Kampioni dhe garat politike

Ç’po ndodh me ne shqiptarët kështu? Përse titullarë të diplomacisë evropiane thonë se vetë shqiptarët mund të përshpejtojnë hyrjen në BE, në rast se nuk përsërisin një katrahurë si ajo e vitit 1997? Përse e kanë këtë frikë sallonet evropiane? Çfarë i tremb ata në sjelljen e drejtuesve të shtetit shqiptar?
 

Këto pyetje drejtoi një analist televiziv. Kushdo që i ka dëgjuar këto pyetje ka filluar të mendojë sipas mënyrës së vet. Mjek në prag pensioni dhe ish-pedagog në fakultet, me njohje të gjerë të psikologjisë së njeriut, fillova të arsyetoja mbi ndryshimet që pësojnë njerëzit me ardhjen në majat më të larta të pushtetit.

Kështu, mbrëmjen e kaluar për një orë e gjysmë ndoqëm bisedën në studio të kryetares Topalli. Konstatova një ndryshim të sjelljes së saj krahasuar me dy javë më parë, kur u ndodha në takimin dhe fjalën e saj para banorëve shkodranë në një miting elektoral. Atë ditë në drekë ishte kthyer nga një udhëtim në Kroaci dhe pas 3 orësh u gjend në mitingun e planifikuar më parë. Gjatë mitingut dallohej qartë një ndryshim në timbrin e zërit të saj, një zë i thellë, i trashë që së bashku me stilin e shpupuritur të flokëve shkonte me shprehjen agresive të fytyrës. Këtë ndryshim e kisha vënë re edhe më parë, prandaj dhe e kisha të lehtë konstatimin e mbrëmshëm. Në studio ajo ishte e butë, më femërore, me zë të ëmbël, me durim për të dëgjuar, gjë që më habiti me sjelljen e para dy javëve para turmës. Konstatoj se, ndërsa ministrat dhe drejtuesit e tjerë të krahut në pushtet kanë njëtrajtshmëri në sjelljen dhe dinamikën e personalitetit të tyre, ndryshe është kjo situatë me Topallin.

Në sjellje dhe fjalor ajo shpesh imiton Berishën, tek i cili agresiviteti, plotfuqishmëria, vendosmëria pa kthim mbrapa, përfshirja hiperaktive në gjithfarë lloj aferash ka ardhur në rritje. Kjo e bën atë të veçantë në llojin e vet. Këto sjellje të këtyre shtetarëve te lartë më bëjnë të hap kapakun e një dosjeje brenda meje. Në vitet ‘70 kemi ndjekur me mjaft interes përparimin dhe rekordet e atleteve dhe notareve gjermano-lindore në disa olimpiada. Ato ua kaluan ruseve, amerikaneve, anglezeve. Vonë mora vesh për një program të veçantë shtetëror stërvitjeje të tyre të drejtuar nga STAS-i dhe që përbënte sekret shtetëror. Shkenca biomjekësore gjermano-lindore në funksion të këtij programi kishte arritur të prodhonte steroide anabolizantë të panjohura për kohën nga rusët dhe amerikanët. Krahas rezultateve të shkëlqyera në olimpiada sportistet me kalimin e muajve filluan të shfaqin disa komplikacione me ndryshimet përkatëse të sjelljes dhe pasoja fizike të tjera, fatale për disa nga prej tyre në vitet në vazhdim.

Kështu që mbas kësaj njohjeje instinktivisht fillova të shikoja nën këtë këndvështrim sjelljen e disa njerëzve që kishin detyra të larta shtetërore. Kjo sepse edhe përpara sportisteve kishin qenë disa liderë shtetesh, të cilët me mbështetjen e mjekëve të tyre kishin përdorur dhe përdorin anabolizantë, me qëllim për të përballuar ngarkesën, tensionin e madh fizik e mendor në ushtrimin e detyrës.

