Edi Rama: Unë, si Ronald Regan, s’do të jem politikan

Kryetari i PS, Edi Rama, flet në emisionin “Ora e Debatit” në Ora News

 

Nëse për një pjesë të shqiptarëve pas 10 ditësh dilema është nëse do të kenë mundësi të votojnë, për shkak të asaj që përmendëm pak më parë, një pyetje ka qenë gjithmonë e madhe që lidhej me ju. Ju pse nuk kandiduat?

 

Sepse, siç e kam bërë të qartë, unë kam një kontratë të nënshkruar me vullnetin e dyanshëm, timin dhe të qytetarëve dhe qytetareve të Tiranës, dhe kjo kontratë nuk mund të prishet në mënyrë të njëanshme, por kërkon me patjetër konsensusin e palës tjetër, që është populli i kryeqytetit. Unë i kam kërkuar dhe u kërkoj përsëri banorëve dhe banoreve të Tiranës një mandat për të qenë kryeministri i Shqipërisë, në mënyrë që Shqipëria të ndryshojë nën shembullin e Tiranës dhe Tirana të transformohet me ritme akoma më të larta. Ritme, të cilat do të kishin qenë të tilla, nëse do të kishim pasur qeveri kombëtare, me një vizion për kryeqytetin e Shqipërisë që duhet të jetë një pol zhvillimi, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Një pikë referimi, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Arsyeja pse unë kërkoj të jem kryeministri i Shqipërisë ka të bëjë edhe me domosdoshmërinë për t’i dhënë lokomotivës së ndryshimit, Tiranës, fuqi të reja, për t’i dhënë këtij kryeqyteti, që është bërë një pikë referimi për të gjithë, një ritëm të ri dhe një shpejtësi të re në rrugën e zhvillimit të ri, për të realizuar ato investime strategjikë që kjo qeveri, por edhe qeveritë e tjera paraardhëse, jo vetëm që i kanë konsideruar prioritete, por shpeshherë i kanë parë si një problem për shkak të nevojës që të frenojnë Tiranën duke dashur të dëmtojnë bashkinë dhe të dëmtojnë mua personalisht. Kjo është një politikë primitive e së shkuarës që duhet të marrë fund. Pasi ne jemi këtu për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që kanë të drejtën e Zotit të kenë pikëpamje të ndryshme, por kanë po ashtu të drejtën e Zotit që të kenë shërbime të njëjta dhe të respektohen po njësoj nga shteti i tyre. Sot ne kemi një shtet, i cili është një vegël në duart e këtij pushteti që është pushteti i një familjeje të vetme, i një oborri shërbëtorësh të kësaj familje dhe i një klientele që punon duke përfituar nga aksesi i privilegjuar që u jep ky pushtet. Aq e vërtetë është kjo, saqë sot të gjithë atyre që janë në fakt shërbëtorët e këtij populli dhe që paguhen nga ky popull, duke filluar nga mësuesit dhe mësueset, duke kaluar te mjekët dhe infermierët, dhe të gjithë nëpunësit e administratës shtetërore, janë vënë në një trysni kriminale, në një trysni psikologjike që është e patolerueshme për një vend evropian, iu kërkohet me çdo kusht e me çdo çmim t’iu nënshtrohen pushtetit, iu kërkohet të dalin me zor nëpër mitingjet të Partisë Demokratike, të Sali Berishës, të Jozefina Topallit dhe të kësaj kompanie të bukur. U kërkohet që të kërkojnë të fotografojnë votën e tyre për të pasur të sigurt vendin e punës. U kërkohen gjithfarë gjërash që janë pjesë e një trysnie që është absolutisht të patolerueshme.

 

Në fakt, pyetja nisi për kandidimin tuaj. Ka pasur shumë kritika për mungesën e këtij kandidimi, kanë ardhur, qoftë nga kundërshtari juaj politik, zoti Sali Berisha, por kanë ardhur nga ish-lideri historik i PS, Fatos Nano, kanë ardhur nga LSI, kanë ardhur nga mediet. Në fakt, në fund të fundit, a e dëmton rezultatin e PS dhe të mbajë një përgjegjësi moskandidimi? A krijon ky një problem psikologjik te zgjedhësit?

 

Këto janë kritika që kanë ardhur nga ajo që, siç edhe ju e dini dhe e dëgjoni me buzëqeshje, është për mua Shqipëria e politikës së bulevardit, e politikës së vjetër të bulevardit. Ndërkohë që nuk e kam ndjerë këtë shqetësim askund nga qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi, aq më pak nga qytetarët dhe qytetaret e Tiranës, që jo vetëm e kanë respektuar këtë zgjedhje timen, por përkundrazi kanë parë te kjo zgjedhje e imja seriozitetin në respektimin e një kontrate.

 

Unë kam një dilemë. Rreth 20 muaj më parë kemi bërë bashkë një intervistë në zyrën tuaj, në Bashkinë e Tiranës. Aty më keni deklaruar që ju nuk jeni politikan. Si mundet që të jetë një kryeministër i mirë një njeri që nuk është politikan? Është njëlloj si të them që do të bëj një emision të mirë pa qenë gazetar.

 

Nuk është e njëjta gjë sepse politika është edhe profesion, por nuk është vetëm profesion dhe nga niveli i shumë modest i pozicionit tim dhe në shkallën shumë modeste të raportit tonë me botën, më lejoni të them që njeri nga presidentët më të mëdhenj të Amerikës, i cili quhej Ronald Regan, ishte presidenti që e filloi dhe e mbylli qenien e tij në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i qytetarëve që refuzoi të pranonte që ishte politikan.

