Fataliteti përtej së majtës dhe të djathtës

Sa prepotent dhe i pamëshirshëm do të ishte njeriu sikur Zoti të mos e kishte ndërtuar thurjen sociale të njerëzimit në atë formë ku secili të ketë nevojën  e secilit. Imagjinoni sikur secili të mos kishte nevojën e secilit dhe të përmbyllte çdo domosdoshmëri të vetën me anë të pavarësisë individuale. Sigurisht që do të kishim thjesht përbindësha ku mëshira dhe dashuria për tjetrin do të përvidheshin në skutat më të fshehta të trurit të cilat do të përbënin ca ndjenja rezervë për tu përdorur si relike.

Varësia e ndërsjelltë që ekziston në mes njerëzve është garancia që shoqëria njerëzore të qëndrojë e mpiksur. Nga ky lloj ligji nuk shpëton as edhe fenomeni i fushatave zgjedhore. Klasa politike ka nevojën e zgjedhësve për të mbijetuar në qeverisje dhe zgjedhësit kanë nevojën e një klase politike që të administrojë përditshmërinë e tyre.

Kjo atmosferë varësie e ndërsjelltë bën që “dashuria” në mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve të arrijë kulmin një herë në çdo përtëritje mandati politik duke u manifestuar me  slogane, pankarta, postera, xhufka e fjongo.

E ardhur e lodhur nga një 4 vjeçar i mundimshëm përpjekjesh për reformim dhe ndarjesh e konfliktesh të brëndëshme, Partia  Socialiste vjen në këto zgjedhje me ndoshta pikëpyetjen më të madhe vendosur ndaj emrit dhe votuesve të saj. Nje limfë e re socialiste kryesisht e importuar nga jashtë që më shumë se një kopje e KOP-it ngjan me fansa të rinj të kryetarit të ri, përkundrejt të regjurve socialistë të cilët duken paksa skeptikë me partinë e tyre të re që e ndodhur përtej së majtës dhe së djathtës  i bën ata të presin dritën e semaforit politik të 28 Qershorit.

Më e përçarë se kurrë si nga brënda dhe nga jashtë, Partia Socialiste, përpiqet që në këto zgjedhje t’i tregojë votuesve të vet se ligji i varësisë së ndërsjelltë në mes saj dhe tyre, sot ka domethënien më të madhe se kurrë. Asaj i duhet gjithashtu të tregojë se përfaqësimi i ri zgjedhor me anë të listave të reja do të jetë karta fituese që do të ngushëllojë votuesit e majtë, të heshtë kundërshtarët dhe të rifillojë proçesin e ribashkimit të saj. Por vallë a është e mundur e gjitha kjo ? Për të arritur këtë Patia Socialiste do të duhet të bëjë mrekulli. Në kohën që kundërshtarja e saj, Partia Demokratike në qeverisje, po çan shkëmbinj duke bashkuar tunele, tuneli i së majtës duket ende pa dritë.

Kanë mbetur pothuaj pak javë nga vendimi final zgjedhor dhe bashkimi i dy barkusheve të zemrës së majtë LSI dhe PS duket më i pashpresë se kurrë. Në kohën kur lideri i së djathtës pritet si “rrok star” në tubimet e tij së bashku me të gjithë kontribuesit e partisë së tij, veteranët e së majtës duket se në këtë fushatë janë të munguarit e mëdhenj.

Një fushatë zgjedhore që në të njëjtën kohë përbën edhe ekzekutimin  politik të njërit prej liderëve kryesorë, është edhe shansi i fundit për shpëtim. Ndryshe nga e djathta ku duket se të gjithë janë dakort me bubullimat që lëshon lideri i tyre në tubime, tek të majtët konsensusi i përgjithshëm është një luks. Ndryshe nga të djathtët ku të gjithë përfshi edhe aleatët urojnë dhe kontribuojnë që lideri i tyre të fitojë, tek e majta ka fraksione e grupime që do të donin një ekzekutim politik të liderit Rama dhe rikthim të isos së vjetër Nano-Metoiste.

Kjo padyshim që ua nxin  perspektivën aleancës për ndryshim e cila mesa duket po ecën paralel si me fushatën po ashtu dhe me kërcënime për mosnjohje të proçesit zgjedhor. Nje taktikë kjo që ka rezultuar më shumë me kosto të mëdha politike sesa me një numër më të madh votash. Ideja se çdo turbullirë harrohet dhe pushteti mbetet, duhet të jetë  motivi i grricjes me kartat dhe çertifikatat që lidershipi socialist mendon të verë në zbatim.

