Kam gabuar

Replikë kundër vetvetes    

Rrëfim i hapur, siç e duan dy të persekutuar te “55”, për letrën time për kryeministrin    

Që në krye e pranoj se kisha qëllime djallëzore, kur bëra letrën kundër kryeministrit dhe u vura të anoj në favor të të burgosurve dhe pronarëve. I tërë synimi ishte që të gjendesha me ta, tani që ata janë në prag të marrjes së pronave dhe milionave. Materializmi të shtyn të mëkatosh. Më shtyu. Duhet të isha idealist si ju, të rreshtohesha me Berishën, me anën më të dobët në historinë e shqiptarëve të tranzicionit. Njëri nga ju më quan patericë e Edi Ramës, tjetri nxënës i Gramoz Ruçit.  

I pranoj të dyja.  

Kam zbatuar porositë e Gramoz Ruçit, i cili, siç mbase e keni vënë re në artikujt e shumtë dhe librat që kam botuar këto vite, ka qenë udhëheqësi im shpirtëror. Unë, rastësisht, Ruçit nuk ia kam parë bojën asnjëherë, por, kur gënjeshtrat po asfiksojnë botën e shqiptarëve, kam drojë, se nuk ma beson njeri e më duhet të nxitoj të them se këtë e bëj, jo që ta shaj e ta mallkoj atë, por të tregoj madhështinë e z. Gramoz, që rrezaton nga larg e të dikton me fushat magnetike që vetëm ministrat e Brendshëm dinë të të magnetizojnë.  

Pranoj që letrën e para ca ditëve ma diktoi ai e unë bëra budallallëkun kriminal: e shkrova.  

E ju bëtë mirë që me dy lartësitë tuaja kulturore e me dy devotshmëritë tuaja ndaj idealeve kombëtare, u ulët në gazetën “55” dhe ma treguat se sa më vlen lëkura. Do të më falni që nuk e kam gazetën afër e për këtë nuk jua mbaj mend emrat. Di vetëm që mbiemrat m’u dukën të njohur e të respektuar, por kjo nuk ndryshon asgjë.  

Ju sot hani bukë me emrat.  

Njëri nga ju, (ky i Edi Ramës!), kish vënë re se shqiptaro-amerikanët e vjetër antikomunistë deshën të ankoheshin te presidenti Berisha, se ai duke emëruar në Nju-Jork P. Kullën u paskej dërguar atyre “komunistin më të ndyrë që qe emëruar ndonjëherë në Amerikë”.  

Është e vërtetë!  

Unë kam qenë më komunist se Hysni Kapoja, se Halim Budo, se Nesti Nase dhe Abdi Baleta. Minusi im ishte se nuk isha me teserë, pa me shpirt e pranoj që kam qenë. Në fakt, në vitin ‘68, kur BS pushtoi Çekosllovakinë, unë e bëra një kërkesë për në parti. Ne atëherë për shkak të rrezikut nga Moska deshëm si e si ta mbronim atdheun dhe nuk dinim se si mbrohet më mirë. Ca nga ne qethën kokën që t’u nxinte helmetën, ca shkuan me femra të përdala, ca filluan alkoolin. Një numër i madh nga ne, ku bëja pjesë dhe unë, bëmë lutje për në parti, se mendonim se gishti i komunistit rri më mirë në këmbëzën e pushkës. Po ne na i hodhën poshtë lutjet dhe nga ne në atë parti pranuan vetëm Sali Berishën. (Ju kujtimet e z. Berisha që tregon këtë histori, duhet t’i keni lexuar).  

