Mitizimi i mitingjeve

Nëse ka ndonjë gjë në vendin tonë, për të cilën njerëzit mblidhen së bashku dhe braktisin për pak kohë hallet ose streset e jetës së përditshme, kjo pa dyshim që është mitingu. Koha në tërë këto vite ka treguar se shqiptarët i shndërrojnë mitingjet në festa, edhe kur nuk kanë ende asgjë për të festuar. Më së shumti mblidhen për të dëgjuar ndonjë lider partiak dhe për ta brohoritur, edhe atëherë kur gjatë pasazheve të caktuara të fjalimit të tij nuk ka asgjë për të përshëndetur. Tërë kohës duartrokasin, madje edhe atëherë kur momenti kërkon vëmendje të madhe dhe heshtje të thellë.

Këto dhe të tjera tipare që shfaqen pothuajse njësoj në të gjitha mitingjet e shqiptarëve, veçanërisht në ato me karakter politik, nuk mund të mos të të bindin se mitingjet në ditët tona janë kthyer në një zakon të jetës, në një rit të përhershëm të saj, pa ushtrimin e të cilit nuk mund të kuptohet vet jeta. Tashmë, të tërë e pranojnë që mitingjet janë si mitet dhe mitizimi i tyre, çuditërisht po forcohet gjithnjë e më shumë, sa kohë që intensiteti i jetës zhvillohet pa prerë. A thua është gjetur kjo formë e veprimtarisë së njerëzve tanë si për të kompensuar disi mungesën e atij kolektiviteti, shpesh herë të pa imponuar të kohës së shkuar, kur nuk ekzistonte një shoqëri e hapur?!

***
Një arsye kryesore për t’u mbledhur njerëzit në mitingje të tilla, ku ata vet nuk pretendojnë të formulojnë ndonjë kërkesë vetjake apo kolektive, duket se ka të bëjë veçse me faktin që duan të dëgjojnë e të shohin, të ndjekin një lider politik e të emocionohen prej tij. Mirë, deri këtu nuk ka asgjë të paarsyeshme apo të pashpjegueshme. Sepse, mund të ndodhë që fjalimi i oratorit të përmbajë nuanca të reja me interes të përgjithshëm, të cilat po të materializohen në vitet e ardhshme japin shpresa të fuqishme për ndryshime pozitive, në mos për jetën e tërë shoqërisë, së paku të një ose disa grupeve sociale të saj.

Por, edhe për këtë, mbase ia vlen të kujtojmë e të rikujtojmë fjalimin e parë në Pragë, këtu e afro dy dekada të shkuara, të të mirënjohurit Vaclav Havel, si kandidat për President i Republikës paskomuniste çeke. Ishte koha kur kudo nisi të frynte furishëm një erë e re dhe pjesëmarrësit e panumërt në atë miting duartrokisnin çdo frazë të platformës që ai, Haveli, po artikulonte dhe shpaloste. Dhe, lutja e tij ishte që ato duartrokitje do të kishin vlerë jo në ato momente, por atëherë kur të realizoheshin premtimet që bënte.

Ndërsa, këtu te ne, në vazhdimësi ndodh e kundërta. Akoma më shumë tani, kur njëra palë përpiqet me mish e me shpirt të mbajë pushtetin politik që me vrulle të papara e ka shpërdoruar, dhe tjetra që premton për një politikë të re, e cila do t’u japë njerëzve të këtij vendi shtysë të fuqishme drejt hapësirave dhe vlerave europiane. Njëri lider përsërit hop këtu e hop atje të njëjtat premtime të pambajtura që bëri përpara katër viteve dhe me të njëjtat tone të larta e ekzaltuese, tjetri të njëjtat formulime thelbësisht për braktisjen e politikës së vjetër 18-vjeçare; i pari tregon të njëjtin talent të rrallë dhe të veçantë të tij, për të sjellë në mitingje sasinë më të madhe të fjalëve me sasinë më të vogël të mendimit, i dyti shembullin bindës të ndryshimeve të Tiranës, që me energji të shumëfishuara mund të pasqyrohen në të gjithë Shqipërinë.

