Dinjiteti njerëzor përballë sensacionalizmit mediatik

Në Shqipëri zhvillimet e viteve të tranzicionit kanë sjellë nivele të larta të teknologjisë mediatike, por raportimi gazetaresk i punëtorëve të medias nuk është përmirësuar me të njëjtat ritme. Dobësia profesionale e gazetarëve shqiptarë gjithmonë është shoqëruar me neglizhencën e të shkruarit pa iu përmbajtur parimeve etike të gazetarisë.

 

Sensacionalizmi

 

Sensacionalizmi përkufizohet si diçka ekstremisht “e zhurmshme” ose “një grabitës i vëmendjes”. Në mënyrë të veçantë përdoret për të theksuar të pazakontën ose të rrallën dhe gjithashtu është një formë “teatri”. Nga një këndvështrim tjetër, sensacioni kuptohet si një veprimtari e ndërgjegjshme me paramendim nga ana e editorëve të medias “duke u dhënë njerëzve atë që ata dëshirojnë më shumë sesa atë që është e rëndësishme. Prandaj shumë gazeta e gazetarë vrapojnë pas sensacionit, duke bërë të tyren tezën, sipas së cilës “njerëzit pëlqejnë si subjekte tre “W”-të e famshme. Women, Wampum dhe Wrongdobing (gratë, xhinset dhe keqbërësit). Sensacionalizmi në historinë e medias është njohur ndryshe edhe me termin “gazetaria e verdhë” (ang. yellow journalism). Ky term lindi në shtypin amerikan në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XIX, kryesisht me publikimet në faqet e para të gazetave të së dielave të Nju-Jorkut. Në 1898 raportimi i lajmeve të luftës nga “The World” kundrejt “Journal” arriti kulmin e saj, ndërsa të dy gazetat botonin në faqen e parë tituj të mëdhenj rreth luftës me Spanjën si: “Manila është e jona” ose “Deklarimi i luftës”. Në këtë kohë erdhi denoncimi i Edwin Lawrence Godkin, editor i një gazete tjetër në Nju-Jork, ku ai thotë: “Vend tjetër më të mirë për të edukuar një të ri drejt mallkimit të përjetshëm sesa një gazetë zyrtare e verdhë (sensacionale) nuk ka”.

 

Dhuna informative e kronikës se zezë

 

Lajmi i kronikës se zezë është kthyer në një praktikë imponuese ndaj publikut.

Është kjo kategori lajmesh që e mbingarkon dhe e trysnon auditorin duke u kthyer në një dhunë informative. Por, duke u nisur nga idioma gazetareske se “lajmi i keq përbën lajm”, ajo që publikohet nuk është i gjithë realiteti, por vetëm një fragment i shëmtuar i jetës. Ka shumë lajme të këqija që jepen të parat duke krijuar një pamje fataliste për realitetin. Fotografia e një personi që hidhet nga një ndërtesë apo që digjet në zjarr mund të jetë dramatike, por editorët duhet të debatojnë gjatë e në detaje se, nëse duke e botuar atë, ata po cenojnë të drejtat apo dinjitetin e dikujt. A i shërben publikimi i kësaj fotoje, i këtij fakti apo i atij kredenciali një qëllimi të drejtë, një qëllimi që është i kuptueshëm për lexuesin? Apo është duke u shfrytëzuar kjo mungesë dinjiteti për të tërhequr kureshtjen? Një prej tyre ishte edhe shfaqja në televizion e trupit të mbytur të djalit të Presidentit të Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, në vitin 2004. Shkelje të tilla etike nga ana e medias u bënë edhe shkas për një nismë legjislative për të ndaluar pasqyrimin e skenave që dëmtojnë dinjitetin e individit. Ishte ministri i Pushtetit Lokal të asaj kohe, Ben Blushi, që ndërmori këtë nismë, me synimin e ruajtjes së dinjitetit njerëzor në mediet elektronike shqiptare. Me gjithë këtë shenjë që u konsiderua si shumë pozitive, nisma nuk gjeti mbështetje, për arsye të paqartësive juridike mbi objektin e amendamentit të propozuar. Pas këtij momenti nuk pati më zhvillime të mëtejshme për këtë çështje. Nga një sondazh i kryer nga Instituti shqiptar i Medias në vitin 2005, me gazetarë dhe redaktorë të medieve më kryesore në vend, përgjigjet e gazetarëve tregojnë se gjatë raportimit të tyre kishin pasur raste të shpeshta, kur kishin treguar pamje të përgjakshme ose kur kishin identifikuar viktima, megjithëse kjo gjë nuk kishte qenë e nevojshme. Në të vërtetë, pamje të tilla, si trupa njerëzish të vdekur, ambiente të gjakosura, skena rrëqethëse krimesh, nuk shërbejnë aspak për ta pasuruar me informacion lajmin, por përdorimi i tyre ka vetëm një qëllim: grabitjen e vëmendjes së publikut për arsye komerciale. Nga ana tjetër këto pamje, jo vetëm që cenojnë dinjitetin e personave të përfshirë në ngjarje, por edhe shokojnë publikun e gjerë me pasoja të rënda shpirtërore. Në lajmet e kronikës një vend të madh zënë edhe vetëvrasjet. Një ndër pasojat negative të vetëvrasjes, përveç humbjes së një qenieje njerëzore, është edhe ndikimi në shoqëri. Shembulli që i jepet rinisë, si një mënyrë e lehtë për zgjidhjen e problemeve, përbën një rrezik shumë të madh. Gjithashtu, duhen përmendur edhe pasojat negative te të afërmit e viktimës, që mund të çojë në drama të tjera shpirtërore. Studiuesit e sociologjisë dhe psikologët veçojnë rolin vendimtar të medias, ku nëpërmjet pasqyrimit të veprimeve të tilla violente shpesh ka shkaktuar rritje të agresivitetit në shoqëri.

