Një 'antenë-kanoçe' dhuratë për Pipo Baudon në Shqipëri

 

TIRANE - Ai është 'çmendur' nga femrat shqiptare, nga mikpritja dhe dashuria që njerëzit kanë treguar për të. Pipo Baudo, shoumeni i njohur italian, fundjavën e kaluar, ka vizituar për dy ditë e gjysmë Shqipërinë. E gjitha ka filluar më 7 qershor, kur gjatë transmetimit të së "Dielës Shqiptare", prezantuesi Ardit Gjebrea, kishte datëlindjen. Për koincidencë, edhe Baudo e ka në të njëjtën ditë. Në këtë kohë, organizatorët e spektaklit bënë të mundur që Gjebreas t'i vinte një urim i drejtpërdrejtë në transmetim nga Pipo dhe kështu ndodhi. Ai uroi Arditin dhe i premtoi atij një vizitë në Shqipëri. Gjithçka na e rrëfen Ivi Tase, asistent regjisor pranë këtij spektakli dhe shoqërues i Pipos në të gjitha vizitat e tij në vendin tonë. Më 20 qershor, ora 10 e 30 paradite, ai zbret në aeroportin e Rinasit dhe prej andej, drekë në vilen e Presidentit Bamir Topi, pranë kodrës së Priftit. Zbavitja e parë i vjen nga mikpritja dhe dreka e thjeshtë jozyrtare, e bërë në familjen presidenciale dhe prej andej, një shëtitje me teleferik në Dajt, ka bërë që Pipo, atë ditë, ta mbyllte ndryshe. Ivi tregon më tej se "atë pak kohë që Baudo qëndron në Dajt, ishte përgatitur një pritje spektakolare në qytetin e Vlorës. Rrugën për të shkuar atje e ka bërë me helikopter të vënë në dispozicion posaçërisht për të. Madje, i ishte planifikuar një shëtitje me gomone në det, por që ky plan ka dështuar sapo Pipo ka hipur në të. Moti nuk e favorizonte një gjë të tillë. Aty ka shprehur dëshirën për të pasur një shtëpi pranë detit Jon. E pse jo, ka pohuar se Vlora qenka shumë e bukur. Nuk është mbyllur me kaq; darka është kaluar nën shoqërinë e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, Ardit Gjebresë, i cili e ka shoqëruar në çdo moment dhe miqve të tjerë.

Dita e diel ka filluar më një pritje të ambasadorit italian pranë kësaj ambasade. Më pas e priste dreka dhe shfaqja finale tek "E diela..." Ajo që i ka bërë më shumë përshtypje dhe e ka habitur, ka qenë dhurata që stafi i emisionit i ka përgatitur. Një kanoçe, e cila simbolizonte kohën kur shqiptarët shihnin televizionet italiane nëpërmjet saj.
Ivi nuk e ka lënë Pipon të ikë nga Tirana pa bërë një xhiro nga Blloku, duke u shprehur se Shqipëria ka bërë hapa përpara që nga koha kur ai kishte qenë për herë të fundit, në vitin 1994. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, është shoqëruar edhe nga Getano Kasteli, skenografi i San Remos, por tashmë edhe i "Së dielës shqiptare". 73-vjeçari Pipo Baudo, i cili aktualisht mban postin drejtor artistik i San Remos, por jo vetëm, ka lënë këtë vend duke marrë me vete suksesin dhe me bindjen se do të kthehet sërish në këtë vend. SH2-shi ka siguruar fotot e pabotuara të turit të tij në Shqipëri.

Intervista

Flet Piro Bashari: Si i realizoja "kanoçet" e ndalura në kohën e diktaturës

Një kanoçe për Pipo Baudon!

Pas 25 vjetësh ka provuar ndjesinë e të krijuarit të një kanoçeje që, në qoftë se zbulohej, mund të përfundonte në burg. Ishte një kuti e vogël llamarine, nëpërmjet së cilës, në ekranin e televizorit shfaqeshin kanalet televizive të vendeve fqinje. Pirro Bashari, me profesion inxhinier, ka realizuar pas kaq kohësh këtë vegël për një dhuratë të veçantë, që iu bë pas një vizite dyditore shoumenit më të njohur italian, Pipo Baudo. Mesazhi ishte i thjeshtë: nëpërmjet saj, shqiptarët ndiqnin prezantuesin e njohur, por jo vetëm, duke rrezikuar edhe "lirinë". Rreziku më i madh ishte për ata që i krijonin këto kanoçe të ndaluara. Në qoftë se zbuloheshin, autori mund të përfundonte me akuzën agjitacion dhe propagandë, duke u dënuar me 14 vjet burg. Inxhinier Piro është një person ndryshe. Ai, nga njëra ana punonte në televizion, duke bërë zhurmueset që të mos merrnin kanalet e huaja dhe, nga ana tjetër, krijonte këto kanoçe për vete dhe miqtë e tij, që të shihnin stacionet e vendeve fqinje. Nuk kishte rrezik më të madh për të. Por tashmë kohët kanë ndryshuar. Kjo vegël e prodhuar në fshehtësi, është kthyer në një relike që të kujton kohëra të vështira, por edhe të bukura. Si e tillë, për t'i kujtuar atij se ku "futej" Italia për të ardhur deri në shtëpitë tona, iu bë dhuratë Baudos, pas një vizite në vendin tonë.

