Kastriot Tusha, tenori virtuoz i romances lirike

Tenori Kastriot Tusha, i njohur si një ndër këngëtarët e paktë lirikë që diti si t’i mbijetojë me sukses tregut të muzikës shqiptare pa u larguar jashtë kufijve, është personazhi i radhës në suplementin e përjavshëm “Albania Weekend”. Tenori rrëfen mbi jetën, karrierën e tij, momentet e bukura dhe ato të vështira, ëndrrat, planet për të ardhmen dhe sigurisht, kujtimet nga e shkuara, ato çaste vendimtare, të cilat do të ndryshonin rrjedhën e jetës të djalit të vogël të “Usta Petritit” nga Elbasani, i cili luante gjithë kohës futboll me çunat e lagjies.

Le ta nisim nga aktualiteti, me çfarë po merret për momentin tenori Kastrot Tusha?
Tani kemi para periudhën e verës. Janë disa ftesa me kuintetin e harqeve të Akademisë së Arteve, drejtuar nga “Artisti i Popullit”, Ibrahim Madhi. Gjithashtu, edhe në fund të muajt nëntor, do të japim në Korçë një koncert me serenata, bashkë me këngëtaren Vikena Kamenica. Pastaj, do të jem po kështu në koncertin “Tre tenorët”. Para pak kohësh, isha në Gjermani në Javën e Kulturës Shqiptare, ku intepretova në sallën “Robert Schuman” në Duserdorf. Kam dhënë dhe një koncert me këngëtarin popullor nga Gjakova Shkëlzen Jetishi, me krijimtarinë e “Artistit të Popullit” Isuf Myzyri, ku për herë të parë u sollën 17 këngët e tij në versionin origjinal.

Jeni i vetmi tenor i përhershëm te koncerti “Tre tenorët”, ndërkohë që këngëtarët e tjerë janë ndryshuar nga viti në vit. Pse?
Dihet që koncerti “Tre tenorët” ka krijuar fizionominë e tij dhe kjo, falë madhështisë së këtyre tenorëve, të cilët janë të angazhuar pothuajse në të gjithë skenat e botës, si edhe falë organizimit e mikpritjes që bën producenti Edmond Tullumani. Kam qenë ndër themeluesit e këtij koncerti bashkë me Edmondin, por kjo nuk do të thotë se unë jam risia e këtij koncerti tashmë tradicional. Risia vjen gjithmonë nga tenorët e tjerë, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre, në të shumtën e rasteve, në skenat e huaja të muzikës lirike. Duhet të jemi krenarë për këta artistë, të cilët me plot gojë meritojnë të quhen “ambasadorë të artit dhe kulturës shqiptare nëpër botë. Meqënëse jemi te koncerti “Tre tenorët”, ky eveniment duhet thënë se e ka krijuar audiencën e vet dhe nuk lëviz nga kornizat klasike që krijuan në fillim mjeshtrat Pavaroti, Carreras dhe Domingo.

Cilët nga tenorët do të vlerësonit më shumë?
Padyshim që do të vlerësoja në radhë të parë profesorin tim të dikurshëm, Gaqo Çako dhe të madhin Pavaroti.

Po nga tenorët shqiptarë, që aktualisht janë aktivë në skenat e muzikës lirike jashtë vendit?
Është mjaft e vështirë për mua që të bëj dallime, por le të themi se kam shumë respekt për Josif Gjipalin, Agim Hushin, Adrian Xhemën dhe Saimir Pirgun.

Prej kohësh, tenori Kastriot Tusha i ka munguar skenës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. A ndieni ndonjë keqardhje ose nostalgji për këtë fakt?
U bënë rreth tetë vite që kur jam shkëputur nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Një gjë të tillë e vendosa sepse kam nisur mësimdhënien në Akademinë e Arteve, por edhe për hir të aktivitetit tim operistik, që për hir të së vërtetës nuk i kanë munguar role që kam luajtur edhe në të kaluarën; kujtoj këtu Nadirin te “Peshkatarët e Perlave”, Trimorin te “Dasma Arbëreshe”, Almaviva te “Berberi i Seviljes” etj. Kam pasur bashkëpunime me soprano e artistë të ndryshëm të skenës lirike si Inva Mula, Edit Mihali, Suzana Frashëri, Ramiz Kovaçi, Burhan Spahiu, Shqipe Zani, Agim Duro e shumë të tjerë. Me thënë të drejtën, kushtet e vështira ndikuan që të vendosja largimin nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, por kjo nuk do të thotë aspak se skena operistike më ka munguar. Skenën e kam gjetur dhe e prek në forma të ndryshme. Për momentin u jam përkushtuar më shumë koncerteve, pa dallim, që nga muzika klasike te kanconeta, serenatat, muzika popullore qytetare etj. Jam i lumtur që vokali i lakueshëm më lejon ta shikoj veten në një dimension shumëplanësh.

