Fushate vjedhjesh ne Torovice

 Shqipëria po ndryshon. Dhe kjo është e vërtetë, bilez duhet thënë se Shqipëria ka ndryshuar. Njerëzit po edukohen për punën, kanë nisur të kenë aktivitetet e tyre, kanë nisur të shohin hallet e tyre. Si në të gjithë botën. Po vrasim atë mentalitetin e vjetër të mospronësisë, atë të shtetit armik. Por ka ende punë për të bërë. Shumë. Dhe nëse shteti vetë nuk arrin të bindet se është aty për ti shërbyer njerëzve dhe jo vetes është problem.

Këto dite ka fushatë elektorale në të gjithë Shqipërinë. Edhe në Lezhë. Edhe në Torovicë. Ka plot kandidatë që të lumtur kur i thërrasin “zoti deputet” paguajnë birra për të gjithë. Kanë premtuar para, dikush dhjetë mijë lekë për votë, dikush njëzet, dikush shtatëdhjetë mijë lek për votë. Po pretendohet njëqindmijë lekshi për votë që të bindën torovicakët. Dhe kandidatët venë e vijnë të shoqëruar nga të njëjtat fytyra që në Torovicë kanë kohë të merren me to. Se çfarë faji kanë djemtë e Torovicës kur zotërinjtë deputetë pranojnë këtë gjë. Asnjëri nuk ka një alternativë të saktë se çfarë do të bëjë për fshatin, edhe në rastet kur kandidojnë për partitë e mëdha asnjëri nuk guxon tu thojë torovicakëve që ne do të bëjmë për fshatin dhe se çfarë do të bëjmë. Por vijnë paguajnë birrat dhe ikin, të bindur se Pjetri do i votojë se i ka miq, Doda se i ka byrazera, Noja se i kanë premtuar lekë. Çuditerisht asnjëri nuk premton as një kredi afatgjatë me interesa të ulëta nëse fiton, një kredi që Pjetri e Doda ta mbajnë mendjen se pas zgjedhjeve do të mund të kenë mundësinë të ngrenë dicka. Thjeshtë pare për votë. Asnjëri nga torovicakët nuk do të mendojë se nëse dikush harxhon njëqind milionë lekë për tu bërë deputet, ai po deklaron haptaz se do të vjedhë. Se unë po ti blej votat, po ta blej burrërinë që të ta zë gojën me pare nëse nesër unë nuk bëj asgjë për ty.

Por në Torovicë, ndjehet fushata e zgjedhjeve. Kanë nisur të hedhin asfalt në Balldre për nja një kilometër. Kanë sjellë urdhëresën që s'po kuptohet sa e vërtetë është për ndërtimin e ujësjellësit. Se Torovica kënetë është po ujë nuk ka. Kane nisur ndërtimin e një fabrike çementoje që s'po kuptohet pse ka ngelur përgjysmë.

Por problemi kryesor i Torvicës sot nuk janë zgjedhjet. Çuditërisht nga çfarë pritej në një kohë normale parazgjedhore, në Torovicë tema kryesore e bisedës nuk janë zgjedhjet por një fushatë tjetër. Fushata e vjedhjeve e ndërmarrë këto ditë që ka shkaktuar zemërimin e një fshati që po mundohet të dali nga kriza. Fushata që ka sjellë lotët në sytë e burrave në Torovicë. Lotë zemërimi. Dhe unë se kuptoj shtetin tonë që në vend që të mundohettë gjejë hajdutët vjen më polici dhe shkakton lotë të tjerë kur arreston djemtë me dhunë në mes të ditët për një kontroll të thjeshte për shenjat e gishtave. Sepse me sa duket policia paska shenja gishtash. Me sa duket grupi i hajdutëve qenka i mirëorganizuar. Dhe kjo duket qartë. Mbrëmë kanë vjedhë dy lopë në Torovicë. I kanë lënë dy kaçorre thatë, i kanë lënë dy sahane thatë. Fukarenj fshatarët. Presin fundin e muajit për të marrë lekët e qumështit për të paguar furgonin që shpie nxënësit në Lëzhë. Se në Torovicë as gjimnaz nuk ka. Por dëshirë për të ndryshuar ka. Furgonat janë tre që mbushen me nga 30 nxënës secili. Se rini hesapi janë. Rrinë ngushtë. Por tani dy familjeve u kanë vjedhe lopët dhe dy nxënës do ta kenë më të vështirë të paguajnë furgonin. Por prapë mirë se sot është dita e fundit e shkollës.