Topalli erdhi vonë në gjirin e demokratëve. Ishte si një hirushe, me hiret dhe feminitetin e moshës, si dhe të traditës që trashëgonte kultura e femrës katolike shkodrane. Shkodra është mbajtur në vitet tona si qytet me femra të bukura, gjë që ngjallte xhelozinë e korçareve, të cilat nuk mbeteshin mbrapa. Hirushja Topalli e caktuar në funksione të larta të shtetit u përball me një ngarkesë emocionale, psikologjike e fizike të atillë që e shpuri shpejt në gjendje ezaurimenti mendor. Vullnetin mbështetës të verbër për Berishën e kishte të pathyeshëm. Kjo gjë u konstatua nga ky i fundit, prandaj dhe u kujdes që ajo të vazhdonte dhe përkrahej në ecurinë e saj. Analiza logjike e konstatimeve të sjelljes dhe të pamjes së saj të shtyn në mendimin se ajo duhet të jetë ndihmuar edhe sipas mënyrës së njohur tashmë për njerëz me funksionet më të larta shtetërore. Tek ajo u vu re se situatat e punës me tension të madh e të zgjatur psikologjik po i kalonte jo keq duke befasuar ata që nuk e prisnin këtë performancë të saj. Mirëpo mbas njëfarë kohe ishin shkodranët të parët që konstatuan pasojat e këtij trajtimi ndihmës të saj. Në fillimet e karrierës ata e thërrisnin bukuroshen dhe shtojzovallen e tyre me përkëdheli Fina Topalli. Vunë re se, zëri filloi t’i merrte nuancë trashjeje, një lloj zëri mashkullor në periudha të caktuara, se faqet dhe buzët filluan të ishin të fryra, pafi, jo zakonshëm harmonike si më parë, mungonte lëmueshmëria e lëkurës dhe harmonia e shprehjes së fytyrës së femrës me hijeshi, se rrathët e syve iu theksuan si e porsangritur nga gjumi dhe shprehnin një pamje agresive, të pa konstatuar më parë. U vu re gjithashtu se duart e saj kishin një trashje dhe ashpërsi jo të zakonshme. Lëkura poroze e fytyrës me hundën e fryrë që më parë nuk tërhiqte vëmendjen dhe, me flokët e lëshuar shkujdesur paraqiste tipare të ashpra të llojit virilizues.