Z. Piro, një javë më parë keni realizuar një kanoçe për t'ia bërë dhuratë prezantuesit të njohur italian, Pipo Baudo. Si erdhën ideatorët e saj deri tek ju?

Kisha gati 25 vjet që nuk kisha kapur më kanoçe me dorë dhe kjo ishte një kthjellim kujtese. Më merr një shoku im në telefon, i cili ishte i njohuri i personave që kishin ftuar Pipon në Shqipëri dhe më thotë idenë. Pranova direkt dhe u kujtova që kisha një kanoçe gjysmë të gatshme në shtëpi. E montova me kujdes, e provova, e bëra funksionale, ishte gati për t'ia dhuruar Baudos. Ishte një ide shumë e bukur nga ana e organizatoreve, duke menduar se çdo gjë që ndodhte në ekranet e huaja, shfaqej nëpërmjet asaj kanoçeje në vendin tonë. Unë kam qenë njeri nga ata persona që kam rrezikuar edhe jetën për të parë se çfarë ndodhte përtej vendin tonë. Dhe kur shihnim kanalet e huaja, e kuptonin se ku jetonim. Po ta thoshe këtë fjali në atë periudhë, e sigurt që do i haje ca vite të mira burg.

Kur i keni realizuar kanoçet e para?

Kanoçet e para i kam bërë në vitin 1974, 30 vjet më parë. Si fillim i kam bërë për vete, pastaj në mënyrë ilegale edhe për shoqërinë.

Kishit kërkesa atëherë për të realizuar kanoçe?

Natyrisht që kishte shumë, por unë i bëj për një shoqëri të zgjedhur, se kisha frikë mos më spiunonin dhe pastaj përfundoja keq. Në atë kohë, televizori merrte vetëm TVSH-në dhe kur drejtohej antena nga Jugosllavia, merrte dhe programin e parë të saj. Ndërsa në verë, temperaturat e ambientit rriteshin, shfaqej programi i parë i Italisë dhe kanoçja, në këtë formë, vinte në ndihmë për t'i marrë sa më mirë.

Ju ka ndodhur ndonjëherë t'ju kenë zbuluar që ju realizonit këto gjëra të ndaluara për kohën?

Jo, se këto i bëja fshehurazi dhe për shoqërinë që njihja dhe nuk dilte fjala. Në atë kohë ishte e ndaluar të bëje gjëra të tilla dhe po të kapnin, dënoheshe për agjitacion dhe propagandë. Mund të haje deri në 14 vjet burg.

Nuk kishit frikë nga kjo?

 

E bukura këtu ishte se kjo ishte një gjë e ndaluar dhe ne e realizonim në fshehtësi. I fshihnim antenat nëpër çati. Në lagje të caktuara kishte njerëz enkas që i dërgonin për të kontrolluar të gjitha tarracat.

Ju ka ardhur ndonjë person me pushet në atë kohë dhe ju ka kërkuar t'i realizonit një konaçe?

Kanë ardhur shumë, dhe jo komunistë të thjeshtë, por edhe kandidatë të byrosë politike, njëri nga ata ka qenë Pirro Dodbiba, që i kam bërë kanoçe. Ka qenë edhe ministër i Bujqësisë në kohën e diktaturës dhe kandidat për në byro. Pas daljes së televizorëve, njerëzit kishin kuriozitet të shihnin çfarë ndodhte në botë. Tirana në atë kohë kishte program shumë të reduktuar, fillonte në 6 pasdite dhe përfundonte në orën 10. Ne përdornim edhe varak atëherë, që ajo të jepte maksimumin e sinjalit dhe vetë ajo është llamarinë.

Ju çfarë profesioni keni?

Unë kam mbaruar inxhinierinë e rrymave të dobëta. Atëherë ndaheshin degët. Deri në vit të dytë ne ishim me inxhinierinë e elektrike. Në vit të dytë, studentët më të mirë shkonin në rrymat e dobëta, se do punonin në televizion më pas. Më pas kam punuar inxhinier në televizion dhe duhet të bëja zhurmuesit e Jugosllavisë, që televizorët të merrnin vetëm Tiranën. Pastaj mora garancinë e televizorëve që shiteshin me valutë. Tani jam privat.

Domethënë bënit edhe zhurmuesin, por edhe kanoçet për të marrë stacionet?

(Qesh). Po, të dyja, njërën në mënyrë legale dhe tjetrën ilegale. Po në atë kohë janë arrestuar inxhinierë që bënin këto gjëra dhe janë futur bë burg. Ato gjëra i bënte nevoja, se kishe dëshirë të shikoje diçka më tepër dhe të tundonte kurioziteti.

