Drejt Teqesë së Melanit...

Djali vinte nga larg. Ishte i varfër. I pagojë. I pamësuar. Kishte tre motra. Po punonte për këtë ndërtesën, që i kishin thënë se kishte qenë vend i shenjtë, pastaj repart ushtarësh, pastaj depo...Nuk e kishte bërë ushtrinë...Ishte mirë këtu.
Kemi shumë kohë, që nuk kemi qenë në Libohovë. Aq sa, papritur, shoferi e fut makinën përballë agjencisë në Gjirokastër dhe grishet për të na dërguar në Antigone. Ia marr fajin përsipër për ngatërrimin. Por, kjo s’mjafton- sepse duhet të rrotullohemi dhe të shkojmë më tutje. Më tutje. “Plus ultra”, e përqesh Heraklitin në mëndje. Më saktë, për të mbërritur në teqe- duhet të shkosh deri afër Grapshit dhe pasi të kalosh Drinosin, 4 kilometra pas Glinës. Në këtë sinjalistikë të mirë dygjuhëshe të zonës, por disi të ngatërruar, e gjejmë drejtimin. Për tu siguruar, në fund, pyesim edhe një burrë që ka një “Mësimore”. Na dëgjon, ndërsa me ndjenjën e njeriut, që ia kanë nevojën- bën mimikën e njeriut që po qartësohet. Pastaj, po. Është i sigurt. “Do ikni drejt; do mbanin djathtas; vetëm djathtas...do hyni në fshat dhe pastaj andej...Në qendër pyesni dhe njëherë. Për 15 minuta jeni aty. Ah prit...”, na bën me shenjë. Presim, ndërsa na vjen një burrë, të cilin duhet ta zbresim në Nepravishtë dhe që vjen nga një si tip shtëpie, ku jepte e merrte me tre burra.

Në Nepravishtë
Burri mban rrasur deri mbi sy një kapele me shenjat e LSI-së dhe quhet Petrit. 52 vjeçari, siç do na thotë më vonë, e ka shkopsitur bluzën e dalë boje, që dikur do ketë qenë portokalli... dhe rehatohet. Më vjen të qesh se më duket si simbolikë e LSI dhe ardhja e saj nga roza e fortë e PS-së. Është shumë i kujdesshëm. Druhet. Nuk kupton shkakun e ardhjes. Që në kthesat e para miqësohemi dhe na thotë se sot nuk ka punuar. Më saktë, ngaqë ka qenë shumë vapë e ka lënë punën. Punon në Dropull tek pishina e një minoritari...”Do jua e tregoj, kur të mbërrijmë sipër”, sqaron i liruar. Rruga deri afër fshatit nuk është aq e mirë. E pyes për Nepravishtën, ndërsa burri më përsërit që është i famshëm. Pse? Ehhhh. Në këtë ehhhh- ka shumë gjëra. Vetë, e kam hasur kudo mbiemrin Nepravishta, dhe mirëqenia e dukshme e fshatarëve të pakët, që ndeshim, të bën të hamendësosh diçka. Kanë pasur kamje dhe kanë lëvizur. Shëndetin e këqyr te fëmijët. Dy syresh, i hasim sa afrohemi, që në një burim uji rrinë sikur po bëjnë një konspiracion, që e kalon moshën e tyre. Më të mëdhenjtë, janë rreth dy Lolitave të vogla, pak më tej. Një portë e braktisur futbolli, më jep raportin e hapësirës. Fshati është i gjithë në shpatin e Buretos. Jo aq i madh. Fusha e futbollit është qendra e tij. Përreth godina e shkollës; dy klube, që qëndrojnë pas portave; një çezmë; një lapidar...dhe shtëpi të rregullta një-dy katëshe. Petriti na bën me shenjë të shkojmë te klubi më i mirë i fshatit. Disa adoleshentë, të ushqyer, simpatikë në një klub të stërmadh, ku ndjehet era e fshatit, po bëjnë mbrëmjen e mbarimit të shkollës me muzikë popullore. Dy prej tyre, flasin në celular palimit. E zonja e lokalit ndjek mes karrigeve një fëmijë të shëndetshëm, ndoshta dy vjeçar, që s’i bindet. Më tej, një fshatar i veshur shumë qytetarçe, i gëzohet një shishe AMSTEL, krenaria e industrisë së birrarisë fqinje. Na shërben e