Masakrimi i politikës

Fushata elektorale e këtij viti dallon shumë nga fushatat e zgjedhjeve të mëparshme jo vetëm si pasojë e aplikimit të një sistemi të ri zgjedhor, por edhe si pasojë e shterpëzimit të ofertës politike të garuesve dhe shterimit të admirimit politik për liderët respektivë. Pretendimet se sistemi i ri zgjedhor kinse do të përmirësonte ofertën politike, e kanë dëshmuar tashmë veten si të rreme, pasi u pa qartë që listat e partive nuk u pastruan nga biznesmenët, banditët apo të përlyerit e diskredituar dhe ndërkohë në terren po vijojnë të njëjtat teknika për të blerë vota, korruptuar komisionerë e bërë për vete të fortët me ndikim. Mirëpo kjo lloj ripërsëritje e së njëjtës melodie të vjetër të politikës së vjetër, ekzekutuar nga politikanë të vjetruar, me sa duket, nëse ka sjellë ndonjë ndryshim thelbësor, atë e ka pasur pikërisht te ngordhja e nervit politik dhe te venitja e militantizmit.

Hendeku midis elitës politike dhe publikut apo masave hendek u pa qartë nga fakti që dy partitë kryesore në zgjedhjet lokale morën në proporcional nga 24% dhe 20% të votave respektivisht, çka i shtyu të dyja partitë në një ujdi alla duopoli të kurdisnin një reformë elektorale që garantonte artificialisht pushtetin e tyre absolut. Mirëpo pragfushata dëshmoi që aq shumë është thelluar ky hendek, sa lidershipi politik nuk i beson më as anëtarësisë së partive politike përkatëse, përderisa u desh që listat të bëheshin në fshehtësi totale e të dorëzoheshin në momentin e fundit për të eliminuar çdo mundësi që të pakënaqurit të shkonin "të flinin me mullixhiun nga inati i vjehrrës".

Tipari kryesor i kësaj fushate është mungesa e përmbajtjes politike, zbrazëtia e identitetit ideologjik dhe mangësia e vizionit të platformave dhe programeve të qarta politike. Qeveria nga një anë fushaton me një bilanc teknik, duke bërë krahasime të vitit 2009 me atë 2005, sikurse qëmoti krahasohej viti 1974 me atë 1938, duke nxjerrë në pah zetorë e traktorë që ndërtojnë "Shqipërinë e Re" dhe vepra të mëdha, si dhe duke u mburrur se sa dorëlëshuar janë me shpenzimet e parave të taksapaguesve, duke i hedhur ato në rrugë e rroga. Opozita nga ana tjetër orvatet të kërkojë një realitet virtual përtej së majtës dhe së djathtës, duke bërë më shumë prokurorinë sesa opozitën, e duke pretenduar pushtetin bazuar vetëm në gabimet që ka bërë qeveria, pra duke treguar vetëm motive pse kjo qeveri duhet të bjerë e jo pse u dashka të zëvendësohet nga qeveria socialiste. Kryeministri kërkon vota socialistësh e kryeopozitari kërkon vota djathtas, pra taktikë tipike "kap gjithçka" (catch all).

Në kushtet kur aktorët politikë kryesorë janë të vjetruar dhe roli frymëzues i liderëve është zbehur nga përbaltja e pashtershme ku ata kanë qenë njëherazi xhelatë dhe viktima, normalisht do të pritej e shpresohej si masë kompensuese një ideologjizim i debatit politik. Fatkeqësisht po ndodh e kundërta, po përvijohet një pikiatë e debatit përmbajtësor politik dhe kjo vrasje që i bëhet identitetit apo përmbajtjes politike, padyshim që do demobilizojë publikun shqiptar dhe do bëjë që pjesëmarrja në votim të jetë shumë e ulët. Në kohën kur s‘ka përmbajtje, ka përbaltje, dhe sa më shumë përbaltje e sulme personale të ketë, aq më shumë mosbesim ka në publik ndaj këtyre liderëve të njollosur.

Mirëpo simptomat e dekurajimit nuk po vihen re vetëm te marrëdhënia me elektoratin, por edhe te demobilizimi i militantëve për të cilët politika e numrave të thatë pa ngjyrë, e aleancave fluide, e lëvizjeve pragmatiste dhe niveli i skajshëm i korrupsionit janë duke e fashitur pasionin politik. Përpos shohin se avancimi përpara në politikë s‘ka të bëjë me meritë, zell apo talent, por me servilizëm ndaj liderit. Edhe ata militantë "batakçinj", të cilët angazhohen nëpër parti për të vjelë rentën apo për të siguruar plaçkën pas bastisjes së shtetit nëpërmjet marrjes së pushtetit, tashmë janë shumë të demoralizuar. Pikësëpari, ky demoralizim i partizanëve interesaxhinj vjen sepse militantët shohin që ata të cilët janë sipër, janë duke vjedhur jashtëzakonisht e ndërkohë këta ushtarët janë duke mbledhur krunde, në mos asgjë. Dhe mundësia që militantët e thjeshtë të vjelin rentë si shpërblim politik për punën e bërë, sa vjen e zbehet për disa arsye.

