Mbi exit polls

Bleva në mbrëmje gjësende në supermarketin e mëhallës dhe isha dëshmitar (ose më mirë të them përgjues) i një bisede midis dy blerësve, qytetarë të thjeshtë që blejnë bukën rrugës prej punës deri në shtëpi, ku i presin harambashët rreth tavolinës së drekës.

Diskutonin zgjedhjet. Dhe, të dy, parashikueshëm, ishin demokratë të flaktë. Njëri fillimisht shprehte frikën se “të huajt mund t’i vjedhin zgjedhjet sepse preferojnë Edin për t’i dobësuar shqiptarët”.
Teoria konspirative më intrigoi, por përgjigja e bashkëbiseduesit ishte edhe më shokuese: “E vërtetë është – Rama do ta sabotojë rrugën për në Kosovë, sepse grekët e kanë paguar të ndërton autostradë kah Greqia për ta shpëtuar ekonominë greke”.

Tjetri u pajtua dhe u kap për “Gani Bobin” duke thënë se nëse votat dalin ndryshe, kjo është dëshmi që ka pasur lojë të ndyrë nga “të huajt”.
Është anekdotë kjo e cila assesi nuk mat saktësisht sentimentin e kosovarëve rreth zgjedhjeve në Shqipëri, por e përmenda për të nënvizuar dy të vërteta rreth zgjedhjeve në Shqipëri.

Berisha dhe Rama pardje papritmas u treguan si politikanët më të pjekur në skenën politikë shqiptare andej e këndej kufijve. Të dy shpallën demokracinë dhe Shqipërinë fituese.

Ju besova sinqerisht porosive tyre, sepse jam i bindur që të dy janë dedikuar pikësëpari Shqipërisë dhe Shqipërisë në Europë.

Doktori ka bërë hata dhe ka treguar lidership të pathyeshëm në lansim dhe përfundim rekord të një projekti historikisht të rëndësishëm. Ka drejtuar ekonominë e Shqipërisë drejt ujërave më stabile dhe, duke u plakur, është moderuar pakëz në mënyrën e udhëheqjes.

Edi ka bërë hata në menaxhim, rindërtim dhe zbukurim të qytetit të Tiranës. Qytetet shqiptare, kudo që janë, lëngojnë nga menaxhimi i keq, pejsazh urban estetikisht të gërditshëm dhe kolaps në ofrim të shërbimeve qytetarëve, prej Ulqinit e deri tek Prishtina, e tutje në Tetovë. Edi dëshmoi se kur ekziston dëshira e vërtetë, gjenden edhe resurset për të implementuar zhvillimin pozitiv të një qyteti.

Që të dy janë miq të dëshmuar të Kosovës.

Kam një anim të lehtë kah Edi, thjesht për shkak të bindjes se Berisha i pat boll 20 vjet dhe se duhet vënë kapakun një epoke të historisë politike tek shqiptarët.

Tek shkruaj këta rreshta, ende nuk dihet përfundimisht dhe pa mëdyshje se cili koalicion do të marrë shumicën.

Doli që Shqipëria qenka e përpjesëtuar në dyshe gati të barabartë. Tek votat anohet lehtë tek e majta, tek mandatet tek e djathta. Ndoshta kur i lexoni këta rreshta, fituesit tashmë do të dihen.
Por, nga situata e krijuar - duhet nxjerrë edhe një vërtetë e dytë.
Exit polls, ose sondazhet e çastit pas votimit, kur anketuesit pyesin votuesit se për kënd do kanë votuar.

Në Shqipëri, që të tre exit polls paralajmëruan fitore relativisht të bindshme për të djathtët. Shkëlzen Maliqi gjithmonë i kujdesshëm dhe pollsterat tjerë ishin nën presion të mediave të shpallin fituesin. Në një moment, kumtoi se koalicioni i djathtë do të fitojë 76 mandate, dhe se për këtë është “98% i sigurt”.
Ky është dallimi më i madh midis sondazheve dhe numërimit të vërtetë të votave.

Exit polls për mediat dhe politikofilët janë dhuratë nga zoti. Mbushin orët e programit dhe rrisin shikueshmëri.

Exit polls jo veç që mund të parashikojnë saktësisht rezultatet, ato shpesh përdorën për t’i verifikuar rezultatet.

Lexova një studim të Penn University për exit polls, dhe aty thuhet se Meksiko ka filluar reformimin e demokracisë mu me futjen në agjendë elektorale edhe exit pollsat, gjë që ka krijuar kushtet për garë të pastër (dhe humbjen e parë të partisë në pushtet pas 70 vjetëve). Në Gjeorgji e Ukrainë, exit pollsat sinjalizuan fitore të qartë të opozitës, dhe kur pushteti pro-rus në të dy shtetet u mundua t’i vjedhë zgjedhjet, që të dy shtetet përjetuan kryengritje demokratike që sollën në pushtet forcat pro-perëndimore.