Ndonëse këto lajme kanë si përmbajtje motive të dobësisë njerëzore, dhe që për këtë arsye kërkojnë të trajtohen më me kujdes, gazetarët nuk janë kursyer t’i japin ato në forma skandaloze, duke influencuar negativisht në mendjet e mjaft njerëzve të tjerë të tronditur. Media është treguar skrupuloze duke i vënë ngjyrat dhe duke dhënë idenë se rastet janë shtuar, ndodhi edhe ky rast, kush e ka radhën? Duke krijuar një lloj tensioni. Fakti që në shumë gazeta rastet e vetëvrasjeve publikohen me tituj të mëdhenj në faqen e parë, tregon edhe një lloj varfërie të medias.

 

“Gojështhurja” mediatike

 

Në medien tonë ka shumë ofendime. Në shumë raste fjalori është shumë i rëndë dhe joprofesional. Që prej fillimit të pluralizmit politik debatet në parlamentin tonë në mënyrë të vazhdueshme janë shndërruar në sharje dhe fyerje mes deputeteve e ministrave të qeverisë. Për fat të keq, këto fjalësh të ndyra kalojnë menjëherë edhe në gjuhën e medieve të folura dhe në gazetat shqiptare. Sakaq, në mjedisin tonë mediatik ka një teprim në rendjen pas termave apo fjalëve “të mprehta”. Kur shkruhet “ia nguli thikën ..”, “e qëlloi me thikën e kuzhinës…”, “ e përdhunoi…”, “epshe shtazore…”, “ e masakroi….” Lajmi duhet të jetë i vërtetë, por kjo nuk e detyron gazetarin të shprehet njësoj si do të shprehej një ekspert mjekoligjor. Në disa çështje të tilla, si abuzimi seksual apo trafikimi i qenieve njerëzore, vihet re një prirje për të viktimizuar edhe më tej personin që është trafikuar apo që ka pësuar një akt abuzimi. Por mediet abuzojnë edhe me titujt. Titujt janë pjesë e butë e barkut të gazetës, pjesa ku ne jemi më të prekshëm ndaj gabimeve apo ku mund të dukemi më zemërgur dhe spekulativë se kudo tjetër. Vetë përmasat e titullit dhe vend i artikullit në gazetë i tregojnë lexuesit rëndësinë që ne i japim atij shkrimi. Mjafton të përmend një shkrim të botuar në gazetën “Albania” me titull “Çmimi i një bebeje 7 deri në 15 mijë euro”. Lajmi duket si një njoftim tregtar, ndërkohë që konteksti i lajmit është krejt tjetër, pasi tregon për zbulimin e një rrjeti trafiku. Abuzimi qëndron në faktin se gazetari dhunon dinjitetin njerëzor të viktimave të trafikut (në këtë rast bebet).

