PD, “garë tjetër” brenda zgjedhjeve

Partia Demokratike e Sali  Berishës nuk është thjesht në një garë me kundërshtarin e saj politik, opozitën socialiste. Në mënyrë latente, por gjithnjë e më hapur po shfaqet një garë brenda për brenda Partisë Demokratike, e cila manifestohet tek përpjekja për një performancë sa më të mirë atyre që kryesojnë listat në qarqet kryesore të vendit.  Dihet tashmë se proceset e brendshme të promovimit, të karrierës  në Partinë Demokratike janë bllokuar, jo thjesht për shkak të traditës së kësaj partie në të cilën dominon historikisht lidershipi i Berishës. Këto procese janë aq më tepër të bllokuara në kushtet kur PD-ja ndodhet në pushtet dhe inercia e pushtetit dhe përpjekja për t’u dukur bashkë në publik, shtyrja praktike dhe formale e çdo gare për çdo post brenda kësaj partie, e ka ngritur në fuqi të dytë emergjencën e garës së brendshme në këtë parti. Mjafton të kujtojmë kandidimin e Arben Imamit në 2007 për sekretar i përgjithshëm, mjafton të kujtojmë kandidimin e Besnik Mustafajt për degën e Tiranës apo shtyrjen përtej të gjitha afateve të Kuvendit të radhës zgjedhor të PD-së. Në kushtet kur mungon çdo formë e garës së brendshme në parti dhe ku promovimi është tërësisht i varur nga kryeministri Berisha, po vihen re shenja që zgjedhjet e 28 qershorit po shërbejnë heshturazi edhe si një nga format e garës së brendshme PD. Po të mos llogaritim faktin që edhe përpara zgjedhjeve kemi patur raste të tjera të përpjekjes për një promovim alternativ brenda PD-së të zonjës Topalli, duket se PD shkon në këtë zgjedhje jo thjesht për të krijuar një bilanc në raport me opozitën, por dhe një bilanc pas-zgjedhor për garën brenda partisë. Krerët e listave nëpër qarqe janë futur në një garë të dyfishtë. Veçanërisht kjo garë manifestohet në të paktën 5 qarqe, ku listën e kryesojnë figura kryesore të PD. Vlora ku konkurron Patozi, Korça ku kandidon Bode, Berati ku kandidon Pollo, Shkodra ku kandidon Jozefina Topalli, Fieri ku kandidon Sokol Olldashi dhe Elbasani ku kandidon Lulzim Basha.
Në fakt fitorja ose humbja e Partisë Demokratike, përveç Tiranës, do të ndodhë pikërisht nga rezultatet në këto qarqe, nga epërsia në mandate me kundërshtarin socialist në qarqe tradicionalisht djathtas apo ngushtimi i diferencës në mandate me qarqet tradicionalisht majtas. Këtë të gjithë e dinë, këtë të gjithë e kanë parasysh ndaj të gjithë krerët i listave i janë futur një gare në të cilën luajnë karrierën e nesërme në PD. Nga këto Pollo e Olldashi në Beratin dhe Fierin e majtë dhe Topalli në Shkodrën e djathtë kanë një marzh të ngushtë veprimi. Shkodra thjesht të ruajë epërsinë demokrate, kurse dy qarqet e tjera të mbijetojnë apo të ngushtojnë diferencën me socialistët.
Korça dhe Vlora ku kryesojnë Bode dhe Patozi janë në “mes të artë”. Në këto qarqe edhe barazimi quhet fitore, pasi potenciali elektoral i këtyre qarqeve është i tillë që lejon ruajtjen e 50% me 50% të ndarjes së mandateve.
Sfida e vërtetë i takon Lulzim Bashës në qarkun e Elbasanit, i cili vjen nga 2005 me një bilanc katastrofik për PD, 9 nga 11 zonat atëherë i fituan socialistët në ikje nga pushteti. Ndaj marrja përsipër e Elbasanit është një aktet politike më kurajoze për Lulzim Bashën, figurën më të diskutuar dhe njëkohësisht më premtuese të Partisë Demokratike. Me hipotekën e promovimit personal që i bëri Berisha, me një rëndesën e një skandali të madh dhe ende të hapur si ai rrugës Durrës-Kukës, të cilën sërish e ka marrë përsipër kryeministri Berisha vetë, Lulzim Basha ka rastin më të mirë të rikuperojë politikisht dhe grumbullojë një kapital politik autentik për herë të parë në jetën e tij politike në PD. Ndaj ai po demonstron një energji të madhe në këtë fushatë. Mitingu i PD-së në Elbasan për shembull ishte ndoshta më i madh dhe më entuziast se ai i Tiranës, ashtu sikurse nëpër debatet televizive zoti Basha ka përfaqësuar më shumë se mirë maxhorancën. Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve me kundërshtarin socialist, një tjetër “rezultat” zgjedhjesh do të ketë rëndësi të madhe pas këtyre zgjedhjeve: çfarë bilanci patën figurat kryesore të PD-së secili në “Shqipërinë e vogël” të qarkut të tyre.

2 Komente

Duhet ta gjejme ne mbiemrin e gazetarit.?

Une them se do e kete Henri Pyka.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).