Korrupsioni, SHBA: Kushte Shqipërisë

Kreu i USAID paralajmëron qeverinë: Harrojeni Sfidën e Mijëvjeçarit, nëse nuk e luftoni korrupsionin. Presim më shumë tani, si vend anëtar i NATO-s

SHBA vazhdon të mbetet partneri kryesor i zhvillimit të vendit, falë disa projekte që kanë të bëjnë më së shumti me luftën kundër korrupsionit. Pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme nga projekti i Sfidës së Mijëvjeçarit, qeveria shqiptare nuk ka dhënë rezultate të pritshme, duke ndikuar në nivelin e fondit. Në kuadër të ceremonisë së hapjes të zyrave qendrore të Qendrës Kombëtare të Licencimit, në Tiranë, drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney, evidentoi disa sektorë të rëndësishëm ku duhet pasur kujdes. Të pranishëm në aktivitet ishin Kryeministri Sali Berisha, ministri Genc Ruli, përfaqësuesja e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Sophia H. Sahaf, e zyrtarë të tjerë të fushës ekonomike. Funksionimi i QKL-së parashikon reduktimin e kohës për të marrë leje ose licencë, si dhe shmang mundësinë e zhvillimit të korrupsionit. SHBA, përmes Sfidës së Mijëvjeçarit ka marrë pjesë në ngritjen e disa institucioneve, përgatitjen e ligjeve dhe stimulimin në shumë reforma, kryesisht ekonomike dhe ligjore.

Në këtë kuadër, USAID në Tiranë e njeh mirë situatën ku ndodhet Shqipëria sa i takon luftës kundër korrupsionit. Në fjalën e saj, Mahoney tha se, "Tashmë si anëtare me të drejta të plota në NATO, Shqipërisë do t‘i kërkohet një punë më e mirë në kontrollin e korrupsionit, i cili mbetet ende një problem serioz. NATO pret nga anëtarët e saj një qeverisje më të mirë për të ndëshkuar korrupsionin në mënyrën e drejtë dhe të paanshme". Hapja e QKL-së mundësohet falë financimit prej rreth 16 milionë dollarësh të dhënë nga qeveria amerikane. Fondi do të ishte më i madh, nëse qeveria do të paraqiste rezultate të bindshme ndaj reduktimit të nivelit të korrupsionit. Sipas Kryeministrit Berisha, qeveria ka punuar me ritme të mëdha për të reduktuar korrupsionin në administratë, duke mundësuar rritjen e të ardhurave në buxhet me rreth 5.2 miliardë dollarë. Megjithatë, drejtoresha e USAID shton se, "Nëse nuk ka prova të qarta e të bindshme për luftimin e korrupsionit nuk do të ketë shumë gjasa për Shqipërinë që të kualifikohet për asistencë të mëtejshme nga SHBA në kuadër të programit", tha Mahoney. Pas një viti e gjysmë, qeveria amerikane do të akordojë miliona dollarë fonde, niveli i të cilave varet nga puna e bërë rreth reduktimit të korrupsionit.

Ceremonia

Duke vlerësuar këtë qendër, një hap domethënës në luftën kundër korrupsionit dhe një ndihmë të madhe për biznesin, drejtorja e USAID në Shqipëri, zonja Mahoney, u shpreh se "Me inaugurimin e kësaj Qendre Kombëtare të Licencimit, Shqipëria ndërmerr një hap të rëndësishëm përpara, drejt plotësimit të premtimit të saj, për të luftuar korrupsionin, në një mënyrë të prekshme". Në përshëndetjen e rastit, Kryeministri Berisha u shpreh se "Kjo do të mbetet një ndër ditët më të shënuara në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të lehtësuar barrën burokratike dhe financiare mbi biznesin dhe për të luftuar me eficencë korrupsionin".

Projektet

USAID është pjesë e projektit për bërjen e tenderave online, ngritjen e QKR-së, ligjin "Për procedurat tatimore", si dhe krijimin e Gjykatës Administrative. Marrëveshja e firmosur mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane synon forcimin e strukturave përkatëse në luftën ndaj korrupsionit. E gjithë puna është e përqendruar në rolin që ka biznesi në raport me funksionin e punonjësit tatimor. Së fundmi, po me ndihmën e USAID u bë e mundur ngritja dhe funksionimi i QKL-së, qëllimi i të cilës shkurtimi i kohës për marrjen e lejes dhe licencës.

Sporteli

Në të ardhmen synohet krijimi i sportelit unik për energjinë, e cila është një fushë me një perspektivë të madhe në Shqipëri. Janë qindra hidrocentrale, parqe eolike dhe impiante nga burime të tjera energjetike që duhet të ndërtohen apo ka kërkesa për ndërtim. "Ne do të nisim shpejt punën për ndërtimin e tij", tha Berisha

 

2 Komente

Ju shikoni ate Devirolin tuaj, qe na mbiu ne Gerdec dhe na hodhi ne ere.

Lereni korrupsionin tek ne, se nuk gjeni dot asnje fakt apo argument qe te kompromentoje administraten tone. 

Gazeta Shqip eshte po aq manipuluese dhe shpifese sa Top-Channel per rrjedhoje nuk ja vlen te komentohet. As Tv Klan nuk shihet gjithashtu pervec Alsatit dhe gazetes Panorama qe jane disi te paanshem.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).