 

Duke menduar se shpreh dhe sensibilitetin dhe interesin e opinionit, por edhe të votuesve potencialë të së majtës tuaj, do të doja të më përgjigjeshit drejtpërdrejt pse nuk përfshitë në listat e kandidatëve politikanë si Fatos Nano, Musa Ulqini, Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Shkëlqim Cani etj.?

 

Së pari, janë njerëz të ndryshëm dhe arsyet janë të ndryshme. Unë do të shprehja këtu respektin dhe mirënjohjen time më të thellë për këta njerëz përgjithësisht, për gjithçka që kanë bërë dhe për gjithçka kanë dhënë. Por, ndërkohë, siç e kam thënë dhe e përsëris edhe këtu, listat e deputetëve nuk janë lista që ndërtohen mbi bazën e kontributeve në të shkuarën, por janë lista që ndërtohen mbi bazën e angazhimit për të nesërmen. Por, ritheksoj, nuk përjashtoj në asnjë mënyrë, por përkundrazi e konsideroj absolutisht të rëndësishëm për shoqërinë tonë kontributin që vazhdon të japë presidenti Mejdani, kontributin që kanë dhënë për parlamentin e Shqipërisë Musa Ulqini, Ylli Bufi apo kontributin për të cilin i jam mirënjohës Shkëlqim Canit si njëri nga njerëzit që asistuan me shumë dashamirësi dhe me shumë profesionalizëm në shkrimin e programit tonë të ri.

 

Harruat vetëm Fatos Nanon...

 

Lidhur me zotin Nano unë besoj se arsyeja është më se e qartë për të gjithë qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi. Ne kemi nevojë për deputetë dhe deputete që të kryejnë detyrën karshi atyre që i votojnë 24 orë në 24, 4 vjet me radhë.

 

Çfarë kriteresh u përdorën për përzgjedhjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, jo vetëm, në listat e kandidatëve, këtu kam ato që ju i keni pak më shumë për zemër, femrat, por edhe një pjesë që nuk hyjnë te kjo kategori, Rudina Seseri, Shegush Ligori, Olta Xhaçka, Ditmir Bushati, Vasilika Hysi, Ditmir Bushati, Eglantina Gjermeni, Luiza Xhuvani etj.?

 

Unë besoj që është diçka që e nderon çdo burrë dhe çdo djalë që të ketë për zemër gratë dhe vajzat duke mos harruar asnjëherë që na ka lindur një nënë dhe na ka rritur dashuria e një nëne, e një gjysheje, e një motre që në të gjitha rastet është një dashuri e pakrahasueshme dhe e pakonkurrueshme me asgjë tjetër. Unë besoj që politika shqiptare ka nevojë për masën që sjell gruaja në hapësirën tonë të përbashkët, në botën publike, ku diskutohen hallet dhe problemet e përbashkëta. Të gjitha gratë dhe vajzat që ju përmendët kanë rrugën e tyre dhe kanë cilësitë e tyre të posaçme që i kanë bërë pjesëtare të denja të skuadrave tonë dhe më lejoni që t’ju them shumë thjesht, vendin në skuadrat tona ato gra dhe vajza që ju përmendët e kanë fituar me kontributin e tyre në shoqëri. Janë sot pjesë e këtyre skuadrave, sepse sot PS është një Parti e re e Socialiste, është një socialiste e transformuar me vetëdijen se një parti duhet të jetë një pasqyrë e shoqërisë, do t’i japin mundësi shoqërisë që te partia të gjejë vetveten dhe jo të jetë një sekt i mbyllur që kërkon ta bëjë shoqërinë si vetja. Në këtë aspekt, unë besoj se PS ka manifestuar atë që është në ADN e saj, që prej krijimit të saj, aftësinë për t’u transformuar dhe pastaj për të transformuar shoqërinë. Unë jam shumë krenar për këtë transformim të ri të Partisë Socialiste, i cili është një transformim që përbën edhe parakushtin për transformimin e ri që ne do t’i bëjmë vendit, duke dëshmuar aftësinë vetë-transformuese si një garanci për aftësinë, për të transformuar realitetin ku ne jetojmë.

 

Jam shumë dakord në parim me përfshirjen e këtyre grave dhe vajzave në këto lista dhe për aftësinë transformuese të PS brenda vetes, por edhe më pas për shoqërinë. Por jam skeptik, kur shikoj që jashtë këtyre listave kanë ngelur katër anëtaret e kryesisë së PS, Eva Allushi, Mimoza Hafizi, Saimira Pino, Lindita Nikolla. Gjithashtu, Edlira Haxhiymeri, e cila është për ironi, sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta që nuk pati shans të jetë e barabartë për vete, Ermira Dinaj kryetare e forumit të gruas dhe Megi Ajtyresa, kryetare formale e FRESH.

