Jusuf Vrioni, nga burgjet e komunizmit tek perkthimi

Alma Mile

“Në kohën kur po iu jepja dorën e fundit këtyre kujtimeve, me të drejtë mund të shpresoje që përpëlitjet, që pasuan daljen nga një shtet totalitar nuk do të ishin aq të forta sa që të tronditnin jetën e njerëzve. Mirëpo, megjithatë, në fillim të 1997, në Shqipëri shpërtheu një krizë aq e mprehtë saqë të bën, pasi ka ndodhur, të zhytesh në disa mendime dhe të ndjell pyetje rreth shkaqeve të thella të saj”. Ngasja prej intelektuali e shtynte të kthente kokën pas e të shihte kah jeta e tij. E mbushur plot ngjarje, jeta e Jusuf Vrionit, njërit prej kolosëve të përkthimit shqiptar. Një jetë, e cila na rrëfehet nga ai vetë në librin “Kujtimet e një evropiani - Psherëtima fati”. Kjo vepër, e cila këto ditë i është shtuar tregut të librit, nga shtëpia botuese “Albimazh” është përgatitur nga studiuesi dhe romancieri francez Eric Fay dhe përkthyer nga frëngjishtja në shqip nga Viktor Kalemi. Siç rrëfen faj në një parathënie të shkurtër, hedhja në letër e këtyre kujtimeve është shoqëruar me orë të gjata bisedash e regjistrimesh, gjatë cilave ai zbuloi një njeri të madh. “A mundet vallë që Evropa e sotme, historia bashkëkohore, të sjellin fate kaq të vetëtimta dhe çoroditëse, të çrregullt dhe të pasur si ai i këtij njeriu? Fëmijni si ato që përshkruan Nabokovi, rini të artë, e shoqëruar me studime të gjata, të cilat përpunuan një mendje të aftë për të interpretuar situata shumë të koklavitura dhe për të arsyetuar, debatuar në një sërë disiplinash, burg stalinist si ata që përshkruan Solzhenicini, pastaj një ngjitje e ngadaltë drejt jetës në një botë, që nuk e kishte zgjedhur vetë dhe së cilës duhej t’i përshtatej dita ditës, deri sa erdhi mirënjohja, nëpërmjet universit të letërsisë, mirëpo ishte një mirënjohje aq e vonuar saqë nuk mund të shijohej me të vërtetë, me gjithë atë vrer të viteve të shkuara”, - shkruan Faj.
Kujtimet e Vrionit nisin me një hyrje nga ai vetë mbi kohën kur shkroi këto kujtime. Më tej, vijon me momentin e arrestimit në vitin 1947, që siç thotë ai, do të ndryshonte gjithë jetën e tij. Teksa priste të niste një kalvar të gjatë vuajtjesh, si në një “kaleidoskop të shpejtë” sjell ndër mend gjithë jetën e deriatëhershme. Familjen e tij, paraardhësit, fëmijërinë, largimin nga Korfuzi, vendosjen në Berat, pastaj kontakti me perëndimin, vendosja në Paris, studimet atje, qëndrimi në Romë, kthimi në Shqipëri, përpjekjet e para për t’u përfshirë në Partinë e Ballit Kombëtar, më tej angazhimi si përkthyes, deri në momentin e arrestimit, si spiun. Përmes kujtimeve ai sjell trajtimin çnjerëzor që u bëhej të arrestuarve në burgjet e sigurimit e më tej në qelitë e burgjeve. Ai tregon për torturat që ka pasur dhe njerëzit që e merrnin në pyetje. Pas daljes nga burgu dhe ecejaket nga njëri kamp pune në një tjetër, do të rimerrte aktivitetin e tij si përkthyes, gjë që nuk ishte e thjeshtë, për një ish të dënuar. Por për shkak të gjenisë së tij, do t’i besoheshin edhe fjalime e vepra të Enver Hoxhës, të cilat konsideroheshin tepër të vështira. Puna e tij kolosale për të përkthyer në frëngjisht vepra të Ismail Kadaresë e shumë të tjerëve mbetej në hije, sepse ai ishte një ish i dënuar, “njollë” kjo, e cila do të mund të “shlyhej”, kur vetë Enver Hoxha e përgëzoi për përkthimin e një prej veprave të tij. Kujtimet e tij vijnë deri pas viteve ’90, kur më në fund Shqipëria është e lirë e përkthyesi i madh, mund të rikthehej në vendet ku kaloi fëmijërinë dhe rininë. Nga kujtimet e Vrionit, kemi shkëputur kohën e largimit të tij nga Shqipëria gjatë krizës së vitit 1997, një hyrje që paraprin librin dhe momentin e arrestimit të tij në vitin 1947 në Tiranë.Dilema e largimit nga Shqipëria në vitin 1997
...Qysh më 11 mars, duke qenë se vendi ishte bërë preh e një pasigurie gjithmonë e më shumë në rritje, gruas sime, e cila punonte në Hotel “Rogner”, vend takimi i shumë personaliteteve publike shqiptare dhe e një numri të madh gazetarësh të huaj që kishin vërshyer në Tiranë, i shkonte nëpër mend ideja për të ikur. Po e ndjenim që gjërat po rëndoheshin pranë nesh, mirëpo unë, për veten time, nuk mendoja ende të largoheshim nga vendi. Megjithatë, të pasnesërmen, ngjarjet do të na detyronin ta merrnim këtë vendim. Qysh prej disa javësh, ishte vendosur ndalim-qarkullimi, duke filluar nga ora nëntëmbëdhjetë. Dhe pikërisht në një atmosferë të tillë shumë të nderë mbërriti Agi, gruaja ime, atë mbrëmje, nga hoteli ku punonte. Nuk kishin kaluar as pesë minuta pas ardhjes së saj, kur pothuajse poshtë dritareve të shtëpisë sonë u dëgjua një breshëri automatiku, e pasuar nga disa të tjera. Drejtori i Burgut qendror, duke parë se nuk e siguronte dot më kontrollin brenda tij, hapi dyert. Kështu, disa prej të burgosurve që tashmë ishin të lirë, mesa dukej kishin ardhur në lagjen tonë. Të afërmit e tyre festonin në këtë mënyrë lirimin e tyre: të armatosur me kallashnikov, qëllonin në ajër, por unë, duke ndjerë goditjet në muret e shtëpisë sonë, kuptova se ata shtinin edhe në drejtim të saj. Më vonë do të vija re se tjegullat e çatisë sonë ishin bërë shosh nga plumbat dhe se në dhomat e katit të sipërm hynte shiu…
Në atë kohë, po e përsëris, unë nuk kisha ndërmend të largohesha prej vendit. Mirëpo duke parë se gruan time po e zaptonte paniku, po nguroja. Siç binte mbrëmja, të shtënat nuk pushonin. Gjendja u rëndua akoma edhe më shumë pasi morëm dy telefonata anonime dhe kërcënuese, mesa dukej nga ndonjë i përmalluar i së kaluarës, i cili po ndjente se po afrohej çasti për t’u hakmarrë. Ne morëm në telefon disa miq që banonin në lagje të tjera, dhe ata u munduan të na qetësonin. Megjithatë, në disa pika të ndryshme të kryeqytetit, tensioni, i cili qysh prej disa ditësh ishte i lartë, arriti kulmin. Nuk e pata të lehtë të vendosja. Pyesja veten se me këtë largim mos bëja diçka të ulët. Jo se po braktisja vendin e punës, sepse nuk kisha më ndonjë të tillë. Qysh prej 1989, kisha bërë disa udhëtime në Francë, në këtë vend në të cilin më mbajnë pranë gjithë ato lidhje. Por vetë rrethanat e këtij mërgimi më bënin të nguroja. Gruaja më tha se nuk mundej aspak të qëndronte më. Një çast mendova ta lija të ikte vetëm ajo, mirëpo ajo nuk pranonte të më linte vetëm në atë gjendje. Më në fund e morëm vendimin. Do të iknim. Mirëpo, si dhe në çfarë kushtesh. Tri ditë para tetëdhjetëenjëvjetorit tim më dëshpëronte mendimi se do të largohesha prej strehës që kishim ngritur, prej atyre kujtimeve, disa fotografive të fëmijnisë që nëna ime e gjorë kishte arritur t’i shpëtonte nga tallazet e njëpasnjëshme që kishim pësuar...
