Mediat dhe miza e uthullës

Para disa ditësh më qëlloi të mësoj për një eksperiment që bëhet në laboratorët e gjenetistëve me mizën e uthullës, së cilës në gjuhë shkencore i thonë drosophila e që në shkollë na e kanë shqipëruar në drosofilla. Për ata që nuk e njohin, është një mizë e vogël, shumë e bukur, me kokë të kuqe, trup të verdhë dhe bisht të murrmë. I pëlqejnë shumë ambientet me lagështirë e të ëmbla dhe është një nga më të përdorurat në eksperimentet shkencore, pasi ka aftësinë të shumohet shumë shpejt.

Pak a shumë, eksperimenti konsistonte në vendosjen e  tufës së mizave të drosofillës përpara një bananeje, e cila (banania) i tërheq shumë ato, për shkak të ëmbëlsisë së saj. Synimi i eksperimentit ishte studimi i aftësisë memorizuese të drosofillës. Për këtë, në mes të rrugës për te banania, drosofillat i nënshtroheshin një elektroshoku. Dhe kjo punë përsëritej. Drosofillat vendoseshin përsëri e përsëri përpara bananes dhe gjithherë, në rrugë e sipër për te banania, i nënshtroheshin elektroshokut të beftë. I gjithë eksperimenti konsistonte në atë që të veçonte drosofillat që zhvillonin një kujtesë të elektroshokut, të cilat pra, arrinin të bënin një lidhje midis rrugës drejt bananes dhe elektroshokut, me drosofillat që, me gjithë elektroshokët e pësuar një herë, e dy herë, e tre herë, përsëri nuk arrinin që nuk arrinin ta zhvillonin këtë kujtesë. Të parat, pas njëfarë kohe të përsëritjes së goditjes me elektroshok, nuk e merrnin më rrugën për nga banania, kurse të dytat shkonin që shkonin te ajo. “Reinforced memory” quhej eksperimenti në anglisht, d.m.th. kujtesë e përforcuar apo përforcim i kujtesës. Nëpërmjet tij, mesa kuptova, studioheshin pastaj mekanizmat e kujtesës.

Nuk di sesi, por kur mësova për këtë eksperiment, mendja më bëri një lidhje automatike mendimi me fushatën tonë elektorale të fundit dhe mediat si transmetuesit e saj kryesorë. Le ta shpjegoj.

 Po të vesh re elektoratin tonë, që po bombardohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, sipas meje, të pamëshirshme nga kjo fushatë, atë fare mirë mund ta ndash në dy kategori, në të cilat i ndan drosofillat eksperimenti i gjenetistëve: në elektoratin pa kujtesë dhe në elektoratin me kujtesë. Drosofillat pa kujtesë janë pra, ato që zakonisht në gjuhën gazetareske i quajmë elektorati besnik. Është ai që ka votuar gjithnjë PS-në, edhe kur ishte Ramiz Alia, edhe kur ishte Fatos Nano, edhe tani që është Edi Rama, si dhe ai që ka votuar përherësisht PD-në me një lider të vetëm: Berishën. Sado që të bjerë elektroshoku i mediave mbi këto drosofilla, ato nuk e ndërrojnë drejtimin. Sikurse kuptohet, po të kishte vetëm drosofilla kësisoj, nuk do të kishte nevojë të harxhonim gjithë ato lekë për fushata elektorale. Por është edhe kategoria tjetër, më e vogël, që ka aftësinë të ndërrojë rrugë, për shkak të kujtesës së elektroshokut. E kuptoni pra: e gjithë fushata bëhet për pak drosofilla të ashtuquajtura me kujtesë. Të gjithë elektroshokët me sistemin e memories së përforcuar bëhen për to. I keni parë se sa herë jepen në mediat tona historitë e Gërdecit, rrugës Durrës-Kukës, Shkëlzenit, Argitës?! A e keni parë, nga ana tjetër, sesi përsëriten e stërpërsëriten lejet e ndërtimit me të cilat ka korruptuar gjysmën e dynjasë Rama?! Elektroshokë pafund. E gjitha bëhet për të arritur që disa drosofilla të kujtohen, më në fund, e të mos e marrin rrugën drejt bananes rozë, por të shkojnë te banania blu dhe anasjelltas. Dikush në këtë pikë do të më thotë: zotëri, mediat nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përpiqen t’u kujtojnë njerëzve elektroshokët që janë pësuar nga këta politikanë dhe rrethi i tyre. Pse gjë e vogël të duket ty Gërdeci? Gjë e vogël të duken tridhjetë leje ndërtimi për Delijorgjin e Gërdecit? Mirëpo unë e kam hallin gjetkë. Sepse, sikurse thashë, këtu bëhet fjalë për një pakicë drosofillash, ose më shqip mizash uthulle, që konsiderohen inteligjente, me kujtesë. A kanë ato vërtet nevojë për kësi lloj elektroshokësh të fuqishëm mediatikë? - është pyetja që shtroj. Sepse, sinqerisht, në këto kushte ku jemi katandisur, unë e kam të vështirë të them se cila nga dy kategoritë e drosofillave janë më të mençura: ato besniket që shkojnë gjithmonë te banania rozë apo banania blu, apo ato që çdo katër vjet u duhet të ndryshojnë mendje e të shkojnë nga bluja te roza apo nga roza tek bluja, duke mbetur gjithnjë me gisht në gojë. Këto të dytat do të quheshin më inteligjente sipas disave, sepse dinë të dallojnë të keqen, por sipas disa të tjerëve, këto mund të quhen thjesht e vetëm drosofilla të çoroditura, për të mos folur për ata që i gjykojnë si krejtësisht budallaqe, sepse nuk i janë përshtatur këtij ambienti, ku besnikëria ndaj një bananeje të siguron mbijetesën shumë më mirë sesa bredhja nga njëri hu në tjetrin. Unë do t’i quaja të çoroditura. Sepse, pasi e kanë mësuar një herë më në fund të lidhin elektroshokun me bananen rozë, tani u duhet të rimësojnë lidhjen e elektroshokut me blunë e të shkojnë te roza apo anasjelltas. Kjo është krejt çoroditëse, sepse ç’ndodh me kujtesën e parë? Si i bëhet që ajo të fshihet fare, që të reinforcohet kjo e dyta. Elektroshok edhe më i fuqishëm. O burra, kush të forcojë elektroshokun mediatik.