 

Së pari, unë do të doja, jo për ta veçuar nga të tjera, sepse të gjitha ato që ju përmendët janë kontributore dhe pa as më voglin dyshim janë një prani cilësore e rëndësishme në PS dhe janë pjesë e këtij procesi transformimi. Por, për të shprehur mirënjohjen time për atë çka bën në detyrën e saj si kryetare e njësisë bashkiake numër 1, do ta veçoja Lindita Nikollën, ndërkohë është pikërisht ajo që thashë. PS nuk është monopoli i socialistëve që janë brenda saj. PS është një hapësirë që shkon përtej kufijve të saj dhe është përditë e më shumë një instrument në duart e shumë njerëzve që janë ose nuk janë anëtarë të saj. Për këtë arsye unë besoj se është koha që njerëzit të besojnë te PS shumë më tepër sesa 4 vjet më parë dhe për këtë arsye unë besoj se njerëzit do të besojnë te PS ëndrrën, shpresat dhe nevojën e tyre për ndryshim. Sot PS u ofron të gjitha qarqeve të Shqipërisë një skuadër që përfaqëson denjësisht aspiratat e njerëzve të mishëruara te përfaqësuesit tanë që janë shëmbëlltyra të suksesit. Përfaqësojnë denjësisht nevojën e lidhjes me komunitetet, për të përfaqësuar njerëzit tanë që vijnë si shprehje e këtyre komuniteteve, përfaqëson pa asnjë dyshim domosdoshmërinë për një politikë tërësisht të re, për gratë dhe vajzat në këtë vend.

 

Këta ishin emra konkretë...

 

Unë po flas në mënyrë konkrete. Jemi një vend, i cili nuk arrin dot të japë përgjigje dhe të sfidojë kërcënimin gjithmonë e më të madh të analfabetizmit, sepse nuk arrin dot të shkollojë fëmijët e varfër, duke pranuar një shifër zyrtare që është 10%, duke pranuar njëkohësisht se 12% e fëmijëve janë analfabetë. Për të gjitha këto duhet, jo vetëm një politikë e re e mirëkuptimit të programeve, por duhet një politikë e re në kuptimin e përfaqësimit. Ndërkohë, kërkohet, dhe për këtë arsye kemi realizuar një sinergji mes komponentëve të ndryshëm të një shoqërie.

 

Pse nuk është politikë e re Fatos Nano, Rexhep Meidani, Shkëlqim Cani, por duhet të jenë Fidel Ylli, Tom Doshi, Dashamir Peza etj.?

 

Nuk di se si i bashkoni emrat në këtë mozaik. Por për të gjithë ata njerëz që janë në listën e PS ka arsye. Një nga komponentët e listave tona janë padyshim përfaqësuesit e sipërmarrjes së lirë shqiptare. Ne duam të bëjmë një aleancë të re me sipërmarrjen shqiptare. Ne duam të bëjmë të mundur që një politikë e re ndaj sipërmarrjes t’i krijojë një frymëmarrje tërësisht të re talentit sipërmarrës të shqiptarëve dhe t’i japë një mundësi tërësisht të re të gjithë sipërmarrësve shqiptarë, të cilët sot e për gjithë ditën pas 18 vitesh i fshihen shtetit, i fshihen jetës publike, i fshihen ekspozimit të suksesit të tyre, sepse janë të trembur nga ajo që vjen pas, që është trysnia deri edhe mafioze e një shteti, që për të mbushur arkën, në fund të vitit iu turret sipërmarrësve në forma dhe mënyra të papranueshme për një vend që është në Evropë dhe që synon të aspirojë të jetë anëtar i BE dhe t’u japim sipërmarrësve piedestalin që u takon. Sipërmarrësit janë njëlloj si artistët, njëlloj si këngëtarët, njëlloj si sportistët, janë shëmbëlltyra e suksesit ku ne jetojmë dhe sipërmarrësit e këtij vendi nuk duhet të jenë në asnjë mënyrë të strukur, nuk duhet të jenë në asnjë mënyrë të ndrydhur, nuk duhet të jenë në asnjë mënyrë të mbyllur në guaskën e tyre, për shkak se duan të shmangin hakmarrjen primitive të shtetit për bindjet e tyre, për simpatitë e tyre, për miqësitë e tyre, apo edhe për thjesht dhe vetëm suksesin e tyre. Kam parë në këtë histori shqiptare 18-vjeçare sipërmarrës të përdhunuar, të poshtëruar, të goditur pa asnjë mëshirë nga mekanizmat e shtetit, për arsye se kanë guxuar të investojnë në media. Në rast se ne sot kemi këtë hapësirë lirie, kjo u detyrohet atyre sipërmarrësve. Kam parë sipërmarrës, të cilët kanë qenë absolutisht të shkelur me këmbë, për shkak se janë trajtuar si të djathtë në kohën e qeverisë së majtë apo si të majtë në kohën e qeverisë së djathtë. Për këto arsye kanë qenë të detyruar t’u nënshtrohen ultrapresioneve. Kam parë sipërmarrës të marrë peng për të paguar shuma të tëra vetëm e vetëm që disa aparatçikë t’u japin ministrave të radhës rezultate të suksesit në mbledhjen e të ardhurave. Kam parë sipërmarrës të falimentojnë, për shkak se shteti nuk plotëson detyrimet ndaj tyre. Por nuk kam parë ende sipërmarrës që krenarinë për atë që kanë arritur ta shfaqin hapur. Nuk kam parë ende sipërmarrës që të ftohen në forumet e debatit dhe mund t’u tregojnë të tjerëve se si e kanë arritur suksesin e tyre. Nuk kam parë ende sipërmarrës, përpara të cilëve shteti të ngrihet në këmbë me respekt. Pse? Sepse marrëdhënia mes shtetit të të gjithëve dhe sipërmarrjes është në fakt një marrëdhënie e pushtetit të disave me disa njerëz që, ose duhet të bëhen klientë të pushtetit, ose nuk kanë mundësi të jetojnë ndryshe, këtë e kemi parë në gjithë këto vite dhe këtë e kemi parë edhe në këto katër vjet, kur me gojën e kryeministrit, me gojën e ministrit të Financave kemi dëgjuar të akuzohen sipërmarrës, kemi dëgjuar shqiptarë të lirë që janë në të drejtat e tyre kushtetuese për të zhvilluar sipërmarrjen e tyre dhe të dhunohen publikisht. Kjo histori duhet të marrë fund. Sipërmarrësit padyshim duhet të kenë përfaqësuesin e tyre në parlamentin e Shqipërisë dhe unë e quaj këtë detyrim të Partisë Socialiste.

