klauzola. Kështu, kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, përveç rastit të parashikuar në paragrafin 5, të bëra siç përcaktohet në rastet e mësipërme të nenit 88, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200.000 lekë dhe 15 për qind të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, të përcaktuara në paragrafët 1 dhe 3, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 250.000 lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Projektligji sqaron se, blerja e kuotave të një fondi pensioni është shërbim financiar dhe si rrjedhojë është e përjashtuar nga TVSH-ja. Po ashtu, shërbimet e ofruara nga depozitari për shoqërinë administruese dhe anëtarët konsiderohen si shërbim financiar dhe si rrjedhojë janë të përjashtuara nga TVSH-ja. Për rrjedhojë, tatimi që shoqëron tërheqjen e parakohshme është sa norma e zbatueshme në momentin që bëhet tërheqja.

Detyrimi

Natyrisht që të ardhurat e krijuara nga kontributet në pensione private do të jenë objekt i nënshtrimit të tatimit. Në nenin 89, projektligji shpjegon rastet e trajtimit fiskal për kontributet e bëra nga punëdhënësi. Kështu, kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional konsiderohet si shpenzim operativ deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës të barabartë me 250.000 lekë dhe kjo shumë konsiderohet si shpenzim i zbritshëm për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit. Kurse neni 90, detyron që, çdo pagesë e marrë nga anëtari i fondit të pensionit, sipas përcaktimeve të nenit 16 dhe 18 (tregojnë mënyrën e pagesës, tërheqjen e parakohshme etj.,) tatohet me tatimin mbi të ardhurat personale. Megjithatë, për ta kuptuar më qartë formën e funksionimit të projektligjit, pas miratimit të tij, Ministria e Financave do të nxjerrë udhëzime të posaçme më të detajuara.

Mosha 50 vjeç e sipër do të jetë kufiri ndarës që përcakton rastin e lehtësisë nga taksat

NENI 88

Lehtësirat tatimore të kontributeve të anëtarëve të fondit të pensionit

1. Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi.

2. Kthimi i investimit, duke përfshirë fitimet nga kapitali, prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese.

3. Kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk konsiderohen si të ardhura personale të anëtarit.

4. Kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, përveç rastit të parashikuar në paragrafin 5, të bëra siç përcaktohet në paragrafin 1 dhe 3 të këtij neni, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200.000 lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

5. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, të përcaktuara në paragrafët 1 dhe 3, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 250.000 lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

6. Blerja e kuotave të një fondi pensioni është shërbim financiar dhe si rrjedhojë është e përjashtuar nga TVSH-ja.

7. Shërbimet e ofruara nga depozitari për shoqërinë administruese dhe anëtarët konsiderohen si shërbim financiar dhe si rrjedhojë janë të përjashtuara nga TVSH-ja.

8. Tatimi që shoqëron tërheqjen e parakohshme është sa norma e zbatueshme në momentin që bëhet tërheqja.

NENI 89

Trajtimi fiskal i kontributeve të bëra nga punëdhënësi

Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional konsiderohet si shpenzim operativ deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës të barabartë me 250.000 lekë dhe kjo shumë konsiderohet si shpenzim i zbritshëm për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit

 

Shpjegimi:  Fond pensioni vullnetar?

Ndryshe fond pensioni është një grup asetesh në pronësi të anëtarëve të fondit të pensionit, i përbërë nga kontributet dhe investimi e tyre, pasi janë zbritur të gjitha tarifat, i krijuar mbi bazë kontrate dhe pa personalitet juridik, ku secili anëtar ka në pronësi pjesën e tij, e cila përbëhet nga kuotat e zotëruara në fond, Administrimi i fondit të pensionit kryhet nga shoqëria administruese në bazë të kontratës së fondit të pensionit të lidhur me anëtarët e fondit dhe investimi i fondit të pensioneve bëhet në përputhje me dispozitat e kontratës së fondit

Veçoritë

Kontrata individuale për çdo kontribuues. Të ardhurat do të investohen

Mosha dhe rastet e përfitimit në kontributet vullnetare

Çdo individ mund të bëhet anëtar në një fond pensioni, vetëm pasi ka lidhur një kontratë fondi pensioni me shoqërinë administruese. Më parë i duhet të njihet mirë me kushtet dhe çfarë ofron shoqëria private, ndërsa pala tjetër duhet të jetë e qartë në shpjegime dhe me fjalë të thjeshta duhet t‘i paraqesë kontribuuesit të veçantat e skemës.

Në nenin 16 të projektligjit thuhet se, anëtari i fondit të pensionit, sipas zgjedhjes së tij, ka të drejtën të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës neto të aseteve në llogarinë e tij, ose pagesat periodike në formë pensioni, që i korrespondojnë kësaj vlere. Ndarja e fondit bëhet kur: anëtari mbush moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e pensionit të detyrueshëm që zbatohet për atë anëtar; ose 5 vjet përpara se anëtari mbush moshën e pensionit; ose kur anëtari bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme dhe vërtetohet si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Shoqëria administruese mund t‘i propozojë anëtarit të investojë asetet e tij në produkte të tjera financiare para se të kryejë pagesën te ky anëtar, por duhet t‘i shpjegojë qartë dhe me shkrim anëtarit se ai ka të drejtën e pakushtëzuar për të marrë pagesën e të gjitha aseteve vetjake në fondin e pensionit. Autoriteti nxjerr rregullore për mënyrat, kushtet dhe procedurat e pagesave të pensionit.