E megjithatë Saliu u bë, kurse unë mbeta komunist në shpirt dhe kisha rast ta tregoja poshtërsinë time, kur më dërguan këtu, në Nju-Jork. U mundova t’i dëmtoj interesat e kombit me të gjitha forcat, por nuk ia dola dot. Kurse ti, zotëri, që mbron figurën e patericës, duhet t’i kishe lënë këta antikomunistët, miq të babait tënd, t’i ankoheshin presidentit. Se në fakt Berishës i duhej vënë në dukje, që me gjithë madhështinë dhe punën heroike që ka bërë në favor të kombit, ka bërë edhe ca gabime. Emërimi im, për shembull, rëndon Berishën! Mua më lumtë, se unë komunist isha dhe ia doja të keqen vendit, po Berisha që i desh të mirën, pse nuk tregonte kujdes?! Se të emërosh qorrazi kryeministra, nënkryeministra, ministra, kryetarë partie, deputetë, ambasadorë, është mungesë thellësie dhe vigjilence! Të tërë ia kishim me hile atij: Meksi, Kopliku, Shehu, Malasi, Zhulali, hera herës dhe Hajdari, Selami, Shehi, Dosti, Arbnori, Kokalari, Ngjela, Mustafaj, Zogaj, Pollo, Vejsiu… Nuk di a keni vend në gazetë, se janë shumë?... Bëhemi nja 400 emërime të gabuara, në mos gabohem unë! E nuk janë pak! Dakord, në karrierën e tij ky është një gabim i vogël i zotit Berisha, në krahasim me punët e mira që ka bërë, por prapë, mirë ishte të mos emëronte aq shumë njerëz që e lanë vendin kaq prapa, në bisht të Evropës! Ama, - e kjo duhet pranuar nga ne tradhtarët, - ai nuk lëvizi qimen nga vija e tij e drejtë. Nuk e ndërroj kurrë kursin, as ndaj pronave, as ndaj drejtësisë, as ndaj Amerikës, as për ujërat territoriale me Greqinë, as për Rambujenë. Qëndroi kolonë, siç i ka hije atij dhe ju të dyve!  

Ju, zotërinj fort të nderuar, më vutë në dukje të tërë gënjeshtrat që Ruçi m’i diktoi e unë i rreshtova në kurriz të idhullit dhe prijësit tuaj. Unë gënjeja që thosha se kryeministri ynë i nderuar nisi vetëm vitin e fundit burokracinë e fisme për shpërblimin e të persekutuarve me qëllimin djallëzor që t’u marrë edhe një herë, (për të njëzetën herë!) votën. Menduar mirë: në rast fitoreje, t’ua paguante krundet në fund të mandatit të dytë, për t’u vjelë edhe votën e ardhshme. Në rast humbjeje, të linte Ramën t’u dëftente bërrylin socialist të burgosurve.   Bëtë mirë, që të dy, që i emërtuat shkrimet tuaja të vyera “polemika” dhe polemizuat në të tëra. Siç u ka hije! Për shembull, bëtë mirë që ma hodhët poshtë atë gënjeshtrën e nusërimit të pikëlluar të Presidentit dhe Kryeministrit tek arkivoli i drejtorit famëkeq të TV shqiptar, Thanas Nanos! Mirë bëtë që nuk e zutë me gojë emërimin e Mehmet Elezit, se kjo mund të tingëllonte keq, paçka se kjo thellë-thellë tregon konsekuencën në rritje të Sali Berishës, që për ambasadorë e nisi me emërimet tona, të komunistëve “të ndyrë” dhe të thjeshtë pa grada, derisa u poqën kushtet për të emëruar anëtarë të pastër të Komitetit Qendror!  

Por që të dy, dhe paterica, dhe ti i teorisë së Gramozit, bëtë mirë që ia çorët maskën rrenës time të poshtër, se Berisha ka pranuar që gjatë tetë vjetëve ka thënë për Fatos Nanon vetëm shpifje. Se vetëm qëndrimi juaj i patundur më ka mbajtur mua të vazhdoja me gënjeshtra të tjera, atë që vetëm kur ia nxori lakrat Bullatoviçi i Malit të Zi, prijësi ynë pranoi se e kish thyer embargon me Jugosllavinë duke i shitur naftë Serbisë. Në kushtet që i krijoi Bullatoviçi, Berisha deklaroi se kjo ishte e vërtetë, por shtoi, se ai pat qenë shprehur kundër embargos që impononte OKB për Jugosllavinë. Se ku qe shprehur kështu dhe ku e pat thënë…????? Nuk e dinte as kryeministri i tij, as ministrat e tij, as ambasadorët (me problemet e embargos në OKB merresha unë, por me mua ai kish rezerva për bindjet e mia tmerrësisht komuniste), e asnjë zyrtar tjetër. Këtë qëndrim patriotik kundër embargos e dinin vetëm presidenti ynë dhe kontrabandistët tanë patriotë.  

Ja, edhe këtë gënjeshtër desha ta përsërisja në letër. Se e kam thënë njëherë. Por ju më shpëtuat e nuk e përmenda prapë. Kam frikë mos më qortojë Gramozi, por them se do ta hedh lumin me ndonjë ndëshkim të lehtë nga ai.  

