Dy kryeministra përurojnë rrugën e papërfunduar

Tuneli, fillon kalimi me radhë i automjeteve

Në orën 1.30 të drekës, vapa në mbikalimin e Rrëshenit pati arritur kulmin. Njerëzit kishin dalë që herët në mëngjes dhe qenë zënë në një si tip kurthi nga nuk kishin si të dilnin. Katër korsitë kryesore të Autostradës A1, (siç do të quhet nga dje segmenti Rrëshen-Kalimash), qenë bllokuar nga skena e inaugurimit. Hyrja jugore qe zënë nga makinat e mitingashëve që vijonin të vinin. Dalja veriore qe rezervuar për dy kryeministrat. Shkurt, nëse hyje me makinë në autostradën drejt Kosovës, nuk dilje dot pa mbaruar mitingu. Mijëra njerëz qenë mbledhur dje pranë Rrëshenit për mitingun më të rëndësishëm elektoral të së djathtës. Mitingu? Në fakt, vëzhguesit e zgjedhjeve e kishin një dilemë për këtë. Një pyetje e denjë për "Procesin" e Kafkës pati lindur për vëzhguesit e zgjedhjeve, pas aktivitetit të Banjës. Disa prej tyre, mendonin se kishin të bënin me një miting elektoral. Përfaqësuesit e qeverisë në Bordin e Monitorimit të Medias, e kanë përcaktuar si "aktivitet të Kryeministrit". Në Banjë, Kryeministri inauguroi punimet për një hidrocentral që kërkon edhe së paku dy vjet të tjera studime, para se të merret vendimi për ta ndërtuar apo jo. Në Rrëshen, dje u përurua një rrugë që pritet të përfundojë realisht nga muaji nëntor. Gjithsesi, për vëzhguesit, dilema mbetej. Miting apo aktivitet qeverie?! Për t‘i dhënë një përgjigje finale kësaj pyetjeje gajasëse, vëzhguesit erdhën vetë dje në Rrëshen, u poqën nën diell njësoj si mitingashët dhe pas kësaj u bindën: "Po, ky është miting", tha njëri prej tyre.

Dukej si diçka e thjeshtë: Sipas axhendës, ceremonia fillonte më njëmbëdhjetë. Njerëzit filluan të grumbullohen që në nëntë. Në fakt, filloi në orën një e gjysmë. Gjatë asaj kohe, Çiljeta ezauroi të gjithë repertorin e saj me këngë që flisnin për rrugë, makina të parkuara në errësirë, sedilje të ulura e nënkuptime të tjera, por kënga sikur e shtoi sikletin. "Ne të gjithë duhet të votojmë për Kryeministrin më të ndershëm shqiptar", - tha Çiljeta mes dy këngëve.

Tre të katërtat e kabinetit qeveritar qëndruan nën diell pa i hequr xhaketat. Kur në skenë hynë Elita 5, burrat e qeverisë vijuan të qëndrojnë pa lëvizur, por gratë nuk e mbajtën veten dhe filluan të kërcenin. Ndërkohë, për turmën e ngjeshur e mitingashëve të panjohur që zgjatej për gati gjysmë kilometri përgjatë rrugës, nuk kishte ngushëllim. Rrotull qe vështirë të gjeje ndonjë shishe ujë. Kioska më e afërt kërkonte treçerek kilometri ecje më këmbë.

Erë gjeopolitikë

Nacionalizëm dhe gjeopolitikë. Këto qenë dy lajtmotivet e fjalimeve të dy kryeministrave. "Kjo rrugë do të fuqizojë pavarësinë e Kosovës", tha Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan. "Ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet për stabilitetin dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Me Shqipërinë kemi edhe projekte të tjera strategjike në fushën e gazit", vijoi ai.

Malet e Oroshit dhe gjithë Dukagjinit oshtinë nga fjalimi në turqisht i Kryeministrit Erdogan.