Dikush mund të thoshte se jeni bërë komercial, duke u larguar nga arti i vërtetë. Çfarë do t’i përgjigjeshit?
Jam gjithmonë vetvetja dhe shpreh ato aftësi të vokalit tim, të cilat janë të pëlqyeshme dhe në shumë raste, e gjitha kjo materializohet. Megjithatë, asnjë çast nuk i jam larguar formimit tim si artist i mirëfilltë dhe jam munduar të interpretoj e të nxjerr në pah, vlerat më të mira autoktone shqiptare.

Ndonjë album në proces?
Albumi i fundit ka qenë “The greatest tenor”, me repertor klasik. Bashkëpunova me Shpëtim Saraçin, Edison Mison dhe Edmond Zhulalin. Pjesët ishin marrë disa nga repertori klasik botëror dhe disa të tjera nga repertori shqiptar. Nga këngët mund të përmendim “O sole mio”, “Nju Jork, Nju Jork”, si dhe një baladë shumë të veçantë për Nënë Terezën. Që të dalim te pyetja juaj, jam duke menduar të bëj një album me perlat e muzikës shqiptare të të gjitha trevave.

Megjithëmend, sa e lehtë është për një tenor si ju, nga Elbasani, që të interpretojë në nivele të larta artistike, si muzikën e Jugut, edhe atë të Veriut?
Artisti kur prek këto perla të muzikës shqiptare, që janë interpretuar më parë nga “brezi i artë”, duhet të mendohet mirë dhe të ketë një përvojë të madhe. Zëri i tenorit ka një përparësi; mund t’i prekë këto karaktere sepse është një zë që kuptohet më shpejt nga veshi i publikut. Një zë i kultivuar e ka pak të vështirë që të hyjë në karakter dhe kjo është mëse normale, por përvoja e artistit, e bën atë që të dijë si t’i imponohet publikut dhe të jetë i pranueshëm. Një këngëtar i thjeshtë karakteri, i muzikës popullore të Jugut, e ka shumë të vështirë që të interpretojë repertorin e muzikës së Veriut, e po kështu një interpret i muzikës së Veriut, nuk mund ta bëjë dot muzikën e Jugut. Kjo është epërsia ime, pra, i realizoj me sukses të dyja.

Po me serenatën korçare çfarë ju lidhi?
Vetë shtrirja, forma e ndërtimit të serenatës, e cila afron me romancën dhe arien, e bën shumë të pranueshme për zërin e një tenori. Jam munduar ta prek serenatën korçare. Ajo ka fjetur brenda meje sepse vet fraza, teksti, melodia, duke i’u bashkangjitur timbrit të tenorit e bën shumë të pranueshme dhe të dashur për publikun. I kam dëgjuar që në fëmijëri serenatat e interpretuara nga artistët e mrekullueshëm korçarë, grupin “Lira” etj. Serenatat i kam prekur por duke shkëputur disa prej tyre, pasi jo të gjitha serenatat i shkojnë përshtat zërit tim.
Më pas, i kemi përpunuar këto serenata me kompzitorët Endri Sina dhe Edison Miso.

A keni ndonjë lidhje të veçantë emocinale me serenatat që këndoni?
Lidhje emocionale me serenatën nuk mund të mos ketë çdo njeri që ka dashuruar një herë në jetë... Sa i takon interpretimit, them se nuk mund të interpretosh asnjë numër muzikor nëse do të mungonin bazat, emocionet e forta që në një serenatë spikasin aq shumë. Kur këndoj serenata, mendoj për momentet e bukura që kalon çdo i dashuruar.

