FMN rikthehet pas zgjedhjeve

Pas 28 qershorit, negociata të reja me Fondin Monetar, pavarësisht se kush do fitojë. Deklarata e zyrtarëve: Arsyet pse na duhet

Vetëm pesë muaj pasi Shqipëria mbylli marrëveshjen e mbikëqyrjes së detajuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, vendi pritet të diskutojë një marrëveshje të re të ngjashme, bëhet e ditur nga burime të mirinformuara prej qeverisë. Ndërsa Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës Edi Rama kanë mendime të ndryshme mbi marrëdhëniet me FMN-në, ekspertët ndërkombëtarë dhe shqiptarë parashikojnë që vendi do të zhvillojë bisedime me FMN-në, pavarësisht se kush do të jetë rezultati i zgjedhjeve.

"FMN-ja do të vijë, ne do të shohim se çfarë marrëveshjeje do të jetë", tha një zyrtar shqiptar që nuk deshi të citohej, për agjencinë e lajmeve "Reuters" disa ditë më parë. "Ne kemi nevojë për FMN-në për besueshmëri, statistika dhe reforma strukturore".

"E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga interesat zhvatëse të borxhit tregtar, është rifillimi i bashkëpunimit me FMN-në", tha një zyrtar tjetër i pyetur nga "Shqip".

Qeveria mori një kredi 250 milionë euro përkundrejt interesit stratosferik prej euribor plus 9.65 për qind. Kjo kredi maturohet në vitin 2012 dhe shpresa e vetme e qeverisë për të shpëtuar nga falimenti, është që ta zëvendësojë këtë kredi me eurobonde, të cilat duhet të kenë interesa më të përballueshme. Në vitin 2008, kur Shqipëria kishte një marrëveshje me FMN-në, arriti të marrë 230 milionë euro kredi me interes euribor plus 1.25 për qind. Ekspertët nuk e shohin më tani praninë e FMN-së si çështje zgjedhjeje, por si e vetmja mënyrë për të rifinancuar kredinë e shtrenjtë.

Kryeministri Sali Berisha e ka refuzuar disa herë kategorikisht mundësinë e diskutimit me FMN-në për një program të ri, ndërkohë që kreu i opozitës, Edi Rama, e ka vendosur në listën e prioriteteve të qeverisë së ardhshme, nëse ai fiton zgjedhjet.

Situatë e përkeqësuar

Zyrtarët e FMN-së patën paralajmëruar në shkurt se "mbyllja e marrëveshjes me Shqipërinë ndodhi në një kohë të vështirë" dhe se "zgjedhjet mund të tërheqin vëmendjen nga nevoja për stabilitet makroekonomik". Vetë FMN-ja nuk dha shenja për kufizim të aktivitetit në Shqipëri. Përkundrazi, edhe pse pa një marrëveshje bashkëpunimi, një mision i zgjeruar i ekspertëve të saj vizitoi vendin në prill dhe dha disa këshilla të rëndësishme për qeverinë. Këshillat nuk u dëgjuan. Duke parë situatën e vështirë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i sugjeroi gjithashtu qeverisë të hapte bisedime me FMN-në pak muaj më parë.

Ndërkohë, situata makroekonomike duket se është përkeqësuar ndjeshëm. Të ardhurat e buxhetit kanë mbetur në vendnumëro, ndërsa shpenzimet kanë arritur kulmin. Qeveria humbi një kredi nga Banka Botërore pjesërisht për shkak të administrimit të palogjikshëm të financave publike, ku u përfshi edhe rritja e pagave, e pensioneve në kushtet e mungesës së rritjes ekonomike. Kompania turke e vlerësimit të borxhit, "JCR Ratings", ndryshoi parashikimin për të ardhmen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë nga "i qëndrueshëm" në "negativ", bazuar në efektet e pritshme të shpenzimeve populiste paraelektorale në inflacion dhe në shëndetin financiar të vendit.

Marrëveshje asistence

Shumë kanë filluar ta mendojnë FMN-në si një thes me para, por ekspertët paralajmërojnë se një marrëveshje e re me fondin nuk do të thotë se do të vijnë para. Mjaft vende të Ballkanit dhe Europës Lindore janë shpëtuar nga falimenti përmes kredive të Fondit Monetar Ndërkombëtar, por që të gjitha janë detyruar që në këmbim të mos shpenzojnë para që nuk i kanë dhe të fillojnë të shlyejnë borxhet. Shqipëria nuk është në nevojë urgjente për financime të huaja, thonë ekspertët, por ka nevojë më shumë për disiplinë financiare. Shqipëria po kalon një periudhë të vështirë buxhetore, ndërkohë që axhenda elektorale e qeverisë nuk lejon asnjë diskutim për shkurtimin e shpenzimeve.

