Në Ulëz ose Bukuroshen e fjetur të Veriut

Pas një rruge të stërlodhshme në kthim nga Peshkopia, ku punëtorët e asfaltimit të rrugës bëjnë sikur punojnë, tabela e thjeshtë, që të tregon shenjën Ulëz-dy kilometra, të duket si shëlbim. Për fat, jemi në prag fushate, gjë që tregon se rruga do mbarojë, edhe pse akoma emisarët partiakë s’kanë mbërritur këtej. Pak ditë më vonë, me patjetër-do t’i këqyrim në TV teksa presin shirita. Ani, jemi futur në udhëzën e Ulëzës, ekstremin veriperëndimor i Matit. Sikur s’ka lidhje fare me ashpërsinë e zonës, apo me ulje-ngritjet e terrenit. Dy zanoret e emrit në rastin më të zakonshëm dhe tre në rastin e lakimit, e bëjnë edhe më të zbutur ndjesinë për vendin. Semiotika gjuhësore nuk e di sa shkon këtu, apo nëse është ky termi i përshtatshëm, por...Jeta jonë me por-et e vazhdueshme, na përcjell teksa pas një rruge në të djathtë, jemi futur në një mjedis tjetër. Krejt i ndryshëm nga ai Tiranë-Burrel-Peshkopi. Edhe pse rruga nuk është kaq e mirëmbajtur, pajtimi i vendit të thith dhe të grish pak nga pak... Moti ndikohet nga Lugina e Matit dhe Gjadri, që kalojnë poshtë e fusin zonën nën ndikimin detar, sipas literaturës. Në Gjeografinë Fizike maksimumi i temperaturës shkon tek 41.3ºC në Bushkash, ndërsa -19.8º është në dimër, diku këtu. Luhatje e madhe për një vend që shkon nga 130 metra mbi nivelin detit, deri më 900 metra...Mendimet shkëputen.
Derisa, del ai. Diga e Ulzës është një nga ndërtimet më të mrekullueshme të simotrave të Hidrocentraleve shqiptare, 250 metra e gjatë, 57 metra e gjerë dhe plot 64 metra e lartë. Hirnosja drejt një sepje, që ia ka falur koha, duket se e ka bërë edhe më të fisme. Kanë punuar bashkë shqiptarë, rusë dhe çekë...ndërsa punimet i kanë filluar më 11 janar të vitit 1952, ditën e përvjetorit të shpalljes së Republikës së Dytë...Ajo që hamendësoj është sesi në një kohë kur këtu në këto vende-Shqipëria ishte e gjuajtur nga banda diversioni, këtu punohej. Historia jonë mbetet një paradoks i gjallë...

