Ne emer te kodit

I pari që themeloi një kod deontologjik, një kod profesional, një betim etik mbikohor, ishte themeluesi i mjekësisë antike Hipokrati: "Betohem se ç‘pashë dhe ç‘preka, nuk do t‘ia tregoj askujt". Mijëra vjet më vonë, një tjetër kod deontologjik do të shqiptohej. Dhe ky ishte kodi deontologjik i gazetarëve. Formalisht, betimi etik i gazetarisë do të ishte i përkundërt me atë të mjekut: "Betohem se ç‘pashë dhe mësova do t‘ia bëj të ditur publikut".

 

Nuk është rasti këtu për të hyrë thellë në histori pse mjekët dhe gazetarët janë dy "familje profesionale" që kanë kode deontologjikë të pranuar ndërkombëtarisht. Në një farë mënyre, ky është fati dhe mallkimi i tyre. Thelbi është se fuqia profesionale e mjekut dhe e gazetarit nuk mund të shprehen në asnjë renditje, cilado qoftë ajo, me kritere politike apo ideologjike, me të dhëna anketash apo pyetësorësh, me vëzhgime a kronometrime, pa një referencë te ky "ligj mbi ligjet", kodi etik profesional. Pikërisht ky kod përmban një marrëveshje minimale, që nxit dhe krijon edhe solidaritetin midis gazetarësh, në mos më shumë së paku aq dhe ashtu siç solidarizohet një shofer me shoferin tjetër, kur me shifrën e tij i njofton kolegut se duhet të ngadalësojë shpejtësinë, sepse përpara e pret policia. Shoqata të mirënjohura botërore të gazetarëve e kanë kthyer në betim këtë kod, që lind solidaritetin e që i rreshton gazetarët në një formacion, pavarësisht se cilat janë bindjet e shprehura apo të pashprehura të tyre; pavarësisht nëse janë të njëanshëm apo të paanshëm; pavarësisht nëse janë të majtë apo të djathtë; pavarësisht nëse janë në gazeta a televizione.

 

Sikurse kam pasur rastin të lexoj në shtypin e dikurshëm, gjatë kërkimeve të mia të punëve shkencore, Rosa Luxemburg, një veprimtare e mirënjohur e lëvizjes punëtore evropiane në fillimet e shekullit të kaluar, qe shprehur se "liria e mendimit nuk ka kuptim pa lirinë e të menduarit ndryshe". Pikërisht, thënia e mençur e kësaj luftëtareje të vendosur të idealeve të vegjëlisë i pati shërbyer si inkurajim i fuqishëm njërit prej themeluesve të opozitarizmit në Shqipëri, Kryeministrit të sotëm të vendit, në mesin e vitit 1990, kur pati shkruar për liberalizimin e shoqërisë dhe zgjerimin e horizontit të mendimit.

 

Që nga viti 1990 kanë kaluar gati dy dekada. Lindi shtypi opozitar, lindi shtypi i pavarur, lindi shtypi me pavarësi të pjesshme, lindi shtypi me pavarësi të njëanshme (e majtë e pavarur, e djathtë e pavarur), lindi shtypi në funksion të interesave pragmatiste, shtypi i vetëmbrojtjes, shtypi i zëdhënësve, gjithfarë të përditshmesh e të përjavshmesh që krijuan atë që mund të quhet "polifoni e mendimit shqiptar". Por a është me të vërtetë kjo një polifoni, apo një kakofoni?

 

Jo rastësisht m‘u desh të evokoj thënien e Rosa Luxemburg-ut, se ishte pikërisht ajo që e kishte inkurajuar fort dr. Berishën në verën e vitit 1990, sepse shtypi është mendja kritike e një shoqërie, është ushqimi shërimtar e shpirtëror i saj. Betimi për të vërtetën e bën zanatin e gazetarisë të prekë të ndaluarën, të nyjëtojë të pathënën, të plotësojë të vërtetën e padëshiruar. "Chi tocca, muore!" titullohet një prej filmave më të njohur të gazetarisë rrezikuese, e përballë rrezikut profesioni i bashkon të gjithë, pavarësisht se me ç‘zë këndojnë ("qoftë dhe si bretkosë", shkruante Majakovski), pavarësisht se me ç‘regjistër shqiptohen, pavarësisht se cili është mendimi i lidershipit. Kjo është e parashkruar në misionin e gazetarëve. Pikërisht ky është thelbi i kodit deontologjik. Gazetaria është porta e mendimit e atyre "atje poshtë" që kanë nevojë të shqiptohen, në rreshtim qeverisës apo opozicional qofshin.