E vëzhgonin shkodranët gjatë ecjes dhe konstatuan në vështrim nga mbrapa se linja e saj trupore nuk ishte më ajo e para, mungonte hijeshia dhe eleganca e deriatëhershme, kishte një theksim busti me mbushje në anët e zonën nën shpatulla dhe në zonën e vitheve. Atëherë, instinktivisht filloi të qarkullonte mes tyre nofka “Xhozi” në vend të emrit Jozefina. Nuk ka nevojë të ndjekësh nga afër ecurinë e aktiviteteve të Topallit. Mjafton ta shikosh atë përgjatë situatave me ngarkesë të plotë debatesh në parlament apo në udhëtimet elektorale. Në sallën e parlamentit ajo ka manifestuar sjellje mashkulli me mbytje të emocioneve dhe shpërthime të tilla si: “Nxirre jashtë me shkelma këtë paçavure! Kapeni për zhelesh! Ky meriton me u vra!” etj. Këto dhe të tjera veprime që s’kanë qenë më parë, me shfaqje emocionesh e vështrimesh plotfuqishmërie, sjellje armiqësore me mungesë autokontrolli, humbje përqendrimi të shpien në konkluzionin se kemi të bëjmë me ndryshime të dukshme në personalitetin e saj. Natyrisht, përpara situatash të tilla me ndryshim personaliteti paramendohet një sëmundje trupore. Pyetja e parë që bëhet: A është ky person i sëmurë nga ndonjë organ i trupit?; vijohet me të dytën: A është truri i këtij personi i përfshirë në këtë sëmundje? Ndryshimet e personalitetit të Topallit të shoqëruara me ndryshimet në fizikun e saj më sjellin në mend disa femra sportiste në vendin tonë. Fola më sipër për emrin e mirë që kishin vajzat korçare në drejtim të bukurisë femërore dallueshëm në vend.
Mirëpo ishte një periudhë lulëzimi e sportit të volejbollit dhe basketbollit të femrave në Korçë, e cila manifestoi, sipas mendimit tim, edhe një fenomen tjetër. Korçarët fillimisht e më pas edhe dashamirët e tjerë të sportit në qytetet e tjera vunë re disa ndryshime të shtatit dhe tipareve te disa nga këto sportiste, gjë e pazakontë në tiparet e femrave korçare në veçanti dhe grave në përgjithësi. Kështu, dalluan një transformim të fizikut të tyre me një rritje të madhe të masës muskulare të kofshëve. Muskujt e kofshëve dhe të vitheve të tyre u shëmbëllenin atyre të meshkujve. Nëse i shihje nga mbrapa, trungu i tyre ngatërrohej me atë të një mashkulli sportist, veçanërisht kjo e theksuar tek ato sportiste që i mbanin flokët e shkurtra. Ato nuk ndjenin lodhje në fushë dhe demonstronin hiperaktivitet fizik. Jo rrallë familjarët e tyre konstatonin trashjen e zërit me një si ngjirje të lehtë, çka e bënte të dëgjohej e folura e tyre si zë i thellë mashkulli. Pa u zgjatur më tej me pasojat e ndryshimeve në sferën gjinekologjike nën efektin e androgjenëve. Tiparet e fytyrës së tyre evoluan gradualisht në shenja virilizuese. Ndryshime pësuan edhe në formën dhe lakimet femërore të gjoksit. Për disa vjet ato performuan një formë sportive të habitshme dhe thërriteshin në ekipet kombëtare. E keqja erdhi më pas. Disa prej tyre bënë vdekje të papritur nga zemra, ca vjet pasi lanë sportin dhe ndonjë tjetër vdiq nga kanceri. Por të mos harrojmë se kemi pasur edhe meshkuj me performancë sportive të shkëlqyer, sidomos në volejboll dhe basketboll, deri në nivele të papërmbajtshme, por që vdiqën herët në moshë pas lënies së sportit. Te meshkujt efektet e steroideve shfaqen më ndryshe në raport me femrat. Prandaj ata manifestonin edhe gjendje depresive me tendenca vetëvrasëse dhe ndonjë e mbylli jetën me diagnozë kancer, shkaqe të shpeshta këto rrjedhojë e efekteve të steroideve. Këto raste janë të ngjashme me sportistet gjermano-lindore, për arsye se janë disa prej tyre që janë shuar në moshë të re si pasojë e vdekjeve të papritura nga zemra dhe nga kanceri. Janë disa prej tyre që komplikacionet nga përdorimi i steroideve androgjenë i kanë shpurë deri në situatën e ndërrimit të seksit me operacionet përkatëse të nevojshme. Sot fotot e tyre burrërore, intervistat dhe ecuria e mëtejshme shëndetësore mund të shihen dhe lexohen në internet në site-in Doping for Golden Program.

Duke qenë mjek me rreth shoqëror të gjerë, herë pas here nga kolegët apo pedagogë të fakulteteve të tjera përballesha me një pyetje që më bënte të mendohesha gjatë. Këta pedagogë e nganjëherë kolegë të ndodhur para stresit të përgatitjes së një teme doktorature apo një koncerti para udhëheqjes së lartë të shtetit nuk nguronin të më pyesnin se, për sa kohë mund të merrnin pa rrezik shëndeti ndonjë tablet steroid. Pak a shumë e njëjta gjë për një këngëtar/e, i/e cili/a, disa minuta para daljes në skenë rrëkëllente nja dy gota konjak dhe shfaqej në skenë e para spektatorëve si një zotëruese salle shfaqjeje e plotfuqishme. Kjo përgatitje për dalje në skenë zgjaste pak orë, kurse ndryshon puna në sferat e larta të shtetit. Presionet, lodhja e zgjatur, udhëtimet e shpeshta, takimet me shtetarë të tjerë të huaj, ku kërkohet mprehtësi, gjendje alerte në përgjithësi në dhënie përgjigjeje, mbledhje e mitingje të shpeshta e plot aktivitete të tjera që vazhdojnë nëpër vite nuk mund të përballohen njësoj nga njerëz të zakonshëm të katapultuar në maja pushteti.

Po nuk u rrite me pushtetin që në moshë të re, përballja me atë në moshë të rritur në nivelet më të larta është traumatizuese. Prandaj për disa nga ata marrja e stimuluesve është një e keqe, e pashmangshme.