Në anën tjetër, e kujtojmë rastin e John Kerryt, kandidatit fatkeq i demokratëve amerikanë në zgjedhjet presidenciale të 2004. Që të 4 stacionet kombëtare televizive në Amerikë parashikuan fitore të Kerryt, bazuar në të dhënat e exit polls, edhe pse numërimi i votave dëshmoi për një fitore befasisht të lehtë të George Bush Të Riut.

Diskrepanca në atë rast shpesh ka qenë e çuditshme. Në shtetet si New Hampshire, CNN ka pasur margjinë të gabimit prej 13% në mes të sondazhit dhe rezultatit përfundimtar.

Shpjegimet për këtë diskrepancë statistikore janë të shumta. Shumë të anketuar, thjesht, rrejnë kur përgjigjen se për kë kanë votuar, dhe atë kryesisht duke favorizuar partinë në pushtet. Motivi është vetë-censura normale dhe krejtësisht njerëzore që e bën njeriun të kujdesshëm ndaj kujtdo që është në pushtet. Kujtojmë se në Fier një i ri u plagos pasi që u përgjigj në një anketë të exit polls, për shkak se disa të tjerëve nuk u kishte pëlqyer përgjigja e tij.
Ka edhe shpjegime tjera, krejtësisht në domenin e shkencës se statistikës, ku shpjegohen diskrepancat e ndryshme dhe sjelljet e anketuesve dhe të anketuarve që mund të shkaktojnë lëvizje të lehta, por domethënëse në sondazhe.

Sido që të jetë, mbetem fan i exit polls. Më duken si mjet i mirë për të edukuar qytetarët për mënyrën se si funksionon demokracia. I bën politikanët të vetëdijshëm për luftën precize për vota të ndara në rajone, gjini dhe grupmosha.

Nëse bëhen nga profesionistë dhe me qëllime të mira, exit polls mbeten si mjete më të mira për mbrojtje të demokracisë. Kushdo që do të donte të vjedhë vota, duhet të bëjë hesap se ka një lojtar në sistem që mund ta përgënjeshtrojë hajnin.
Fare në fund, zgjedhjet në Shqipëri, me exit polls, numërime publike me kamera, proces transparent dhe të përcjellshëm, duhet patjetër të shërbejë si model për kosovarët dhe zgjedhjet tona në nëntor 2009.

Shoqëria civile duhet të organizohet dhe të avokojë fuqishëm tek Komisioni Qendror Zgjedhor dhe aktorët vendas dhe ndërkombëtarë, që sistemi të jetë i hapur për publikun, i dokumentuar me kamera (që tashmë është kërkesë zyrtare e AKR’s&eumlsmiley dhe i pastër si loti. Kur viti të përfundojë, mund të themi se për herë të parë shqiptarët ishin në gjendje të menaxhojnë demokracinë, ta përcjellin me sondazhe dhe debate, duke lënë edhe humbësit të kënaqur me mbarëvajtje të zgjedhjeve.

5 Komente

Po sikur mos te postohen me artikujt per konkluzionet hijerenda te posteffekteve zgjedhore? Jemi lodh kaq shume vetem me nje sit interneti e nje forum, dhe nje jehone disa ditore na duhet.

Ska hatermbetje jo po fitoi idhulli yt, jo po imi, hajde e fillojme dhe njehere nga fillimi.

Doktori ka bërë hata dhe ka treguar lidership të pathyeshëm

Edi ka bërë hata në menaxhim, rindërtim dhe zbukurim

 

Hata more, hata kane bere qe te dy, ja hajde na pyet ne te "hatarumit" smiley

c'na gjeti, po pse nuk i quajne thjesht e qarte sondazhe... ?

O Peco, nuk funksionojne exit-polls ne Shqiperi ore. Se nuk e di pse bejne lesho-opinionistet llafe a dolen a s'dolen exit-pollet. Nuk thane te verteten, dhe jo per faj te tyre, por sepse grupet kamikaze te pd-se qe rrinin jashte qendrave te votimit drejtonin militantet e pd-se qe dilnin nga votimi qe te shkonin te mbushnin letren te exit-pollet. Ne nje shkolle te Tiranes ku kishte 5 qendra votimi, rezultatet e exit pollit deri ne oren 1 te drekes ishin 28 vota pd, 8 vota LSI dhe 7 vota PS. Ne te pesta qendrat, e majta fitoi bindshem sic ka fituar gjithmone ne ato qendra, biles pak me shume. Kshu o Peco, exit pollet e gani leshit and co. 

Diskrepanca?! Po prape i marrin fjalet kallep keta? duhet te hapim dhe fjaloret tani per te lexuar shqip?! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).