Italia, vizat shengen dhe pyetja per kë te votosh

Avioni niset nga aeroporti i Malpenses në orën 15.40, date 27. Kthehem qëllimisht për të votuar të nesërmen, të dielën datë 28 qershor. Viza për tu kthyer në Itali më ka kushtuar 80 euro dhe për ta marre ka qënë një aventure e vertëtë.  

Ky është viti i pestë i studimeve të mia dhe për shkak të një programi te dyfishtë mes universitetit tim ne France dhe nje universiteti në Itali, pata mundësi që këtë vit të fundit ta kaloja në Milano. Si cdo student shqiptar, m`u desh dhe mua të aplikoja për një leje qendrimi italiane. Shpenzimet që lidhen me këtë aplikim janë përafërsisht 170 euro. Ka kaluar gati një vit që nga shtatori i 2008-ës kur aplikova për të dhe vetëm para disa ditësh u njoftova se kërkesa ime është aprovuar dhe se mund të tërheq “permeson” time me datë 14 korrik. Ajo do të skadojë me 1 shtator 2009 pra do te jetë e vlefshme vetëm për dy muaj, gjatë pushimeve të mia verore ne Shqipëri! 

Gjatë gjithë këtij viti pa leje qëndrimi, unë nuk mund të largohesha nga territori italian. Eshte një situatë tejet absurde dhe ndjesia e pasigurisë të shoqëron në cdo moment. Frika nga ndonjë kontroll i rastësishëm apo nga reagimi i ndonjë sekretareje që të kërkon “permeson” per të të lëshuar x,y,z dokument eshte permanente. Për më tepër, i rrethuar nga studentë nga e gjithë europa, të qënurit një student shqiptar pa dokumenta të bën të kuptosh sesa poshtëruese është të kesh një shtetësi “jashtë-komunitare” të cilën mendon se e meriton po aq sa të tjerët...

Nëpërmjet telefonit, arrita të kontaktoj me një sekretare shqiptare të Ambasadës Italiane në Tiranë për t`u informuar nëse do të kisha mundësi të kërkoja një vizë kthimi në rast se kthehesha për vitin e ri në Tiranë. Ajo më tha prerazi që jo, që unë jam gati-gati një emigrant ilegal dhe që rasti im është unik. Mbas këmbënguljes sime për më shume sqarime, ajo ma mbylli telefonin, sigurisht pa u pershendetur... 

Fatmirësisht, për shkak të detyrimeve të mia akademike ne Francë arrita të aplikoj në janar pranë Konsullatës franceze në Tiranë për një vize shengen 3 mujore e cila me kushtoi 35 euro por më lejoi të kthehesha për vitin e ri në atdhe dhe te kaloja rregullisht tranzit në Itali. Kjo ishte e vetmja zgjidhje që më lejonte të levizja lirshëm në hapësirën europiane pavaresisht faktit se kam 5 vjet qe studioj ne BE. 

Per arsye akademike përsëri dhe pasi viza ime franceze skadoi, m`u desh të kthehesha nga Milano për në Tiranë në fund të muajit maj por, leja ime e qendrimit nuk ishte lëshuar akoma. Nëse udhëtoja drejt Shqipërisë, unë nuk do të kisha mundësi të rikthehesha në Itali. Si t`ja beja? Kësaj rradhe isha i detyruar të trokisja në derën e Ambasadës Italiane në Tiranë. Për më tepër, unë mund të shkëputesha nga universiteti për vetëm 5 ditë!

Kontaktova direkt me personelin italian të ambasades të cilët u treguan jashtëzakonisht të kuptueshëm dhe të gatshëm për të më ndihmuar. Pritja e tyre ishte tejet miqësore dhe gjej rast ketu për ti falenderuar përzemërsisht për ndihmën që më dhanë. Brënda dy ditësh, arrita të marr një vize konsullore kthimi jo-shengen e cila me kushtoi gjithësesi rreth 80 euro (95 mije leke). Kostoja totale e “permessos sime se munguar” arriti në fund mbi 350 euro (duke perfshirë telefonata, shpenzime transporti apo te tjera shpenzime anekse). 

Ashtu si mua, janë me qindra e mijëra studentët shqiptare në Itali të cilët presin nga 6 deri në 12 muaj për lejet e tyre të qëndrimit. Kjo lloj vonese krijon probleme jo vetëm me levizjen e lirë në vendet shengen por dhe në gjërat më elementare si regjistrimi në provime, lëshimin e certifikatave te ndryshme, llogarite bankare etj. Kjo për arsye krejt burokratike e vonesa administrative të patolerueshme duke qënë se ata i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore e ekonomike për tu pajisur me një leje qendrimi te rregullt. Pavarsisht dëshirës së mire të disa individëve, miqësia Italo-Shqiptare duket problematike dhe e paplotë ne rast se shihet me optikën e këtyre studentëve. 

Vetëm në një qytezë të vogël pranë Milanos si ajo e Pavias janë rreth 170 studentë shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilëve kanë pasur vonesa të këtij tipi me lejet e tyre te qendrimit. Ka ndodhur që disa raste, atë e kanë terhequr dhe të skaduar! Të mos paturit dokumente të rregullët është një stres i jashtëzakonshem psikologjik por dhe ekonomik për cdo student jashtë shteti e jo më për një student shqiptar në Itali apo Greqi ku klima ndaj emigranteve është tejet e tendosur.