reja. Petriti porosit birrë dhe ne e sigurojmë se do ta paguajmë. Rri si mbi gjemba, kur e pyesim për detaje. Nuk di shumë për fshatin. I thërras kujtesës, ku janë të fiksuar shumë me mbiemër Nepravishta. Është emri i një lagje në Lushnje, por histori të madhe ka Abedin Nepravishta, kryebashkiaku, i cili në vitet 33- 39 zbatoi planin e Armando Brasinit për rregullimin e Tiranës. Ndërtimi i godinave publike, shesheve e urës së madhe të Lanës dhe i bulevardit, u bë nën hyqmin e tij. 70 vjet më vonë, nëse ky ka qenë fshati i tij, pothuaj nuk ka asgjë, që të sjellë në mëndje zulmën e këtij urdhër-ndërtuesi. E pyesim për lidhjen me teqenë. “Fshati beson, më thotë- dhe ende bëjmë be për baba Qamilin. Ai kishte ardhur nga Smokthina por ishte njeri i mirë dhe ndihmonte fukaranë”. Kaq. Nepravishta duket se veç Mbretit Zog- e gjeti gjuhën ashtu si Libohova, pak më tej- dhe në kohën e komunistëve. Demokracia i gjeti krejt të papërgatitur: “Kemi ndarë 2400 metro me 7501 për frymë si tokë e parë dhe 1400 metro në frymë si tokë e dytë dhe s’u kthyem me sinoret”, më sjell në vete burri. Në fillim më thonë se fshati i votoi Demokratët, por gjendja nuk është se ndryshoi shumë. Iu kthyen të Majtës dhe një ditë fshatarët e Nepravishtës u bënë të njohur në një sherr të madh për ujin, që ia morën kompanitë e ujit. Sot, fshati ka probleme vaditje dhe uji të pijshëm, ndërsa paria e fshatit e zgjidhi rebusin, duke iu nënshtruar presionit. “Për atë u bë sherri. E mori Glina dhe s’kemi ujë. Jetojmë se kemi gjë të gjallë me gati 10 kokrra dhi dhe 10 dhënë, ku- ku dhe ndonjë një lopë. Kemi prodhim pak në bahçe. Në tokë na u prishën dhe si kemi ndjerë fare. Kurse shtetin merr qiratë. I mbjellim me jonxhë sa për ta shtyrë. Këto s’na mbajnë dhe 400 banorët që jetojnë në 250 shtëpitë merren vetëm me emigracionin”e vazhdon monologun burri. Fshati s’e ka prishur traditën e tij dhe të 15 fiset e tij: Hoxhatë, Vetrat, Çobanatë, Fatajt, Merkajt etj., kanë parë thjesht punët e tyre. Kanë punuar fushat në Poloz, Parhanë,Dashtë, kurse e gjithë Rrëza e Zezë, si njihen si krahinë i ka njohur si njerëz të fisëm, që kanë bërë të patrazuar jetën e tyre në dy Lagjet e fshatit: Të Sipërmen dhe të Poshtmen. Sot, kohët kanë ndryshuar, dhe veç kurbetit, u duhet t’u punojnë tokat dhe dropullitëve. Për të jetuar. Tutje në fushë. Petriti, sikur të jemi vendas, na rrëfen për Lagjen Kapsaqe, sikur ta njohim dhe rakinë që bëjnë dhe që s’kanë se ku ta shesin; që s’kanë ujë dhe që më duket se poshtë Buretos- të mos kesh ujë-është vërtetë çudi. Ja që ndodh me shqiptarët. E lë pak dhe bëj disa fotografi. Një grua 60 vjeçare më këqyr nga larg dhe me një si rrëmihës në dorë dhe pak barishte do të më japë muhabet. Më ankohet, ndërsa më vjen mirë, që ka bërë përpjekje të mbahet. I kanë rënë dhëmbët, por ka lyer flokët. Ka një këmishë të trikotuar blu dhe fund të thjeshtë. Ka një djalë në Amerikë dhe pret të ndihë dhe të tjerët. Por...ah...Presin. Ndahem miqësisht me gruan, pas një bisede, ku nuk mësoj ndonjë gjë. A ia vlen të jetosh kështu? Me fjalët e tyre: JO. Kur i shikon të shëndetshëm e thua hapur: Po. Koha po ikën dhe duam të ikim në teqe. Ndahem në fund me dy tetëmbëdhjetëvjeçarë, që më kanë gjetur numrin e celularit të dervishit. Sinjal i lirë...