Ulëz
Qenia e parë e gjallë është ai. Një njeri që ka vendosur para bagëtinë. Është i pari me të cilin rrekemi të flasim. Më saktë, që i flasim. Ai na këqyr i shtriqur nga larg. Veshur me rroba jo shumë të reja dhe pak si zhulose, qëndron krejt i palidhur me kohën. Është i qetë dhe e ka lënë bagëtinë që të vendosë vetë. Ndonjë makinë e rrallë, që kalon këtej, nuk ia prish meditimin ose gjumin, që duhet ta alternojë vetë, sipas instinkteve trunore. Insistimit me burinë e zgjatur të shoferit tonë i përgjigjet me një indiferentizëm të theksuar. K. P., 30 vjeç, na thotë që ka kohë që e bën këtë punë. Por, s’duhet të mbajmë shënime. S’duhet ta fotografojmë. S’duhet. Anipse, është i qetë në botën e tij. E kënaq këqyrja, por dreqin vetëm një specialist i Neuro-shkencës mund të zbulojë se çfarë bluan në kokë, pas një mimike që s’luan. Teksa shoferi kalon, vazhdojmë edhe pak muhabet. Është nga një prej fshatrave këtu. Nuk ia kuptojmë shumë gjuhën, sepse ai flet në regjistrin e tij. Kullot, sepse nuk ka çfarë të bëjë. Dhe, është i kënaqur. Në fund na pyet: “Po ju?”. “Kemi ardhur të ushqehemi”, i thotë dikush nga ne, duke ia larë indiferentizmin fshatar me arrogancën urbane. Atij, i bën pak përshtypje. Edhe pse tashmë një buzëqeshje flatron nga buzët e stërmëdha të burrit të ri. Ngjitemi në makinë. Kujtesa e tij zhduket shpejt, sepse papritmas duket ajo. Gjithmonë të emocionon Diga e Ulëzës. Ka të ngjarë që të bëjë antitezën me butësinë e emrit. Ky mal betoni, i formësuar mrekullisht, të bën që kur futesh në Ulëz, të qëndrosh medoemos. Ajo që kanë bërë njerëzit këtu me digën është e mrekullueshme. Në krahun e djathtë të rrugës, nga ku jemi dhe ne-vepra, është ushqim për nostalgjikët, që instinktivisht duhet të thonë: “Ah...”. S’po përmendin hamendësime, por respekti për njerëzit që e kanë punuar është i pamat. Të mos harrosh dhe faktin që në këtë vepër, humbën jetën 14 njerëz, atëherë bindesh për përmasat e shqiptarit të thjeshtë...dhe kurbanin e vazhdueshëm jetësor, që u ka falur trushkulurve të këtij vendi. Për fatin tonë kanë mbetur pak njerëz në HC, që dikur mbante emrin e babait të marksizmit “Karl Marks”, dhe ata që janë aty, nuk na thonë gjë për fotografitë...Një rrëkezë e dobët zbret në pjerrësinë e digës. Ka filluar muzika e insekteve, përreth. Mbi digën, një rrugë të përcjell matanë. Ne, bëjmë rrugë tjetër dhe pak minuta më vonë futemi vërtetë në qytet. Ulëza i ngjan një kapanoni të madh punëtorie, ku ndërtesa simetrike, që përziejnë formën dhe harqet mbi arkitrarët e arkitekturës sllave me elementët e thjeshtë kombëtarë- të shfaqen para. Është një qetësi absolute në kohë dreke dhe pak të rinj, janë ulur në një cep. S’ka fare mjete. Kjo butafori e gatshme për Hitchkok-un, të duket se do të zërë në grackë. Madje, nga momenti në moment. Është thjesht iluzion. Ka pak njerëz. Aspak makina. Për fat të keq, sapo është mbyllur dita e shkollës. Nuk gjejmë dot një mësues, që duam të takojmë. Kërkojmë dy të njohurit tanë të tjerë. Njëri ka ikur në Peshkopi. Tjetri në Tiranë. Dy djem të rinj, që u themi, janë shumë të gatshëm të na ndihmojnë. Sa të vinë ata- shikojmë një tabelë sinjalistike, që shënjon Parkim me pagesë?! Nuk na pyesin, kur na shikojnë që qeshim. Atëherë do shkojmë tek kryetari i Bashkisë apo Komunës. Për fat, për Ulzën, ekzistojnë të dhëna edhe në internet dhe atje kemi parë dhe një foto të vjetër nga ndërtimi i digës.