Mbrëmja kur u përmbys jeta ime
Më kujtohet ajo ditë si një plagë, bërë me sëpatë moshës sime tridhjetë e dyvjeçare. Ishte e shtunë, 13 shtator 1947, një ditë para një ndeshjeje futbolli midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për të cilën kisha një biletë. E prisja me padurim këtë takim të Lojërave Ballkanike, por gjithashtu edhe me frikë, sepse para dy vjetësh, në Beograd, para syve të mi, Shqipëria ishte rrahur 11 me 2. Por, në radhë të parë, prisja një vajzë me të cilën do të kaloja mbrëmjen. Sahati i qytetit shënonte pothuajse orën njëzet. Pas një pranvere dhe një vere gjithë arrestime në rritje, Tirana po priste me ankth dhe fatalizëm dimrin.
Pasi kisha mbërritur më herët, po bëja ecejake në vendin e takimit tonë, aty ku 20 vjet më vonë do të ngrihej statuja me kalë e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Po binte nata dhe në gjysmerrësirë shquhej silueta e bardhë e minares së xhamisë. Papritmas, behën mbrapa meje katër veta, të cilët mu drejtuan me ashpërsi: “Ti je Jusuf Vrioni? Do vish me ne! Kemi ca pyetje për të bërë”. I tronditur nga toni i tyre, si dhe nga formulat që përdorën dhe që tashmë ishin bërë të njohura për shumëkush në Shqipëri, e kuptova menjëherë dhe u zbeha. Ishte koha kur zhvillohej “procesi i deputetëve”, i cili do të përfundonte, ashtu siç do ta mësoja më vonë me 18 dënime me vdekje. E kisha ndjekur këtë farsë makabër nga zyra ime (në atë kohë isha përkthyes tek Bashkimi i Grave Shqiptare), prej nga e dëgjoja ritransmetimin e procesit nëpërmjet altoparlantëve të vendosur në shesh. Mjaft nga miqtë e mi, ndër ta edhe kushëriri im Aziz, ishin futur në burg me arrestimet masive gjatë muajit maj dhe nuk kishim asnjë lajm prej tyre. Shpejt mendova se mikesha ime do të më priste gjatë, shumë gjatë, në qoftë se donte të më takonte përsëri, si dhe se gjithçka po përmbysej në jetën time. Eca pas atyre njerëzve, duke menduar për nënën time, të cilën e kisha lënë vetëm në dhomën ku jetonim. Duhej të ishe tepër naiv që të pandehje se mund të shkoje në ambientet e Sigurimit për një hetim të thjeshtë, pastaj të liheshe i lirë!
Mbërritëm tek Seksioni i Brendshëm, vend famëkeq i Tiranës për qelitë dhe bodrumet e tij, paradhoma të vdekjes, ku të pyesnin, të provokonin e të torturonin. Të gjithë e dinin se ishte një vend i llahtarshëm. Megjithatë, mua më pritën me një ton, njëkohësisht qesëndisës dhe tinëzisht të përzemërt: “Hë more Jusuf, ç’kemi ndonjë gjë të re? Ç’thonë anglezët? Po amerikanët?”. Këto pyetje që mu bënë aty për aty, me një ton gjase gazmor, nënkuptonin marrëdhëniet e mia, ndeshjet e tenisit me punonjësit e misioneve të huaja. Ishin fjalë me rëndësi kapitale: nëpërmjet tyre merrej me mend se në ç’drejtim do të vazhdonin hetimet, në atë të spiunazhit për llogari të një fuqie ideologjikisht armike… Më çuan tek një personazh i kobshëm, Skënder Kosova, anëtar i një tresheje djallëzore që mbillte terror në Tiranë, ku bënte arrestime masive natën. S’kishte njeri në atë kohë që të mos kishte frikë, po të dëgjonte xhipin e këtyre djajve të vdekjes tek ndalonte para derës së shtëpisë në mes të natës! Të tre këta vrasës bënin nga një kontroll të shpejtë dhe kafshëror të banesës dhe, në përfundim të tij, merrnin me vete një apo disa fatkeqë. Këta çoheshin në vende të ndryshme të qytetit, nganjëherë drejt e në burg, nganjëherë në një nga ndërtesat e Seksionit të Brendshëm, ku punonte ajo që nuk quhej ende në atë kohë Sigurimi, por Garda e Popullit.
M’i hoqën gjithçka kisha në xhepa, pastaj më çuan, duarlidhur mbrapa shpine, në krye të një shkalle të errët, e cila zbriste në një bodrum. Mesa dukej, kjo ishte përçapja e parë e presionit. Donin të më tregonin se çfarë më priste. Dëgjova një pllaquritje që vinte nga poshtë shkallës. Pastaj më qartazi, një zhurmë zinxhirësh të shoqëruar me rënkime. Dikush po lëngonte në një bodrum, pasi ishte torturuar gjatë e gjatë. Kush ishte? Ndofta ndonjë nga miqtë që ishin arrestuar muajt e fundit? Më lanë rreth 2-3 orë aty, në krye të shkallëve. Po fillonte një fazë e re e jetës sime, ndërsa bodrumet ishin preludi i saj… Në atë çast mu shfaq në kujtesë, si e copëtuar, e reflektuar nga një kaleidoskop i vetëtimtë, gjithë rinia ime. Sado mundohesha t’ia mbushja mendjen vetes se në çdo rrethanë ngelet gjithmonë një shpresë, qoftë dhe e dobët, se s’ka asgjë të palëvizshme në histori, prapëseprapë nuk më shqitej bindja se regjimi shtypës në fuqi do të qëndronte gjatë dhe se duhej të rezistoja, të gjeja forca, diku brenda vetvetes, për t’i përballuar sprovat, të cilat ende nuk i përfytyroja dot saktë. Mos vallë ishte fundi i gjithçkaje?! I pikëlluar, po vështroja shkallën e zbritjes sime në ferr. Nuk isha vallë unë ai që vajtoja tashmë jetën në një qeli të lagësht? Papritmas, nisën të më shfaqen portretet e njerëzve të mi: nëna e cila ndofta nuk e dinte ende që më kishin arrestuar; babai, i vdekur prej kohësh; vëllai dhe motra, të cilët kishin mbetur në perëndim, si dhe miqtë e tanishëm apo të mëparshëm, të lirë apo si mua të futur në burg. Në kujtesën time pasonin njëra-tjetrën pamje të vendeve ku kisha jetuar. Parisi, Roma, Londra apo Montrëja, si dhe fëmijëria ime. Pastaj Korfuzi, fëmijëria e fëmijërisë. Sa çaste të çmuara kisha parë të kalonin si yje që këputen, përpara se të arrija këtu?!
(Shkëputur nga libri  “Kujtimet e një evropiani -
Psherëtima fati” i Jusuf Vrionit)
(vijon nesër)
 

