Mentaliteti kriminal i politikës dhe i institucioneve

Kur përpara disa javësh u ekzekutua deputeti i qarkut të Fierit, të gjithë njerëzit e pushtetit premtuan se vrasësi do të gjendet (e keni vënë re që ministra e kryeministra, sa herë që u leverdis, dalin e premtojnë faqe botës, se do të gjejnë autorët e X vrasjeje? Mbi ç’bazë e japin këtë garanci? Dhe pse herë e japin këtë garanci e herë nuk e japin? Pyetje interesante, apo jo?). Ndryshe, u tha ato ditë, dyshimet do të prishin klimën e zgjedhjeve. Por fushatës po i vjen fundi, dhe vrasësi nuk është gjendur. Gjithë çfarë na ka mbetur nga ajo ngjarje, ka të bëjë me deklaratat publike të ca policëve, të cilët bredhin studio më studio për të hedhur me demek dritë mbi ngjarjen e rëndë. Mirëpo në të vërtetë kanë bërë të kundërtën, d.m.th e kanë kallur ngjarjen në terr. Po pse dreqin dalin e kapardisen përballë kamerave këta policë, ndërkohë që neve na lipset jo fytyra e tyre, por fytyra e vrasësit? Kjo merret vesh, së pari, ngaqë urdhërohen nga pushteti, i cili është i interesuar në rastin më të mirë të bëjë luftë me panikun mes qytetarëve, së dyti, ngaqë janë të mbërthyer nga zjarrmia e protagonizmit e, së treti, kjo është një rrethanë ekstreme, ngaqë duan të mbulojnë një krim të bërë prej tyre ose në bashkëpunim me ta.

Po pse nuk u dashka të dalin e të informojnë publikun? - mund të pyesë ndonjë që ngushëllohet prej një protagonizmi kësodore. Për dy arsye. Së pari, ngaqë policët flasin me vepra e jo me fjalë. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që një shef policie të ngrefoset në një studio televizive për nja dy orë të mira, duke harruar se qytetarët nuk presin prej tij dëngla mediatike, por presin që ai t’u dalë zot në mënyrë të përulur detyrave e përgjegjësive të veta. Ka edhe një arsye të dytë, e cila e nxjerr të tepërt e të panevojshme arsyen e parë: hetimi i një ngjarjeje kriminale nuk është kompetencë e policisë. Është në fakt një kompetencë e prokurorëve, dhe nuk merret vesh pse këta të fundit nuk ngrenë zërin kundër kësaj sjelljeje furacake, e cila shpesh mund t’u bëhet krah autorëve të krimit apo - gjë që në thelb është e njëjta gjë - mund të çorodisë e dekonspirojë procesin hetimor. Policia e Republikës ka për detyrë të bëhet e gjallë e të veprojë me shpejtësi rrufe me t’u informuar mbi ngjarjen; ka për detyrë të informojë prokurorin e gatshëm lidhur me atë që ka ndodhur; ka për detyrë të shkojë në vendngjarje, të bëjë këqyrjen e vendngjarjes, të vihet në mbrojtje të provave e të rrethanave të padëmtuara të krimit, të cilat më pas u lihen nën administrim prokurorëve; ka për detyrë të bëjë hetimin në të nxehtë, mbi bazën e të cilit mund të vihet aty për aty në ndjekje të autorëve të krimit. Dhe me këtë, policia e lë funksionin e prima donna-s; këtë funksion e merr prokuroria.

Kjo ndodh në Shqipëri? Jo, ndodh tjetra. Pothuaj në të gjithë rastet, prokuroria qëndron larg kamerave. Është policia që informon në vijimësi, që investigon, që sqaron pa fund rrethanat e ngjarjes, që premton se autorët do të kapen, që merr përsipër ballafaqimin me faktorë e aktorë të jetës publike, që kërkon të davarisë dyshimet mbi politikën apo mbi pushtetin. E keni vënë re që, sapo bëhet një akuzë publike ndaj një pushtetari - duhet thënë se është shumë e shpifur moda e akuzave të tilla - del policia dhe thotë gjëra që rrëzojnë akuzën e bërë ndaj pushtetarit? Për ç’dreqin i intereson policisë akuza që i bëhet njërit apo tjetrit politikan? Te kjo polici, e cila nuk e ka mendjen të bëjë të ndihen të sigurt qytetarët, por e ka mendjen të mbrojë dinjitetin e integritetin e pushtetarit, nuk është mëkat të dyshosh.