Vëllai i kryetarit
Djali na shpie direkt tek shtëpia e kryetarit, jo shumë larg digës. Nga maja e një shtëpie, një burrë i sjellshëm, na thotë se nuk është kryetari, por mund të na ndihë. Andrea Qoku, është vëllai më i madh dhe bashkë me Palin, kryetar, janë të zotët e njërës prej shtëpive, që shikon mbi liqen. Pali, që nga mëngjesi, është në Dibër, për një mbledhje. Gruaja e Andreas në fton dhe nga kinse-çardaku, këqyrim qytetin. Kemi liqenin para dhe jemi fill pas ndërtesave, që kanë bërë sovjetikët. Në këtë vend dikur ka qenë një pyll i madh dhe Ulza e mori vetë emrin nga pema e Ulzës, që banorët thërrisnin një nga llojet e dushkut. Andrea, hyn, duke fshirë duart me njëra-tjetrën dhe futet direkt në rrëfim. I pëlqen të flasë: “Më parë këtu jetonin me toka dhe bagëti. Këtu, fshati, quhej Kokërdhok. Pas hymjes u zu liqeni dhe lindi Ulëza. U quajt qytezë. Ishin banorët e saj në fillim, pastaj erdhën shumë nga e gjithë Shqipëria dhe Ulza arriti deri në 2000 banorë. Tani kanë ikur shumë dhe po ta llogarisësh janë apo jo gati 1000 e ca banorë. Vetëm se po ta krahasosh me pjesën tjetër të Shqipërisë, s’kanë ikur shumë. Shumica e tyre punon në HC, kurse pjesa tjetër ruan bagëti. Brenda në qytet një për shtëpi është në punë. Ka raste dhe 2 njerëz, por në përgjithësi kanë burim jete”. Në fakt HC, me fuqi të instaluar prej 25.000 Kw- ka mjaftuar që ky vend të kishte begati. Fjalë e madhe kjo. Më mirë Jetesë. Të gjashtë fshatrat Stojani, Kokërdhoku, Bushkashi, Rrenaz, Madhesh e kishin ndihmë. Derisa erdhi demokracia. Që atëherë banorët filluan të largohen, ndërsa 1997 nuk kaloi pa trazira. Vendasit e mbrojtën vetë HC-në, nga kokëkrisurit që vinin nga tutje- duke besuar se shteti do të vinte sërish. Me kalimin e viteve, duket shpirtrat e trazuar, i qetësoi dhe kisha, që zuri pak nga pak vendin e Pallatit të Kulturës. Ditën e shenjtit të tyre: Shën Markut, që e kremtojnë me një festë të qetë më 25 Prill, banorët kanë mundësi të bëjnë dhe një bilanc vjetor të jetës në një vit kalendarik. Sot, një Dom i ri italian, mundohet ta paqtojë grigjën nga ana shpirtërore. “Rrinë në Suç. Janë françeskanë...Ulëza e sotme”, më thotë Andrea. Françeskanët s’kanë Dom, por vazhdoj të dëgjoj burrin, që më tregon për shkollën dhe jetën. Dy gra, që përtej, na hedhin një vështrim informues.
Që përtej, dy djem, kanë filluar të bëjnë pak tollovi, por qetësisht. Ulëza, vazhdon të mbesë pak rudiment i së shkuarës dhe këtë e shikon në shkollën e vetme të mesme, që ka profil elektrik dhe një tetëvjeçare. Di që e quanin SHKOLLA JOVAN PALI II...Ky shartim emrash duket në çdo gjë këtu. Është shartuar pallati i kulturës dhe është bërë kishë. Janë të shartuara mjediset, sepse kanë arkitekturë të përzierë. Është e shartuar jetesa: fshat-qytet... “Me ardhjen e demokracisë kanë ikur këta të jugut. I dhanë shumë kulturë vendit, vazhdon Andrea. Ka pasur një pallat kulture dhe kinema që e lanë rusët. E mori kinostudio, pastaj aparatin e projeksionit dhe nuk e solli më. Ka pasur një bibliotekë dhe një sallë që funksiononte..Shumica kanë ardhur nga fshati. Shumë pak bagëti ka. Tani s’ka dhe në fshat. Këtu ka pasur 4-5 tufa. Ani kanë ikur me emigracion. Ka në emigrim. Në Greqi shumica dhe në Itali. Këta janë ndihmë e madhe”...Por, kjo s’e ka dekurajuar të vëllanë, që të kthehet dhe të punojë për qytetin. Në fakt, Palit i është dashur të merret me asfaltimin e rrugëve dhe elementët e tjerë, por për pallatet ende s’ka bërë gjë..