14 Komente

 E kam pare njehere Jusuf Vrionin tek fliste ne nje emision te Fevziut. Njeri qe me ka ngjallur respekt te jashtezakonshem me ato qe thoshte dhe menyren se si i thoshte. Njerez si Jusufi duhet te ishin nderi i kombit, e jo ca Hajdare e ca Tajare. Do ta gjej me patjeter librin dhe do ta lexoj.

 Jeta e Vrionit eshte shume domethenese per ate c`ka kaluar Shqiperia 60 vitet e fundit. Zvetenimi e poshterimi i individit prej diktatures, perdhosja me tej e tij prej coroditjes postkomuniste, vihen perballe zerit human te Vrionit, te vertetes me thelbesore qe mund te kete nje person, e cila shkon pertej e me lart se gjithe cic-micet majto-djathtiste.

"Grace under pressure". Ky eshte citim (Er. Hem.) per Kurajon, por s'di pse mua me shoqerohet me shume me Klasin.

Iahte nje teme ketu para ca kohe, a kane klas shqiptaret ose dicka e tille e perafert.

Po ta vini re, duke hequr ngjyrimet ideologjike qe per mu kane qene me teper zbukurime e lajle lule (qe te gabonin pamjen) ne bandwagonin e regjimit monist, kjo del thjesht meria inherente e harbuterise (lexo edhe e katunarise dhe malokerise pa i mendu keto si cilesime origjine, por sic jane, pra mendesie) kunder fisnikes dhe klasit. Tek ne antitrupat e tipit J. Vrioni kane qene shume te dobet para viruseve dhe mikrobeve harbute. Keto te fundit kane fituar gjithnji, dhe nqse themi qe Shqiperia eshte semure, kjo eshte kryediagnoza: Shqiperia eshte e semure nga harbuti. Gjithe te tjerat jane efekte anesore. Kudo ne bote ka harbuteri, te ne dallimi eshte se ai eshte padiskutim ne pushtet. Ka force ekzekutive, ben moralin, ben gjyqin popullor.

Interesant, njeriu me fisnik qe kam pare ne jete ka qene pikerisht nje nga "keta te grupit te deputeteve". Shpetoi nga vdekja (per FATIN tim qe e njoha), dhe perkthente ne italisht veprat e Enver Hoxhes. Ama duhet thene, meqe ra llafi, dhe fare pa fat J. Vrioni nuk ka qene, se ne ato c'ka i ra me perkthy nga gjuha e tij ne ate frenge, ka qene nje lloj simetrik (invers) i Nolit. Perktheu nje gjigand! Qe si padashje, ashtu si Engelsit "Kapitali", i sherbeu si syprine mermeri me gdhend emrin e vet.

 Emo, Jusufi rrjedh nga familjet me te pasura te Shqiperise, Vrijonet, qe ka pas nen yqem gjysmen e  Shqiperine e Mesme, gjysmen tjeter e kan pas Verlacet. Se ku dreqin ishte fati i madh i nje pinjolli te kesaj dere qe te jetonte me perkthimin e veprave te nje shkrimtari (sado i madh qofte) une se marr vesh. Megjithate, tek dyqani i piteve nga ana tjeter e kinema "Partizanit" ka qene nje goce qe punonte si arketare. Isha ne gjimnaz atehere dhe ajo goce e hajthme, e bardhe nga pastertia dhe gjithmone shume e sjellshme e qe nuk te shihte ndonjehere drejt ne sy me kishte bere shume pershtypje, mua dhe nje shokut tim te ngushte qe rrinim gjithe diten bashke. Pytem njehere ashtu "garipshe" se kush ishte ajo goca, dhe na thane te mos ngaterroheshim me te si ishte nga Vrionet. Mbaj mend se qe prej asaj dite, sa here rrinim ne rradhe per pite, perpiqeshim te rrinim sa me drejt, pa u shtyre e bertitur, ngaqe prania e asaj vajze nga nje "bote tjeter" sikur na e impononte edukaten. Tashti, qe te perkthesh veprat e I.K ne krahasim me jeten e asaj arketares ka goxha ndryshim, , por qe sidoqofte me i vogel se sa jeta prej bejleri me ate te nje perkthyesi.

Diktatura me krimet, vuajtjet e pasojat e tjera nuk shpjegohet a justifikohet as me harbutllikun apo "katunarllin." Eshte vete natyra e duktatures qe prodhon monstrat e veta. Bile dhe harbutet a katnaret i therret diktatura, se NJEREZIT, heret a vone e kuptojne dhe nuk behen dot vegla te mira qorre. Diktatures i duhen rob me tru ne lidhje te shkurter, ndaj kujdeset te pordhoje "njeriun e ri" me tru pardhie. Si rrjedhoje, heret a vone diktaturat shemben, se natyra a zoti ka pas pllane te tjera per kaplloqet e robve.

Edhe ne popuj me te civilizu, diktaturat kane prodhu te njejtat tmerre.

Kujtime si keto te Vrionit kane vlera te jashtzakonshme. Robt, sidomos ata qe nuk e paten mallkimin ta jetonin, te dine se c'ishte diktatura; se s'eshte cudi qe diktatures t'i nxjerrin dhe ndonje raport mjeko-ligjor, per ta shpety nga denimi i historise.

 

Dëshmia e rrallë e Jusuf Vrionit: Më mbajtën të varur 15 ditë, që të pranoja spiunazhin