Në Teqe
Petriti gjendet keq, sepse nuk do paguajë. Na shoqëron deri diku. Kam dëgjuar dhe kam lexuar shumë për Melanin. Flitet për një vend antik, por tashmë është e vështirë të gërmohet sepse teqeja është institucion bektashian. Duhet të jetë Omfalioni, për Auron Taren, një referencë, që duhet ta këtë bërë të gjallë dhe hartografi austriak Kipart, që i rishikoi edhe njëherë në terren koordinatat e hartave të Ptolemeut dhe personazheve të tjerë antikë për Mesdheun. Pak minuta më vonë, kur të jem afër saj, sikur të mos di që jam në teqe, nuk do kem dyshim se jam në një objekt bazilikal. Qiparisat, në dy rreshta, që formojnë një mesore të madhe, nuk të lënë të mëdyshosh shumë për veprën e kultit.
Nuk ka të dhëna sesi mund të ketë qenë, kur Baba Aliu ndërtoi më 1800 teqenë në Melan, sipër Nepravishtës. Duhet të mbërrijmë. Ngecim. Disa rrugë, që e lënë tejet Teqenë, që e mbulojnë selvitë hijerënda s’thonë asgjë. Në këtë bokërrimë, të duhet të zgjedhësh. Siç ndodh rëndom në Shqipëri, rruga e vërtetë është udha, që të duket se s’ka logjikë. Vërtetë, ajo që të çon në teqe, fillon nga e kundërta dhe është një udhë që ngjan si shumë e afërt me terrenin e Himarës. Dikush më ka thënë se ky bastion i bektashinjve, në pamje ajrore ka formën e Harfës A, që simbolizon Allahun. Ishte Baba Hasani këtu, kur muratorë gollobordas i dhanë këtë formë hibride: gjysmë kishë-gjysmë teqe. Ajo që të shfaqet pak minuta më vonë është vërtetë hyjnore. Udha hapet ngushtë me disa qiparisë të gjatë, që duket se bashkohen në lartësitë. E vetmja gjë “materiale” janë disa rezervuarë të mëdhenj plastikë blu, nga larg, që prishin grinë e gjelbër. Kam lexuar se më 1860 ka mbaruar si godinë kjo që shikojmë këtu...Ecim një copë udhë dhe i dalim nga përpara. Godina të mrekullon. Një djalë i ri, dervish, me mjekrën e sforcuar dhe një burrë i veshur civil afër një BMW, po pinë paqësisht Red Bull në dy platforma druri. Dervishi na këqyr nga larg, por pak përshtypje i bën afrimi ynë. Është simpatik dhe i qeshur...Vetëm taçi e zbulon, që është dervish. Është i veshur thjesht. Sapo ka ardhur nga puna dhe na bën vend ti ulemi afër. Më zgjat po ashtu një kanoçe R. Bull. Flet qetësisht kur shkëmbejmë fjalët e mirëseardhjes dhe kupton qëllimin, por e ka të vështirë të më sqarojë