Nëpër qytet
Derisa përgatitet Andrea, e shoqja na tregon shtëpinë, që bie bash mbi liqen. Banorët kanë filluar të mendojnë për ata që do të vinë shumë shpejt. Shpresojnë tek turizmi. E gjithë komuna ka një sipërfaqe urbane prej 2.2 km2 dhe sipërfaqe administrative 200 km2 , e cila përbën edhe 6.26 % të sipërfaqes së përgjithshme të rrethit Mat prej 728 Km2 , ku banojnë 2156 banorët e gjithë komunës. Andrea është tejet punëtor dhe këtë e shikon në orenditë e shtëpisë dhe cilësinë e jetës. Është krenar të na tregojë shtëpinë e tij. Pak minuta më vonë, me Andrean vendosim të dalim në qytet. Është i gatshëm. Na tregon çezmat, por që uji ende s’është shumë i përshtatshëm në shtëpi, një nga sfidat e të vëllait. Janë pjatat e antenave parabolike kudo, veçse pak si shumë të ndryshkura. Të mendosh, që Ulëza është sipër një liqeni, që ka sipërfaqen kundrejt kuotës 128.5 ml -12.5 km2 ( volumit të punës ), habitesh me mungesën e ujit. Përndryshe, në ka ndonjë ndjesi, sesi një fshat i vogël është bërë qytet, atëherë mund ta shikosh këtu. Fshati ndërthuret natyrshëm me qytezën. Banorët janë të veshur qetë, por tejet të ngeshëm. Është aq i vogël sa nuk ka lypsa dhe endacakë, por një djalë me makinë që kalon me shpejtësi, na sfidon. Ndërrojmë fjalë me disa burra, që tash janë në pension dhe presin në shkallët e një ndërtesë, sikur të jenë në ndonjë film West. E kanë si bezdi të flasin dhe sidomos, kur u duket se nuk u rrëfen asgjë, emri i institucionit që punon. Andrea, trup mesatar dhe fjalëshumë, saora vendos ‘paqen’. I jemi drejtuar kishës, ku po bëjnë katekizëm fëmijët. Paqtim i madh dhe ajo që të mbush -është disiplinimi i vendit. Vetë banorët kanë ndihmuar për kishën dhe dy vëllezërit kanë punuar vetë,...Prifti Dom Marku, s’është. Është e ornamentuar bukur brenda. Aqsa të duket se diku është duke u paquar dhe vetë Jezui. Pjesën e mjedisit jashtë e kanë lënë të parregulluar, por kur i themi se mund të mbjellin diçka, na shikojnë si pa kuptim. Andrea, ka kohë, të na shpjegojë pak dhe për banorët. Shumë tashmë i falen emigracionit dhe për hir të së vërtetës, ai po bëhet burimi i parë, që i mban njerëzit.. Ai vetë e ka bërë shtëpinë nga themelet edhe pse i ati ka punuar që në fillim në HC. “Kam punuar mekanik në Itali dhe erdha më 1997 kur ndodhën rrëmujat këtu erdha. E lashë se kisha halle familjare. Kemi qenë bashkë me Palin. Unë jam më i madhi. Kemi punuar privatë. Kemi qëndruar 3-4 vjet me qira edhe në Tiranë. Kemi punuar nga Himara dhe deri në Kukës me gipsin. Pastaj mbrapa: Pali doli për kryetar komune sepse donte të bënte diçka sepse ia vlen të sakrifikosh këtu dhe ka resurse natyrale, uji, peshku, pylli. Dikur, ky liqen ka furnizuar gjithë veriun me peshk dhe vetëm kur filloi të bombardohet me dinamit nga fshatarët, pati rënie. Tani ka rënë se mbaroi dhe municioni”, na thotë duke qeshur. Të 12 peshkatarët, që sigurojnë jetesën me krapin dhe ballëgjerin e liqenit, duket se u ka rënë puna nga të pandershmit. Peshku është dëmtuar pafund. “Aty ka qenë monumenti i Stalinit”, më thotë befas. “Karl Marksit”, i them. Ngre supet. “Po Rusët”-e pyes. “A e din, më thotë? Rusët kanë lënë shumë përshtypje të madhe. Asnjëherë s’janë përzierë keq dhe babai im që ka punuar me ta dhe kuptonte rusisht dhe italisht më thoshte se janë shumë të mirë. Kurse disa inxhinierë çekë, kur na dëgjonin që brohorisnim: Rroftë Komunizmi na thoshin: mos merrni kot sepse kur të vijë komunizmi s’do ketë djath dhe bukë si tani. Ishte plot bagëti këtu atëherë”. Tund kokën.

Kryetari
Andrea kënaqet, që na shpjegon, ndërsa dikush lajmëron se ka ardhur i vëllai. Dy banorë, që takojmë ndërkohë, na e nxijnë komplet. Po si banoni?-i pyesim. “Si dreqi. Ikim. Ikim tutje”. Ulëza ka kohë që nuk ka investime të mëdha, por Pali, kur e takojmë pak më pas, ka shumë shpresë që të ndryshojë. Ka punuar që të disiplinojë ujërat e zeza dhe të bardha, ndërsa projekti më i madh është që të sjellë ujin e pijshëm. Është pak si mbi gjemba, derisa i shpjegojmë qëllimin. Vetëm atëherë, burri 41-vjeçar, me kokën e shogët, qetësohet. Është i sjellshëm dhe mundohet të jetë i hapur. Pali ka qenë në një mbledhje decentralizimi dhe shpreson të fusë qytetin e tij nën juridiksionin e Lezhës. Ka të drejtë në fakt: Janë pak kilometra nga Lezha dhe dhjetëra të tilla deri në Dibër. Kupto se çfarë duhet për dokumentet. Kur ka ardhur në detyrë ka qenë katrahurë, sipas tij. Qyteti ishte në dorë të të fortëve dhe atij vetë i është dashur që me mënyra shqiptare të sigurojë qetësinë. Më shpjegon qetësisht si e ka gjetur qytetin: hajni, madje edhe droga në shkollë. “Mora shumë kërcënime por vazhdova. Ndalova prerjen e pyjeve dhe kam një ëndërr që atë që kam parë në Firence ta bëjë këtu”. Inxhinieri i pyjeve shpreson që në komunën që ka 83% pyje, 7% ujë, 5% tokë bujqësore dhe 5% tokë kullotë t’i japë prioritet zhvillimit turistik. Është i kënaqur që ka vetëm 90 familje me asistencë që marrin nga 4.000-6.000 lek, kurse punësimi në këtë vend përfshin, sipas burimeve zyrtare afërsisht 60% përfaqësojnë popullsinë aktive për punë të grupmoshës 18-60 vjeç dhe vetëm 9.1 % janë të papunë. Rreth 29 bizneset që janë në këtë vend, ushtrojnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të tyre në zonën urbane të qytetit Ulëz dhe një pjesë e vogël e tyre në fshatrat e kësaj njësie. Siç mund të merret me mënd, bizneset, kryesisht kryejnë aktivitete shërbimi, ku dominojnë baret, kafenetë, restorantet, pikat e shitjes me pakicë si dhe pak shërbimet e tjera. Të dhëna të mira, kur e krahason me pjesën tjetër të vendit.

