Fitorja në disfatë ose një shkrim për demokratët

Fitorja në disfatë ose një shkrim për demokratët

Nga Besnik Gjongecaj

Është jashtë çdo dyshimi që në zgjedhjet e 28 qershorit demokratët do të ndodhen para dilemës më të madhe të krejt ekzistencës së tyre politike. Dilema ka dy përmasa. Së pari, përmban dyshimin, nëse vota e dhënë pro PD do të shkojë në drejtim të rikthimit edhe njëherë të kësaj force politike të rrënuar nga koha e gjatë pa demokraci te demokratët e thjeshtë, pra, tek ata që e kanë krijuar dhe mbajtur gjallë PD në vite. Më thjesht, kjo nënkupton se ç’shans ka që vota e dhënë për PD më 28 qershor do t’i shërbejë asaj për demokratizim, për t’u transformuar edhe njëherë në strehën e demokratëve të thjeshtë dhe jo për të çimentuar përfundimisht kultin e kryetarit dhe kthimin e PD në strehë të plaçkitësve të saj. Së dyti, dilema përmban dyshimin, nëse vota pro PD do të kishte fuqinë e nevojshme për të ndryshuar realisht Shqipërinë. Ky dyshim nënkupton në thelb masën e gatishmërisë apo vullnetin politik të PD për të realizuar reforma të thella në vend, pra, kjo pjesë e dilemës lidhet me “rekordet” e PD, sa bindëse kanë qenë ato gjatë katër viteve të shkuara, si në kryerjen e reformave, ashtu dhe në projektet e nisura gjatë qeverisjes ekzistuese dhe që duan vetëm kohën e nevojshme për t’u plotësuar në të ardhmen. Për shumë demokratë të thjeshtë nuk do të duhej shumë kohë për të konstatuar që dilema nuk është aq e papërcaktuar sa duket dhe për shkak të gjendjes në të cilën është katandisur PD, shpejt e shpejt do t’i jepnin pyetjeve një përgjigje në disfavor të saj.

Ajo që e bën të paqartë këtë situatë, megjithatë, është rrebeshi shifror i fushatës, i raportimeve pafund për vepra pafund, me anë të të cilave krerët e PD mundohen të vërtetojnë të kundërtën, d.m.th., ekzistencën e “rekordeve” të suksesshme, duke i zhytur demokratët e thjeshtë në hutimin më të madh që kanë pasur ndonjëherë. Prandaj kjo fushatë po shënon kulmin e manipulimit politik, daljen përfundimisht të politikës nga shinat e moralit, nga shinat e së vërtetës. Nga ana tjetër, pikërisht sepse është e tillë, kjo fushatë po e bën akoma më të domosdoshme qartësimin dhe në fund të fundit, sublimimin e kësaj dileme deri në një pohim të thjeshtë, në një “po” ose në një “jo” përfundimtare. Deri në nivelin në të cilin demokratët duhet të ndajnë mirë se ç’është më e favorshme, më e moralshme për ta: një humbje “e madhe”, pra një humbje dinjitoze sot, që do t’ua kthente PD nesër, jo vetëm atyre, por Shqipërisë në radhë të parë, apo një fitore e vogël sot dhe një PD përfundimisht e plaçkitur, përfundimisht inekzistente nesër. Në këtë pikëpamje, ndoshta jo shumë e zakonshme në politikën shqiptare, humbja e PD sot do të mund të projektohej si një humbje “e madhe” dinjitoze, sepse do t’i jepte shansin e një reformimi thelbësor nesër, duke e shndërruar atë si dikur, në partinë e të gjithë demokratëve, në një parti që do të mund të ndryshonte, jo gjasme, por realisht Shqipërinë. Një fitore e vogël sot, d.m.th., një fitore duke manipuluar, gënjyer, duke shitur te shqiptarët reforma që nuk janë bërë kurrë, çka në fakt po ndodh aktualisht me një intensitet poshtërues, do të sillte nesër alibinë, në të cilën, në kundërshtim me nevojën urgjente, krerët e PD nuk do të pranonin përsëri asnjë argument për ndryshimin e vetë PD, për zgjedhje të lira brenda partisë, për reformimin e saj. Demokratët e thjeshtë do ta shihnin veten përfundimisht të flakur, të huaj, të panevojshëm për PD. Ndërsa PD, me një shpejtësi të habitshme, do të kalçifikohej si një parti jodemokratike, nën sundimin e plotë të autoritarizmit dhe si e tillë, do të mbetej pa asnjë mjet për ndryshimin demokratik të Shqipërisë në të ardhmen.

. . .