Kthimi te marrëveshja me FMN-në vetëm pak muaj pas mbylljes së marrëveshjes së fundit, nuk është ndonjë lajm shumë pozitiv për krenarinë kombëtare. Situata aktuale dëshmon se Shqipëria nuk arrin të mbijetojë si vend i pavarur as për pak muaj.

Marrëdhëniet me FMN-në

Marrëdhëniet e Fondit Monetar Ndërkombëtar me një vend anëtar janë në thelb një tregti me përfitim të ndërsjellë. Vendet që bien në krizë mund të përfitojnë nga fondet e FMN-së dhe Bankës Botërore dhe në këmbim duhet të disiplinojnë veten që të kenë aftësi për t‘i shlyer borxhet. Vendet e pasura, të cilat nuk kanë nevojë për FMN-në, e financojnë atë në mënyrë që të mos i lejojë krizat e vendeve të varfra të dalin nga kontrolli dhe të eksportohen drejt vendeve të pasura. Në stadin aktual, Shqipëria mund t‘i drejtohet FMN-së vetëm në rast se është në pamundësi financiare për të shlyer detyrimet e veta. Deri tani, Shqipëria nuk ka mbërritur në këtë pikë.

Ekspertët

Ekspertët janë të ndarë mbi pyetjen nëse Shqipëria ka nevojë për FMN-në apo jo. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i këshilloi qeverisë të bisedojë me FMN-në kur foli në Parlament në maj. Drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare, Selim Belortaja, thotë se vendi ynë ka nevojë për FMN-në si për shkak të eksperiencës së fondit, ashtu edhe për shkak të politikës së papjekur që mund të fusë vendin në detyrime që nuk i mban dot. I pyetur në tetor të vitit të kaluar, kur qeveria njoftoi dëshirën për të mbyllur marrëdhëniet e ngushta me FMN-në, Belortaja tha: Shqipëria e ka ruajtur stabilitetin makroekonomik deri tani vetëm falë pranisë së FMN-së. Klasa politike nuk është e përgatitur të veprojë në mënyrë të përgjegjshme. Deri më sot, vetëm FMN-ja është e aftë të japë një vlerësim të besueshëm për ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto".

Ndryshe mendon Adrian Civici, rektor i Universitetit Europian të Tiranës. Sipas Civicit, "politikanët mund të tregohen të papërgjegjshëm qoftë kur vendi e ka një marrëveshje me FMN-në dhe qoftë kur nuk e ka një të tillë".

Në fakt, këshillat e FMN-së janë injoruar gjerësisht nga qeveria shqiptare përgjatë katër viteve të fundit, kryesisht për shkak se vendi doli nga lista e përfituesve të kredive të buta në vitin 2004 dhe se FMN-ja humbi mekanizmin e forcës përkundrejt qeverisë. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka deklaruar se vendi nuk ka nevojë për FMN-në për sa kohë nuk gjendet në krizë financiare.

Megjithatë, me apo pa marrëveshje me FMN-në, vendi pritet të kalojë një situatë të vështirë gjatë muajve në vijim.

Rajoni, Maqedonia: Kredi nga FMN, ndoshta pas disa muajsh

Ministri i Financave i Maqedonisë, Trajko Slaveski, deklaroi dy ditë më parë se Shkupi mund të kërkojë ndihmën financiare të Fondit Monetar Ndërkombëtar në fund të këtij viti, në rast se situata ekonomike botërore përkeqësohet, njoftoi agjencia e lajmeve "Balkaninsight". "Qeveria mund të mbështetet te FMN-ja në shumë mënyra. Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e kërkesës për kredi nga FMN-ja më vonë këtë vit", tha Slaveski për median vendase. Një mision i FMN-së gjendet në Maqedoni këto ditë. Qeveria e Shkupit ka deklaruar në shumë raste se tani për tani nuk ka nevojë për ndihma nga jashtë. Ajo i ka shkurtuar shpenzimet buxhetore me rreth 10 për qind për të mos lejuar rritjen e deficitit buxhetor përballë të ardhurave në stanjacion.
 

2 Komente

Ne nje vend me drejtues te afte e dhe qe kane frike nga votuesit edhe mund te punohej pa FMN-ne. Ne nje vend me drejtues per te cilet ka dyshime serioze, dhe te cilet mbi te gjitha s'e kane frike fare votuesin, FMN-ja eshte e domosdoshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).