Kërkoj falje dhe që i kujtoja kryeministrit që shpall festat kombëtare sa herë zë vendin e fundit në arritjet evropiane. Këto janë të vërteta, edhe duket se edhe ju i pranoni, se nuk i zinit në gojë në polemikat tuaja dinjitoze.  

Si përfundim, unë i pranoj tërë etiketat që më vini: dhe i pabesë, dhe komunist, dhe i shitur, dhe interesaxhi. Me një fjalë unë nuk vlej për asgjë e ju bëni mirë që më diskreditoni. Por ju harxhuat mundim kot, se unë nuk jam në asnjë listë për t’u votuar e nuk pretendoj as për deputet, as për kryeministër dhe as për ndonjë titull tjetër e as vendit e askujt nuk do t’i vijnë rreziqe nga unë. Lumturisht i kemi qelibar listat dhe kjo e garanton të ardhmen e vendit. Sado u përpoqa unë, përpjekjet ujë nuk më pinë. Ju të dyve ju këshilloj ta hidhni votën tuaj për Sali Berishën dhe listën e tij. Ai është i denjë për votat tuaja dhe ai i meriton ato.  

Me mua mos harxhoni më letër e bojë, se unë nuk ju përgjigjem më në jetë të jetëve! Por mobilizohuni aty e kusur mos i lini Ramës, Ruçit, Gjinushit, Metës, Polit të Lirisë dhe Ballëve Kombëtarë dhe Legaliteteve të ndryshëm, që nuk janë me ju. Dhe sidomos Ngjelës. Votat e një populli si ju të dy, ai nuk i meriton. Kur partitë i quan lecka ku të vesh këmbët, siç i quan ai, kur kundërshton perënditë, siç bën ai, kur nuk gënjen, siç bëjnë shefat e kur do më shumë ligjet se prijësit, aty të rrijë, nuk është i denjë për votantë si ju të dy.  

T’i rroni kombit, or ju dy trima të persekutuar!    

Poshtë shënim: E pata të vështirë të ulem deri në nivelin tuaj e të shkruaj siç doni ju. E ja, tani po më dhëmbin kërbishtet, se ndenja gjatë ulur. E di që shumë miq do të më shajnë për këtë gjest, por sinqerisht, të mos ishit deklaruar të persekutuar, unë nuk do ta bëja këtë replikë. Nga ana tjetër, them, se nuk është shenjë e mirë, për Berishën, që asnjë nga pronarët e vjetër nuk rrëmbeu drunë kundër meje, e të më zbërthente brinjët, siç bëtë ju të dy.

13 Komente

E ka ekzagjeruar këtu Kulla!

Gabimi i Kullës dhe shumë të tjerëve qëndron në atë, se kujton, që tifozat e Berishës e kuptojnë ironinë apo sarkazmën... GABOHESH: Ju janë errur sytë... Kur nuk dinë të qeshin nuk mund ta kuptojnë humorin... aq më tepër ironinë apo sarkazmën.

P.s: Pah sa grupe armiqsore paska zbulu doktorrri:

Meksi, Kopliku, Shehu, Malasi, Zhulali, hera herës dhe Hajdari, Selami, Shehi, Dosti, Arbnori, Kokalari, Ngjela, Mustafaj, Zogaj, Pollo, Vejsiu… Nuk di a keni vend në gazetë, se janë shumë?... Bëhemi nja 400 emërime të gabuara,

Per shkrimin 5*, se me pelqeu!

p.s: Per adminet, ju lutem kur sillni shkrime, ndani titullin nga paragrafet dhe poshte shenimet se mu bene syte copa smiley

Turqeta, mirmjes a mirdita, sipas hemisferes!  smiley  

Kush ve bast qe ne tre komentet mas ktij, do dali njoni kunder Pllumit me komente me harfe t'mdhoja, me dy fjali ne menyren deshirore (si tha ai frengu, paskeshim fol ne proze gjiF jetes ene s'paskena dit gjo), e para nga te cilat fillon me POSHTEEE dhe e dyta fillon me RROFTEEE....  smiley 

E ku t'ka lala... o mi Qomile, te kom desht, ene prap te duuu... va va vap.....  smiley 

Me sa di une, z. Pellumb Kulla e kishin derguar ne Fier, ne kohen e xhaxhit per arsye politike, apo ia fus kot? Fatkeqesia e qeverive tona eshte qe njerezit qe ia vlejne vertet, o i anashkalojne, o i degdisin gjekundi, ose hedhin balte mbi ta, kur "dalin" nga vija e Partise. "Armik" ne te gjitha sistemet, atehere si antikomunist, tani si komunist...