Tërheqja e aseteve nga llogaria individuale e fondit të pensionit, përpara plotësimit të kushteve të përcaktuara në nenin 16, do të quhet tërheqje e parakohshme, e cila shoqërohet me penalitete, që llogariten në raport me kohën e përmbushur nga anëtari që prej çastit të kontributit të tij të parë e deri në momentin e tërheqjes së parakohshme.

Nëse anëtari vdes përpara se të marrë pagesën e të gjitha aseteve vetjake sipas nenit 16, asetet në llogarinë e tij do t‘u shpërndahen trashëgimtarëve në bazë të dispozitave ligjore që rregullojnë trashëgiminë ligjore.

Fondet e pensionit do të investohen në bursë, pra në letra me vlerë dhe në asnjë sektor tjetër, për të garantuar qëndrueshmërinë. Tjetër fakt i rëndësishëm është se askush nuk ka të drejtë që fondet e pensionit t‘i përfshijë si garanci në marrje kredish, apo në rast falimentimi.

Kapitali

Shoqëria administruese, në çdo kohë, duhet të ketë një kapital të paktën 15.625.000 lekë. Kapitali i shoqërisë administruese llogaritet duke zbritur detyrimet nga asetet në bilancin e shoqërisë administruese. Kur vlera e aseteve në fondet e pensionit të administruara nga shoqëria administruese e kalon vlerën 31.250.000.000 lekë, shoqëria administruese duhet të rrisë kapitalin në mënyrë që shtesa e kapitalit të jetë të paktën e barabartë me 0,02% të vlerës së aseteve në fondin e pensionit që ajo administron. Megjithatë, nuk kërkohet që kapitali të kalojë vlerën 625 milionë lekë.
 

5 Komente

E paska bo t'gjatë kastile mos me i bo njerzit me e lexu deri në fund më duket smiley

A ka ndonjë që di të më thotë nëse qeveria shqiptare ka në plan që të flasë(apo ka folur) me qeveritë ku ka shqiptarë në emigrim, në mënyrë që, nëse këta shqiptarë kontribuojnë për pensionin e tyre në Shqipëri, atëhere shifra e destinuar të jetë  e përjashtuar nga taksat në shtetin ku jeton emigranti?

Ed,

Me duket se ka pasur diskutime per njohjen e kontributeve, dmth ajo qe paguhet andej te njihet edhe ne Shqiperi.

Shkrimi eshte per tjeter gje; pensionet private ne Shqiperi jane nje zhvillim i vonuar (jo i panjohur se qe tani ka 3 shoqeri qe ekzistojne dhe kane disa mijera veta por jane gjera te vogla). Megjithate mungojne hollesi te rendesishme qe do ta benin individin te ndjehej shume me i sigurte; psh kush e siguron, dhe per sa sigurohet pensioni. Gjithashtu, ka pas qene e ndaluar per shoqerite shqiptare te sigurimeve te investonin ne letra me vlere private, duhet qartesuar nese kjo pengese mbetet apo jo sepse ka ndikim ne normen e fitimit per shoqerine, dhe investituesit.

Gjithsesi, me mire vone se kurre smiley

Jo, e kisha fjalën për diçka tjetër: Unë kam disa vjet pune atje... tani nuk e di nëse egziston gjëkundi që unë kam punuar apo jo, por nëse kontributet e atyre viteve unë dua që të vazhdoj ta kompletoj me një sasi paresh (për një pension të supozuar nëse do vija në Shqipëri), pra, nëse për të kompletuar periudhën që unë nuk kam paguar dhe do të më duhet të paguaj një sasi X lekësh, atëhere doja të dija nëse kjo sasi X lekësh a do të mund të ishte detraibile nga sasia e të ardhurave të mija që ju nënshtrohen taksave  këtu (dmth në bazë të ndonjë marveshje ndërshtetërore)?

 

Hmmm, kete s'e di Ed, por me duket se kam pare disa shkrime qe flasin per nje marrveshje midis Shqiperise dhe Italise per pensionet. Fatkeqsisht s'di me shume detaje.

Para disa kohësh ishte diçka që fliste për mundësinë që na kishin krijuar që të mund ta bënim dërgesën që këtu (nëpërmjet një banke apo sporteli të konvencionuar), por nuk spjegohej asgjë më tepër... shkurt thuhej që nëse do të paguash për fondin e pensionit, mund ta bëni nëpërmjet bankës XYZ dhe asgjë më tepër (kushtet, si, sa, qysh, kur dhe si do të mund t'i vilje "frytet" e pensionit tat etj etj).

S'jam i sigurtë, por kjo bëhej për t'ju kursyer emigrantëve atë pjesë në % që mbajnë bankat gjatë transaksioneve më duket.

Nejse, kur të vijnë në qeveri tanët, do ju themi se çfarë na duhet smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).