interesin tim arkitektonik. Është shumë e modifikuar në fasadë dhe me tre arkada, sipër të cilave janë një vargan dritaresh i stilizuar me hark. Paralel me flamurin e bektashinjve është ai shqiptar, simboli i atdhedashurisë së këtyre njerëzve. Sipër godinës është forma e një taçi me ngjyrë jeshile. Brenda dy harkadave të thelluara anësore futesh me shkallë në interiorë, që hamendësoj të kenë qenë nefet e dyta. Në qendër harkada është më e lartë dhe më e dalë dhe një si eksonarteks- të fut në një mrekulli ndërtimi, që të bën rrugë drejt vendit të faljes, që quhet Mejdan. Në kohën e socializmit e bënë repart ushtarak dhe pastaj vend dhe për bagëtinë. Nuk e besoj edhe unë të ketë qenë Hadrianopoja, qyteti i famshëm, që është ndërtuar në kohën e perandorit Hadrian, ...Nuk ka ujë. Nuk ka gjurmë. E pyes për dy antenat e mëdha të telefonisë celulare. “Na duhet të jetojmë”, ma kthen pragmatist. Ka një mekam afër. Godina vetë e teqesë është një mrekulli arkitektonike, që shteti e ka njohur si monument më 1960, por që nuk e ka respektuar. Po pemët i kanë ngacmuar. Rrushi, u pre, qiparisat më pak, për fat. Vendasit nuk bënë shumë rezistencë. “Qershitë u prenë krejt dhe Pasuria e vetme që mbeti janë pak bagëti dhe pak a shumë ajo që mbeti nga besimtarët me pak qira, tokë dhe antenat. PO pasuria më e madhe e teqesë... ka qenë më 2000 kur u rregulla ndërtesa. Sot ka 500 ha dhe kullota, kurse më parë 5000 ha tokë. Janë bërë kërkesë por fshatarët i kanë kthyer në toka bukë...”, më shprehet dervishi.
“Në ëndërr pashë sikur do të bëhesha dervish. Do të bëhesh dervish, më thotë një rrobë krejt e bardhë. Pas një vit më thotë sërish: Do të bëhesh dervish. S’i fola. Po dua të bëhem i thashë, kur më vjen në gjumë pas një viti e gjysmë. Më kishte ardhur në qejf”.
Dervish Myrtezai, si quhet dervishi i ri, tashmë është ulur dhe më bën pak histori. Pas Baba Aliut, erdhi Baba Selfo. Pastaj erdhi Baba Bajrami dhe pastaj Baba Qamili, që ka qëndruar 70 vjet. Ai erdhi që i vogël. Baba Qamili e ka varrin këtu. Pastaj erdhi dervish Kaso dhe pastaj erdhi Baba Nekiu. Pas tij erdhi Dervish Skënderi, që iu dorëzua dhe që sot është në Teqenë e Shtufit, Baba. “Pas Baba Skënderit kam ardhur unë..por kemi qenë bashkë këtu”, më sqaron gjenealogjinë e eprorëve të institucionit.