Fundi
Pali është ende si i mpirë, edhe pse pak nga pak po lirohet. Ndoshta, duhet të jetë i lodhur. Nga një tavolinë më andej duket dhe Dom Marku. Ecën pak si duke u lëkundur dhe një djalë shqiptar nga Mirdita, që i përkthen ndonjëherë, e shoqëron. Flet mirë shqip dhe duket se ka autoritet mbi banorët. Besimi është i pakët dhe ende i vështirë që të kuptojnë, por Domi gjithsesi ka plane. Bëjmë debat për pritjen e Papës, gjatë një vizite dhe mënyrës sesi media e përfaqëson. Ndahemi në konceptet e marrëdhënies me publikun. Tërhiqemi të dy. Më tregon varësinë e Dioqezës së Rrëshenit dhe sesi e kanë mbajtur besimin. “Njeriu duhet të besojë”, më thotë pa përcaktim dhe pak minuta më vonë e gjejmë veten në një debat transcendal për vdekjen. Ashtu si e marr me mënd, s’është françeskan. Kur ngrihet e shikoj që është me tuta.
Pali më shpjegon se ka në plan të shpallë një projekt për planin urbanistik dhe se ka gati një fond për të...Ulza do të ndryshojë, më thotë një dëshirë, që i shkon si dy pika uji sloganit të PD-së, që ai përfaqëson. Më flet për plazhin, por këtu plazhi s’ka filluar ende.
...
Ishin plot 3000 vetë nga e gjithë Shqipëria, kur filloi këtu puna. Vetëm 62 kilometra nga Tirana, jemi ende në një vend, që është pak si larg. Pali zhytet në një muhabet të gjatë me Dom Markun, por që ideja e priftit është të akomodojë në këtë vend disa të rinj italianë, që të jetojnë me banorët. I lemë burrat në dialogun e tyre. Ikim, pasi hamë sillën e zakonshme në rrugë. Pak në të dalë të qytetit, bariu, siç është i shtrirë ngre pak shkopin, në shenjë përshëndetje. Ikim. Grisemi nëpër muzg duke e lënë Bukuroshen e veriut në kotjen e saj.

7 Komente

Bukur!
E fillova që ta lexoja vertikalisht, por ishte vërtet shkrim i bukur, si përsa i përket gjuhës e përcjelljes së emocioneve ashtu edhe trajtimit të argumentave që kanë përjetuar gjatë vizitës.

MAPO ASHT GAZETA MA PA VLERA.

Mire gazeta (eshte reviste ne fakt) qe qenka "kot" po per shkrimin ke ndonje gje per te thene?

Ulze ka vetem emrin, se numrin e jeteve qe ka marre e ka goxha te larte. Dikur, per te kaluar nga nje kah i liqenit ne tjetrin, njerezit e zones perdornin nje barke te vjeter qe drejtohej nga nje njeri qe as shihte mire, as dinte not. Asnjehere nuk u fol per viktimat e Ulzes, qe jane po aq, ne mos me shume sesa te liqenit te Farkes.

Sa zili e paskam ate bariun! Ne jemi bere rober te kompjuterit e te celularit... smiley

 Artikuj per vende qe nuk i njohim , jane gjithmon interesant. Edhe ne tv, kur jepen emisione mbi vende te ndryshme, i shoh me kenaqesi. Ulza, me 65 km afer  Tiranes, eshte gjyhna, qe eshte kaq larg saj.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).