 

Papa Gregori XIII, në një ligjëratë të mbajtur në Indianna University, shprehej se të thuash gjysmën e së vërtetës apo të heshtësh për të vërtetat që di është më keq sesa të gënjesh. Pikërisht, ky mision, misioni i plotësimit të së vërtetës që as mund të pritet të shqiptohet prej profesionesh të tjerë, duke përfshirë edhe politikanët e sociologët, e bën gazetarinë shprehëse të shkallës së lirisë së mendimit të një shoqërie. E dinë të gjithë se ç‘alarm përjetoi Italia fqinje katër vjet më parë, kur organizatat ndërkombëtare e renditën RAI-n një televizion me shkallë lirie më të kufizuar se disa vende të Afrikës. Shoqëria qytetare e vendit fqinj reagoi energjikisht, përmes emisionit "Rock-politic" të Çelentanos (kujtojmë se arriti audiencën më maksimale jo vetëm brenda Italisë, por pothuajse në vendet kryesore të Perëndimit, pa përmendur reaksionin që pati te ne) për të rivendosur nderin e cenuar të Italisë, kodin e shpërdoruar të gazetarisë.

 

Duket sikur ky vend po zien nga debati, por në të vërtetë po përjeton rrënimin e debatit, mjerimin e mendimit, shpërfilljen e lirisë, nënçmimin e atij kodi deontologjik, kundrejt të cilit gazetarët do të duhej të shfaqeshin si kolegë e aleatë të palëkundur. Duket sikur ky vend ka krijuar media që u ofrojnë mundësi të shkëlqyera njerëzve për shprehje, por në të vërtetë gjuha e shtypit po rrëshqet rrezikshëm drejt atij realiteti gjuhësor që zakonisht quhet meta-ligjërim, e që si rregull, e gjejmë prej njerëzish vrakohës që e kalojnë ditën dhe natën në kurthet e Facebook-ut, të forumeve virtuale, të dhomave të bisedimeve, ku analfabetizmi kulturor arrin një shkallë të paimagjinueshme.

 

Liria e shtypit dhe e mendimit realizohen kur shtypi dhe media janë të hapura për njerëzit e ditur, për të mençurit, që i afrohen më shumë një hap së vërtetës. Gjithçka tjetër është liri shprehjeje, liri shfrimi, liri grafomanie dhe fjalamanie. Pikërisht, ky iluzion është kurthi i shqiptarëve sot: iluzioni se "vox pop" mund të realizojë lirinë e shtypit dhe fuqinë e mendimit. Në Shqipërinë e sotme, kufizimi i lirisë së mendimit është një realitet tronditës. Ndalimi ekziston ngado që të hedhësh sytë. Ndalon titulli i së përditshmes, ndalon orientimi i tribunës.

 

Por ajo që po shfaqet si një rrezik tmerrues është zhdukja e kufijve midis "pushtetit të katërt" dhe pushteteve të tjerë. Gjithnjë e më shumë, fuqia e politikës dhe fuqia e shtypit, që, për shkak të thelbit të tyre krejt të ndryshëm, të njohur botërisht që nga koha e Machiavelli-t, duhej të ishte fuqi opozicionale, po kthehet në fuqi me bashkërenditje. Terminologjikisht thuhet se politika është arti i së mundshmes, por në të vërtetë gjithnjë e më shumë po rezulton si art i sugjestionimit dhe mashtrimit. Përkundër saj, gazetaria ka një kod deontologjik, që është betimi për të vërtetën. Mirëpo po ndodh çudia: Në vend që protagonistët e lëvizjes së mendimit të kenë një kauzë të përbashkët përballë pragmatizmit politik, përkundrazi, kauzën e tyre të përbashkët e kanë zgjedhur si një rreshtim përkrah këtij pragmatizmi, dhe për këtë shkak kodi etik i gazetarisë është shkelur me këmbë: askush s‘do t‘ia dijë pse centrifuga politike po flak jashtë saj, në kohën më kritike për të, njerëz që janë përpjekur t‘i afrohen së vërtetës që të tjerët duan ta fshehin.

 

Tribunat e mendimit të lirë, të mendimit kritik, të kontestimit politik e shoqëror, në fakt janë kthyer në karakolle betejash politike. Ato u ngjajnë grykave të bunkerëve, nga të cilat nuk mitralohen breshëri automatike luftarake, por mendjet e militarizuara ama janë krejt të lira të mitralojnë një shoqëri që po mundohet të bëhet e lirë dhe nuk del dot jashtë kurthit të një lirie të rreme, e cila të kujton thënien e Leninit: "Liria e shtypit është e varur nga qesja me para".

 

Kodi bën thirrje: Gazetaria ka lindur që t‘i shërbejë së vërtetës! Gazetaria mund të jetë e djathtë apo e majtë, sikurse janë dhe bindjet e njerëzve, por përballë lidershipit janë të gjithë "ne, këtu poshtë". Gazetaria mund t‘i ndajë njerëzit e letrave në kampe dhe kampingje, por përballë rrezikut për motive profesionale ata janë NJË, si vetë kodi i tyre.

1 Komente

 Alisat meshire, jo cdo germe shtypi te shkruar mund te behet alfabet per peshkun. C'jane keto shkrime, Monikaaaaaaaaaa nuk shkruhet me nje dore ne google e tjetren ne KURRKUND. A ka kryeredaktor kjo gazete qe nderton nje filter per prurjet apo Shqip eshte aq meshireplote sa ka vend per te gjithe?!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).