...vijon nga numri i kaluar

Netëve pa gjumë ai përkthente veprat e Ismail Kadaresë, ndërsa në zyrat e izoluara me hekura të shtëpisë botuese, veprat e diktatorit. Përçonte në gjuhën frënge dy botë të ndryshme. Jusuf Vrioni është padyshim një nga përkthyesit më të mëdhenj shqiptarë. Emrin e tij mbajnë përkthimet në gjuhën frënge të një pjese të mirë të romaneve të Kadaresë, që nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, etj. Por përmes tij kanë kaluar edhe veprat e Enver Hoxhës. Megjithatë, kjo nuk e bënte atë më pak “të rrezikshëm për shoqërinë”. Kishte bërë 12 vjet burg dhe punë të rëndë në burgje e kampe pune në gjithë Shqipërinë. Ka duruar në trup e në shpirt torturat më çnjerëzore për akuza, që asnjëherë nuk u vërtetuan. Vuajtjet e viteve të dënimit dhe ankthin e viteve që pasuan, teksa përkthente, Vrioni i ka hedhur në letër. Prej pak ditësh ka dalë në qarkullim libri me kujtime “Kujtimet e një evropiani”, përgatitur nga studiuesi francez Eric Fay dhe sjellë në shqip nga frëngjishtja nga Viktor Kalemi. Edhe sot kemi shkëputur nga ky libër kujtimesh, disa pjesë që përshkruajnë kalvarin e jetës së këtij njeriu të madh. a.m
Isha në pritje dhe stuhia po tërbohej në kokën time. Radha për t’u hetuar më erdhi shumë shpejt. Nisa me guxim të thosha gjithë siguri se nuk dija asgjë. Më bombarduan me grushte, shuplaka, shkelma në pjesët e ndjeshme të trupit, mes sharjesh të ndyra. Pastaj, duke e rritur shkallën e vuajtjes, ma veshën me goditje të tmerrshme kopaçeje, më bënë goditje elektrike dhe, së fundi më bënë torturën e jelekut. Pasi të lidhnin duart prapa shpine, të fusnin një shkop të gjatë midis krahëve dhe kurrizit, të shtrinin përtokë, ku ishe i pafuqishëm dhe plotësisht i ekspozuar, me këmbët përmbi dy anët e shkopit, të godisnin me kopaçe të trashë sa krahu, të shtypnin pjesët e ndjeshme, të kërkonin të flisje, duke të bërë pyetje konkrete. Kështu do të vazhdoja të torturohesha 6 ditë në javë, tetë muaj rresht, me një farë ndryshimi në ashpërsinë e seancave. Edhe kur më kthenin në qeli, duart i kisha të lidhura mbrapa shpine. Duhej të flija kështu siç isha dhe, duke qenë se i kisha shpatullat e gjera dhe gjithë muskuj, kjo ishte një tjetër torturë më vete. Më zgjidhnin vetëm kur haja bukë.
Më e tmerrshmja ishte periudha 15-ditore dhe 15-netëshe, përjashtuar në mënyrë të pashpjegueshme një të diel në mes, periudhë gjatë së cilës qëndroja varur nga duart, me 30 deri në 35 kile zinxhirë rreth qafës. Mezi e arrija dyshemenë dhe isha i detyruar të mbështetesha vetëm me majën e gishtërinjve të këmbëve. Gjithçka ishte llogaritur, sigurisht, që të mos mbështetesha me thembra. Më zgjidhnin vetëm 3-4 orë në ditë, 2-3 herë në ditë, për të shkuar në nevojtore; gjithë kohës tjetër isha i varur natë e ditë me atë peshë..
Mu bë një hetim i thelluar, por në fillim nuk m’i përmendën francezët. Pyetjet drejtoheshin rreth anglezëve, amerikanëve, rreth marrëdhënieve të mia me shefat e misioneve ushtarake në Tiranë, si dhe me oficerët e tjerë vartës. Më kërkuan me ngulm se ç’informata u kisha dhënë atyre. Nganjëherë hetimi merrte një drejtim krejt tjetër. Përpiqeshin të nxirrnin prej meje shpjegime rreth qëndrimit tim politik kur u zhvilluan zgjedhjet e para, të ashtuquajtura “demokratike” të dhjetorit 1945, të më detyronin të tregoja kush ishte nxitësi, kush ishin anëtarët e tjerë të grupit tonë, si dhe cilat ishin temat e mbledhjeve tona. Unë mjaftohesha duke mohuar sistematikisht, duke pranuar një fakt të vetëm: qëllimi ynë i vetëm ishte të krijonim një opozitë të ligjshme, ashti siç e parashikonte ligji zgjedhor. Këtë e përsërisja pa bërë as më të voglin koment, për të mos implikuar askënd dhe mundohesha. Mirëpo, vallë a ia vlente një gjë e tillë, që të vërtetoja se një opozitë e tillë nuk kishte asgjë të dënueshme nga na juridike? “Cili ishte rrethi yt shoqëror? Me kë shoqëroheshe? Çfarë thoshit me njëri-tjetrin? Në ç’datë je takuar me filanin?”. Pyetjet më bombardonin në të njëjtën kohë me goditjet, mirëpo më habiti fakti që nuk u përpoqën asnjëherë të nxirrnin prej meje ndonjë pohim, nëpërmjet premtimeve për një trajtim të mirë, praktikë mjaft e përhapur kjo, që mori më qafë shumë nga ata që ranë në atë kurth.