 

Keni apo jo program qeveritar? Pse s’na e tregoni fizikisht?

 

Kjo është një pyetje e rënë nga qielli. Programi ynë qeverisës nuk është një program elektoral, është një program qeverisës. Është një mekanizëm i tërë i shtrirë në mbi 1 mijë faqe.

 

Këto ku janë?

 

... i cili është në dispozicion të të gjithë atyre që nesër do të jenë në detyra për të realizuar qeverisjen. Për sa i përket programit tonë elektoral, ai është një program elektoral, i sintetizuar në planin tonë me shtatë pika, i cili është publik. Të gjitha aspektet e programit tonë janë trajtuar publikisht dhe sigurisht edhe në të gjitha rrugët e komunikimit që ne kemi zgjedhur për t’i çuar këto pika dhe këto reforma te publiku.

 

Por pyetja është një sensibilitet, sepse shumë njerëz mund të thonë: Ku është...?

 

Vetëm në konferencën e programit tonë ju patë që profesor Rexhep Mejdani më dorëzoi një libër shumë voluminoz që është libri i rekomandimeve të programit dhe i gjithë ai libër rekomandimesh ka qenë njëra nga pjesët, mbi të cilat është paraqitur i gjithë programi ynë.

 

Pse s’e bëni publik?

 

Nuk është absolutisht në nevojën e një procesi elektoral një libër me 1 mijë e kusur faqe. Unë mund t’ju përgjigjem fare konkretisht për çdo pyetje që ju keni, siç po ju përgjigjem, pasi të gjitha ato që unë ju them, burojnë nga programi ynë qeverisës.

 

A ka problem që të na jepet?

 

Nuk ka asnjë arsye që të botojmë një program me 1 mijë faqe, nuk ndodh asgjëkundi. Partitë politike i drejtohen elektoratit të tyre me plane sintezë, të cilat janë plane që përcaktojnë qartë prioritet dhe rrugët, dhe japin lexueshmëri të plotë të politikave të reja qeverisëse që ato synojnë të bëjnë në periudhën e qeverisë. Ajo që ne kemi bërë dhe që është e re, nuk ka ndodhur kurrë në këto 18 vjet, është që kemi përgatitur për të qeverisur, jo thjesht një platformë elektorale për të marrë votat dhe për t’u gjendur pa program të nesërmen e ditës së qeverisjes. Kjo është risia që ne kemi sjellë. Ne jemi gati të qeverisim që të nesërmen e fitores, duke i dhënë çdo ministri në tavolinë të gjithë hartën e aksionit për të arritur objektivat tona.

 

Meqenëse paraqisni një program prej 1 mijë faqesh, cilat do të jenë rrugët që do të luftoni korrupsionin dhe a do të bëni reformën në gjyqësor, pasi janë të njëjtët gjykatës dhe prokurorë që prej kohës së diktaturës?

 

Së pari, nga koha e diktaturës kemi kryeministrin njëherë që është kryesori në skenën publike, një sektar i Enver Hoxhës që ka veshur kostumin blu të partive popullore. Së dyti, përgjigjja më efikase kundër korrupsionit është modernizimi i shtetit. Korrupsioni është një forcë që zhvillohet në hapësirat ku mungon shteti, në hapësirat ku shteti nuk arrin dot të japë shërbimet e duhura, në hapësirat ku shtetit nuk jep garanci qytetarit për çka qytetari kërkon. Një shtet modern është armiku më i madh i korrupsioni. Një shtet si ky, që nuk është shtet, është aleati më i madh i korrupsionit. Një shtet që nuk i mbyll sytë dhe nuk i lidh duart përballë një zhvillimi si ai i Gërdecit, nuk do të kishte lënë të ndodhte ajo që ndodhi në Gërdec, duke mos lënë të ndërtohej ajo fabrikë që u ndërtua, dhe as të hapej ajo procedurë që u hap me ministrin e Drejtësisë, që komunikonte me djalin e kryeministrit, a thua se jemi në një sulltanat dhe jo në një republikë në mes të Evropës. Një shtet, i cili garanton shërbime për të gjithë, duke garantuar konkurrencën e lirë, është një shtet që nuk i jep mundësi korrupsionit, që për shkak të mungesës së konkurrencës të triumfojë dhe të jetë mekanizimi, përmes të cilit njerëz të privilegjuar, grupe të privilegjuara fitojnë gjithmonë, ndërkohë që shumica humbet gjithmonë. Për sa i përket reformës në drejtësi, vizioni ynë për reformën në drejtësi është publik, është i qartë, është i kthjellët, është një vizion evropian. Ne kemi nevojë për një ligj integral për sistemin e drejtësisë dhe sigurisht kjo është një reformë që kërkon më shumë sesa një mazhorancë qeveritare, kërkon një konsensus më të gjerë me opozitën, me njerëzit e sistemit të drejtësisë dhe ne do ta kërkojmë pa u lodhur këtë konsensus, sepse do të sjellim dhe një kulturë të re në marrëdhëniet me opozitën, pasi opozita ka rolin dhe vendin e vet. Ndërkohë që roli dhe vendi ynë do të jenë për të përmbushur angazhimet tona ndaj njerëzve.