Kishit vështirësi kur e realizuat pas kaq shumë kohësh?

Jo, jo. Asnjë vështirësi. Nuk vuajmë nga memoria.

Pipo Baudon e njihnit, e kishit dëgjuar si emër?

E kisha parë në televizor dhe më kujtohet kur kishte ardhur dikur në Shqipëri, në vitet 1990. E njihja vetëm nëpërmjet televizorit, se vetë nuk e kam takuar ndonjëherë.

E patë momentin kur Pipo mori si dhuratë pikërisht kanoçen që ju e kishit bërë me dorën tuaj?

Patjetër që e pashë. U ndjeva shumë mirë.

Si e mbani mend kohën kur erdhën televizorët e parë në Shqipëri?

Në fillim, televizorët në Shqipëri kanë ardhur nga Jugosllavia, dhe kryesisht ishin të markës "Iliria". Në Jugosllavi, këto televizorë prodhoheshin me grupin e UHF-ës. Me një vendim qeverie të asaj kohe, ky grup u hoq dhe televizorët mbetën vetëm me VHF, domethënë për të parë vetëm Tiranën. Në këtë kohë bëhet fjalë për vitin 1973. Në këtë kanal filluan të shfaqeshin programet e UHF-ës, si për shembull "Jugosllavia 2", ose "Beogradi 2", siç quhej në atë kohë dhe "Rai due". Në këtë formë lindi ideja dhe nevoja e kanoçes. Kanoçja nuk ka autor, e ka shpik Piro, apo një tjetër. Ajo ka një kopjim skeme nga një gjenerator që gjeneron një frekuencë të caktuar dhe kjo përpunohet brenda kanoçes dhe del në kanalin e VHF-së. Ky ishte funksioni i saj. Në këtë mënyrë ne realizonim një kanoçe, bënim akordimin e frekuencës dhe gjenim kanalin që donim.

Intervista e Baudos në "Rai": Kanoçja, dhurata më e bukur që kam marrë ndonjëherë

Pas përfundimit të vizitës në Shqipëri, Pipo Baudo është ftuar në emision e mëngjesit, në televizionin italian "Rai". I pyetur nga gazetarët, ai është shprehur shumë i lumtur për këtë vizitë, e cila i ka lënë mbresa të pashlyeshme. Gjatë bisedës ka treguar edhe dhuratën që i është bërë në vendin ton, kanoçen, duke e quajtur atë si më të veçantën që i është bërë ndonjëherë. Ai ka shpjeguar për italianët se ajo dhuratë ishte kyçi që shqiptarët të shikonin Italinë në kohën e diktaturës. Ai ka pohuar se: "Italia jonë kaq e madhe, futej në këtë kanoçe kaq të vogël dhe ishte dritare për të na parë ata në Shqipëri."

 

28/06/2009

5 Komente

Te lumte tigano....Me kete vertetohet qe brezi jone  bashke me TV futi ne kulturen e tij edhe PIPOT , Haptazi ne trasmetimin televiziv shqiptar . Diku aty mbas emisionit kanconisimo Korado imitoi me nje skec politiken kineze ne rrolin e lojes se Ping-Pongut ...dhe sa mbaj mend dicka e tille Ping -Pong , Ping - Pong / politika Mao tze TONG . Dhe ate emision e drejtonte Pipo me duket ose kishte nje rrol Primar. Ishte ne kulmin e tij !Dhe behet fjale per vitin 1972 kur info per boten ishte e HAPUR . Me pas .......Por inxhinieret si Pirro nuk na e humben kete kenaqesi te cilen pasi u pa se nuk mund te luftohej dot Ideologjikisht...Ju la ne dore e per koppetence Keshillave te Fshatrave e te Lagjeve..anetaret e se ciles sa mbaronin kontrollet neper cati e taraca ,shkonin ne shtepi dhe vinin ne funksionim KANOCET e tyre ilegale....  smiley 

Kjo tregon se shqiptarët akoma vuajnë nga ndjenja e inferioritetit. Ylli i Pipos ka vite që ka perënduar....

 dreke me presidentit.. perendi..

Kta jan ftof n'tajare mer bab... Xhozi pret Xhuzin, Krieministri dërgon telegram ngushllimi Majkllit (s'ma ha mëndja ta ketë bërë ndonjëherë për punëtorët e vdekur të Bulqizës) ndërsa presidenti, akoma pa ftuar një herë për drekë presidentin e Kosovës, i bën hyjnere Pippo trapit

 Ide e bukur kjo e dhurimit te kanoçes ndaj prezentatorit italian.  

"...Ai ka shpjeguar për italianët se ajo dhuratë ishte kyçi që shqiptarët të shikonin Italinë në kohën e diktaturës. Ai ka pohuar se: "Italia jonë kaq e madhe, futej në këtë kanoçe kaq të vogël dhe ishte dritare për të na parë ata në Shqipëri."  

 

Per shum italiane, besoj se kjo kanoçe ka qene diçka e çuditeshme, gati-gati e pakuptueshme. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).