Mrekullitë
Institucioni është nga më të respektuarit sot dhe ai vetë mundohet ta mbajë sa më mirë.“Por banorët s’ka shumë lidhje të ngushta. Shumë të ftohtë. Janë afruar disi tani. Shërbesa e parë është pritja e popullit. E dyta është ndonjë punë në vreshta, ullinj etj”, më thotë. Për çfarë luten më shumë banorët këtu, e pyes. Më shumë i lidh fakti, që ishte dikur vendi i shenjtë. Baba Qamili ka shpallur shumë mrekulli, sepse ka bërë shërime dhe kanë gjendur derman njerëzit. Më tregon një histori të Babait, që ka shëruar një fëmijë, që ishte Muhib këtu në këtë teqe. Shumë dekada më vonë ky Dervish, që na rrëfen, duket se ka ditë të qetë, kurse burri i ri- që më thotë në prezantim se është i varfër- e shikon gati me adhurim. “Filloj punë herët me Bismilah dhe kur kam kohë të lirë në mëngjes bëj falje. Më 06,00 jam në falje, që është falje mistike dhe jo për popull. Pastaj dal në punë dhe kur kam mundësi dhe kohë për ndonjë studim dhe pastaj të njëjtën punë. Lutja e darkës bëhet kur ikën dielli më 08,30 në verë”, më sqaron për ditë-jetën. Burri, që ka qenë me dervishin, e ndjek pa folur dhe dikur më sqaron se është nga Lazarati, një nga vendet e njohura bektashinj të zonës. Më tregojnë sesi e kanë qëlluar dikur Dervish Skënderin dhe sesi kanë ardhur të kërkojnë falje më pas. Në këtë vend, është një vend i paqëm, që njerëzit i binden pa folur, por që sipas tyre ka bërë shumë mrekulli. Këtu mes Buretos, Vllaho-Goranxisë një hapësirë e madhe prej 100 ha (e shtojn&eumlsmiley i takon thjesht teqesë, më thonë tani. Më flasin për Dylbe... Vakëf... Mekame, që ka rreth 5 copë. Dylbet janë vendet e varrimit të baballarëve...Si ia bën Dervish, i them për jetën? “ Jam i vdekur nga bota materiale dhe jam në botën mistike. E kam marrë rrugën. Rruga e epshit është e vështirë dhe aty matet burrin. Më e madhe është lufta me veten sesa ajo e përgjakshme. Kur largohen epshet atëherë bëhesh njësh me perëndinë. Nuk bëhesh i tillë kur lufton me gruan ose kur falesh. Duhet të pastrosh shpirtin sepse trupi është i pastër s’laje sa të duash. Shenjtorët e arrijnë. Në një ndodhi të Haxhi Bektashi e ka pastruar”. Na kërkon leje, që të vishet, dhe këtë herë do të shfaqet shumë institucional me robën ceremoniale të bektashinjve dhe taçin e lartë. Pak minuta më vonë ka dhënë urdhër dhe bën ritualin, sikur sa kemi ardhur- kur ulemi që të hamë. Ma kthen kategorikisht, kur i them që ka të ngjarë, që të ketë filluar jetën si kishë në fillim. Është simpatik dhe bëhet shumë mendimtar mbi shiltet e dhomës së Oxhakut, ku mbi kokë qëndron sërish flamuri kombëtar. Përreth në një dhomë të tipit me oxhak, mbuluar me shilte, është një sofër dhe muret janë me jeshil. Ka qilima në mure, të nderuarit e fesë së vet diku më andej. Holli është i mbushur me njerëzit e shenjtë të tyre. Kur mbarojmë, dervishi më premton të më tregojë teqenë. E presim sa të rregullojë vendin. Na heq udhë.“Kjo është dhoma e pritjes. Mejdan quhet në teqe: dhoma e faljes. Tavani ka 12 ndarje, që përfaqësojnë12 imamë, kubeja por në një krah ka dhe Kilbën, që rrëfen Qabenë, sepse s’jemi të ndarë me myslimanët”. Çfarë strukture ka?-e pyes. “Dhoma oxhak, Mejdani, dhoma e Babait...Unë rri te dhoma e klerikëve..Kryegjyshi më bën Baba...Është nga koha, por varet nga sakrifica dhe zotësia.. Duhet të tregojë punën sa vlej nga sjellja dhe njerëzit. Mua më kontrollon ai që më ka bërë dervish. Por ndërgjegjja është me vete, Ajo më kontrollon për të gjitha gjërat në fakt”.