Taktikat për shtyrje, përshtjellim apo edhe mos njohje të zgjedhjeve nga opozita me shpresën  e përsëritjes së vitit 1996, në thelb tregon pasigurinë e aleancës për ndryshim që të jetë ajo fituesja e zgjedhjeve. Sepse nuk shpjegohet ndryshe fakti që e majta ka pranuar të  bëjë apo të marrë pjesë në zgjedhje me standarte dhe dokumenta identifikimi më të dobëta se këto të fundit.

Duke u përpëlitur mes gardhit plot gjëmba të LSI-së, bojkotit të komunistëve e punistëve tradicionalë, sabotimit të nanoistëve në mbarë Shqipërinë, zhgënjimit dhe indiferencës së qindra e mijëra organizatorëve të majtë lokalë që kanë bërë historinë e zgjedhjeve të PS-së, që të lënë jashtë proçesit se bashku me të munguarit e listave errësojnë më tepër sfondin elektoral të majtë, Partia Socialiste duket se më shumë se sloganit “përtej së majtës dhe së djathtës” i beson krijimit të administratës së re socialiste si admiruese dhe promovuese te liderit Rama.

Një gjë duket se po përvijohet e sigurt në horizontin elektoral. Lideri socialist Rama nuk ka për ti dhuruar Berishës dhe të djathtës beneficin e organizimit të një palë zjegjedhjesh që do të ishin historike për nga standartet e mira. Në rast humbjeje Rama do humbte vetë por do të linte pas zgjedhje të kontestuara. Në rast fitoreje të tij përsëri barrën e dështimit të proçesit zgjedhor do ta mbante ish partia në pushtet, pra të djathët.

Kjo do të ishte fatale përtej së majtës dhe përtej së djathës, sepse humbësi më i madh do të ishim ne. Prandaj Berisha dhe e djathta përpiqen që t’i përgjigjen skenarit tip’96 të socilistëve me  psiskozën e fitores së ’92-shit, në mënyrë që diferenca e thellë në rezultat të zbehë kontestueshmërinë e mundshme të zgjedhjeve nga pala humbëse.

Ligji i varësisë, ku secili ka nevojën e secilit bën që të djathtëve t’u duhen të majtët për të pasur zgjedhje të çertifikuara dhe kjo me çfarëdolloj kostoje politike. Por, duket se ky ligj kësaj radhe rrezikon të mos funksionojë,dhe, nëse ndodh vërtet kështu, atëhere fataliteti do t’i kalonte përmasat e së djathtës dhe së majtës.

3 Komente

Analize jo e keqe por pak si shume militantesk shkrimi.

  • Nga 3milion emra zgjedhësish në lista, 50% janë jashtë kufirit të Shqipërisë....pra ngelen 1.5 milion banorë me të drejtë vote.
  • nga 1.5milion që ngelen për të votuar, 60% janë pensionista
    nga këta 60%, vetëm një pjesë e vogël do të vazhdojë për "inerci" që të votojë atë ç'ka ka votuar 18 vjetët e fundit (kusuri janë të zhgënjyerit dhe të lodhurit prej ksaj politike)... pra ngelen rreth 750mijë votues.
  • nga këta 750mijë, 30% janë të rinj që votojnë për herë të parë (Veliaj i ka të gjitha arsyet që të brejë thonjtë me gjithë gishta për oportunitetin e humbur.. dmth sikur të rrinte vetëm) dhe që vetëm duke dëgjuar Rap ditën e votimeve, nuk ju bën zemra të votojnë për 70vjeçarë të kalbur.
  • Nga ata 500mijë votues, potencialisht në gjëndje që të vendosin shigjetën e peshores në njërën apo tjetrën anë, 20% do të votojnë për forcat e tjera (dmth jo Pd e Ps)... nga ku ngelen vetëm 400mijë...votues për partitë kryesore
  • Të themi që 300mijë prej tyre ja japin votën njërës prej partive kryesore, nga ku ajo legjitimiton pushtetin për 4 vitet e ardhëshme...

Në çdo rast, këta 300mijë (VETËM 10% e atyre që kanë të drejtë vote) vendosin fatin e qeverisjes së vëndit... vetëm 10% që do të vendosi që të spastrojnë vëndin tuj kapë për zhelesh e tu'i qitë përjasht' apo t'ja japin dikujt tjetër të bazuar vetëm në shpresën që nuk do jetë më i keq se tjetri....

Prandaj Berisha dhe e djathta përpiqen që t’i përgjigjen skenarit tip’96 të socilistëve me  psiskozën e fitores së ’92-shit, në mënyrë që diferenca e thellë në rezultat të zbehë kontestueshmërinë e mundshme të zgjedhjeve nga pala humbëse

Dhe gjithe kjo behet pavaresisht nga fakti qe procesi zgjedhor me korrekt ne Shqiperi ka qene, ne mos gaboj, ne 1991.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).