 Në kohën tonë një koleg më bënte shpesh përshtypje me vullnetin e tij të pathyer për të studiuar shumë gjatë, kontrastonte me një gjendje fizike të shkëlqyer që normalisht duhej të ndihej i drobitur mbas gjithë atyre orëve leksion, punës rutinë në pavijon, orëve të mundimshme si mjek roje dhe kërkesave për vizita në shtëpi miqsh, halleve familjare dhe pikësynimeve profesionale në rritje për tituj shkencorë. Kur shihja shpërthimet e tij në mbledhjet e organizatës, agresivitetin në masat ndëshkimore që propozonte, përgatitjen fizike që manifestonte në zboret ushtarake, ndërkohë që kolegët e tjerë e konsideronin zborin dhe aksionin si një periudhë çlodhjeje e përgjumjeje nga telashet e ditës dhe shërbimet në pavijon, atëherë fillova të mendoja, të shihja te kolegu ndryshimin e personalitetit. Nuk kishte qenë i tillë personalitet në fillimet e tij, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në fillimet e tij si kryetar i PD. Kishte periudha kohe disamujore që manifestonte një qetësi krejt normale dhe këtë e mendoja të lidhur me atë fenomen që në gjuhën e profesionit e quajmë Drug Holiday. Pra në këto muaj ai ndërpriste marrjen e steroidit. Me këtë e shpjegoj unë përshtypjen për sjelljen mjaft femërore të Topallit mbrëmë në studio. Kjo sjellje korrespondon me kalendarin e Drug Holiday të saj.

Berisha mjek i njeh mirë efektet e steroideve. Por ndërsa e zotëron këtë njohje, nuk frenon ethen e pushtetit që e shtyn në veprime të ashpra, me sjellje histerike dhe ekspresione vrastare.

Këtu qëndron e fshehta e mekanizmit të stimuluesve. Ndërvaresh prej stimuluesit, kur perspektivën e të qenit i pari e sheh si të vetmen mundësi tënden. Egoja dhe dëshira e realizimit të qëllimeve me çdo kusht të vënë nën diktatin e stimuluesit. Këtë Ai nuk e zotëron dot. Një gjendje tejlodhjeje fizike rikuperohet e rikthehet në normalitet shpejt me marrjen e anabolizantit dhe të jep mundësinë e rifillimit të tureve udhëtuese e fjalim mbajtëse me shpalosje energjish të pashtershme. Nuk është fjala këtu për atë rritje uniforme të peshës trupore që vjen e lidhur me moshën. Për syrin e një mjeku kjo dallohet mirë nga trashja e tipareve dhe sjellja abnormale e një njeriu me personalitet që është nën efektin e stimuluesve steroid.

Kur merren në prag të një eventi që mbart shumë emocione këta stimulues të bëjnë të ndjesh mjaft siguri në vetvete dhe psikologjikisht zotëron mjaft mirë veten dhe auditorin. Emocionet shuhen dhe ndihesh si një njeri që zotëron një fuqi dominuese mbi të tjerët. Nën atë efekt mendërisht ndihesh i aftë që mund të përballosh çdo situatë befasuese, me pyetje provokuese dhe të papritura. Kjo vetëfuqi e stimuluar të shtyn që të notosh zhdërvjellshëm në formulimin e përgjigjeve dhe kalon nga dhënës përgjigjesh, në situatë formulimi kërcënimesh e akuzash. Duke u ndjerë në gjendjen e një aftësie predominante, të plotfuqishme, edhe reaksioni ndaj situatave është i tillë që shpreh një këndvështrim nga lart të ndodhive. Kjo bën që të mos durosh dot kundërvënie, të mos marrësh në konsideratë gjëra që normalisht janë preokupuese, por që të duken të vogla, të papërfillshme. Zhvillohet në mënyrë të theksuar shpirti i garës, mania munduese për të qenë gjithmonë i pari, më i miri, më tërheqësi, grandomania e të qenit kampion në të gjitha aktivitet e përditshme. Ja p.sh., Berisha ka një përqendrim dhe vullnet për të punuar pa ndjerë lodhje fizike e mendore, sa i lë pa mend ata që e rrethojnë. Karakterizohet nga një eufori agresive deri në histeri, me vendosmëri të pakthyeshme për të arritur qëllimin final. Kjo madhështi prej lideri ka nevojë për ovacione nëpër sheshe, për thirrje brohoritëse me emrin e udhëheqësit në gojë, për simbole flamujsh shumëngjyrësh e parulla me frymëzime heroike, për turma të zjarrta që nuk preokupohen të dëgjojnë, por vetëm të ulërijnë. Ulërijnë ata nëpër mitingje, ulërin me zërin e ngjirur, të çjerrë deri në neveri edhe Berisha. Kjo përbën marrëzinë e turmave. Projektet që parashtrohen në fjalimet e tij para turmave nën efektin e stimuluesve duken sikur janë projekte për gjysmën e botës.