Po ç’të keqe ka këtu, do të më thotë lexuesi. Fushatat elektorale kështu bëhen edhe në Perëndim: përcaktohen disa prioritete dhe ato përsëriten pafund që të nguliten në mendjen e zgjedhësve. Pastaj nuk janë vetëm elektroshokët, janë edhe lajmet e mira: ngjyrat që vezullojnë te bananet blu e rozë, -premtimet do t’i quanim jometaforikisht. Se mos thashë unë që më pëlqejnë fushatat perëndimore! Por problemi që dua të ngre nëpërmjet kësaj metafore, që si të gjitha metaforat ka edhe ajo kufizimet e veta, është ai i reduktimit tonë nga qenie njerëzore me arsye që kërkon të kuptojë lidhjen shkak-pasojë të fenomeneve, në drosofilla që goditen vetëm me elektroshokë pasojash, pa u bërë asnjë përpjekje për t’u shpjeguar shkaqet. E kam pra, me ato media që nuk bëjnë tjetër, veçse përpiqen të na bëjë elektroshok, që të mos shkojmë te banania rozë apo blu, ndërkohë që harrojnë se, ndërkaq, në kujtesat tona të mëparshme ne kemi mësuar mëse një herë se nuk duhet të shkojmë te njëra apo tjetra, e se logjika e kërkon që, nëse duam të bëjmë një hap evolutiv nga drosofiolla te njeriu, neve na duhet të kërkojmë rrënjët e së keqes e jo të pësojmë elektroshokë gjithnjë e më të fuqishëm nga ato që na e masakrojnë fare trurin. Neve na duhet një rrugë tjetër pa elektroshokë dhe që të kërkojmë një rrugë tjetër na duhen dy gjëra: së pari një shpjegim se përse ndodh që, qoftë te banania blu, qoftë ajo rozë elektroshokun e kemi të pashmangshëm? Për ilustrim: pse Delijorgji i Gërdecit pasi u pasurua nëpërmjet lidhjeve me ministrat socialistë dhe lejet e ndërtimit të Ramës, arriti fare mirë të bëhet njësh edhe me ministrat (deri të birin) e Berishës dhe, së dyti, të na mundësohet ndërtimi i alternativave. E pra, kjo kërkon më së pari analiza të sistemit që kemi ngritur, kurse neve na bien mbi kokë vetëm elektroshokë.

Dikush në këtë pikë do të më thotë: qenke çoroditur vërtet, përderisa nuk e kupton se kjo s’bëhet për ty, që dashke analiza, por për mizat e uthullës që e kanë votimin për herë të parë e që kanë nevojë për elektroshokë. Aha, më kishte dalë nga mendja se drosofillat shumohen shumë më shpejt se njerëzit. Po mirë, a nuk mund të ndajnë të paktën në lajmet televizive, debatet dhe faqet e gazetave edhe ndonjë hapësirë të vockël, po, po, të vockël fare, me shënimin “për njerëzit”.
 