S'jam dakord vetem per nje gje: 

Kërkoj falje dhe që i kujtoja kryeministrit që shpall festat kombëtare sa herë zë vendin e fundit në arritjet evropiane

Ne mezi i kemi keto festa, sidomos kur bien ngjitur me fundjaven... I do robi tre dite pushim here pas here... smiley

p.s. Admin, s'e di a eshte sjelle ketu te peshku letra per te cilen flet z. Kulla? Ndoshta per te krijuar nje tabllo me te qarte se perse behet fjale, duhet lexuar dhe ajo, mendoj une.

 

Well, nja dy-tre gjera :

1. Krahu i majte, aty ku shfaqen postimet e reja, nuk punon, dmth : hapet faqja, por nuk ke kuti shkrimi, pra nuk mund te postosh.

2. Nuk mund te postoj as nga IP qe kam pasur deri tani, dmth futem, logohem, por nuk kam kuti shkrimi.
_______________

Tani per kete punen e Kulles. Kam pershtypjen se Kulla jeton ne nje epoke tjeter, ne epoken e dinosaureve. Kam pershtypjen se duhet te gjendet dikush prane tij per t'i thene keto fjale :

"Mik, koha juaj ka mbaruar. Ju nuk na beni me as per te qeshur. Humori juaj ishte i formatuar per nje kohe te caktuar, ne nje vend te caktuar. Ai nuk ishte humor universal, siç mund te jete humori i nje katundarrrrri qe aty ka qene, aty eshte, e aty do te jete me parmenden e tij. Nese ju zoteri keni ç'te shkruani ne kete lloj humori, atehere shkruajeni. Por humori gjoja politik, ka mbaruar. Keto pseudoironirat jane per "attrapes-mouches", ose ndryshe, "kapese trapash", qe mashtrohen me nje kallamsheqeri."

Ja keshtu t'i thuhet, nga ndonje qe e do fort Kullen. Ca gjera shkojne me kohen. Ka plot humoriste te botes qe deri para dhjete vjetesh te shkrinin se qeshuri e qe sot jane per ne kosh te plehrave. Ja qe keshtu eshte : koha bluan gjithçka, ajo eshte sovranja e perjetshme. Dhe ska Pellumb apo Kulle qe nuk rrezohen perdhe nga kjo sovrane.

Keto perpjekjet per "Shansi i dyte per nje ish-star", jane te mjera dhe patetike. Ju e keni pare sa keq na vjen per fytyren e Mickey Rourke apo te Silvester Stallone, apo per te atin e Angelina Jolie. S'ke ç'ben, mbeshtill leckat dhe kthehu ne shtepi, shijo pleqeri apo ç'te ka mbetur, dhe lere jeten te jetoje.

Ja kaq, z. Kulla, nga nje dashamires i perhershem i juaji.

jo po tallemi, 

autokritika te sjell ne vije zoti kulla! E shikon c'binaros parafolsi apo jo? smund te dalesh nga hija e diamamtit te zi pa te perpire mulliri i kohes.

te zezat zero dh enjisha cmbajne mbi vete.

5*****

Chene, mos e nga mullirin, pa te s'do kishim don kishoter smiley

Autorët P » Pëllumb Kulla   Pëllumb Kulla
E hene, 18-06-2007, 01:06am (GMT+1)

 

Pëllumb Kulla

Lindur në/Zëmblak, Korçë në 1940

Pëllumb KULLA - Veprimtaria:

U diplomua aktor nga Shkolla e Lartë “Aleksandër Moisiu” (sot Fakulteti i Artit Skenik të Akademisë së Arteve, Tiran&eumlsmiley më 1964 dhe u emërua regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të Teatrin të atij qyteti.

Më 1967 bëhet papritmas viktimë e luftës së klasave, për “shkaqe biografie” dhe detyrohet të bëjë punë të ndryshme, në gurore, minierë e më pas në ofiçinë.

Ky “stazh” zgjat plot katër vjet, derisa kalon me sukses një test, si regjisor i Estradës së Fierit.