Në Torovicë ka dalë edhe gjarpri. Një gajrpër i madh. Dhjetë metra. Jo, dymbëdhjetë se dhjetë metra ka kopshtin ai fshatari që e pa dhe koka i kish dalë nga kopshti e bishti ishte ende pa hyrë mes qepëve. Dhe gjarpri shtie frikë. Një gjarpër mbi dhjetë metra që duhet të peshojë me kuintalë. Që ashtu si hajdutët rrëshqet nëpër qepët e torovicës dhe është vështirë për tu parë. Dikush tha që lopët si paskan vjedhë; i paska ngrënë gjarpri. Taman. Ashtu duket. Nëse gjarpri do kishte shenja gishtash që të përdorte kaçavidat për të hapë dritaret e hyrë nëpër dyqane.

Në Torovicë prapë do të parakalojnë kandidatët me makina luksoze e më njerëz të fortë nga pas. Për të blerë votat, sepse çuditërisht nuk duan të mashtrojnë më. Sikur u vjen turp tashme kur shohin tullat e bardha të pallateve të torovicës që po bien nja nga një. Çfarë mund të mashtrosh më të këta njerëz.

Por, vë bast, se kur të vijnë sonte e në ditët në vazhdim do ta ndjejnë tmerrin në bisedat e në sytë e në sjëlljen e torovicakëve. Frikën nga gjarpri e nga hajdutët që kanë dalë njëherësh e shtinë frikë njëlloj. Do ta ndjejnë frikën nga policia që vjen e i torturon me rradhë pa pasë asnjë provë. Do ti ndjejnë lotët në sytë e burrave. Lotët e inatit. Dhe do ikin. Për të mos ardhë më. As të lypin vota. As për asgjë.

Dhe do mbetet Torovica atje tej, një zonë e harruar në mes dy kodrave, me gjarprin e me hajdutët e saj. E me policinë që nuk kap dot dikë që vjedh dy lopë për një natë e dy dyqane një natë tjetër, e dy lopë të tjera, e ndoshta do ia nisin me ndonjë kamion grurë, e një Zot e di se kur do ndalen. Do mbetet dhe do mendojë të mbrohet nga gjarpri e nga hajdutët e nga shteti. Se i janë vënë të gjithë kundra Torovicës. Do nxjerrë djemtë më armë të ruajnë dy rrugët që hyjnë në fshat, do rrijë natën pa gjumë. Sepse Shqipëria po ndryshon, dhe bashkë me Shqipërinë do të ndryshojë edhe Torovica. Me 3000 votuesit e saj.

Nëse “deputetët” që duan votën e torovicakëve e lënë një ditë fushatën dhe të gjithë bëhën bashkë për të protestuar ndaj shtetit që si mbron dot torovicakët, nëse ndalen një ditë për të ndalur tmerrin që i ka kapluar torovicakët, nëse gazetarët e lënë një ditë fushatën e vijën e bëjnë një emision, një reportazh për gjarprin e hajdutët, nëse të gjithë një ditë ndalim tmerrin që po i ka kapë torovicakët pa i kaluar kufinjë e katundit, kemi shpresë se mund të ndryshojmë Shqipërinë. Nëse jo, atëherë jemi të humbur të gjithë. Më kot votojnë torovicakët, e më kot të tjerët. Sepse tmerri është gangrena me e keqe. Përhapet shpejt.

4 Komente

nuk e di. ndoshta se mbeta pa pune ne itali. ndoshta per shuem arsye te tjera. po ka mundesi te rri e te ju bej opozite te fuqishme. smiley mire une erdha po si nuk na e dhate nji kafe ju more. hajdeni noj dite ka shnini o ka lezha. asht nice qua qe besa. diten kur nuk vjedhin

Me vjen keq qe paske jet pa pune, po nese ke mundesi te me besh opozite mua, paske per te perfunduar ne qeveri.... se une e kam ndare mendjen qe dhe per nja 15 vjet jam ne opozite smiley

isha ne shkoder dhe burrel para ca ditesh, s rastisa ne shnjin, ndersa ne lezhe kam kalu pik plumit smiley ca behet andej?

Hajde ketej nga tirona bardh ta pime naj coffee

Kanë premtuar para, dikush dhjetë mijë lekë për votë, dikush njëzet, dikush shtatëdhjetë mijë lek për votë. Po pretendohet njëqindmijë lekshi për votë që të bindën torovicakët.

Kesaj i thone biznes me voten ne Torovice, ma merr mendja ,keshtu duhet te jete ne te gjithe Shqiperine.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).