Sidoqoftë, nuk duket që në fjalimet e tyre të shmangen notat e zakonshme deklamative, nuk duket që t’i kushtojnë shumë vëmendje përgatitjes serioze të këtyre fjalimeve, që mbajnë ose do të mbajnë përpara qindra, por edhe mijëra njerëzve të tubuar, mitingashë të neveritshëm apo qytetarë të përgjegjshëm për fatet e tyre të ardhshme.

Ndodh kjo, pikërisht në një kohë kur përvoja perëndimore flet ndryshe për rëndësinë dhe rolin e këtyre fjalimeve në ndërgjegjësimin e grupeve të mëdha shoqërore, për shndërrimin e tyre nga objekt i ndryshimeve të premtuara, në subjekt të tyre. Një përvojë që ende edhe sot merr si pikë referimi fjalimin e njohur të Getinzburgut – 10 fjalitë, që qëndron me dinjitet në historinë amerikane dhe botërore të kësaj fushe dhe që autori, ish-Presidenti i paharrueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Linkoln e përgatiti jo në dy ditë, por në dy javë, dhe që deri në momentin e fundit e ndryshoi disa herë.

***
E pra, humbjes së vërtetë të vlerave të tubimeve elektorale prej klisheve fjalimore, i shtohet edhe bindja që rrënjosin partitë politike për rëndësinë praktike që mitingjet marrin si shprehëse të rezultateve të pritshme të votimeve. Dhe, përpjekje të shumta bëhen si në rastin e kësaj fushate zgjedhore, që ajo bindje të rrënjoset qoftë edhe me dhunë administrative dhe psikologjike.

Prandaj, si çdo gjë e sforcuar tej mase, që e humbet vlerën e pretenduar, edhe për votimet e pritshme ka mendime që mitingjet nuk mund të na mbushin mendjen paraprakisht, se cila forcë politike do të arrijë të grumbullojë më shumë mandate deputetësh apo cila prej koalicioneve parazgjedhore do të arrijë të formojë qeverinë e ardhshme. Këto mendime të shprehura herë pas here në media nga publicistë ose analistë të tyre, në opinionin e autorit të këtyre radhëve, edhe qëndrojnë, edhe nuk rrinë dot më këmbë.

Konkretisht, duke marrë parasysh edhe se sistemi zgjedhor aktual favorizon kryesisht partitë e mëdha, le t’u hedhim një sy me shpejtësi maviole disa mitingjeve të Partisë Demokratike dhe të asaj Socialiste. Në tubimet e organizuara nga të dyja këto forca politike është vënë re në përgjithësi një pjesëmarrje e madhe, diku më shumë e diku më pak, diku me panoramë djathtas, diku majtas.

Megjithatë, për grumbullimet rreth PD-së, të gjithë e kanë të qartë tashmë, se punonjësit e administratës kanë qenë të detyruar që të dalin, ca me flamurë blu, ca me dy gishtat lart. Për organizimin e mitingut pëdëist në Elbasan, për shembull, pëshpëritet se, për herë të parë janë përdorur listat e të punësuarve në arsim, shëndetësi, në energjetikë, në punë publike etj, etj, me anë të të cilave vihej detyrimi për të firmosur për daljen në shesh. Ndryshe, sanksionet ishin gati.
Pra, pavarësisht nga pamjet e përftuara nëpër ekrane, prej vet pjesëmarrësve në këto mitingje është shprehur nën zë bindja se, jo të gjithë do të shënojnë në fletën e votimit numrin 10, atë numër për të cilin nuk ka miting të PD-së ku të mos lëshohet thirrja, se ai na qenka numri i bekuar i së ardhmes. Kështu që nuk mund të mos u japësh të drejtë analistëve, kur shprehen që mitingjet nuk parathonë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Mirëpo, në krahun tjetër situata paraqitet ndryshe. Edhe atje mitingjet gëlojnë nga duartrokitjet, nga banderolat dhe pankartat, por pjesëmarrësit në masë duken më të vendosur për zgjedhjen e bërë. Megjithëse shpesh tentohet që të kërcënohen e bllokohen nga njerëzit e afërt me pushtetin për të vërshuar nëpër mitingje, siç ka ndodhur në Rrëshen, Peshkopi e gjetkë, përsëri e përsëri në sheshe dhe rrugë s’ke ku të shesësh mollën. Kjo tregon se, në këtë krah kemi të bëjmë me një elektorat plotësisht të identifikueshëm, që e ka shpallur tashmë votën e vet për dyshifrorin 33.