Dervishi më duket simpatik, kur bën deklamimet. Duhet të jetë në fillim të punës, gjithsesi. Amëshimin e tij e shikoj ende të gjatë. Shikon lajmet dhe Eksplorer. I vjen keq që ka pak vend për myslimanët dhe më pak akoma për Shitët. E pyes për Vdekjen. Jetën. Ka një përgjigje. Në teqe ka marrë pleqtë e tij, që i janë bindur vullnetit të birit të vetëm dhe jetojnë me të. Tashmë rruga e tij është pa kthim. “Me vdekjen vetëm perëndia e di. E di që jam i vdekur por botën e varrit se di. S’punoj për parajsë, Ia kam lënë zotit në dorë dhe ai e di”, më thotë. Si u bërë Dervish-e pyes. Më tregon historinë sesi erdhi 14 vjeç dhe sesi vëllai i vogël i tre motrave, vendosi të dorëzohej dervish. Ish-punëtori i teqesë i tha një ditë Baba Skënderit: “Ty dhe Perëndisë u besoj shpirtin tim. Pyet familjen- i tha dervishi i teqesë. Ti më ndihmon se vetëm s’iki. Nuk kam nevojë iu kthye. Dhe një pemë që t’i ngjitesh të duhet t’i ngjitesh nga fillimi-iu kthye Babai”..
...
Dalim nga Mejdani duke u përkulur, ndërsa dervishi është bërë i heshtur. Në mesore takoj prindërit e tij, që më duken të sfilitur nga jeta, hallet. Ka pastërti dhe shumë mistikë. Shërben i bindur një djalë i vogël, që më duket shumë kokulur. Dervishi më rrëfen sesi dikur e ëma për ti zgjatur jetën- i dërgonte dikur vaj një dervishi në teqe dhe i kërkoi të dinte fatin e tij: Djalin s’do e kesh por aty ku do jetë- do jetë si mbret. Para se të vija këtu, nëna s’ma kishte thënë. Kur u vesha ma tha”, më thotë Dervishi.
Kur e panë të veshur pleqtë janë tronditur, por si bektashinj të mirë janë bindur. Më rrëfen edhe njëherë për Taçin në qendër të mejdanit dhe se atje është qendra e botës Çdo pust ka një vend, që kur ka rënë në Qerbela. Këtu është Qabeja... Arratisem te dervishi Ahmed Nuredin, që më ka mbajtur me vite i Selimoviçit: “Teqeja po shullëhej në diell, e gjelbëruar krejt me barin dhe gjethet e njoma, ndërsa nga muret e trasha dhe plisit të murrëtyer, ndërfutej besimi i vjetër; nën kulmin e çatisë ndjehesh gugatja e pëllumbave, ia kishin dalë të depërtonin fill në shqisat e mia, deri më tash të mbyllura; dukej se po kthehej qetësia, bahçja kundërmonte nën diellin dhe frymën e barit të ngrohur, ngaqë njeriu duhet të ketë një vend që të jetë i dashur, të jetë vetëm për të, dhe të jetë i mbrojtur, ngaqë bota është plot gracka, kur je pa mbështetje. Avash, me të gjithë shputën e këmbës preka nëpër gështenjat e mbushura, dhe me dorë rrëshqita kokrrën e sedeftë të tespiheve”. Largohem. Rruga e kthimit e bëjmë pas dervishit dhe burrit ‘të varfër’ me BMW nga Lazarati, që po dalin për të ikur. Është një rrugë betoni e ngushtë, ku duhet jo rrallë tu hapësh rrugë të tjerëve...Ikim. Pas dervishit te Teqesë së Melanit dhe lazaratasit. Dielli po kuqërrohet në muzgun e verës 2009.

2 Komente

Shume te bukura jane keto lloj pershkrimesh. Reportazhet e z. Baxhaku nuk mbeten me prapa ne kete drejtim. Te njohin me vende qe do te doje vertet t'i shkelje me kemben tende.

 Pershkrimet rreth Shqiperise te ketij Ben Andonit, po me duken shum interesante, ndaloj ne ndonje pasazh per ta kritikuar, por heci me tej dhe vjen pergjigjja me poshte. I ka kapur shum fenomene bukur duke i lidhur me historine, gje qe nuk te le te levizesh as kendej as andej. Mesim kjo dhe per ata qe nuk e kapin historine qysh nga zanafilla. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).