Meqë përmendët momentet më të bukura të çdo të dashuruari... a mund të na tregoni se çfarë mbani mend nga dashuria juaj e parë?
(Qesh) Kam qenë si gjithë të rinjtë e kësaj bote, me ëndrrat, pasionet dhe çapkënllëqet e tyre. Por, brenda meje gërshetohen shumë dashuri; mbi të gjitha, ajo për artin dhe zërin që ma ka dhuruar Zoti; dashuria për familjen, dhe normalisht, për të mbërritur te familja duhej të dashuroja më parë vajzën, e cila sot është nëna e fëmijëve të mi... Por, mbi të gjitha, do të veçoja dashurinë që kam për nënën. Natyrisht, një tjetër dashuri jo më pak e rëndësishme është ajo për dy fëmijët e mi, Petritin 20 vjeç dhe Amisën 12 vjeçe, të cilët më japin një kënaqësi jashtëzakonisht të madhe shpirtërore dhe më frymëzojnë me rezultatet dhe sjelljen e tyre shembullore.

Si u njohët me gruan?
Normale që me dashuri. E pashë për herë të parë kur ajo ishte në shkollë të mesme, ndërsa unë në vit të dytë në Akademinë e Arteve. Duhet të ketë qenë viti ’85. Një pjesë të suksesit tim ja dedikoj vlerësimit që ajo bën karshi punës dhe sakrificës sime për artin. Është e vështirë të bashkëjetosh me një artist po nuk e kuptove. Në karaktere jemi të ndryshëm; unë shumë i ndjeshëm, shpërrthyes, impulsiv, kurse ime shoqe e qetë, e matur dhe gazmore, ç’ka ndikon në krijimin e harmonisë në familje. Ajo është shumë e kujdesshme ndaj ushqimit tim, regjimit që ndjek, pasi të jesh një artist i mirëfilltë i skenës duhet t’i përkushtohesh zërit, profesionit tënd, deri në maksimum.

Ishte dashuri me shikim të parë?
Mund të them se ajo vajzë më ka ngjitur që me shikimin e parë.

Cili është kujtimi më i largët, mbresëlënës në kujtesën tuaj?
Përveçse luaja futboll me shokët nuk mbaj mend gjë nga fëmijëria. Një ditë ama, nuk kam për ta harruar; po luanim futboll me çunat e lagjies, kur papritur, vjen drejtori i Shtëpisë së Pionerëve në Elbasan dhe më thotë se do të këndoja në Festivalin e Shkodrës këngën “Fustanella” të kompozitorit Gazmend Mullai. Momenti i dytë, që e kam të freskët në kujtesë, (1984) është koha kur mora përgjigjen se kisha fituar të drejtën e studimit për kanto në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe momenti i tretë, viti 1989, kur u emërova si solist pranë Teatrit të Operas dhe Baletit.

Marrëdhënia juaj me prindërit?
Ishte një lidhje shumë e ngushtë. E vlerësoj sakrificën që ata kanë bërë për edukimin tim profesional. Një sakrificë jashtëzakonisht e madhe, sidomos për atë periudhë. Babai qe një mekanik shumë i aftë, me kategorinë e shtatë, të cilin i gjithë qyteti i Elbasanit edhe sot e kësaj dite e kujton si Usta Petriti. Çdo gjë që ia shikonte syri, dinte t’ia bënte dora.
Babai u nda nga jeta në vitin 1987. Atë koha vazhdoja studimet në Akademinë e Arteve në kryeqytet dhe isha në vitin e tretë. Kur më dhanë lajmin që babain e kisha në gjendje të rëndë, ka qenë një ndër ditët më të vështira, të cilat kanë mbetur në kujtesën time.
Gjatë rrugës që bëja atë ditë nga Tirana për në Elbasan, në kokë më pasqyrohej rezymeja e jetës dhe sakrificave që babai kishte bërë për mua. Këtë rrugë e kam shoqëruar me lot dhe dhimbje. Ishte një përjetim i thellë, aq tronditës sa kur e takoj sot shoferin e taksisë të asaj dite ndiej sërish një emocion të madh.

Ishte më tepër autoritar apo tolerant?
Shumë autoritar, por origjinal dhe i natyrshëm. Jo duke bërtitur! Ka qenë një figurë mitike për mua. Ma impononte respektin vetiu.

Po nëna?
Ndryshe nga babai, ajo ishte shumë e qeshur dhe kishte një sens të mprehtë humori. Dinte tamam sesi të ruante ekuilibrat aq shumë të nevojshëm në një familje. Nëna ishte dhe iniciatore për ta prurë çdo gjë të re në shtëpinë tonë, duke nisur nga mobilimi i shtëpisë, deri në ndjekjen time... Me babain kam qenë pak i ndrojtur, ndërsa mamaja e kuptonte dhe më stimulonte që të vazhdoja shkollën për kanto. Në familjen tonë këndonin të gjithë në rastet e gëzimeve familjare. Për këtë arsye them se lidhja ime me muzikën është pak e trashëguar. Mamaja ka luajtur në fizarmonikë kurse babi ka pasur një zë shumë të bukur. Kjo është trashëguar edhe te vëllai i madh, Bujari, i cili këndon në ambjentet familjare shumë më bukur se unë.