Më 1972 emërohet aktor në Teatrin “Bylis” të Fierit, por për 18 vjet me rradhë punoi si regjisor i Estradës dhe Teatrit atje.

Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit bëhet shpejt një nga më të suksesshmet në vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare. Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët “Çobo Rrapushi me shokë” (1980) bëhet një sukses kombëtar afatgjatë. Gjatë kësaj kohe shkruan më se 300 skeçe dhe komedi një aktëshe, 40 kuplete dhe 23 monologje, shumica e të cilëve shfaqen në TV. Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nën titujt “Lipe Shtogu në listë” (1979), “Shoku Niqifor” (1981), “Portrete pa makiazh” (1983), “Po martojmë Malon” (1984), “Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç” (1988), si edhe në buletinin “Teatër”. Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri.

Më 1987 i jepet Çmimi “Naim Frashëri”.

Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen “Shoku Niqifor”, “Dy krismat në Paris”, “E bukur shtëpi e vjetër”. Produksionet shfaqen me sukses në të gjithë vendin, si edhe në festivalet kombëtare, por nuk arrijnë kurrë më lart se çmimi i dytë. Përjashtimin e bën komedia “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”, vënë në skenë nga S. Duni në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989. Po këtë vit, Kulla nderohet me Çmimin i Republikës, në fushën e satirës dhe humorit.

Në vitet ’80, humori i Kullës bëhet i kërkuar edhe në kinema. Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë “Telat për violinë” dhe “Stolat në park” si dhe autor e regjisor i skenarit me metrazh të mesëm televiziv

Ndërsa në fushën e letrave, një tjetër ndihmesë e Kullës është përkthimi i autorëve të njohur si Pirandello, Çehov, Gogol, De Mysse, Buzzatti etj.

Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë.

Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bon, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).

Gjatë qëndrimit në SHBA botoi essenë e gjatë me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, “Si qeshnim nën diktaturë” dhe vëllimin me tregime “Rrëfenja nga Amerika”.

Më 2003 u kthye përkohësisht nga SHBA, për të vënë në skenë të Teatrin “Bylis” komedinë e tij “Kërcuri”.

Ndoshta do ishte me interes te sillej dhe shkrimi i gazetes 55 per te pare seç ishte shkruar. Them ndoshta, sepse mund dhe te mos ishte e rendesishme, sepse Kulla, njihet si njeri popullor, i respektuar, shkrimtar, autor i shum skeçeve dhe parodive humoristike, keshtu qe mendoj se ata dy autoret e 55 mund te jene nxituar (ose te porositur) ne shkrimin kundra P.K. 

Pjer, një katunar që kalon tre-katër vjet në Francë edhe i duket vetja më i mënçuri i botës, por ti a beson se një person si Pëllumb Kulla, që ka qënë Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB 4 vjet, edhe sikur të ketë qënë trung,  do të dinte se ç'është serioziteti institucional?

simbas teje, a nuk do kishte rëndësi fjala e tij?

P.s: Sa për kulturë të atyre snobëve që e kanë me artistat... të shohin karrierën artistike di Reganit.
Shyqyr që malokët amerikanë nuk e mendojnë si malokët tanë.

 Katundaret behen dhe kryeministra.

Per ato qe i ka marre malli per humorin e Pellumb Kulles:

(Nga "Rrefenjat e Amerikes&quotsmiley

PERSE TE AKUZOJA ATEHERE, MOR ME QAFSH?