Nga shtatori deri në nëntor qëndrova në të njëjtën qeli bashkë me 4-5 të burgosur të tjerë. Pastaj u transferova në një tjetër, në burgun e vjetër, ku kisha vetëm një shok. Në qelinë fqinje ndodhej shkrimtari i madh shqiptar Mitrush Kuteli- me emrin e vërtetë Dhimitër Pasko, i cili më recitonte, duke pëshpëritur poshtë derës, poemën e tij të gjatë “Kosova”...
Në shkurt të 1948-ës nisi për mua periudha e izolimit të plotë, e cila do të zgjaste 27 muaj. Më çuan në burgun e ri të Tiranës, në një birucë disi më të madhe, por aq e zymtë saqë dukej si varr. Asgjë prej gjëje, asnjë shpirt njeriu, asnjë send; kishte vetëm një baxhë 15 me 15 cm, nëpërmjet së cilës kalonte një dritë e zbehtë, si dhe një tavan shumë i lartë, më shumë se katër metra nga dyshemeja. Disa muaj me radhë e pata të pamundur të merrja dhe njoftimin më të vogël nga jashtë. Më e keqja ishte se qelia ime ndodhej pranë lumit dhe unë e dija që të gjitha ekzekutimet bëheshin në brigjet e tij. Për më tepër, kisha kuptuar që në këto qeli fusnin kryesisht të dënuarit që do ët pushkatoheshin, një apo dy herë në javë dëgjoja të përsëritej e njëjta skenë: gardianët ndaleshin para ndonjë dere, e hapnin, talleshin me të burgosurin, pastaj i thoshin: “Dhe tani hajde me ne! Do të të çojmë në dasmë”. Pas një gjysmë ore buçisnin, pa një pa dy, automatikët. Pastaj gardianët ktheheshin e shkëmbenin fjalë, si: “E pe si përpëlitej, para se të binte përtokë?!” dasma kishte marrë fund, deri sa të vinte tjetra. Vdekja në këto mjedise të burgut të ri ishte gjithmonë e pranishme. I burgosuri kishte vetëm një pyetje në mendje: A do të shpëtonte apo jo kokën?
...Pas 8 muajve të parë në hetuesi, më lanë disa javë të qetë. Pastaj filluan përsëri të më pyesnin, isha gjithmonë në burgun e ri, rreth një teme që më habiti shumë në fillim, sepse deri atëherë nuk më kishin ngacmuar në këtë drejtim: marrëdhëniet e mija me oficerët e misionit ushtarak francez në Tiranë. U befasova shumë, ngaqë regjimi nuk i kishte sulmuar asnjëherë qeverinë dhe shërbimet franceze; një Zot e di se Parisi kishte aq halle saqë s’kishte nge të merrej me spiunazh në Shqipëri!
... Fjala spiunazh mbulonte në mendjen e tyre një fushë jashtëzakonisht të gjerë dhe... të pamat. Fakti i thjeshtë që unë kisha thënë më 1945-ën, se Partia Komuniste drejtonte gjithçka, ndonëse ajo nuk ishte përmendur asnjëherë publikisht, çka ishte një sekret që e dinin të gjithë, u quajt krim i rëndë politik. Më vonë, gjatë procesit tim, dikush do të akuzohej se “u kishte treguar” francezëve çmimin e gjalpit në Shqipëri. Hetuesit gjykuan se në këtë rast bëhej fjalë për një informatë ekonomike me rëndësi shumë të madhe. Pasi një nga të akuzuarit reagoi, duke thënë se çmimi i këtij lloji prodhimi ushqimor dihej nga të gjithë, u kundërshtua me arsyetimin se ai e parashtronte gabim problemin dhe se kërkonte ta dëmtonte pushtetin, duke nxjerrë në pah dobësinë e mekanizmave ekonomike...
Një ditë papritmas, më nxorën nga qelia e madhe e katit përdhes, ku po kalbesha qysh prej tetë muajsh dhe më ngjitën në katin e parë, ku më rrasën në një si birucë disi të ndriçuar mirë. Pata një ndjenjë absurde çlirimi. Aty ndenja afërsisht 6 javë. Duart nuk i kisha më të lidhura me ato prangat e tmerrshme “italiane” (ishim mësuar t’i dallonim 2-3 llojet e këtyre veglave), por me zinxhirë nga përpara, çka m’i lehtësonte shumë lëvizjet. Nëpërmjet një kanali, që do ta përshkruaj më tej, mësova se kishin filluar të sulmonin Koçi Xoxen. Në Komitetin Qendror po niste një periudhë paqëndrueshmërie. Ishte koha e prishjes me Titon dhe gjithçka që mund të pranohej se kishte qenë gabim, i vishej atij. Me rënien e ministrit të Brendshëm u krijua një atmosferë e zbutur, si për të treguar që Xoxe, shërbëtor i jugosllavëve, ishte i vetmi përgjegjës i gjithë mizorive të bëra deri në atë kohë. U zbut disi trajtimi i të burgosurve, mirëpo kjo klimë përmirësimi ishte e përkohshme.
