Doganat në pikiatë, -42 milionë USD

Arkëtimet si 4-mujor, më pak se të vitit 2008. TVSH dhe akciza, keq me planin

Kriza ekonomike, që Kryeministri vijon të mos e pranojë, po rëndon gjithmonë e më shumë administratën doganore në mbledhjen e të ardhurave. Shifrat e fundit flasin për rënie të të ardhurave në masën rreth 42 milionë dollarë në raport me planin dhe gati 4 milionë dollarë më pak se viti 2008. Situata vazhdon të bëhet edhe më e rëndë për ekonominë e vendit pas thellimit të deficitit tregtar, kur me realizimet e pakta nga taksat kushtëzon buxhetin e shtetit të kryejë investimet e planifikuara. Statistikat paraqesin nivelin e arkëtimeve për periudhën janar-prill, me realizim rreth 88 për qind. Nga të dhënat shikohet qartë se muaji prill shënon rritje të lehtë në krahasim me marsin, 8 pikë përqindje, por ende poshtë realizmit 100 për qind.

Pothuajse të gjitha taksat kryesore kanë pësuar rënie në krahasim me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë.

Realizimi

Në 4-mujorin e parë të vitit 2009 janë mundur të mblidhen në total rreth 310 milionë dollarë, afërsisht 4 milionë dollarë më pak se në vitin 2008. Në sasi, doganat paraqesin rritje të volumit të punës, por në vlerë shikohet rënie, si pasojë e çmimeve të ulëta të lëndëve të para. Niveli i arkëtimeve si 4-mujor ka ardhur duke rënë në dy vitet, ndërsa në 2005-2006 shikohet gati dyfishim.

Sektorët

Doganat e kanë marrë goditjen më të rëndë nga mallrat e akcizës, të cilat kanë ndikuar me gati 3.5 milionë dollarë për rënien e të ardhurave në total, krahasuar me vitin 2008. Në total janë mbledhur nga doganat rreth 55 milionë dollarë të ardhura nga akciza, ndërsa në vitin 2008 u mblodhën rreth 58 milionë dollarë.

Nga TVSH-ja janë krijuar rreth 220 milionë dollarë të ardhura, ndërsa në vitin 2008 u mblodhën 222 milionë dollarë, gjithnjë për periudhën janar-prill 2009. Arkëtimet nga TVSH-ja në muajin prill arritën nivelin e shkurtit, kurse me dy muajt e tjerë shikon rritje të lehtë.

Zhdoganimi

Karburanti vijon të jetë produkti me më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, nisur dhe nga forma e taksimit. Në katër muajt e parë të vitit janë mbledhur rreth 70 milionë dollarë. Të dhënat zyrtare nga administrata doganore tregojnë se janë zhdoganuar gati 131 mijë tonë karburante, ose rreth 12 mijë më shumë se në vitin 2008. Sa i takon birrës, janë zhdoganuar 8.1 milionë litra, duke i siguruar buxhetit të shtetit gati 5.3 milionë dollarë. Statistikat paraqesin një rritje të ndjeshme gjatë muajit prill, por në ulje nëse e krahasojmë me vitin 2008, si 4-mujor. Produkti i kafesë shënon rritje të importit, duke pasqyruar të ardhura të konsiderueshme për buxhetin e shtetit me 3.5 milionë dollarë. Në total janë zhdoganuar 2 mijë tonë kafe, afërsisht 200 tonë më shumë, ose 800 mijë dollarë më tepër në buxhet.

Doganat e kanë marrë goditjen më të rëndë nga mallrat e akcizës, me ndikim 3.5 milionë dollarë

Plan Fakt Diferenca Realizimi

Janar 7,502 6,569 -933 88%

Shkurt 8,765 7,853 -912 90%

Mars 9,206 7,777 -1,429 84%

Prill 9,072 8,358 -714 92%

Totali 34,545 30,557 -3,988 88%

Shënim: Në milionë lekë

 

Zhdoganimi, 200 tonë cigare më pak se 2008

Shtohen dyshimet për kontrabandë. Deficiti, 600 mijë dollarë

Doganat i kthehen avazit të vjetër me zhdoganimin e cigareve, duke treguar shenja të evazionit fiskal. Në një kohë që konsumi i duhanit në Shqipëri po rritet çdo vit, doganat raportojnë rënie të importit, në sasi të konsiderueshme. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganës paraqesin një nivel arkëtimi deri në 9.5 milionë dollarë, për periudhën janar-prill 2009. Në sasi, dogana raporton një nivel zhdoganimi rreth 954 tonë, afërsisht 200 tonë më pak se katër muajt e parë të vitit 2008.

Si vlerë tregu, importi i duhanit xhiron rreth 20 milionë dollarë, ku gjysma shkojnë për taksat, si pasojë e rritjes së akcizës në vitin 2007. Duke iu referuar periudhës për katër muajt e parë të vitit, dogana e ka pasur nivelin më të lartë të zhdoganimit në vitin 2006, me rreth 1173 tonë, kurse niveli më i ulët në vitin 2007, me 882 tonë. Administrata doganore, kësaj here nuk jep sqarime rreth nivelit të ulët të zhdoganimeve, sikurse bëri një vit më parë, kur hyri në fuqi ligji antiduhan.

Një projekt i financuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit, ku janë pyetur 4000 persona në zona rurale dhe urbane të moshave të ndryshme, rezulton se konsumi i duhanit është më i lartë sesa ajo që deklarohet, pasi rreth 27 për qind e duhanit futet kontrabandë në vendin tonë, duke iu shmangur të gjitha detyrimeve fiskale dhe duke rritur riskun për shqiptarët. Çdo vit në Shqipëri ndodhin 3800 vdekje të parakohshme nga konsumi i duhanit. Të paktën 43 për qind e shqiptarëve janë konsumues të tij, duke e radhitur Shqipërinë ndër vendet me konsum të lartë.

Periudha Sasia në tonë Vlera të ardhurat

2005 1,045 1,216,479644,975

2006 1,173 1,445,451 755,180

2007 882 1,280,567 731,488

2008 1,152 1,752,613 1,010,890

2009 954 1,804,598 951,006
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).