Për portierë fotbolli e për hetuesa që të punonin qindin, nuku kish vend t’ia kalonte dot Korçës tonë!…
Kam rrëfyerë shumë, po nuku kam rrëfyerë më të bukurën, atë që më ka ndodhur njëherë këtu, vite të shkuara…
E po kur të qaj tërë, kurrë nuku do ma mirrte mendja se në mes të Pellham Parkut do më fanitej hetuesi im, ay që më pat nxjerrë ujë të zi një herë vaftit! Sefte e pashë kur po zgjidhte banane në Lajdig Aveny. Ay më pa e mbeti. Unë i hoqa sytë. I hoqa unë po s’m’i hiqte ay. E takova më pas dhe nja dhjetë herë të tjera e gjene unë i hiqja sytë i pari. Ay ishte gati të më jepte të njohur, por unë, fësht, tutje! Shtatë muaj rresht kjo punë!
Atë ditë më zuri ngushtë. Unë i ulur në një stol të parkut, ay u dha. Asnjeri tjetër. Unë e ay. Gjene m’u qep ky, miza e kalit, o në ..çkë të sëmës! Gjene me një gazetë shqiptare të zhubrosur në dorë!
E pashë me bisht të syrit. Ay ka mbajtur çapnë e po shëkon këtej nga mua. Këtë rradhë, më duket nuku do më ndahet, thashë.
E nuku m’u nda plaku. M’u afrua e më ndënji një të pështyrë larg. Bëra sikur e vura re atë ças. Po më foli, thashë, do t’i flas! Më foli:
• Që je shqiptar këtë nuk e diskutoj më, - ia nisi Taqka. - Të shëkoj gjthnjë dhe,
hë të flas sot, hë të flas nesër!
Unë s’lëviza hiç pe stolit. Po ama, as shënjë që gabohej, nuk i dhashë. E shihnja
unë që Taqka desh t’i shkonte gjer në fund:
• Do të më bësh vend të ulem ca-o? – pyeti dhe m’u ul pranë. - Dhimitraq ma
thonë, - më tha. - Ore ku jemi parë, bashkë?
Ke parë kështu ti?! - Nuku më mban mend? – i thashë me një zë që edhe vetë u çudita, se si m’u ngjir papandehur. - Të më vraç, - tha, - nuku të sjell dot në hatër!
Para shtatë muajsh, kjo do dukej e pabesueshme, por tashi e besova që
plaku nuku më njihte vërtet. - Po mirë-o, - i thashë, nuku më mban, nuku më mban!
• Jo, po unë dua ta di, - ngulte plaku këmbë, si mushka.
Dua ta heq nga qafa, po më hiqet ay! - Po më mirë bre, të mos e dish! - ia bëra.
– Jo, më mirë ta dij. – Dhe pa e lënë brazdën, vazhdoi: - Jemi pjekur donjëherë në Shqipëri?
E po kjo pikë e zezë! Oh, krimb i gjizës! Ky nuku më desh mua, jooo! Këtij i duhej donjë hundë lesh që t’i rrëmbente një dru, që t’i binte shtatë herë e t’ia nëmëronte një! Gjene thashë, hajd t’ia shkund kujtesën nga rrodhet:
• A ke qënë hetues, zotrote? - ia prita si me tokmak. Ay u hutua e po më
përpëliste qepallat si guak. Shtyje dhe ca Peço, i thashë vetes. – S’e sjell dot në hatër-o? Në burg të Korçës, e kujton tashi, besoj!
Të ish donjë tjetër do ngrihej e do bëhej def, me bisht në shalë, por Taqka
duket e ndjeu, se unë të hanja munë, jo të nxirrja inatet!
• Mos more! Të kam bërë hetimnë? Të kam marrë në pyetje, ëh? - Të thoshe ti,
Taqkës nuk i delte e keqja. - Eh moj e kaluarë e hidhur!.. – i binte gjunjëve. (Tëmën, thashë, do të zerë të më qajë këtu!) - Mo më thuaj që të kam torturuarë! – tha dyke m’u lutur.
• Po të duash nuk e them-o, - i a bëra, - po e vërteta është se…
• Hajde regjim i poshtër hajde! – psherëtinte plaku që nga thellësirë e shpirtit e
nisi ta shajë me rrënjë e me degë diktaturën: - Dhe me siguri i ke ngrënë shtatë vjet prapa hekurave, në palcë të rinisë! I ke ngrënë, i ke ngrënë! Ah moj diktaturë e fëlliqur ç‘ke bërë! – Dhe kthehej nga unë: - Po a je mirë? Ncë-ncë! Përse të akuzonja, mor aman, më qafsh?
• Do të ta them-o, posi, i thashë: Kot fare! Se, gjoja, dëgjonja “Zërin e