Doni një ilustrim? Po, e kemi taze. Ka të bëjë me reagimin e menjëhershëm të policisë ndaj akuzës së rëndë që iu bë Jozefina Topallit nga demokristianët. Nuk është se policia u mor me këtë akuzë (nuk janë aq budallenj, siç duket), por menjëherë pas çalltisjes së demokristianëve, dolën e thanë se viktima njihej si trafikant droge e eksplozivësh. Hë, më thoni, policë janë këta? Këta janë ç’të doni, por policë nuk janë. Pse? Ndërkohë që të gjithë qytetarët shqiptarë duan të dinë se kush e ekzekutoi kryetarin e Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe, një javë përpara ditës së zgjedhjeve, policia del e na tregon mëkatet e viktimës. Ndërkohë që të gjithë ne duam të dimë kush e kreu krimin, policia nxiton të bëjë kriminalizimin e viktimës. Edhe në vendet më qesharake të botës, edhe në vendet pra, ku “rule of law” është një rrenë e madhe me bisht, nuk mund të ndodhë që policia të merret me diskreditimin e viktimës përpara se të merret me gjetjen e autorëve të krimit. E megjithatë, ndodh në Shqipëri.

E nuk ka sesi të mos ndodhë, në një kohë që kryetarja e parlamentit, edhe pse akuzohet si urdhëruese e krimit prej politikanësh e deputetësh, nuk denjon të dalë e të thotë: “Hej njerëz, ç’po thoni kështu? Si ju shkon mendja të më akuzoni mua si vrasëse? Si ua bën goja ta thoni këtë mynxyrë? Merrini mbrapsht ato fjalë, pasi unë jam kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, alias dinjitarja numër dy e Republikës”! Ose, le të mos i thotë këto fjalë, por le të ngrejë një padi kundër këtyre njerëzve. Po pse nuk e bën këtë reagim zonja Topalli? Mos vallë ajo e ka vrarë vërtet Aleks Kekën? Jo, është çmenduri ta mendosh këtë gjë, e në këtë kuptim, Ndoka me të vetët nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përpiqen të mjelin një viktimë në mënyrë elektorale.

Si shpjegohet atëherë? Shumë thjesht. Zonja Topalli, bashkë me plot të tjerë në politikën shqiptare, edhe pse s’ka urdhëruar e s’mund të urdhërojë asnjë vrasje, ka një mentalitet të dhunshëm e kriminal, megjithatë. Kjo nuk duket veç te fakti që ajo e të tjerë si ajo, nuk e bëjnë qejfin qeder kur akuzohen si vrasës. Duket gjithashtu dhe te gjuha e vrazhdë e virulente që përdorin në komunikimin publik; duket në fund edhe te përdorimi i pacipë i policisë, e cila me të parën gjë që i thotë publikut e qytetarëve pas kësaj ngjarjeje kriminale hedh dritë, jo mbi emrin e identitetin e vrasësit, por mbi mëkatet e biografinë e viktimës.

2 Komente

O Muc kesaj radhe e ke gabim. Kjo vrasje eshte bere vetem per qellime te pastra politike duke perdorur si alibi faktin se kjo vrasje 1 jave perpara zgjedhjeve vetem sa demton imazhin e PD-se. Imazhi i PD-se megjithe bemat e 2 viteve te fundit eshte bere i teri zi apo bloze. E megjithate ata mbahen forte e do te bejne cdo gje anti ligjore per ti fituar keto zgjedhje, pavaresisht se e dine qe do te kontestohen dukshem edhe nga nderkombetaret. Shprehja "bej kujes se i mbyturi te mbyt" duhet te merret shume seriozist nga opozita dhe e djathta e vertete nese duan qe te mos ja japin Saliut keto zgjedhje. Ujku qimen e nderon, por zakonin se harron.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).