 

Po qeverinë hije e keni bërë?

 

Jo, jo.

 

Një nga pyetjet që gjithmonë vërtitet është se, sa mandate do të marrë Poli i Lirisë, PD, LSI. A do të arrini ta bëni të vetëm qeverinë më 28 qershor?

 

Jo, vetëm, me koalicionin tonë ne do të kemi autonominë qeverisëse.

 

Ju shpresoni se do të merrni mbi 71 mandate?

 

Unë nuk shpresoj, jam i bindur për këtë. Në rast se sot kam një rezervë, kjo rezervë lidhet vetëm me besueshmërinë dhe transparencën e procesit zgjedhor. Për këtë arsye unë dua t’i bëj, me lejen tuaj, të gjithë qytetarëve dhe qytetareve që kanë aplikuar të marrin kartën e identitetit, të mos ta lënë për ditën e fundit, pasi është e nevojshme që t’i japin mundësi vetës të votojnë, është e domosdoshme. Së dyti, policisë së shtetit që të qëndrojë korrekt dhe të mos vazhdojë të japë shenjat që po jep ditët e fundit, ku po bëhet, për fat të keq, palë në episode që mund të jenë të vogla në raport me të tërën, por që kanë domethënien e tyre. Duke i garantuar të gjithë punonjësve të sotëm të policisë respektin maksimal timin dhe forcës që përfaqësoj për ligjin dhe për rolin e tyre si njerëz të ligjit, u them se do të ndëshkohet me forcën e ligjit çdonjëri që do të guxojë të kapërcejë kufirin e ligjit duke e vënë uniformën e shtetit në dispozicion të interesave të pushtetit. Së treti, u bëj thirrje të gjithë prindërve të këtij vendi që sot janë rrogëtarë të shtetit tonë të përbashkët që të mos bien në asnjë mënyrë pre e presioneve të turpshme dhe mafioze të atyre drejtuesve shtetërore që përdorin detyrën shtetërore për të bërë trysni dhe për t’u bërë presion që të votojnë për pushtetin, jashtë bindjeve dhe jashtë dëshirës së tyre. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm që ky është një moment historik që kërkon një vetëdije të lartë qytetare, një vetëdije të lartë për detyrën shtetërore nga njëra anë dhe për detyrën qytetare nga ana tjetër. Pasi katër vjet të tjera si këto janë të papranueshme dhe ne na duhet me patjetër të hapim një faqe të re, ku në vend që të jenë katër vitet e një vazhdimi, të jenë katër vitet e një fillimi të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët.

 

Nëse ju si kryetar i PS dhe koalicioni që ju drejtoni nuk arrini t’i merrni 71 votat për të krijuar qeverinë, a do të pranonit të bënit aleancë me LSI dhe koalicionin e tij?

 

Sot ne kemi një betejë për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri, e cila do të realizojë angazhimet që ne po marrim. Të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret që duan ndryshimin, që besojnë te ndryshimi, që dëshirojnë të bëhen pjesë e ndryshimit, që kanë vullnet për të riorganizuar shtetin dhe Shqipërinë, duhet që votën e tyre ta vendosin te kutia ku shkruhet PS, Edi Rama. Kjo, sepse çdo votë që shkon në drejtime të tjera është një votë në drejtimin tanimë të ditur, të politikës së vjetër të këtyre 18 viteve. Në rast se duan një parlament, i cili të ketë një mazhorancë që të bëjë ligje të mira dhe të marrë vendime të drejta për ta, nuk duhet t’u japin mundësinë forcave të tjera që ta mbajnë parlamentin peng dhe ta mbajnë qeverinë peng të të njëjtave interesa që për 18 vite me radhë nuk e kanë lejuar qeverinë e këtij vendi dhe vetë këtë vend që të lëvizë me shpejtësinë e qytetarëve dhe qytetareve në drejtim të realizimit të shpresave dhe ëndrrave të tyre.

 

E përkthyer ndryshe kjo do të thotë që vota për Metën është votë për Berishën...?

 

Unë nuk dua të hyj në këtë retorike, por unë vetëm dua të vë theksin te domosdoshmëria për të votuar për një rrugë të re ndryshimi. Këtë rrugë të re mund ta garantojë vetëm një forcë të re, kjo është forca e bashkimit tonë të ri, e koalicionit tonë dhe e lidershipit të këtij koalicioni që është PS.

 

Kjo forcë e re në fakt në histori është forca më e vjetër politike që më 1941...

 

Tani pa bërë spekulime, por duke i qëndruar historisë, aftësia më dalluese e forcave tradicionale politike në botën ku duam të integrohemi është aftësia e ripërtëritjes dhe aftësia e mbartjes së risisë. Njëra nga partitë më të vjetra, mos më e vjetra e planetit demokratik, Partia Konservatore angleze, sot që flasim është forca e re e elitës angleze dhe lideri i saj flet për një politikë të re për ndryshim. Pra, nuk kemi më një forcë që lindi dje, kemi të bëjmë me një forcë që është shumë e vjetër, por pikërisht se është e vjetër ka aftësinë që të jetë gjithmonë e re. Se nëse do të ishte gjithmonë e vjetër, nuk do të votohej më, ashtu sikurse ishte një forcë e re në politikën e Britanisë së Madhe dhe të botës demokratike, Leibëri i ri i Toni Blair, një tjetër parti shumë e vjetër. Kjo nuk ka të bëjë me moshën, kur vjen puna te partitë, ka të bëjë me aftësitë për vetë-transformim dhe për rinim. Sot forca e re në politikën shqiptare është PS, siç ishte forca e re PD në vitin 2005, por që për fat të keq rinimin e kishte vetëm në pamje, sepse në përmbajtjen e vet. Ishte po ajo forcë që i zhgënjeu njëherë shqiptarët edhe që i rizhgënjeu këtë radhë. Ndërkohë që për PS nuk mund të thuhet e njëjta gjë, sepse procesi ynë i vetë-transformimit në një dialog me Shqipërinë është një histori unike në këto 18 vjet. Me një program të ri për Shqipërinë, që është një moment unik, pasi, siç e thashë, jemi e para parti që jemi përgatitur për të qeverisur dhe jo thjesht për të marrë pushtetin, na bëjnë që me plot gojën t’u themi shqiptarëve se në fletën e votimit ka një forcë të re të madhe dhe të gatshme për të bërë ndryshimin, që është PS.

