Moratoriumi mbaroi. Jeni gati për lundrim?

Pak më shumë se 3 vjet më parë, me një debat jo të vogël, u miratua në Kuvend një nga ligjet më të diskutueshme të kësaj legjislature. E kam fjalën për ligjin nr. 9509, datë 03.04.2006 “Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë”.

Natyrisht, në radhë të parë si qytetar i lirë i një vendi demokratik, por edhe si parlamentar e për më tepër si jurist në profesion, nuk mund ta ndjej veten mirë që Parlamenti i vendit tim miraton ligje të tillë. E them këtë, sepse ky ligj kufizon të drejtat dhe liritë e shtetasve, është në konflikt të hapur me parimin kushtetues, ku e drejta e pronës private është e garantuar, dëmton në zhvillimin e turizmit, kufizon të drejtën për të ushtruar disa biznese duke i prezumuar edhe aktivitetet e ligjshme si kriminale etj.

Nga ana tjetër influencon negativisht në paraqitjen si krejtësisht të paafta të strukturave të shtetit, të paafta për të kontrolluar, parandaluar e goditur aktivitetet kriminale e trafiqet, kur askush nga ne shqiptarët nuk e dëshiron një gjë të tillë, sot anëtarë të NATO-s dhe aplikues kandidat në BE.

E mbështetur në këto standarde, shumëkush në Shqipëri, përveç arsyeve të tjera, verën e nxehtë të këtij viti po e priste edhe për shkakun e mbarimit të afatit të moratoriumit të skafeve, pra e thënë më thjesht, për të patur mundësinë e një shëtitjeje në det më së fundi pas 3 vitesh me një barkë. Por mesa duket dikush nuk e dëshiron përsëri një gjë të tillë, edhe pse nuk ka më një ligj, sido që të ketë qenë ai, që ta ndalojë.

Dhe akoma më e rëndë është kjo, kur ky mesazh nuk jepet nga politika, e cila në këtë të nxehtë mund edhe të “lajthisë”, por nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Pak ditë më parë, në një media vizive, ky zyrtar i lartë deklaroi se Policia e Shtetit përsëri nuk do të lejojë që barkat të dalin në det, sepse ligji na qenka në fuqi e për këtë duhet të ndërhyjë Parlamenti, i cili duhet ta “abrogojë” atë.

Këtu kemi të bëjmë, ose me një paaftësi totale për të lexuar e zbatuar ligjet e shtetit, ose me një mungesë kurajoje për të zbatuar ligjin, pra për të pranuar që efektet e tij kanë mbaruar, ose ajo që është më e rënda, pranimi për t’u keqpërdorur nga një  vullnet i caktuar politik.

Dhe për të qenë i qartë në lidhje me dilemën “lejohen apo nuk lejohen” në këtë verë të nxehtë mjetet lundruese, duhet thjesht të lexojmë ligjin, një ligj i dobët nga pikëpamja e teknikës legjislative, i strukturuar keq, por tepër i thjeshtë për të mos u kuptuar. Neni 2 i këtij ligji sanksionon: “Afati i zbatimit të këtij ligji është 3 vjet nga data e hyrjes në fuqi të tij”.

Duke patur parasysh që ligji është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 37 të vitit 2006 në datë 02.05.2006 dhe ka hyrë në fuqi 15 ditë pas botimit, përllogaritet që efektet e tij kanë filluar më datë 17.05.2006 e duke numëruar 3 vjet efektet e tij mbarojnë më datë 16.05.2009. Rrallëherë ligjet tona të lejojnë të bësh llogari kaq të thjeshta.

Ashtu siç i kanë bërë mjaft qytetarë, të cilët filluan të vajisin e çvajisin barkat e tyre për të rifilluar bizneset e pezulluara prej 3 vitesh apo për të bërë një shëtitje me barkë. Edhe Policia e Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i saj mund të shpihet e të fillojë të “lundrojë” në zbatim të detyrave funksionale të mbrojtjes së rendit e të sigurisë, kontrollit të kufijve e parandalimit e luftës kundër trafiqeve, në një situatë normale, në një vend normal.

Pas më shumë se 3 vitesh, gati 4 anormaliteti, kemi shansin të kthehemi në normalitet.

Apo mos ndoshta po gaboj? Edhe mundet, por në çdo rast edhe anormaliteti në vazhdim të kundërligjshëm të këtij moratoriumi, është një motiv më shumë që me kontributin e të gjithë ne, mund dhe duhet të mbarojë më 28 Qershor.

Lundrim të mbarë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).