Zakonisht, prindërve u duhet që t’i ndajnë rolet; njëri i mirë dhe tjetri i keq. Po me ju, si silleshin?
Kam qenë fëmija i fundit dhe siç e kemi ne për traditë, fëmija i fundit quhet “shkopi i pleqërisë”. Kjo ka bërë që të mos e ndiej shumë këtë lloj diference mes prindërve. Kam qenë i ledhatuar jo vetëm nga nëna dhe babai, por edhe nga vellezërit e motrat. Madje, sot e kësaj dite, ndonëse jam bërë prind për vete, ata gjithmonë më shikojnë me të njëjtin sy. I falënderoj për dashurinë e tyre dhe që më krijojnë këto lehtësira, duke më stimuluar gjithmonë si djalin e vogël të familjes.

Po ju me fëmijët tuaj ç’lidhje keni?
Kur lindi Amisa, vajza ime, nuk jam gëzuar shumë sepse e kam përgatitur veten që edhe fëmijën e dytë do ta kisha djalë. Më tepër është gëzuar ime shoqe, Anila. Vetëm kur jam kthyer nga turneu i Gjermanisë, një koncert homazh për Kosovën, e pashë vajzën time për herë të parë. Kishte dy javë që ajo kish lindur.
Dhe, me Amisën u dashurova vërtetë me shikim të parë. Tani ndodh që djali të bëhet ndonjëherë xheloz, kur e shikon se vajzën e dua pak më shumë. Megjithatë, për prindin fëmijët janë të gjithë njësoj. Vajza vazhdon në shkollimin në kolegjin turk, në klasën e shtatë dhe krahas kësaj, ndjek mësimet për piano, po në klasë të shtatë. Në drejtim të këtij pasioni më ka ngjarë mua. Amisa ka një vesh shumë të mirë për muzikën. Kemi interpretuar bashkë një këngë dhe shpresoj se do ta bëjmë sërish një gjë të tillë në të ardhmen. Më bëhet qejfi kur vë re se zëri i saj është i bukur dhe tashmë ka nisur të formohet.

A ju vjen keq, që djali nuk vazhdon rrugën tuaj?
Petriti vazhdon vitin e parë në Fakultetin Juridik të universitetit privat “Luarasi”. Ai nuk shquhet për vesh muzikor, por jam i kënaqur me përgatitjen dhe formimin e tij të deritashëm. Nuk kam vuajtur gjatë periudhës së adoleshencës me të dhe nuk më ka krijuar shumë probleme. Është një djalë i lidhur me familjen. Mundohem që marrëdhënien me fëmijët ta kem duplanëshe, si prind por edhe si shok. Sa herë kur djali ka nevojë, përpiqem që ta mbështes dhe t’i qëndroj pranë, ta ndihmoj për t’i zgjidhur bashkërisht gjërat që për të janë të reja në jetë. Të them të drejtën, gjithmonë i kam folur që të jetë vetvetja dhe të mos jetojë nën hijen time si “djali i Kastriot Tushës”. Më pëlqen dega të cilën ai ka zgjedhur dhe jam i lumtur që në familjen tonë do të kemi një jurist.

Po ju vetë, çfarë profesioni ëndërronit kur ishit më i ri?
Të jem i sinqertë, nuk e di se çfarë tjetër do të bëhesha po të mos isha një artist. Babai ka provuar të më angazhojë në zanatin e tij, por e pa se nuk i kisha të dhënat dhe pasionin për hekraxhi. Zoti dhe nëna më kanë bërë një dhuratë që e vlerësoj shumë, siç është zëri.

Profesori juaj i parë ka qenë Gaqo Çako. Ç’mund të na thoni ndonjë detaj për lidhjen me të?
Prezantimi me profesorin ishte në vitin 1983. Sapo kisha mbaruar shkollën e mesme dhe po bëja stazhin, duke punuar si kamerrier në Turizmin “Skampa” të Elbasanit. Profesori, vjen aty një ditë bashkë me zonjën e tij të nderuar, artisten e madhe Luiza Papa.
Aty i’u prezantova për herë të parë dhe ishte një takim që më pas do të më ndryshonte jetën. I kërkova profesor Çakos që të më dëgjonte si këndoja dhe të më pranonte në klasën e tij, për t’u përgatitur që të merrja pjesë në konkursin e shkollës së lartë. Pas një viti punë intensive në klasën e Gaqo Çakos dhe Kozeta Dules, arrita që ta fitoj konkursin dhe të dal i treti në 150 veta që vinin nga e gjithë Shqipëria. Gjej rastin që t’i falënderoj dhe t’u shpreh mirënjohjen time të madhe kësaj familjeje të mrekullueshme, e cila ka investuar jashtë mase për artistët e rinj.