Gjatë kësaj periudhe zbutjeje, njëri nga gardianët më tha se ishte një miku i familjes së një gruaje që unë e njihja, bashkëshortja e një shkrimtari të njohur në atë kohë, i cili ishte gjithashtu i arrestuar. Ai më dha fshehurazi një copë letër dhe një laps që t’i shkruaja asaj, nëse kisha dëshirë. Me duart e lidhura nga përpara me zinxhirta, që më lejonin t’i lëvizja disi, arrita të shkarravis. Kështu shkrova për Safon një poemë, me pseudonimin “I marri”, e cila fillonte kështu: “Siluetë e brishtë me hijeshi fisnike...”.
...Minjtë përziheshin me frikën, frika ime po merrte pamjen e minjve. Frikë nga vdekja, frikë nga e ardhmja. Në këtë qeli, pak kohë pasi ndodhesha aty, provova të vrisja veten, duke prerë venat. Por i vetmi mjet që kisha, unazat e nallaneve, të bëra me një metal “të butë”, doli i padobishëm. Shenjën e kam sot e kësaj dite në kyç. Gardianët që e vunë re në kohë tentativën time, më vunë fashë, ndërsa mjeku që më vizitoi më tha se ndodhesha jashtë rrezikut për jetën. Natyrisht, ai porositi të më shtohej mbikëqyrja...
Koha e perkthimeve
...Përkthimet e teksteve zyrtare nuk bëheshin gjithmonë pa shkaktuar probleme, të cilat reflektoheshin tek unë, sipas rëndësisë që kishin, herë me mërzi kalimtare, herë me shqetësime të mirëfillta. Më kujtohet një gazetar dhe botues francez, i quajtur Patrik Kesel, i cili erdhi në Tiranë për të përgatitur në Francë Volumin XIX të veprave të plota të Enver Hoxhës, që mbanin titullin “Divergjenca e madhe” dhe që trajton prishjen me revizionistët. Për të kishim përkthyer lloj-lloj dokumentesh: procesverbale të mbledhjeve të anëtarëve të Byrosë Politike, tri fjalime të Hoxhës (atë të Bukureshtit në qershor 1960, atë të Konferencës së 81 partive Komuniste në Moskë, në nëntor të po atij viti, si dhe një tjetër, që ai e mbajti kur u kthye nga kryeqyteti sovjetik). Këtyre teksteve, mjaft të gjalla me ngjyrime, i shtohej edhe shkëmbimi i korrespondencës midis Mehmet Shehut dhe numrit një, midis këtij të fundit dhe Hysni Kapos dhe, së fundi, midis Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Keseli kishte si bashkëpunëtor Misto Treskën, kryetarin e Komitetit të marrëdhënieve Kulturore me botën e jashtme dhe frankofon. Pasi i kaluan në sitë tekstet tona, na i kthyen të mbushura me vërejtje, duke vënë në dukje, diku një të ashtuquajtur kuptim të rremë, diku tjetër një kundërkuptim. Gjithë ndryshimet që bënë ata u çuan në sferat e larta, dhe kështu nisi pritja.
Ndërkohë unë, i shtyrë nga skrupujt, por gjithashtu ndofta edhe për të qetësuar frikën që më kishte zaptuar, ia dhashë ta lexonte tekstin e plotë një francezi, i cili në atë kohë punonte në Radio Tirana. Reagimi i tij ishte i shpejtë: “Ata janë të marrë! Nuk ka kuptime të rreme, as kundërkuptime. E shumta, mund të flasim për ngjyrime kuptimi!”.
Pritja u zgjat. Nëndrejtoresha e shtëpisë botuese më njoftoi se ky problem do të shqyrtohej në Komitetin Qendror. Sigurisht, kjo çështje, në realitetin e atëhershëm, bënte pjesë në të pathënat dhe do të shihej, mesa dukej, nga Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enverit, e cila do t’ia parashtronte këtij të fundit. Ndjeva se ekzistenca ime po ndodhej përsëri në udhëkryq. E dija se disa prisnin shkasin më të vogël për të më dhënë goditjen përfundimtare. Me prejardhje dhe me formim “të kundërt”, ata më quanin mua “uzurpator”.
Pas dy ditë e gjysmë pritjeje, nëndrejtoresha thirri ekipin tonë të vogël. Nëndrejtoresha, e cila në fund të fundit ishte komuniste, ishte një nga njerëzit më të drejtë dhe më të ngrohtë që kam njohur. Ajo më qetësoi menjëherë. Kisha pasur fat, më tha ajo, sepse kisha shpëtuar për qime. KQ ia linte gjykimit tonë, (d.m.th., timit) versionin përfundimtar të tekstit....
Gjatë kësaj periudhe pati disa episode të tjera, që vërtetonin rëndesën e kontrollit të ushtruar ndaj meje, sidomos lidhur me një libër, të cilin Enver Hoxha e kishte titulluar “Eurokomunizmi është antikomunizëm”. Ishim në vitin 1980. Në këtë vepër, Sekretari i Parë i partisë sulmonte me tërbim rrymën eurokomuniste që ishte shfaqur në Evropën Perëndimore, sidomos në Francë, në Itali dhe në Spanjë. Ai e quante Santiagi Karilon “Renegati Karilo”. Hoxha nuk kursente as udhëheqësit komunistë dhe shkrimtarët francezë; të gjithë e kishin nga një damkë, që nga “Zorzh Marsheja, i cili përqafoi teorizimet e Rozhe Garodisë, dhe na del këtu si një pasardhës i Titos”, e deri tek shkrimtarët dhe “ish-mbrojtësit e realizmit socialist, si Aragoni, Andre Stili, Andre Vyrmser, të cilët, jo vetëm e drodhën, por ia shitën gjithashtu shpirtin dhe lëkurën revizionizmit”...
