Drejtorët, më shumë komandantë sesa menaxherë

Shkollat drejtohen ende me forcë. IKT-ja: Ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve, ka sjellë probleme në menaxhim


Trajnimi i drejtuesve të shkollave është më shumë spontan sesa dëshirë e individëve për të ecur përpara në karrierë

Drejtues shkollash, që veprojnë në formën tradicionale të ushtrimit të dhunës psikologjike ndaj mësuesit dhe një pjesë tjetër, që kategorizohet në një lloj tjetër drejtuesi shkolle, i cili është i paaftë për të ushtruar detyrën.

Kjo është ndarja që Instituti i Kurrikulave dhe Trajnimit bën në një raport të tijin përmbledhës për nivelin e drejtimit të shkollave në ditët e sotme. Instituti, i cili ka për qëllim përgatitjen e një strategjie afatgjatë për zhvillimin e arsimit parauniversitar në vend, vë në dukje se sistemi aktual i trajnimit të drejtuesve, i është lënë më shumë në dorë spontanitetit, apo thënë ndryshe, dëshirës apo mosdëshirës së drejtuesve të shkollës, sesa një plani të qartë strategjik kombëtar ose lokal.

"Ky sistem, - thuhet në raport, - ka mbidoza centralizimi përderisa mbështetet tepër pak në identifikimin shkencor të nevojave profesionale të drejtuesve". "Në këtë sistem, - vazhdohet më tej, - mbizotëron oferta në dëm të kërkesës.

Vetë oferta ka mbetur e papërfillshme në krahasim me atë për mësuesit, duke krijuar kështu një hendek profesional në mes tyre, i cili ka frenuar zhvillimin e brendshëm profesional të mësuesve dhe ngadalësuar suksesin e shkollës".

Raporti vë në dukje se kujdesi profesional ndaj drejtuesve të shkollave është lënë shumë pas dore nga të gjitha qeveritë që kanë qenë në fuqi gjatë 15 viteve të fundit.

Po kaq e vakët ka qenë edhe ndihma në trajnime e dhënë nga OJF të ndryshme, të cilat nuk kanë pasur një strategji të qartë trajnimi dhe përmbajtja e tyre nuk është hartuar për objektiva të detajuara kompetencash.

Po kështu, trajnimi për drejtuesit e shkollave ka qenë i pakoordinuar, në rang gjeografik, ku shumë drejtues në zona të ndryshme të vendit, kryesisht të thella, nuk kanë arritur të përfitojnë si duhet nga trajnimet e zhvilluara.

Një faktor i rëndësishëm, i cili ndikon në mospërgatitjen e mirë të drejtuesve të shkollave është edhe lëvizja e shpeshtë e tyre. Është e njohur tashmë, se në sistemin arsimor shqiptar, një pjesë e mirë e emërimeve, për të mos thënë të gjitha, bëhen mbi baza politike dhe jo të meritës dhe shkallës së karrierës që gëzon një mësues apo drejtues shkolle.

Ky konstatim vihet re edhe në raportin përmbledhës të përgatitur nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit, ku thuhet se: "ndërrimet e dendura të drejtorëve të shkollave kanë pakësuar tepër mundësinë për rritjen e kapacitetit të tyre përmes grumbullimit të përvojës vetjake. Këto ndërrime, gjithashtu, kanë nënçmuar rëndësinë e veçorive vetjake dhe profesionale në drejtimin e suksesshëm të shkollës".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).