***
Edhe nga këto dy këndvështrime prej nga u hodhëm një sy mitingjeve elektorale, dallohet mjaft mirë që ato më së shumti janë të stisura dhe e kanë humbur vlerën e vërtetë. Nëpërmjet tyre sa vjen e më tepër përsoset ajo që po thirret me emërtimin ‘teknologjia e zhurmës’, kur duhet që, më së shumti, midis njerëzve të nderet një heshtje e thellë që është për secilin aq e nevojshme përpara se të merren vendime të rëndësishme. Festohet me fanfarë e tambura’, kur festa duhet të nisë më vonë, pas zgjedhjeve. Madje, për pak kohë, vetëm për pak kohë. Se jeta e çdo vendi, aq më tepër e këtij tonit, nuk ka kohë për të humbur, por për të nxituar, për të kapur ritmet më të shpejta, për të cilat oratorët e mitingjeve përbetohen tërë ngazëllim se do t’i arrijnë në një kohë më të shkurtër se sa nën udhëheqjen e tjetrit.

Meqenëse mitizimi i çdo figure apo veprimi lejon dhe nxit të mvishen ato me të qena e të paqena, me të vërteta dhe me përralla, nuk ka përse të pritet për mitingjet tona ndonjë përjashtim nga ky rregull. Por, në fund të fundit, ajo që mund të shpresojmë sot për sot është që ky romantizëm i çuditshëm të mos dublojë në jetën reale atë, më prozaikun e fantazisë njerëzore, mitin e Sizifit.

3 Komente

Njëri lider përsërit hop këtu e hop atje të njëjtat premtime të pambajtura që bëri përpara katër viteve dhe me të njëjtat tone të larta e ekzaltuese, tjetri të njëjtat formulime thelbësisht për braktisjen e politikës së vjetër 18-vjeçare; i pari tregon të njëjtin talent të rrallë dhe të veçantë të tij, për të sjellë në mitingje sasinë më të madhe të fjalëve me sasinë më të vogël të mendimit, i dyti shembullin bindës të ndryshimeve të Tiranës, që me energji të shumëfishuara mund të pasqyrohen në të gjithë Shqipërinë.

u lodh me shkrujt tere ate shkrim, me thon votoni per ed ramen..

ca patetiku

 

shifni psh mitingje tmitizume qe i kon djeg autorit:

Nga takimi zgjedhor në Qytetin Studenti

  

Fragmente nga takimi zgjedhor në Kukës

 

tsjellim klosin ose lubonjen t'i cmitizojn

 Or cuna nuk hyjne robt te peshkupauje me lexu gazeten shqiptare. Gazeta shqiptare ka faqen e vet dhe ka dhe njerez qe e blejne dhe nuk eshte nevoja te rilexojme ketu artikuj kaq te dobet.

Edhe nuk e leova shkrimin fare, sa pashe GSH, nga mesi kap ja ca pargrafe.

 

ore keot te GSH sikur kane nderruar zyrat me ZP.

 

p.s te shkosh ne miting me firme smiley po pse me te vertet mendoni se sheshi ne Elbasan ( cne aq sh njerez aman ) eshte mbushur me mesues edhe puntore KESHI plus edhe ca edukatore kopshti smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).