Kengofilia elektorale

Kanë preferuar gati të njëjtën regji elektorale Edi Rama dhe Sali Berisha, kësaj here. Është rikthyer në bashkëpunimin e dikurshëm me grupin e suksesshëm "West side family", duke krijuar këngën "Çohu", kryesuesi i PS-së, i cili mbetet i vetmi politikan shqiptar në 19 vjetët e fundit që i është dashur të ripohojë se nuk "është politikan profesionist". Natyrisht, ideja e tij mbetet te fryma ndryshuese që pati në bërjen e Tiranës një qytet evropian dhe të modernizuar, përgjatë tri mandateve të veta si kryebashkiak.

Përballë Edi Ramës Kryeministri zhurmëmadh i këtij vendi, Sali Berisha, ka pranuar sugjerimin e regjisorëve të fushatës së vet, për krijimin e një kënge të posaçme elektorale, të cilën e titulluan: "Shqipëria po ndryshon".

Kjo është pamja e parë dhe pjesa "audio" më spikatëse e kësaj fushate, e cila po ngjitet në kulmin e saj, duke shtuar çuditërisht dilemat dhe duke shpërndarë paqartësi të vjetër.

"Çohu" po për ku?,- thonë disa prej skeptikëve afër së majtës. Ndërkohë që kënga e pozitës: "Shqipëria po ndryshon", duket se po përgënjeshtrohet prej procesit dilematik të shpërndarjes së kartave dhe të respektimit të datës zyrtare të zgjedhjeve të 28 qershorit. E thënë më shkoqur, "Shqipëria po ndryshon", por jo kultura zgjedhore e politikanëve dhe partive shqiptare. Përkundrazi ndryshimi në këtë aspekt me sa duket ngjet vetëm si proces i ecjes retrograde.

Matanë kësaj këngofilie elektorale, të dy korpuset kryesore të politikës, po rikthejnë situatën e vjetër pragzgjedhore. Një situatë e tillë e përsëritur në të gjitha turret zgjedhore të këtij tranzicioni, e klasifikon pashmangshmërisht Shqipërinë ndër vendet e pakta me demokraci hibride.

Për shkak të këtij procesi të rrezikuar dhe kërcënuar njëkohësisht, në lojë po futen ndërkombëtarët. Po vjen ndërhyrja arbitrore klasike.

Reaguan së pari me paralajmërime OSBE dhe ODIHR. Menjëherë, pas tyre, reagon ambasadori i SHBA-së në Tiranë Withers. Këto ditë do të kemi sipas burimeve diplomatike dhe nga Brukseli edhe deklarata të posaçme nga BE dhe KE, si dhe nga organizma të tjerë vëzhgues dhe të interesuar për gjendjen e lirisë dhe demokracisë zgjedhore në Ballkan dhe në vendet e Evropës Juglindore.

Kush po e ripërdor ngërçin votues kësaj here? Pse pikërisht u la në vitin e fundit elektoral ky proces i shpërndarjes së kartave të identitetit? Pse opozita e para, po tenton të hedhë alternativën e shtyrjes së datës zgjedhore dhe çfarë mund të sjellë kjo shtyrje?

Të gjitha këto pyetje janë hedhur në publik dhe lëvrijnë nëpër mjedisin e gjerë elektoral, veçanërisht gjatë dy muajve të fundit. Janë pjesë thelbësore e diskutimeve, debatimeve dhe dialogimeve në nivele vendore dhe ndërkombëtare në Tiranë. Të gjitha ambasadat kryesore të huaja në Tiranë, janë në ethet e njohjes së gjithçkaje që lëviz brenda skemës dhe skenës elektorale, si dhe tentojnë të zotërojnë sa më shumë informacion rreth asaj që po mendojnë dhe luajnë protagonistët e lojës elektorale në vend.

"Kënga" elektorale e grupeve pranë Berishës dhe Ramës, qenka vetëm një "stemë" e këngës së vështirë që po luajnë ata në kurriz të këtyre zgjedhjeve dhe në qëllim të këtij procesi elektoral i cili sipas të gjitha gjasave dhe paralajmërimeve, ka për të qenë jo vetëm karakterizues. Me gjykim të ftohtë duhet ta pranojmë se këto zgjedhje, pavarësisht procesit të tyre, janë përcaktuese për mjaft aspekte të politikës shqiptare në vitin e fundit të dekadës së parë të këtij mijëvjeçari.

Ngërçi votues për shkak të "mosshpërndarjes së kartave për të gjithë qytetarët me të drejtën e votimit", është një përgjegjësi morale e qeverisë. Ky proces i nisur me vonesë, nuk mund të justifikohet, jo nga Kryeministri Berisha, por edhe nga vetë Barak Obama po të ishte në vend të tij. Për këtë vonesë, kjo qeveri në raportet e pritshme vlerësuese, e ka marrë paradhënie kritikën. Le të presim vetëm mbërritjen e tyre. Jashtë përgjegjësie morale për këtë vonesë nuk mbetet edhe PS e zotit Rama. Me një qëndrim të kohëpaskohshëm ankues dhe me një mosbesueshmëri kronike, opozita erdhi deri në këtë ditë, duke e bërë qëllim në vetvete denoncimin e procesit të ngadaltë të kartave. Madje, u ngrit në pozita të së alarmuarës, kur konstatoi se të privuarit prej kartës së pa marrë, me shumicë, qenkan anëtarë dhe elektorat i saj. Kur e kuptoi këtë hile, PS forcoi "këngën" e opozitares në fushatë, por njëherësh lëshoi shkëndijat e pesimizmit për shtyrjen e zgjedhjeve.

Kalimi në këtë manovër i PS-së, në momentin kur kanë mbetur vetëm dhe tri javë nga data e zgjedhjeve, duket se synon të krijojë shembje përfundimtare të imazhit qeverisës të PD-së. Kartat janë alibia e madhe opozitare. Ky problem po vlen deri në eklipsim të peshës dhe vlerës reale të programeve që ofrojnë të dyja palët. Në tri javët e mbetura, askush nuk pret një përballje Rama-Berisha për të parë se ku ndryshon paketa e qeverisjes Rama nga ajo e qeverisësit Berisha në lidhje me sistemin bankar dhe politikat financiare që duhen ndjekur sidomos në vitin e rënies së valës së fortë të krizës globale mbi vendin. Përballja e tyre po rrëshqet me shpejtësi drejt këngës së konfliktit. Këtë "regji" me sa duket e kanë zgjedhur pavarësisht njeri-tjetrit. Në këtë regji po interpretojnë këngët e tyre të ndryshme, por që vlejnë për të njëjtin "festival". Një këngofili e tillë elektorale, rrezikon t‘i zhbëjë zotit Rama cenimin e vlerës së tij të meritueshme si zhdukës i konflikutalitetit dhe sherrit që gjeneronte kriza në marrëdhëniet pozitë-opozitë dhe që e mbajtën vendin në "kavot" e tranzicionit

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).