6 Komente

Llukan, e bete "vinegar all the way" (teme e perseritur ketu me nje llaf)! te jete balsamic te pakten.  smiley 

PS Jam kurioz te di mendimin tend per keto muhabete lubonjane. Hipoteza ime eshte: Kjo nuk eshte analize, por asgje me shume se nje muhabet i lezetshem ne nje klub galant per kuartet kafe dhe konjaku" (Kjo eshte my null hypothesis; si do ta hidhje poshte kete ti, Llukan?)

 

elektroshok i amplifikuar nga media, kjo eshte dhe me e keqja

OK, Lluke, "heshtja"  smiley  smiley   nuk rrezon dot asnje hipoteze. Po te jap nje shembull si duhet te jete nje analize mbi fushatat elektorale, shih kete psh. Asnje sperdredhje kot me kot, asnje roberi ndaj krahasimeve e metaforave, asnje vuajtje nen peshen e perpjekjes per te bere medemek edhe letersi, kur Zoti nuk te ka gatuar per ate gje. Perkundrazi, thjesht  analize, me metodologji, me strukture studimi, pa pas neovje per muhabete klubi me miza uflle. Kaq gje kam te drejte te kerkoj nga te perceptuarit si top-analiste te vendit tim. E di qe nga natyra shkrimi i temes ketu dhe shembulli i sjelle prej meje mund te quhen "apples to oranges"; ajo qe po mundohem te them eshte serioziteti ne te analizuar, ajo dickaja qe dallon nje smart-ass lokali "qe mban gjalle tavolinen" me nje analist serioz. Nuk po ndalem fare ne gabimet themelore te shkrimit (ajo puna e mundgeses se kujteses se lektoratit eshte e ububushme! ashtu qesim flisnin njerezit ne alidem, te klubi i NSHN Minieres). As nuk po them qe keta ("analistet&quotsmiley te jene gjithdites, te njohin deri imtesite e teorise se "katroreve me te vegjel" apo te "gjasave me te medha" (maximum likelihood estimation); ama nje prirje per te folur (edhe) statistikisht e kerkoj qe c'ke me ate pune. Prej statusit te tyre. Eshte pikerisht ajo qe tha para pak ditesh z. Fuga:

"Vështrimi profesional kërkon studime të mirëfillta në terren, botime, punë shkencore në grup, analiza empirike e statistike të detajuara...  Duhen studime... Se po shoh që ka individë që sillen me vlerësimin shkencor sikur të ishin gjykatës apo prokurorë. Nuk argumentojnë, por shpallin verdikte." 

U bene "analizat" pese leke copa. U bene muhabete.

Fatos,

kjo dynja ka tyrlisoj sharlatanesh qe bejne hije si kinezet ne mengjes kur lind dielli.  E di pse e them kete ? Po thjesht sepse nuk kane se si ta kuptojne qe numri i personave qe mund te bejne kete pohim kurajos :

Për ilustrim: pse Delijorgji i Gërdecit pasi u pasurua nëpërmjet lidhjeve me ministrat socialistë dhe lejet e ndërtimit të Ramës, arriti fare mirë të bëhet njësh edhe me ministrat (deri të birin) e Berishës dhe, së dyti, të na mundësohet ndërtimi i alternativave.

jane te paket , me pak se gishtat e dores. Sepse nuk kane cer kuptojne se e kane jeten te mllefosur dhe gjithe andralla. Pra nese e shikon ky soj kerkon qiqra ne hell ose ose me shkurt keta jane qe fluturojne me pras gjithe kohen.

E kam pra, me ato media që nuk bëjnë tjetër, veçse përpiqen të na bëjë elektroshok, që të mos shkojmë te banania rozë apo blu, ndërkohë që harrojnë se ....

Kjo per nje takem eshte jashtezakonisht e veshtire te kuptohet, bile bile shkon tek e pamundura. Shkon sepse t`i perqasesh asaj qe ndodh ketu nga pozitat e nje njeriu qe e streson e perditeshmja e nje realiteti tjeter dhe te gjykosh per ate te memedheut me armen e vetme qe ke ne dore , dmth se di te shkruash shqip, kjo eshte shume per te qeshur. DHe vetem kaq, se mbase ndonje do thote pse harrove "per te qare". Jo, e mos kuptuarit eshte belaja e te zot jo e imja, aq me pak pastaj e dynjallukut ketu qe i heq keto kusure.

Pese yje Fatos dhe mos harro qe nuk shkruan per kaqolat qe vertiten si spermatozoide nga njera bole ke tjetra.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).