Amerikës”. Se, demek, desha të arratisça dhe të vinja këtu në Shtetet e Bashkuara…
Plaku vazhdonte ofshamat e pikëlluara rradhë-rradhë, gjer u kujtua se më zu me
presh në duar. Nisi të zgërdhejë e të më tundë gishtnë, me qortim pe mësuesi.
- Në fakt, ja ku je n’Amerikë! Hë-hë! Nuku paska qënë kot!
- Shpifje bre! Atëhere nuku kishnja dërmend! – ia preva.
• Këtë, as tani s’ta pranoj. – ma previ dhe ay dhe unë e pashë, që kot i kisha
ndënjur ftohtë, pasi asgjë s’e pengonte Taqkën të kënaqej me mua, si me një mik të vjetër. Ma lëshovi firomën në vesht e më pëshpëshi ngadalë, sikur Sigurimi të na paskej ngjitur përgjuesa edhe dëpër stolat e Pellham Parkut: - Tërë bre, tërë ne e ëndërromim Amerikën, atëhere! Si ju që rriheshit, edhe ne që u rrihmim. Hë po diktaturë e poshtër, që na mori më shumë se gjysmën e jetës! - Na e mori… - ia bëra me zor pas tij. - Ah moj diktaturë e mallkuar! Ah o sistem maskara!
- Maskara, - i mbajta iso pa qef e fillova ta marr inat veten, ce jo vetëm nuku po i lanja borxhet, por po i vinja edhe pas avazit. E bile, dyke dashur mos ma merrte fjalën “maskara” për veten e tij, nxitova ta përsëris gjene: - Sistem maskara!
Më erdhi turp pe vetes, kur të qaj tërë. Tëmën, thashë, po unë pse nuk ia ndërroj këtë mut teme, po e le të dërdëllisë dyke sharë bot e bot diktaturën! E pyeta si ia kalonte tashi.
• Me halle shumë. – ma bëri dhe lëshovi një derro psherëtimë, sa thashë se
dha shpirt. - Po tashi, - më tha, - që amerikanët më dhanë strehimnë, sikur më mbarë po më vete.
Rrufenë e kisha pritur, këtë jo! Deshnja unë ta linja temën, po s’më linte tema mua. Kushedi sa do t’i kem çakarritur sytë, se Taqka më kuptovi.
- Ce habitesh-o?.. Tërëve neve që e kemi urryerë diktaturën, na e dhanë, - tha.
- Po ja, - iu qava, - mua nuku po ma japën akoma!
- E po ti dofta nuk e ke urryerë aq sa neve të tjerët, - ma shpegovi dhe desh ta nxirrte shkaknë: - Ja, pasi ... mbaruamë punë bashkë, atëhere, ç’ke bërë? – Unë nisa t’i tregoj që pe ditës që pranova akuzat. - Në fakt, - ma previ fjalën Taqka, - jo që të mburrem, po me mua, të tërë i pranonin akuzat. Hë, më fal! Pastaj, ç’bëre?
- Ato të shtatë vjetët!.. - iu përgjigja e teksa plaku vazhdovi ta shante me rrënjë e degë sistemnë, unë desha ta vërtetonja akoma: - Vërtet nuku më mbanje mend?!
- Po kuuu, bre! – u shfajësua me fytyrë qarramani Dhimitraqi. - Sa kam kaluarë unë dëpër këto duar! More, more, more! Të zestë male që s’piqen dot, pa njeriu me njerinë u pjekërka! – E pyeta se si i kish vajtur filli atij më pas. - Regjim i poshtër, bre bir, - tha. - Pasi mbaruamë punë bashkë, nuku më rreshtnë trasferimet! “Na duhet një hetues i zoti atje: shko Taqkë! E ka kyçur njëri gojën këtu: hajde Dhimitraq!”.. E kështu gjer sa suallmë demokracinë…
Të na shihte njeri tok, do ta zinte lemeria. Të ngjanim ne, or byrazer, si dy miq të vjetër që kanë kaluarë të tharta dhe të ëmbla tok. Kur mos kem babanë, dukshim në stol tamam siç e thonë këta kllasikët e rinj të demokracisë, si dy bashkëvuajtës, që po shamim sistemnë, që na kish bërë bashkfajtorë e vazhdomim me pyetka, për rrugët që na kishnë shpënë larg njëri tjatrit.
• Po tani-o, me se merresh? – pyesnja unë, bashkëfajtori, të gjorin Taqkë, -
nuk u ke kërkuarë donjë punë si hetues, këtyre të Amerikës-o?