 

Me këtë po thoni që LSI është forcë e vjetër dhe ju përjashtoni çdo mundësi bashkëpunimi pas 28 qershorit...

 

Nuk i thashë të gjitha këto, sepse nuk është në rrezen e vështrimit tim dhe nuk është në shqetësimet e mia ky moment sot. Sot në rrezen e vështrimit është Shqipëria dhe janë shqiptarët që kërkojnë ndryshim. Shqetësimi ynë sot është ta garantojmë së bashku këtë ndryshim.

 

Nëse për kombinacion dhe për ironi matematike të votave, pas 28 qershorit do t’ju duhet të bëni aleancë me parti, siç është ajo e PAD apo e PAA...

 

Besoj që nuk jemi larg, kemi vetëm dy javë në dispozicion për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja jo më mbi nevojën që të hedhim një fall politik, por jam i bindur që 28 qershori do të na japë mundësinë që bashkë me shqiptarët të bëjmë atë ndryshim që historia e këtij vendi e kërkon sot.

 

A do jepni dorëheqjen nga kryetar bashkie, nëse do të bëheni kryeministër?

 

Besoj që kjo është pjesë e rrugës që kam nisur. Pra, në rast se qytetarët dhe qytetaret e Tiranës do të vendosin që unë të jem kryeministri i tyre, atëherë patjetër do të na duhet që të mendojmë së bashku për një zgjedhje të re për Bashkinë e Tiranës. E kam thënë në vijimësi, por gjithmonë është krijuar si ekuivok, ndoshta me dëshirën e mirë për të bërë lajm.

 

Por, nëse humbni, situata përpara ishte nëse fitoni, nëse humbni, do ta jepni dorëheqjen nga kryetar i PS dhe do të vazhdoni deri më 2011 të jeni kryetar i Bashkisë së Tiranës? Kush do t’ju mbështesë politikisht?

 

Nuk i hyj fare këtij diskutimi se çfarë do të ndodhë më pas. Thjesht është e qartë që e kam thënë dhe e përsëris. Unë nuk jam politikan, jam një qytetar në një mision. Pjesë e këtij misioni është kjo mundësi që unë u jap njerëzve duke iu ofruar të gjitha energjitë, idetë dhe vullnetin tim për të qenë në dispozicion të tyre. Në rast se njerëzit do ta refuzojnë këtë mundësi, pa asnjë dyshim unë nuk kam arsye që të mos i krijoj mundësinë PS që t’u japë njerëzve një mundësi të re.

 

Çfarë raporti do të keni pas kësaj mundësie të re që ju do t’i jepni PS që të ketë një kryetar të ri me politikën?

 

Atë që kam pasur gjithmonë, raportin e një qytetari të angazhuar. Por, sigurisht misioni im ridimensionohet.

 

Në këto kushte, më 2011 do të rikandidonit për një mandat të katërt për në krye të Bashkisë së Tiranës...?

 

Jemi në brendësi të një filxhani kafeje turke që nuk na çon asgjëkundi.

 

Ish-kryetari i PS, Fatos Nano, ka deklaruar në “Opinion”, se më 28 qershor u bën thirrje të gjithë të majtëve të bashkohen në oborrin e PS për të rrëzuar kryeministrin, Sali Berisha. Që do të thotë, ju do të ikni e do të ikni, por aty do të fillojë, le të themi, përpjekja e zotit Fatos Nano për të rrëzuar Berishën, që, me sa duket, e paska marrë, sipas zotit Nano, mandatin e dytë.

 

Më 29 qershor do të jeni në oborrin e PS duke transmetuar live momentin e ndryshimit të madh që Shqipëria do të bëjë me votën e saj dhe fillimin e rrugës së re për Shqipërinë dhe për shqiptarët me fitoren e PS.

 

Çfarë qëndrimi do të mbajë PS me TVSH, nëse vjen në pushtet?

 

Do të jetë një nga transformimet më rrënjësore, më të prekshme dhe pa asnjë dyshim më të shpejta që ne do të bëjmë. Unë dhe PS do t’ia kthejmë TVSH publikut shqiptar ose më saktë, jo do ta kthejmë, se s’e ka pasur kurrë, sot më shumë se asnjëherë publiku nuk e ka televizionin e vet për të cilën paguan edhe taksë. Por angazhohem këtu solemnisht që pas 28 qershorit, publiku shqiptar do të ketë televizionin e vet dhe njëkohësisht ne do të hapim dhe një kanal të dytë të televizionit publik, i cili do të shërbejë për mësimin e gjuhës amtare, për fëmijët shqiptarë në emigracion, do të shërbejë për transparencën e politikave qeverisëse dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, do të shërbejë për të diskutuar dhe njëkohësisht për të angazhuar publikun me ato modele zhvillimi që ne do të krijojmë. Pra, në formën e një televizioni modern publik, i cili do të jetë realisht televizioni i informimit dhe i komunikimit me publikimin. Reformat në TVSH do të jenë realisht radikale.