Kështu e kemi ne dominuesin e kohës sonë demokratike. “Kampion të ngjitjeve në lartësi me mbresa të paharruara groposjesh mesazhesh në malin e Dajtit për epokat e ardhshme, kampion të ngjitjeve të shkallëve të pafund të Murit kinez, kampion të sistemeve ndërtuese energjitike superfuqi në Ballkan e Evropë, kampion të portit më të madh të Evropës në Vlorë, kampion të rritjeve dyshifrore të ekonomisë, kampion epokal i prerjes së shiritave të rrugëve e autostradave, kampion i luftës kundër terrorizmit në botë dhe mbi të gjitha kampion maratonomak i demokracisë në Shqipëri”. Nën tone ngazëllyese ai të deklaron se ne si qeveri kemi kontraktuar kompaninë e parë në botë për kartat biometrike dhe se përparimet e vendit nën qeverinë e tij kanë mahnitur botën. Por loja me steroidet është sa e dëshirueshme, po aq dhe traumatizuese deri në fatalitet. Fillon si një nevojë çasti, ambientohesh më pas me atë dhe njësoj si mësohesh me pushtetin pas njëfarë kohe të tmerron mendimi që s’do e kesh fuqinë pushtetore mbas pak kohe. Ata që e adhurojnë pushtetin deri në marrëzi futen në këtë lojë dhe nuk frenohen më pas përpara asnjë pasoje. Kështu etja e pangopur për pushtet, ethja se po e humbet atë, i shtyn te nevoja e marrjes së stimuluesve për ta përballuar atë psikologjikisht e fizikisht. Prandaj bota e qytetëruar ka përcaktuar kritere të qarta për funksionimin e shtyllave të shtetit, ekuilibra institucionesh dhe periudha zgjedhjeje në pushtet e në krye të partive me kufizime kohore disavjeçare.

Në Shqipëri nuk jemi mësuar të gjykojmë dhe analizojmë shtetarët nën këtë këndvështrim. Po jap edhe një shembull që është në rritje. Përpiquni të vini re ndryshimet e personalitetit që manifeston ministri Basha. Hiperaktiv jashtë dhe brenda vendit, i janë dhënë kompetenca drejtuese të lidershipit. Ka filluar të manifestojë shenjat e simptomave të grandomanisë me timbrin e një zëri të thellë, autoritar, mospërfillës, arrogant, me sjellje plotfuqishmërie që merr përsipër të shpjegojë dhe shpalosë perspektivat ekonomike, ato të punësimit, të luftës kundër korrupsionit, të ndërtimit të hidrocentraleve dhe kompensimit të ish-pronarëve më mirë sesa specialistët e fushave përkatëse. Ka ditë të kthjellëta paraqitjeje, por manifeston se stimulohet mirë, kur i duhet të dalë përpara turmave, si në rastin e fundit në Elbasan, ku ngjashmëria e sjelljes me Berishën ishte totalisht e njëjtë. Me përmasat shkatërruese që kanë marrë fushatat e partive, me deklaratat vëllavrasëse të Berishës që i dëgjojmë çdo ditë nëpër ekrane, rrezikun e një procesi zgjedhor normal e kemi mjaft të dyshimtë. A përbën rrezik shoqëror marrja në mënyrë ciklike, të herëpashershme, e steroideve anabolizantë? Veçanërisht nga pushtetarë që luajnë dhe vendosin fate njerëzish? Ata njerëz që e vuajnë në kurrizin e tyre sjelljen e këtyre shtetarëve, të cilët janë nën efektin e këtij lloj stimulimi mendor e fizik, e dinë më mirë se kushdo tjetër këtë përgjigje. Zot, na ruaj nga të marrë të tillë! Se ndryshe duhet të themi, të tillë jemi, të tillë fat meritojmë.

 

1 Komente

Kete mjek ne prag te pensionit me duket se perpara se ta lejne fuqite, e paska lene truri.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).