- Uell… - ma kthente me një fjalëzë amerikane bashkëvuajtësi im, që si tashi e sjell në hatër, ashtu me mëngë të përveshura në hetuesi, - në fakt, ma propozuanë. “Nuku kam fuqi, bre, u thashë, mua më ka drobitur biruca”…
- Biruca?!!! - Rrufeja e dytë, kjo! Këtu më kërcyenë mua. I butë i butë, po kjo ishte të qaje me oiii!.. Njëmijë susta më shtynë përpjetë, drejt e më këmbë: - Po tinë nuku the që ke qënë në burg!
- Nuku thashë unë, po ama e thotë shkresa! – ma bëri ay pa u ngritur pe vendit. - E kur e thotë shkresa me firmë e vulë, zere se ke qënë! Hë mo derëzi, se tërë kemi vojtur në atë skëterrë!.. Shkresën ma dha një njeriu im, në Komitet të Përndjekurve. Ay ma mbushi e unë ua paraqita këtyre…
Tëmën-o, për atë ditë m’i paskëshin mbledhur të tëra çuditë! - Njeriu yt?! Ke patur ti njeri nga fisi, të përndjekur?! – ulërita.
- Kush mo tha, nga fisi! – Taqka vazhdonte të fliste ulur, avash avash. - Tërë ata të përndjekurit e komitetit, i kam kaluar dëpër duart e mia.
• E po kjo…kjo nuku është e drejtë, bre! – po shfrynja unë. - Ja thuaj të drejtën!
Biseda e ngrohtë tani na kish lënë shëndenë. Unë zjenja, ay valovi i pari! Vrëng,
përpjetë dhe më erdhi para turinjve!
- Cila, mo, nuk është e drejtë! Cila?! Patriot, patriot, po… nuku të duroj unë! Mbylle kamaren e rri rehat aty! – Tani po ma kujtonte tamam atë Dhimitraqnë e parë. Nga e kish fshehur tërë atë zë, o e vrafshin me bukë në gojë! Sokëllinte o sokëllinte: - Nga juve, më tha, i patmë ata dyzetepesë vjet, që kur i kujtoj më dalin mornicat mbi pantollona! - Nga neve-mo?!!! – i a bëra. – Nuku na e ka fajnë njeri, oreee! - ia bëri, - vetëm juve!
• Po ç’faj u kemi neve mo?! Juve na shqeptë me hu! – i u këtheva unë. – Na
futët spica dëpër thonj.. Na futët vezë dënë sqetulla. Vezë nuku gjenje në dyqane, ce i mbanit juve bre, për sqetullat tona! A duronim dot neve-o …?
Unë bot e Taqka qyt: - Të duronit-o, posi! Kur është fjala për liri e demokraci, për popullin, njeriu duhet të durojë, oreee! Po të rezistuakshit juve, nuku do na kish zgjatur aq shumë diktatura. Ja mo ti, ti: a ishe fajtor ti, kur të dënova? - Asnjë çikë! – i thashë pas njëzet vjetësh! - Sigurisht, që nuku ke qënë - tha edhe ay, po pas njëzet vjetësh, - po a e pranove fajnë? – E pranova… - pranova kokunjur unë.
Këtu Taqka më ulërivi, sa në dyzet vjet, ulërimë të tillë s’pata dëgjuarë. U tund
Pellham Parku o në …çkë të sëmës!
• Po pse e pranove, mor… mor…?! Po unë kisha qef bre, t’u a përplasnja në
sy, shefave të mij e t’u thoshnja: “kot ma kini sjellë këtë, oreee! Ky është pa faj!”
• Po t’u thoshnje -o, posi!
• Po ç’t’u thoshnja unë, mor ta thëntë prifti! – xheç më mbyti hetuesi im. – Ç’tu
thoshnja, kur ti e pranonje menjëherë! Ta hanja unë-o?! Të merrnja më qafë djemkat e mi-o? Ju marrtë dreqi juve, ljepuj! Na e bëtë jetën zeher. Na mbajttë më këmbë gijthatë palo regjim!… Do kishimë ardhur n’Amerikë, tridhjetë e ca vjet më parë!.. Do kishmë hapur donjë biznes.. Ju ngrëntë murtaja, ju ngrëntë!
Iku me kacabunj të ngritur dyke sharë e turfulluarë. Dhjetë çape e kthe kokën, dhjetë çape e kthe kokën! E ma hidhte mua flakën e syve, sëkur i kishnja vrarë babanë, sëkur i kishnja shkatërruarë jetën.
Unë mbeçë si gallof e për atë Zot, në po e kuptonja, se ce nuk e kishnja më Taqkën aq inat, sa ç‘e kishnja mote të shkuara?! Dy gjëra ishnë: o ay kish të drejtë ose ma la mua prapë pilafnë!… >>

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).