Niveli i lartë i korrupsionit që ka prekur nivelet më të larta të shtetit e ka eliminuar pothuaj tërësisht favorizimin politik për bizneset e mëdha. Nuk ka më rëndësi që licenca apo tenderi t‘i jepet një biznesmeni në varësi të bindjeve politike. Tanimë dallimin e bën kush ofron ryshfetin më të madh e jo besnikërinë apo mbështetjen politike. Edhe mundësia e partisë shtet për të shpërblyer nëpërmjet pushtetit është minimizuar si pasojë e privatizimit apo derregullimit. Këto dy procese kanë bërë që një numër i madh ofiqesh publike të eliminohen ose të jenë transferuar tashmë në dorën e sektorit privat. Decentralizimi gjithashtu ka kaluar një pjesë të ofiqeve që dikur kanë qenë të varura nga pushteti qendror, në dorën e pushtetit vendor, i cili kontrollohet shpesh nga kundërshtarët apo aleatët.

Mirëpo mundësia për të shpërblyer ekonomikisht militantët pragmatistë është zvogëluar edhe si pasojë e vetë kontekstit ekonomik ku gjendemi. Në hapat e parë dhe gjatë zgjerimit të tregut tonë, një favor politik i bërë ndaj ndonjë anëtari të partisë ishte vendimtar për pozitën ekonomike të tij. Kështu, për shembull, një leje ndërtimi para pesë vitesh ishte shpërblim i garantuar, pasi pallati shitej i gjithi me cash në dorë që në gropë, pa u hedhur ende themelet. Tanimë që kërkesa është ezauruar, nëse i jep dikujt një leje ndërtimi, zëre se e merr në qafë, pasi ka me mijëra apartamente të pashitura, ndërkohë që deflacioni është duke zënë rrënjë në Shqipëri. Pra, militantët po qe se janë idealistë, nuk e marrin përmbushjen morale kur partitë e tyre s‘kanë identitet politik dhe po qe se janë pragmatistë ka pak plaçkë për t‘i joshur.

Për ta meremetuar sadopak këtë arratisje nga politika, faktorët e aktorët politikë janë drejtuar te metodat e tjera jokonvencionale të mobilizimit të masave. Në mungesë të përmbajtjes politike, përqendrimi i energjive dhe burimeve është bërë te forma. Përdorimi i këngëve të personalizuara të lë përshtypjen sikur bëhet fjalë për garim për "Top Fest" e jo për zgjedhje parlamentare. Përpjekja për të bërë këtë kompensim vihet re edhe te përsosmëria e dizajnimit të posterave, përgatitja në detaj nga vetë palët e mbulimeve televizive të mitingjeve, duke mbajtur larg kamerat e mediave, loja me sondazhe apo spotet e përpunuara mirë të marketingut politik.

Por gjuajtjen fatale ndaj dimensionit politik e ilustron edhe futja e personave apolitikë në lista, apo përdorimi i vip-ave gjatë fushatës. Duke synuar që t‘i instrumentalizojnë këta individë për të bërë për vete votuesit, të gjitha partitë kanë rendur që të përfshijnë nëpër lista apo gjatë fushatës sa më shumë individë të njohur apo popullorë që u përkasin fushave të tjera, por që s‘kanë të bëjnë me politikën. Në rend të parë janë individët e shoqërisë civile, ku shihet në lista një gëlltitje e madhe e disa prej drejtuesve të vjetër të organizatave kryesore joqeveritare të vendit tonë si: Hysi, Bushati, Hoxha. Për të kompleksuar publikun me autoritetin akademik janë përfshirë në lista nga bota universitare si Kule e Rrokaj.

Po kështu janë përfshirë artistë si Bulku apo Xhuvani, sportistë si Fortuzi, e madje edhe personazhe të programit shumë popullor televiziv, "Big Brother". Politikanët janë duke u përpjekur që të huazojnë popullaritetin e imazhit të grupeve muzikore si "Elita 5" e "West Side Family", të luajnë nëpër skena mitingjesh në mënyrë të papërmbajtur e aspak etike me ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj imazhit të fëmijëve, apo simboleve kombëtare. Aq të dëshpëruar për të shfrytëzuar individët që përfaqësojnë diçka janë partitë, sa PD vendos në pozicione të sigurta në listat e veta dy përfaqësues të minoritetit grek, PDK në mënyrë demonstrative shpall një kandidat nga minoriteti shqiptar me ngjyrë dhe G99 një individ paraplegjik. Vobektësia e përmbajtjes bie qartë në sy edhe po të shihen motot apo emërtimet në fushatë, që ngjallin më shumë pyetje sesa japin përgjigje për ndonjë alternativë apo vizion konkurrues, koalicioni i drejtuar nga PD quhet Aleanca për Ndryshim, ai i PS-së quhet Bashkimi për Ndryshim, kurse motoja e Polit të Lirisë thotë Ndryshimi jemi ne. Po çfarë po ndryshon apo duhet të ndryshojë në Shqipëri, në cilin drejtim duhet të shkojë ndryshimi, me çfarë shpejtësie dhe me çfarë taktike, mjeti apo trajektore duhet të bëhet ndryshimi?

Të gjitha këto përpjekje të dëshpëruara për të kompensuar paaftësinë politike nuk janë gjë tjetër përveçse dëshmi të senilitetit, sterilitetit dhe delegjitimimit të elitës aktuale politike shqiptare dhe të regresit të lojës politike në Shqipëri.

2 Komente

PDK në mënyrë demonstrative shpall një kandidat nga minoriteti shqiptar me ngjyrë

a?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).