Është bërë kristal e qartë që në katër vitet e qeverisjes PD nuk arriti të përdorë vlerat e demokratëve dhe shqiptarëve si energji për zhvillim, prandaj, edhe për përmirësimin e jetës së tyre. PD krijoi një model qeverisjeje, ku pushteti centralizohet në pak duar, në të cilin jo njeriu, jo qytetari shqiptar, por rruga, asfalti, pra sendi janë në qendër të tij. Sendi në qendër të modelit u shoqërua me njeriun pa të shkuar, njeriun pa memorie, me tru të shpëlarë, pa nerv, të korruptuar. Njeriu që i shërben shefit pa bërë pyetje, njeriu që funksionon si “llogaritar”, zëvendësoi demokratin e thjeshtë, zëvendësoi demokratin e dalë nga njerëzit dhe i mbështetur prej tyre, zëvendësoi njeriun që punon me zemër. Ky model u aplikua pothuajse kudo, dhe si i tillë, mbarti, transferoi antivlerën deri në skutat e shoqërisë. Ai u shndërrua në grimcën elementare, në atomin prej të cilit u ndërtua krejt materia e reformave, çka përcaktoi që në fillim se reformat kishin vdekur, para se të lindnin. Prandaj nuk pati asnjë reformë në arsim, përkundrazi, vazhdoi të mbillet e keqja e blerjes së shkollës, diplomave, mungesës dramatike të integritetit, gjë që po të gjykohet nga përmasat, është thjesht pasojë e një krimi qeveritar. Goditja që iu dha arsimit këto katër vjet ishte një goditje e papritur pas entuziazmit të rikthimit të PD në pushtet, dhe si e tillë, ajo ishte një goditje brutale, pa pikë dhimbjeje, tamam në zemër të demokracisë.

Praktikisht nuk ka asnjë reformë në shëndetësi, dhe akoma më zi se kaq, akoma nuk ka një ide se si duhet të jetë kjo reformë. Shqiptarët nuk janë më zot të ekonomisë, por të huajt. Shqiptarët janë përjashtuar nga e drejta e zotërimit të pasurisë në atdheun e tyre, madje, po të jesh një vërejtës i hollë, konstaton se kjo pasuri përdoret pa thënë as faleminderit nga çdo soj e sorollop i huaj. Shqiptarët nuk komunikojnë dot me pushtetin e tyre, pra me pushtetin që e krijuan me votë, ndërsa pushteti komunikon brutalisht dhe si t’i teket me shqiptarët. Kanalet e komunikimit civilizues nuk u vendosën asnjëherë, prandaj nuk kanë se si të funksionojnë. Një shqiptar, pra edhe një demokrat i thjeshtë, e ka të pamundur të trokasë në një derë, të ankohet, edhe kur buzëqesh përunjësisht, edhe kur lutet, sepse asgjëkundi nuk është shkruar se si mund ta bëjë këtë gjë, ose, edhe në është shkruar, nuk funksionon. Thjesht duhen gjetur rrugë të tjera të komunikosh me pushtetin që ka dalë nga vota e demokratit, paraja ose miku. Pushtetari i PD nuk buzëqesh kur komunikon me qytetarin, me demokratin e thjeshtë, me atë prej ku ka marrë pushtetin që ka. Ai komunikon ashpër me ta, sikur ata t’i kenë diçka borxh, dhe jo anasjelltas. Ose iu jep urdhra, ose i heq nga puna menjëherë sapo merr vesh që kritikohet qeverisja. Është ruajtur në thelb i njëjti sistem marrëdhëniesh që nga koha e totalitarizmit, aq sa të krijohet përshtypja se ky sistem paska qenë mbajtur në një “frigorifer” për kaq vite dhe tani vetëm sa është hequr, është rivënë në punë, i paprishur në të gjithë shëmtinë dhe tragjizmin e tij. Të njëjtat marrëdhënie në arsim, shëndetësi, në raportet me njerëzit, me të persekutuarit, me të shpronësuarit, me ish-spiunët, publikun, madje edhe midis pushtetit dhe medias. Dhe si për t’i vënë vulën, që nga larg nxijnë marrëdhëniet e ndërtuara brenda politikës në përgjithësi dhe brenda PD në veçanti.