"Kjo është rruga e të gjithë shqiptarëve, kjo afron shqiptarët me detet e shqiptarëve", - tha Kryeministri Berisha. Kryeministri i konsideroi "shqiptarofobë" ata që i identifikoi si "armiq të rrugës". Në qarqet ndërkombëtare diskutohet nëse rruga ka kryer një bashkim faktik mes Shqipërisë dhe Kosovës apo është thjesht një projekt infrastrukturor.

"Dua t‘i siguroj se shqiptarët udhëhiqen dhe do të udhëhiqen nga fryma e miqësisë dhe bashkëpunimit dhe se ky korridor do t‘u shërbejë jo vetëm shqiptarëve, por të gjithë popujve të rajonit, maqedonasve, serbëve, boshnjakëve, bullgarëve dhe të gjithë të tjerëve".

Kryeministri iu përgjigj edhe pyetjes se a është një investim i leverdishëm kjo rrugë. "Ajo do ta shlyejë veten brenda gjashtë vjetësh", tha ai.

Rruga

Rruga u hap dje për herë të parë për trafik të kufizuar. Në segmentin Rrëshen-Rreps, nuk qe hedhur ende shtresa finale e asfaltit dhe në shpejtësi prej 60 kilometrash në orë, një makinë e vitit 2008 dridhej si autobusët e Shkodrës. Tabelat shënonin kufizim shpejtësie 60 dhe 40 kilometra në orë. Tuneli verior, u vu në punë me sens të alternuar. Një pjesë e tij ende nuk është përfunduar. Një pjesë e mitingashëve dje menduan ta kalojnë tunelin për kureshtje, por katër orët e pritjes në vapë, e kishin bërë punën e tyre. Brenda pak orësh, njerëzit kapërcyen pak kilometra rrugë të vjetër dhe hynë në superstradën e re Rrëshen-Milot. Me gjithë angazhimin e qeverisë për të sjellë sa më shumë makina të qe e mundur, sërish nuk pati asnjë problem trafiku. Trafiku real, filloi vetëm pasi hyje te rruga e Lezhës. Tani që Autostrada A1 u hap për trafikun, pyetja e vetme është se sa makina do të qarkullojnë çdo ditë në një projekt që mund të shkojë deri në 1 miliard euro, pagesa e së cilës duket se do t‘i rëndojë shqiptarët edhe për shumë dhe shumë vite.

Rruga nëntokësore nuk përdoret gjatë natës

Tuneli, fillon kalimi me radhë i automjeteve

Që në orët e para të mëngjesit rreth 5 mijë automjete të ardhura nga Kosova, por edhe qindra nga Kukësi, Hasi etj, kanë krijuar një rradhë të gjatë deri në 4 km pasi depërtimi i tunelit bëhet vetëm në një kahje dhe i disiplinuar nga personeli i sigurisë. Gati shumica e të gjithë njerëzve kishin udhëtuar thjesht për të përjetuar të parët çastin e madh të hapjes së rrugës. Nga bisedat me kuksianët fjala që thuhet më shpesh është "lamtumirë Qafë e Malit dhe Fushë-Arrës ku kemi vuajtur gjithë jetën". Tashmë rruga e vjetër, e ndërtuar edhe si strategji joekonomike, si një rrugë ku të mos mund të udhëtonte armiku, mbetet pas në historinë e dhimbshme të mjerimit të tejskajshëm. Më herët, apo më saktë, një ditë më parë për të përshkuar rrugën nga Kukësi në Rrëshen janë dashur plot pesë orë, sot kjo distancë përshkohet në vetëm një orë, madje duke llogaritur ndonjë vonesë në hyrje të tunelit. Ky i fundit me gjatësi 5.6 km përshkohet në 6 minuta ndërsa udhëtimi bëhet në karvane nga 20 deri në 50 automjete të shoqëruara nga dy ekipe të sigurisë së tunelit. Me të kaluar karvani nga veriu, niset karvani tjetër nga jugu e kështu me radhë. Mësohet se në orët e natës nga 24:00 deri në 05:00 blokohet kalimi për shkak se në gelerinë jugore bëhen ende shpërthime.
 