Libri ishte përkthyer dhe ishte bërë gati për shtyp. I vetmi problem që kisha ishte titulli. T’i vija, apo të mos i vija presje (L’Eurocommunisme, c’est de l’anticommunisme)? Në shqip nuk kishte presje, por unë kisha parasysh veprën e Prudonit, “la proprieté c’est le vol) (Prona është vjedhje). Në disa botime ky titull ka presje, në disa të tjera jo... E vura titullin frëngjisht.. Pas disa ditësh, më telefonuan në zyrë nga Komiteti Qendror, ku kishin çuar kapakun e librit. “Ç’është kjo presje?”, më pyeti një zë autoritar. Unë u përpoqa ta argumentoja zgjedhjen që kisha bërë, jo në rrafshin gramatikor, por duke folur për ritmin, kadencën. Reagimi i zyrtarit ishte i prerë: “Jo, jo! Presja duhet hequr!”. KQ dha urdhër të ktheheshin në karton 50 mijë kapakët e shtypur, sepse ishte e pamundur ta fshije atë dreq presjeje nga letra e lustruar. U porosit një kapak tjetër pa shenjë pikësimi dhe libri u botua. Nga ana personale nuk pata ndonjë pasojë të veçantë. Për fat të mirë, nuk ishin në ato kushte që dikton Siorani kur shkruan: “Ëndërroj për një botë ku mund të vdesësh për një presje”...
...Një ditë tetori të 1980-ës më thirri drejtori në zyrë, ku ndodhej një përfaqësues i Komitetit Qendror, i cili donte të më takonte. “Pa shihni!,- më tha ai sapo hyra, dhe më dha një kopje të përkthimit frëngjisht të “Hrushovianëve” të Enver Hoxhës. Lexoni çka brenda!”, - vazhdoi ai. Pasi ktheva faqen e parë, vura re, me habi të madhe, një kushtim nga vetë autori. Njëshi i partisë dhe i shtetit, udhëheqësi historik i Shqipërisë socialiste më përgëzonte për përkthimet e mia. E kishte fjalën vetëm për përkthimet politike? Jam i prirë të mendoj se, kur ia kishte lexuar “Dimrin e madh” dhe kapitullin që flet për të, diçka kishte shkrepur në mendjen e tij. Me siguri e kishte lexuar. Pikërisht në atë çast, mendova unë, ai ishte nisur të bënte këtë gjest... natyrisht ata që u mërzitën nga ky lloj suksesi u munduan të më zhysnin në hije, duke nxjerrë në pah meritat e përkthyesve të tjerë, për bashkëpunëtorët e Sigurimit, fakti që unë kisha përkthyer Enver Hoxhën nuk e ndryshonte fare shkallën time të “rrezikshmërisë shoqërore”. Fshehurazi, ata pëërpiqeshin të më paraqisnin sa më keq, duke lënë të nënkuptohej se, duke punuar me përkujdesje për përkthimet e mia, mundohesha të bëja, nuk e di se çfarë mashtrimi... fakti që përktheja Kadarenë në frëngjisht më vinte gjithashtu, në një pozitë delikate, sepse në atë kohë ai nuk shihej me sy të mirë nga disa struktura të pushtetit. Atë e kritikonin për trajtimin subjektivist që i bënte historisë, si dhe për përdorimin, krejtësisht personal, sipas tyre, të fondit mitik të Shqipërisë. Shefi i redaksisë, i kishte zët lidhjet e mia, madje mjaft të rralla me Kadarenë. “Po e kalon kohën duke përkthyer Ismailin, - më thoshte ai. Ka libra shumë më të rëndësishëm që presin të përkthehen!” Kështu, pra ndodhesha në një gjendje paradoksale: nga njëra anë përktheja një mjeshtër të imagjinares dhe poezisë dhe, nga ana tjetër, mishëruesin e ashpërsisë dhe të fundin përfaqësues të “vijës së pastër”. Jepja në frëngjisht dy botë antagoniste, të cilat u drejtoheshin dy lloj lexuesish, shumë larg njëri-tjetrit. Për Kadarenë punoja hapur në shtëpinë time, ndërsa për Enver Hoxhën përkthimi rrethohej nga një atmosferë paranoje dhe sekreti tipik për regjimin. Na porosisnin vazhdimisht se nuk duhej të nxirrnim asgjë nga përmbajtja e teksteve. Drejtoria kishte vënë hekura te shkalla e katit, ku punonin përkthyesin e Njëshit; ne ishim të veçuar nga pjesa tjetër e shtëpisë botuese. Në mbrëmje, tekstet e Enver Hoxhës futeshin nëpër kasaforta. Ndihej konkretisht mania e sekretit, frika e përhershme nga spiunazhi. Nuk e di se ç’mund të kishin bërë “revizionistët” e gjorë me këto tekste, në rast se do të ishin përpjekur t’i shtinin në dorë; na thoshin që, në rast se ndodhte një gjë e tillë, do të ishte e tmerrshme. Sikur ato shkrime të ishin përçues të formulave të shenjta, vendimtare për të ardhmen e botës!