 

Rreth një javë më parë, kolegu im, Andi Bushati, ka dhënë dorëheqjen nga televizioni “Klan”, shkak ka qenë ndërprerja e transmetimit të një cikli emisionesh në lidhje me portretet politike të tri figurave kryesore politike në vend, një prej të cilave ishit ju dhe fillimisht fillonte me ju, gjë që u ndalua. Keni “gisht” në këtë ndalim të këtij cikli?

 

Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë histori dhe jam mirënjohës për këdo që do ta transmetojë atë emision, nëse ju e merrni përsipër, unë e përshëndes. Por s’kam asnjë problem, asnjë lidhje. Unë s’kam asgjë për të fshehur. S’kam asgjë për të cilën të ndjehem në pozitë të vështirë dhe në mënyrën më absolute s’kam asnjë shtysë të brendshme për të censuruar askënd në këtë vend, ndryshe nga ç’mund të thuhet në Shqipërinë e vjetër, të bulevardit të vjetër, të politikës së vjetër, të thashethemeve të vjetra.

 

Meqë jemi te thashethemet, do të doja t’ju jepja një fakt të ri në lidhje me pasqyrimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit në media. Ka një mënyrë, e cila nuk ka qenë natyrale dhe normale, besoj unë si gazetar, në pasqyrimin e fushatës elektorale, një kulturë komunikimi, e cila fillimisht është e orientuar nga selia e Partisë Socialiste. Ju duhet të jeni në dijeni që për fushatën elektorale ne nuk kemi shkuar mbrapa jush apo prapa liderëve të PS, por na vijnë të montuara kasetat e aktiviteteve të PS, pasi, me sa duket, përzgjidhen dhe ne për zbatimin e ligjit për pasqyrimin e aktiviteteve të fushatës elektorale jemi detyruar ta fusim për minutazh për balancë. E njëjta gjë për hir të së vërtetës ka filluar të aplikohet gjatë fushatës edhe nga PD. A është normale kjo, zoti Rama, dhe a duhet t’ju besojmë ju për transformimin e TVSH, kur në këtë shenjë të kësaj fushate ju na jepni një shembull për të kundërtën?

 

Kjo nuk ka asnjë lidhje. Unë kam bredhur Shqipërinë në cepa ku kostot e çdo medieje bëhen të pamundura dhe praktikisht për të informuar publikun për takime në zona të largëta, ku mungojnë dhe korrespondentët dhe jo më ku mund të vijnë dhe të angazhohen makina e gazetarë. Ka qenë një praktikë, e cila nuk ka të bëjë asgjëkundi me nocionin e censurës, por përkundrazi ka të bëjë me nevojën për t’iu dhënë qytetarëve pamjet dhe komunikimet e zhvilluara. Nuk shoh asnjë lloj problemi.

 

E bëra këtë pyetje dhe një nga zhvillim i ditëve të fundit lidhur me debatet që janë zhvilluar pak a shumë të këtij formati, në disa televizione, ku kolegë të mi, por edhe unë sigurisht jemi bllokuar, unë e gjeta shpejt daljen, për shkak se e kuptova skemën dhe po merrem me tema. Ndërkohë që në përballjet mes PD-PS, pothuajse kanë ardhur duke u bllokuar dhe pothuajse kemi një blackout total të këtij ballafaqimi...

 

PD ka një problem serioz, gjithmonë e më të qartë dhe të ndjeshëm në debatet, në të cilat në mënyrë sistematike po i redukton duke u shmangur përballjeve me përfaqësuesit tanë. Unë, me thënë të drejtën, e kuptoj shkakun e kësaj zgjedhjeje që ata kanë bërë, sepse në mënyrë sistematike debatet e zhvilluara kanë folur qartë për një forcë të vjetër, e cila nuk arrin dot të prezantojë një bilanc të besueshëm dhe bindës për votuesit dhe një forcë të re, e cila ka të gjitha argumentet për të kërkuar një votë për ndryshimin. Parashikoj degradim të mëtejshëm të këtij procesi dhe shmangie të mëtejshme që sigurisht dëmtojnë në radhë të parë publikun, por të cilat duhet t’i kuptojmë dhe t’i shohim siç janë; frikën e atyre që sot qeverisin për të zhvilluara debate të hapura në të gjitha platformat televizive dhe për t’u ballafaquar në kushte të barabarta me ata që nesër do të qeverisin, domethënë me ne socialistët.

 

* Marrë me shkurtime

10 Komente

Edi ja ka fut kot per sa i perket ish presidentit te famshem amerikan.

Ai jo vetem qe ka qene nje politikan i madh per Ameriken, por nje nga politikanet me te medhenj te botes te te gjitha koherave. Ai diti qe ta nxjerre nga kriza ekonomike dhe humbja qe po pesonte $-in si dhe eshte nje nga ata politikane qe diti te shtynte dhe te krijonte lidhje te atilla te cilat perfunduan me shkaterrimin e kampit socialist dhe te BS si fuqi hegjemone.

Ai eshte nje nga njerezit qe perpara se te behej president ka qene guvernator i suksesshem i Kalifornise, kongresmen, senator, marre pjese dhe humbes ne zgjedhjet persidenciale te 72 por fitues dy here me radhe ne 76 dhe 80.