13 Komente

ca ben sala eshte tjeter problem, por duhet theksuar se te heqesh qafe qafen e malit, kthesat e shpalit e te shemrise dhe luginen e kalimashit nuk eshte pak.

nejse me mire do behet!

Sot ne oren 10 te mengjezit Sala preu shiritin e 1537 rrugicave te fabrika e qylymave ne Kruje.

Sala sot preu shiritin e Topallit - qy sot e tutje, ajo ecen me kembet e veta!

noshke, ma boj hallall ket pytje se osh icik si e trashe po, dmth. qy sot Jozi quhet e prishme???!!! smiley 

Po turku ç'ka ka pre bre!!!

E vertete qe u shemb 1km tunel pas "inagurimit"? Sipas News 24 nji pjese eshte shembur tek km 2.5 e tunelit... Pjese e pabetonuar qe ishte vene ne sherbim te makinave me rastin e inagurimit

Edhe një skandal tjetër i turpshëm

Mbrëmë dëgjova se në këtë rrugë punojnë 3 mijë punëtorë turq. Nuk e di sa përqind e punëtorëve përbën ky 3 mijëshi i turqve, por:

1) Kjo do të thotë 3 mijë punëtorë shqiptarë më pak

2) Kjo do të thotë 3 mijë shqiptarë të papunë më shumë

3) Kjo do të thotë 3 mijë familje shqiptare të varfra më shumë

4) Kjo do të thotë 3 mijë turq që vjedhin lekët dhe bukën e shqiptarëve

5) Kjo do të thotë miliona e miliona EURO që dalin jashtë Shqipërisë më shumë

6) Kjo do të thotë miliona e miliona EURO që nuk hyjnë në buxhetin e shtetit

7) Kjo do të thotë miliona e miliona EURO më pak për shkolla, kopshte, cerdhe, qendra sportive dhe edukuese për fëmijë shqiptarë...

Në asnjë vend demokratik (kështu pretendojmë ne) nuk ndodh që kur vjen një firmë e huaj të ndërtojë dicka të sjellë edhe 3 mijë punëtorë me vete. Gjithmonë punëtorët rekrutohen vendas sepse kështu ulet papunësia vendase, rritet punësimi vendas, por në fund të fundit edhe vetë firmat janë të interesuare sepse cmimi i krahut të punës është më i lirë. 

Në vargun e skandaleve që mbulojnë këtë vepër "patriotike dhe faraonike" shqiptare të llojit të vet, shtohet edhe një tjetër po kaq e turpshe dhe e dënueshme me ligj. 

"Peshkaqen" mos  shkruaj si komunist tani se e qelb fare.

Sa per dijeni kantieri i kesaj interprese eshte 5-6 mije punonjes, ku gjysma jane shqiptare e pjesa tjeter turq, kryesisht. Ti duhet ta kuptosh qe, kjo pjese rruge ku ndertohen rreth 50 ura dhe dy tynele nuk behen me kazma dhe lopata, por me mjete te specializuara, te cilat firmat e medha, nje pjese i kane vete dhe nje pjese i marrin me nenkontrata. Nenkontratat qe ato bejne me te trete dhe te katert, u plotesojne atyre cilesine e punimeve ne kohe dhe kosto, pra shprehin fitimin e firmes si dhe emrin per te ardhmen.

Une mendoj qe 3 mije familjet shqiptare qe marrin rroga qe nga 500 euro minimalja dhe hane e flejne ne kantjer, jane te siguruar edhe me sigurim jete, eshte edhe nje shkolle per ta. Ata jane marre prej gjithe zonave te malesise, pasi zona e kalimit te rruges nuk i plotesonte dot. Privatin nuk e detyron dot askush se si te punesoje e cfare te kete ne equipment.