Nderkohë, politikanët tanë premtojnë strategji “brain gain-i” ose kthimin e inteligjences të formuar jashtë, premtojnë lëvizjen e lirë dhe pse Bashkimi Europian na e refuzoi atë jo më larg se para disa ditësh për t`ia ofruar Maqedonisë apo Serbisë... 

Avioni niset nga aeroporti i Malpenses në orën 15.40, datë 27. Kthehem qëllimisht për të votuar të nesërmen, te dielën datë 28 qershor. Si cdo i ri, premtimi i levizjes së lirë më duket një prioritet urgjent. Por njëkohësisht, e shoh si të pamundur qe e njëjta Ministri e Jashtme apo administratë konsullore të mundësojë një ndryshim të tillë pasi ato kane neglizhuar ne menyre konstante gjate 15 viteve te fundit problemet e shumta te diasporës shqiptare jashtë shtetit si ato të permendura më sipër. 

Kthehem pra për të votuar. Po për ke e për cfarë? Mosha mesatare e popullësisë shqiptare është 28 vjec dhe zgjidhjet e problemeve tona duhej ishin ndër prioritetet kryesore të programeve qeverisës të partive shqiptare. Mjerisht, përvec premtimit gjithëpërfshirës e pa bosht për permirësimin e cilësisë së edukimit, unë nuk kam përshtypjen se elita politike shqiptare ofron një program koherent per rininë tone, qoftë kjo jashtë apo brenda vendit. 

Presidenti Sarkozy premtonte gjate fushates së tij presidenciale se do të ndihmonte ciftet e reja të sapomartuara duke i ofruar kredi me perqindje të lehtësuar në blerjen e shtepisë së tyre të parë. Kancelarja Merkel premtonte nga ana e saj se firmat e krijuara se pari (start-up) nga të rinj te sapodiplomuar do të ndihmoheshin me investime direkte ne kapital dhe kredi teknologjike. 

Cilat janë propozimet konkrete per rininë shqiptare gjatë kesaj fushate? Ne cfarë menyre do te luftohet klientelizmi ne administraten publike per ti lenë vend meritokracise dhe pse jo, brezit të ri të administratoreve publik? Si të luftojmë papunesinë dhe punësimin informal ne këtë brez moshë? Shqipëria, në ndryshim nga gjithë Europa, nuk do të vuante nga kriza e pensioneve nëse këta të rinj do të paguanin detyrimet e tyre shoqërore pikërisht se raporti mes popullësise rinore dhe asaj pensioniste eshte tejet pozitiv.

A mund të aplikohen propozimet e mesipërme dhe në Shqipëri? Mbase jo. Mbase krijimi i një qëndre e cila t`u vije në ndihmë studentëve dhe prindërve shqiptarë duke i udhëzuar dhe këshilluar ne hapat e ndryshëm te instalimit te tyre jashte shtetit mund te jete i realizueshem. Nje qender e tille, mund te bëjë fare mire dhe transparencen me bursat që jep shteti ynë per te studiuar jashte, per hir se vertetes, jo gjithmone ne menyre transparente.

Problemet që kam hasur se fundmi në Itali më bëjnë sinqerisht të dyshoj se për kë duhet të votoj: për ndryshimin që mund të kish ndodhur apo për atë që mund te ndodhë? Frika se do te me duhet te paguaj perseri 350 euro nuk më shqitet dot...

7 Komente

Po te mos ktheheshe per te votuar, nuk do te kishe harxhuar 350 Euro vecse me dokumente.

...meqenese paske dhe gjithe keto dyshime per cilen parti te votosh...

Po per bileten sa harxhove? 200? 300 Euro per V/A?

Pra le te themi qe ke harxhuar rreth 600 Euro per t'u kthyer ne Shqiperi per te votuar dhe ironia e fatit qendron ne faktin qe s'di kete votosh.

Kjo eshte absurde!

 Une kam nje shoqe qe nuk po diplomohet dot se ka dy vjete qe i vonojne lejen e qendrimit. Kshuqe JO rasti yt s'eshte unik, vetem se ti e provove pas shume vitesh qendrimi ne France, kurse studentet ne Itali kane me vite qe kane probleme te tilla.

p.s: Here tjeter pyet para se te nisesh qe te te themi te mos vish smiley

 o sol, 

Po cer lloj radari elektronik perdor ti mer lal? Po naje me popllin mer!! smiley 

Voto per ramiz alin.

Te siguroj se nuk do lindin keto probleme, e shumta te iken autobuzi i fundit , e je e detyruar te hypesh ne ndonje kamion, mbrapa ne karroceri, ku floket ti puthe era e ngrohte e partis.

Me vjen keq, ne per fat nuk kishim keto probleme, malpensa- rinas, apo rinas- malpensa, problemi me i madh ishte kur ikte autobuzi i fundit per Sauk.

Sa brez i lumtur ishim, o zot.

 Peripecite e Aiglonit, jane thuajse njesoj si ato te shum emigranteve studente, biles ka dhe me keq, siç e permendi dhe nje komentator ketu, dhe eshte kjo gje qe ndoshta e ngushellon sadopak Aiglonin.  çeshtja e ter emigranteve jane letrat, dokumenti/kartoni qe te jep mundesi te qendrosh provizorisht apo pergjithmon. Dhe per letrat/dokumentin e shumpritur, neve emigranteve na eshte dashur te presim me vite, gje qe perkthehet vite te tera me ankth. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).