Pra Edi ishte mire te futej pak ne Kuvend, se do fitonte edhe eksperiencen e ligjvenesit pasi ka qene vetem administrator bashkie, gje qe ka nje ndryshim sh. te madh edhe me guvernatorin.

eh cfare degjohet nga nje hajvan nuk e degjon ne tere boten . nje here jam obama , nje here jam regan , nje here jam askushi ku kjo eshte e vertete qe eshte askush si puna e partizanit te panjohur

Eshte vertet per te ardhur keq, qe ne si komb, gjithmone e kemi problem ndryshimin, mesohemi ne ate batakun tone kemi frike te shohim pertej tij.

Kemi frike te dalim nga vetja jone si popull i neperkembur si popull i viktimizuar si populli terrorrizuar, se di pse, kur lexoj dhe te tjeret qe ne vend te mbeshtesin njeriun qe pasqyron ndryshimin mendimin ndryshe koncepte ndryshe hov ndryshe, JO, ju keni frike nga ndryshimi, jeni mesuar te jetoni ne terrorr te viktimizuar, dikur nga Enveri dhe tani nga pjella e tij Saliu.

 

Shif sec ndodh nese nuk votohet Edi Rama:

 

1. Ne pd dhe qeveri ngelet komunisti Sali Berisha ( dhe te mos me thuaj njeri qe nuk eshte komuniste trulare- 25 vjet sekretar partie)

2. Ne ps fuqine do ta marrin extremistet e Fatos Nanos,

3.Shqiperia rrezikon te behet republike banane ku jane vetem dy vete qe qeverisin (Sala dhe Nano)

4. Demokracia do vritet thjesht do jete nje fasade (meqe Sala dhe Nano duhen kaq shume)

etj. etj..... ka dhe shume te tjera.

 

Ndaj une mendoj se pasi hoqem qafe Nanos do te ishte mire te hiqnim qafe dhe te fundmin e komunizmit ne Evrope Sali Berishen...

 

Ne se doni qe te ndodhin ato qe rendita me laret ... votoni salen... dhe mjere Shqiperia....

 

Une e kam vendosur nje vote per ndryshim.

Me fal po te thuash qe Reagan nuk ishte politikan tregon dhe njehere nje injorance te madhe, po shume te madhe aman. Reagan rithemeloi ideologjine e Partise Republikane, ky thote qe nuk ishte politikan.

Sa per ate qe thote Glauk, me vjen keq po nqs Rama do voten ashtu sic jane shumica e shqiptareve te prirur te ja japin te majtes sic kane qene per 20 vjet, ai duhet te na mbushi mendjen. Keto parullat e tij jane vertete te frikshme, tregojne nje injorance te madhe. Nje njeri qe akuzohet si "control freak" duhet te jete pak me konkret ne idete e tij.  

Edi Rama ka deklaruar ne  Sarande  qe jane ne rrezik standartet e zgjedhjeve. Po e perserit sistematikisht kete gje sepse e ndjen qe do humbi dhe ka per te humbur. Pyetja vetme eshte a do ta pranoje humbjen apo do i shpalli zgjedhjet e pavlefshme?

sot të gjithë atyre që janë në fakt shërbëtorët e këtij populli dhe që paguhen nga ky popull, duke filluar nga mësuesit dhe mësueset, duke kaluar te mjekët dhe infermierët, dhe të gjithë nëpunësit e administratës shtetërore, janë vënë në një trysni kriminale, në një trysni psikologjike që është e patolerueshme për një vend evropian, iu kërkohet me çdo kusht e me çdo çmim t’iu nënshtrohen pushtetit, iu kërkohet të dalin me zor nëpër mitingjet të Partisë Demokratike, të Sali Berishës, të Jozefina Topallit dhe të kësaj kompanie të bukur. U kërkohet që të kërkojnë të fotografojnë votën e tyre për të pasur të sigurt vendin e punës. U kërkohen gjithfarë gjërash që janë pjesë e një trysnie që është absolutisht të patolerueshme.

sa kom qesh ktu. ca te bo psikoza

 

 

e pershnes zografin me videoklipin zyrtar tfushates

http://www.youtube.com/watch?v=G7B0SZ2VcDM

rama behu dhe ti pjese e ndryshimit

Shume i bukur videoklipi fushates se PD-se. Nuk e di kush ja ka marre persiper fushaten ketyre por eshte e shkelqyer si menaxhim. Videoklipi Rames pa paragjykime por me duket sikur ka dal si i hutuar si i tromaksur nuk te ngjall aspak besim.

Nuk e di kush ja ka marre persiper fushaten ketyre

EPP smiley

i gjo qe ka ra me sy ke mosqenia politikan e rames osht dhe fakti qe ngjith fushaten e vet nuk ka premtu asigjo konkrete per asi ven ku ka shku. kjo osh dhe nji prove e programit prototip te PS-se

psh doktori kur shko me nai ven i thot do bojm hidrocentralin ktu, do shtrojm kto rruget ktu dhe do i lidhim me kto qe shtrum kto 4 vjet, do ulim kto taksat ktu ene do iu rregullojm transportin me kto gjona, do lidhim ket ujsjellsin ktu, do rregullojm kto kanalizimet knej, etj simas karakteristikave te secilit ven.

kurse piktori shko duke recitu vjersha per partine dhe sa e mire qe eshte partia dhe sa shume qe mendon ajo tere diten e notes per popullin me gjithe fuqine e saj te shpirtit dhe dashurise.

dhe fshataret lumturohen dhe enderrojne.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).