Edhe dhjetë ditë fushatë kanë mbetur. Sa mirë!

Në këto kohë të shpifura kemi një lajm të gëzueshëm megjithatë: duhen edhe vetëm dhjetë ditë, që fushata elektorale të na marrë të keqen. Është një nga fushatat më të këqija të periudhës postkomuniste, dhe kjo vjen, po e them qysh në fillim, për shkak të masmedias, e cila u është bërë urë tekave, imoralitetit e papërgjegjshmërisë së politikës. I lexoni gazetat? Janë të gjitha të mbushura me tituj të llojit “Berisha në qytetin X”, ose “Rama në qytetin Y”, ose “Meta në qytetin Z”, ose “Topalli: Shqipëria po ndryshon”, ose “Gjinushi: Berishën do ta nxjerrim në pension”, ose “Mediu: Do të luftojmë korrupsionin” etj., etj. Këta tituj janë të ditëpërditshëm, rrjedhimisht janë banalë, të mërzitshëm e monotonë. E sikur të mos mjaftojë kjo, përmbajtja e shkrimeve të lajmëruara nga tituj të tillë nuk ka asnjë lidhje me informacionin real. Vërtet, çfarë dreq news-i mund të jetë një tubim elektoral në pikun e një fushate elektorale? Çfarë dreq news-i mund të jetë një gjë që ndodh 20-30 herë në ditë e që pikërisht edhe për këtë arsye, nuk ka asnjë interes për opinionin publik? E prapëseprapë gazetat, të gjitha gazetat, mbushin tri-katër faqe me informacion të këtij lloji.

Çudia nuk mbaron këtu. Është i njëjti informacion që transmetohet me të njëjtën gjuhë edhe nga ekranet e të gjithë televizioneve shqiptare. Të kuptohemi, nuk është se kjo gjë ndodh vetëm gjatë edicioneve informative të ditës apo të natës. Jo, jo, ndodh gjatë gjithë ditës. Dhe ajo që transmetohet nuk ka lidhje fare me gazetarët e me gazetarinë, pasi janë partitë e shtabet elektorale të tyre, që dërgojnë pranë redaksive të lajmeve kasetat filmike të mitingjeve. Puna e gazetarëve konsiston thjesht te mundimi për t’i futur këto kaseta në folenë e tyre, në aparaturat e transmetimit. Ja, kjo është ajo që po ndodh. E kështu, sapo të hapësh televizorin (nuk ka rëndësi se në cilin stacion e ke të akorduar), të shfaqet para syve e njëjta pamje: politikanë që bërtasin nga foltoret në një sfond flamujsh partiakë, kombëtarë, evropianë e amerikanë dhe turma të eksituara kot më kot. Dhe veshi të dëgjon të njëjtat mesazhe të përdorura, të stërpërdorura, për ujë e drita 24 orë non stop, për shkolla e spitale të reja, për rrugë të asfaltuara, për integrimin e vendit në BE e për lëvizjen e lirë përtej kufijve. Është normale kjo? Hëm, kemi të bëjmë në fakt me një aberracion masmediatik të padëgjuar, dhe merret vesh se ky bombardim me këtë palo informacion të gatuar në kuzhinat e partive, përveçse është një dhunim i paparë që i bëhet profesionit të fisëm të gazetarit, formon nga ana tjetër një zgjedhës ose fanatik, ose leshko. Mund të fitojë në këto rrethana oferta më e mirë politiko-qeverisëse? A është e mundur në fund të fundit, që në këto rrethana të lindë një ofertë politiko-qeverisëse normale?

Ka shumë njerëz që mendojnë se shqiptarët mund të jenë të qortueshëm si qytetarë, por nuk kanë të sharë si zgjedhës, gjë që është dëshmuar gjatë gjithë këtyre viteve. Sipas këtyre njerëzve, shqiptarët, duke votuar për të keqen më të vogël, nuk kanë votuar asnjëherë gabim. Shqiptarët si zgjedhës pra, gjithmonë sipas tyre, kanë një qasje intuitive të pagabueshme. Personalisht, nuk e kam idenë nëse kjo është e vërtetë, apo jo. Edhe sikur të ishte e vërtetë, zgjedhja e të së keqes më të vogël nuk është se duhet të na ngushëllojë më shumë sesa duhet, pasi e keqja më e vogël mund të qëllojë të jetë një e keqe shumë e madhe (siç qëlloi fjala vjen, me zgjedhjen që bëmë në vitin 2005). Shoqëritë në terma politikë nuk duhen gjykuar mbi këtë kriter. Ato duhen gjykuar mbi kriterin e aftësisë për të prodhuar oferta të mira e për të lënë pa mbështetje oferta të këqija. Ja, pikërisht kjo nuk ka gjasa që të ndodhë në Shqipëri. Nuk ka gjasa për një mijë e një arsye, por njëra është më e dukshme: kjo masmedia, në një numër rastesh me hir e në një numër rastesh të tjera me pahir, ka dëshmuar se di të kurojë veç interesat e klikës sunduese, e jo të fokusohet tek interesat publike.

Debatet televizive synuan të ecnin në të njëjtën rrugë. Organizatorët e tyre sfiduan krejt pa shkak logjikën e Kodit të ri Elektoral. Ky i fundit u adoptua edhe me synimin për të shkurajuar kacafytjen politike të periferisë e të rrethinave, dhe për t’i dhënë një kuptim të ri debatit politik të Tiranës. Po çfarë ndodhi? Studiot më të rëndësishme televizive u pushtuan nga rrugaçë e belbacukë të provincës, të cilët, ashtu siç pritej, nuk e humbën rastin për të demonstruar se kush janë. Ku qëndron e keqja në këtë mes? Së pari, nëpërmjet protagonizmit të personazheve minorë të provincës apo të qendrës, krijohet ideja se ja, në Shqipëri nuk ka njerëz, nuk ka të rinj, nuk ka gra, e se laj e thaj, kemi vetëm ata që kemi, e shyqyr që i kemi. Së dyti, debate të tilla të shoqëruara me shprehje “ta tregoj unë ty”, “këtë punë e zgjidhim përjashta” etj., etj., nuk u krijojnë asnjë hapësirë e asnjë karar të gjithë atyre që duan e dinë të flasin edhe për shqetësimet reale të vendit. Së treti, shthurja e debatit politik atje sipër mund të degjenerojë në sherre të dhunshme atje poshtë, gjë që edhe ka ndodhur gati çdo ditë. Së katërti, studiot televizive me rëndësi e ndikim kombëtar e kanë humbur pa kthim atë charme-in e tyre të fillimit. Së pesti, zhvendosja e diatribës politike në provincë ka lënë jashtë vëmendjes së publikut të gjitha çështjet me interes kombëtar. Së gjashti, këto debate (për fat të mirë, tani janë ndërprerë falë së njëjtës idiotësi, me të cilën u organizuan), tok me mënyrën sesi është dhënë informacioni elektoral, kanë mbjellë poshtë një shushatje të madhe, e cila nuk premton asgjë të mirë.

Atëherë? Atëherë është mirë të gjejmë ngushëllim te lajmi i gëzueshëm që dhashë qysh në krye: duhen edhe vetëm dhjetë ditë, që fushata elektorale të na marrë të keqen!

1 Komente

Ej, ka ik Muçi nga Shqipi e?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).