Momenti më i vështirë në jetën tuaj, përveç humbjes së babait?
Pas shkëputjes nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit për mua erdhi një periudhë, në të cilën nisa të angazhohem me koncerte të ndryshme. Në atë kohë tranzicioni, institucioni i operas shqiptare nuk po funksiononte me një aktivitet të plotë operistik dhe më mungonin impenjimet skenike. Kështu, nisa të mendoj për të ndërtuar një shtëpi të re për familjen time. Në atë kohë u bëra baba dhe turnetë e gjata bënë që të mos isha shumë pranë djalit. Vija dhe e shikoja një herë në dy muaj. Kjo më shkaktonte një dhimbje të madhe që e mbaja përbrenda; gjithmonë kam dashur që të kaloja më shumë kohë pranë tij dhe të gëzoja teksa rritej. Pikërisht kjo kohë ka qenë shumë e vështirë për mua, si edhe momenti kur vendosa shkëputjen përfundimtare nga TKOB, duke filluar mësimdhënien si pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve. Një vendim që e vuajta shumë por që ishte i domosdoshëm sepse nuk mbijetoja dot vetëm me rrogën e Teatrit të Operas.

Së fundi, a keni ndonjë peng në karrierën tuaj?
Nuk kam asnjë peng. Mendoj se e kam menaxhuar veten jashtëzakonisht mirë me aktivitetin tim artistik, kjo edhe falë aftësisë, talentit e mbështetjes së miqve, shokëve e kolegëve të mi. Përvojën vetjake të gjithë këtyre viteve, tani mundohem që ta ndaj me studentët e mi të kantos në Akademinë e Arteve.
 

3 Komente

mendoj qe Tusha eshte nje pseudo tenor. Me vjen keq qe ta quaj keshtu. E kam patur kete pershtypje edhe per aresye te pjesmarrjes se tij ku ai aqpak kendorn ne opera komplete.

Tenoret nuk quhen te suksesshem nga koncertet recitale e cansonetat lirike qe kane dhene por nga kohezgjatja e suksesshme ne rolet qe interpretojne ne oprea. Ai eshte nje Mentor Xhemal i cili e shtyu jeten me kenge lirike e me "per ty atdhe".

Ishte nje turp i madh per te pjesmarrja e fundit ne " 3 tenoret" ku nuk kendoi asnje arie operistike apo edhe ndonje cansonete lirike por vetem dy-tre kenge popullore shqiptare te stilizuara ne lirizem. Per pak u harrua fare qe merrte pjese.

Kengetaret e operave me karriere te pasur, kenget lirike dhe ariet e vecuara nga operat, i kendojne ne recitale ose si nderthurje me cfaqjet komplete te operave, ose kur jane ne fund te karrieres se tyre e nuk kane mundesi ta perballojne artin skenik, i cili kerkon impenjim teresor, aftesi te madhe te kultures muziko-skenike, kujtese te mire ose me mire inteligjence muzikore si dhe mushkeri e fyt te forte. Recitalet jane popullore por jane si limonatat qe edhe ato jane te pelqyeshme masivisht.

Carruso, Gigli, Coreli,Pavaroti, etj. edhe  Kovaci, Cako etj. e kane te mbushur karrieren e tyre me repertore operash dhe me pas me kenge lirike.

Do te me pelqente ta quanim Tushen kengetari lirik por jo tenori. Te mesohemi ti japim cdokujt vendin sipas aftesise e jo sipas tregetise. megjithate edhe kjo e fundit ka vlera.

 

Me thene te drejten, nuk kam pasur ndonje preference te vecante per Kastriot Tushen, sec ka dicka qe nuk me pelqen ne zerin e tij, megjithate respekti mbetet per punen qe ka bere. Por kohet e fundit kam degjuar nje tenor te ri Armando Kllogjerin, kishte ze shume te bukur, te plote, te ngrohte, te bente per vete.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).