Është jashtë çdo dyshimi që demokratët kanë kohë që janë ndarë jo në grupe, jo sipas mendimit ndryshe, por në nivele diskriminuese. Një çarje e madhe i ka ndarë ata më dysh, e pakalueshme, midis demokratëve “atje lart” dhe demokratëve “atje poshtë”. Demokratët “atje lart” kanë prishur të gjitha urat, në të gjitha kuptimet që mund t’i lidhnin me demokratët “atje poshtë”. Kanë ngrirë strukturat vendimmarrëse të partisë, kanë fshirë bazën e saj, aq sa edhe në zgjedhjet politike u futën pa bërë zgjedhje në parti ose duke i bërë pjesërisht dhe fare formalisht ato. Qartësisht, demokratët “atje lart” duan votën për të qeverisur vendin, por pa marrë votën e partisë nga demokratët “atje poshtë”, të cilën mund ta sigurojnë të qetë, vetëm pasi kanë siguruar më parë qeverisjen. Kjo renditje prej frikacaku, alogjike në demokraci, është një kurth psikologjik në vetvete, jo rrallë i përdorur abuzivisht në kurriz të demokratëve të thjeshtë. Abuzivizmi qëndron në atë që ti, si demokrat “atje poshtë”, nuk mund të votosh kundër mundësisë që kryetari i partisë i ka dhënë një demokrati “atje lart” për të qeverisur, ndërkohë që ty, si demokrat “atje poshtë”, nuk të është dhënë kurrë kjo mundësi, pasi atë duhet ta fitosh me anë të votës brenda partisë. Këtë votë kanë vite që nuk e përdorin dhe prandaj, si një demokrat i thjeshtë, përfundimisht gjendesh me shanse të mohuara, pa rrugëdalje. Gjë që mund të marrë fund, vetëm kur të kuptohet se vjen një kohë kur një humbje “e madhe”, pra dinjitoze, në zgjedhjet politike, ndodh të jetë më mirë se një fitore e vogël, e padenjë. Është si një fitore për të ardhmen që del domosdoshmërisht nga një disfatë realiste e së sotmes.

. . .

Në këtë shkrim nuk ka asgjë personale. Ky shkrim nuk është shkruar nga urrejtja. Ky shkrim është shkruar nën shtytjen e së kundërtës, nga dashuria për të ruajtur të gjallë përpjekjen e stërmundimshme të demokratëve, e cila ndryshoi Shqipërinë e vitit ‘90. Më shumë se çdo gjë tjetër, megjithatë, ky shkrim është shkruar nga dhimbja, nga ajo dhimbje therëse që të shkaktohet në stomak, sa herë që sheh të ndoten para syve të tu ato gjëra, te të cilat ke besuar gjatë krejt jetës tënde, të t’i shkelin me këmbët plot me baltë, me këpucë me gozhdë, brenda të cilave me siguri kutërbojnë çorape të grisura dhe prej kohësh të palara; ose me këpucë të tjera, pa gozhdë, të holla, të zeza sterrë, me çorape të buta brenda, këpucë sallonesh, por që njësoj kutërbojnë dhe njësoj ndotin, njësoj bëjnë pis. Bërja copë e çikë dhe në sy të të gjithëve e parimeve që qëndrojnë në thelbin e njeriut, shembja e shtyllave të moralit demokrat dhe zëvendësimi i tyre me rregulla organizimi bandash, kanë kohë që gërryejnë shpirtin demokrat të PD.

Erozioni i vazhdueshëm shpirtëror, moral, e ka kthyer tashmë PD në një guaskë bosh, pa përmbajtje, “vlera” e vetme e së cilës është cipa e kalçifikuar që e ndan, e izolon nga bota, njerëzit, intelektualët dhe sigurisht, nga vetë demokratët. Shkaktarët e këtij erozioni, pra shkaktarët e humbjes së vlerave dhe derdhjes së tyre diku në landfill-et e politikës shqiptare, janë të njohur. Ata dalin përditë nëpër ekrane, buzëqeshin, bëjnë fushatë, shajnë në emër të PD, “qajnë” kur duan të tregojnë se iu vjen keq për PD dhe për Shqipërinë, dhe nuk lenë rast pa përmendur se janë ata liderët e sotëm të PD, apo se kanë qenë ata themeluesit e saj. Në fakt, kanë kohë që nuk janë as drejtues, as liderë, ndoshta nuk paskan qenë kurrë të tillë. Sepse kanë kohë që bëjnë ekzaktësisht atë që nuk bën një lider, d.m.th., një vizionar. Sepse kanë kohë që bëjnë vetëm atë që bën një llogaritar i thjeshtë. Llogaritin vota, metra rrugësh, pará, intriga, thika pas shpine. Bëjnë thjesht, pra, atë që bën një llogaritar: llogaritin çfarë hyn, çfarë del dhe në fund, çfarë mbetet. Si për çdo llogaritar të kësaj bote, edhe për ta është fare e parëndësishme se nga vjen ajo që hyn apo ku shkon ajo që del. Mjafton që llogaria në fund të jetë pa mbetje, të jetë fiks. Qëllimi, vlerat, janë pa kuptim, nuk janë funksionalë në këtë matematikë të shëmtuar të “liderëve” të sotëm të PD.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).