 Emo,  e ma men ate kengen e DumBabisteve te Kadareja:

Per Xhenet u nisem

sosem ne Xhehnem

Shqiperi moj Kucke

Ne bere verem...

500 vjet rahat,

c'doni more djem,

shqiperi moj kucke,

na bere verem!

 Nje shoku im, fotograf i vjeter tek Presidenca, ka pas nji kenge tjeter qe e kendonte nga fillimi i viteve 90'

Shqiperi bahce me lule

mu ne b* se c'na e ngule

Maj men i her, kam qen te xhiro m'at fillim, kur cdo njoni donte vetem i gjo: me dal jasht, nuk ka rendesi se ku, hallall Rumania. Ishte ireale. Fjala me e nigjume neper xhiro ishte fjala "garanci". Robt me blloqe neper dur ku kishin adresa nga me te cuditshmet, nga faqe e pare te e funit, une as sot qe mu bon kaq kohe ktej nuk di aq adresa sa kishin ata te perdellymit per me "ca ferren", numura telefoni etj etj,  per te cilat kujtonin se mezi i prisnin. Mbaj mend qe permendej shume emri "Kazerta"  psh  ...  smiley  kishte nje tis kansonisimo kjo dhe Pipo Baudo pa hesap. Mos me t'u besu.

 Mos mi kujto ato vite Emo. Shum, shume sad. Kur e kujtoj ate kohe me duket sikur atehere kemi qen pa rrobe ne trup dhe kishte vetem masdite me shi dhe re. Takoheshim rralle e me rralle me shoqerine e gjithmone ishin nje a dy qe mungonin. Pastaj fillun telefonatat e para. Filani e kapi azilin n'Itali. Fisteku esht ilegal ne Zvicer. Fle me nji dhome me 9 kosovare qe kur kthehen nga puna kendojn kenge me cifteli per Enver Hoxhen... smiley

Fisi i Vrionasve eshte nje fis shume i njohur nga i cili kane dale shume personalitete te shtetit shqiptar. I fundit i njohur i Vrionasve ka qene Dylber Vrioni, ish Minister i Financave dhe ish zv. Kryeminister, ish Minister i Privatizimit si dhe ish Guvernator i Bankes se Shqiperise ne vitet 1992-1997.

 Mendoj qe libri i Vrionit, duhet te jete interesant. Edhe me kaq pakez pasazhe qe u dhane ketu (dhe nga komentatoret), libri mendoj se do te kete sukses.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).