Une kam takuar rastesisht gjate rruges, (para nje viti, duke marre ne makine per ta cuar ne kamp, pasi duhej te takoja dike atje) nje djalosh 20 vjec qe punonte tek firma Enka. Ai ishte i pakenaqur per pagesen 500mije pasi ishte edhe i akomoduar ne kamping. Punonte 10 ore ne dite me pagese suplementare jashte 8 oreshit dhe nuk kishte arsimin me shume se 10 klase. Punonte si pastrues detalesh ne oficinen gjigande te mirembajtjes se makinerive te transportit.

Sa per shembjen ishte vetem nje skup mediatik, pasi kishte rene nje cope e rrjetes ku ajo eshte e vendosur si element i mos renies se copave te gureve te tavanit te pa suvatuar, pasi Saliu donta ta inaguronte si paracaktim date, dhe ajo kerkon kohen e vet per tu stabilizuar, pra nuk duhet te kalojne makina normalisht. Me pak fjale kerkesa shqiptaresh qe nuk cajne koken edhe per jete njerzish, mjafton te realizohet fjala. Si ishte ajo shprehja "kur jap fjalen ....."!!!!!!!!

Dy kryeministra përurojnë rrugën e papërfunduar

 

A ka turp me te madh?

disa media t'pagume perhapin lajmin se "tuneli eshte shemb" (po kto media dhane lajmin qe 'Bushit j'u vodh ora'

 

A ka turp me t'modh?

Turp eshte kur vjedh ose kur je i tredhur... Ndersa te tjerat quhen mashtrime nga te gjith palet ...pervec ores !

A ka turp me t'modh?

Qe te shembet tuneli vetem 2 jave pasi eshte peruruar?!

Po mo! Si jo? Ka edhe turp me te madh!

Turp me i madh pershembull, eshte qe te perurosh nje rruge ende te paperfunduar dhe te lejoshe qe makinat te kalojne ne mes te kantjerit duke vene ne rrezik jeten e tyre, ate te punonjesve si edhe mbarvajtjen e punes.

Dhe e gjitha kjo vetem per perfitime elektorale... nga rruga kombetare.

Qe te shembet tuneli vetem 2 jave pasi eshte peruruar?!

Po mo! Si jo? Ka edhe turp me te madh!

Turp me i madh pershembull, eshte qe te perurosh nje rruge ende te paperfunduar dhe te lejoshe qe makinat te kalojne ne mes te kantjerit duke vene ne rrezik jeten e tyre, ate te punonjesve si edhe mbarvajtjen e punes.

Dhe e gjitha kjo vetem per perfitime elektorale... nga rruga kombetare.

Olso, m'fal, qe ta di se jena me nji vale, jena tu fol per ket rrugen qe eshte laku ne 7 rasa zgjedhore apo jo?!

ket rrugen qe "i takon" PS dhe sidomos Majkos sepse dha idene i pari...(caktoi a-priori nji takse rruge, mblodhi nja 150 milione dollare dhe pastaj i perdori me financu buxhetin sepse nuk mblidhte dot tatimet nga doganat ose taksat); ket rrugen qe pastaj nuk duhej te ndertohej sepse i rendonte buxhetit; ket rrugen qe u vodh po qe edhe pse prokuroria nuk ka dhon verdikt akoma, quhet zyrtarisht e faktume nga PS; ket rrugen qe Sala nuk po humb rast me inaguru (n'fillim tunelin dhe pastaj nji sektor, ktu jom dakort qe bohet per efekt fushate dhe eshte e shemtume si cdo gjo qe bohet bajat kur bohet kaq shpesh).

Mgjte, une du nji pergjigje te sinqerte prej teje:

- A justifikojne te gjitha kto mashtrimin publik prej ktyne mediave qe nuk gjejn rast me vjell vrer dhe me shpif, sidomos tani, n'prag te zgjedhjeve?

- sa i beson ti kto media masanej? (se une per vete ja reduktoj direkt besushmerin pergjys)

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).