 

Besueshmëria

 

Media do të vazhdojë të ketë influencën e vet, për aq kohë sa publiku do të besojë se media nuk po e përdorur dinjitetin e tij për interesat e veta. Një drejtues i njërit prej programeve kryesore informative në Amerikë në vitet ‘80, Ted Koppel, thotë: “Influenca ime mbështetet në perceptimin nga ana e shikuesve se unë jam duke e shfrytëzuar atë.” Më shumë se tri të katërtat e shqiptarëve (76.2 %) ndihen të fyer nga media elektronike ose mendojnë se ajo cenon dinjitetin njerëzor . Ky është njëri prej konkluzioneve të anketës “Etika në medien elektronike, 2004”. Një sjellje e joprofesionale e medias shqiptare ka bërë që tirazhet e larta të gazetave të bien në mënyrë drastike përgjatë këtyre viteve të fundit. Fakti që Shqipëria në tranzicion tashmë ka shifrën më të ulët të kopjes së një gazete për qytetar dhe ndoshta më të lartën për numër gazetash, provon se sa e rëndë dhe e ndërlikuar është kriza e besimit të qytetarit ndaj medias shqipfolëse. Edhe në medien elektronike shikueshmëria po ulet gradualisht. Duke krahasuar anketat e publikut shqiptar për medien elektronike, konkretisht vitin 2004 me vitin 2003, rezulton se është ulur përqindja e publikut që qëndron para ekranit të televizorit 3-4 orë e më tepër në masën 7.1 E reja e anketimit të vitit 2004 ka qenë ndjeshmëria e publikut për cenimin e dinjitetit njerëzor, çfarë tregon edhe njëherë pasojat negative të pasqyrimit të lajmeve joetike për efekte sensacionale. Rruga e vetme për të kthyer besimin e publikut është kthimi tek etika. Sipas një juristi të shoqatës “Individi dhe Ligji”, nëse gazetarët do të kishin zbatuar Kodin e Etikës, 80 % e rasteve në diskutim nuk do të shkonin para gjykatës. Mënjanimi i ceneve të tilla nga ana e gazetarëve nga faqet e medias nuk është aspak autocensurë, por respektim i etikës profesionale dhe rritje e përgjegjësisë shoqërore. Pyetja që na shtrohet neve unë mendoj që është kjo: A jemi në gjendje ta ruajmë lirinë e shprehjes dhe demokracinë e shijeve, duke arritur që në të njëjtën kohë t’i përkushtohemi si komb rritjes së integritetit dhe cilësisë së shprehjes?

Vija ndarëse mes së drejtës së publikut për të marrë informacion dhe së drejtës së qytetarëve për pacenueshmëri të jetës private mund të jetë e hollë dhe e vështirë që të identifikohet. Nga njëra anë kemi gazetarët që ankohen në mënyrë të vazhdueshme se politika, biznesi dhe qeveria ushtrojnë trysni mbi medien, nga ana tjetër kemi politikanët dhe qytetarët e zakonshëm, të cilët e akuzojnë medien se ajo duhet të jetë më e përgjegjshme në pasqyrimin e veprimtarisë së politikanëve dhe problemeve sociale që të mos dhunojë dinjitetin dhe reputacionin e tyre. Sipas një studimi të bërë nga IREX, për ecurinë e medias në Evropë dhe Euroazi në periudhën 2001-2004, ku midis të tjerave kategorizohen liria e shprehjes dhe profesionalizmi, raporti midis tyre në medien tonë ishte sigurisht në favor të së parës. Indro Montanelli thotë se, “ta konsiderosh lexuesin padron, është në njëfarë mënyre të kuptuarit e përgjegjësisë për çfarë punon. Kjo të shpie domosdoshmërisht në të shkruarit me gjykim etik”.

 

Zhvillimi i medias, jo i shkëputur nga realiteti shoqëror

 

Nuk mund të pretendojmë një moral të shëndoshë në shoqëri pa marrë parasysh stadet e zhvillimit të saj. Këtu nuk është fjala vetëm për zhvillimin ekonomik, por për rritjen kulturore, të asaj rritjeje që quhet ndryshe civilizim. Pas viteve ‘90 doli në pah vakuumi shpirtëror i shoqërisë dhe falsiteti i vlerave të krijuara në komunizëm që nuk korrespondonte me vlerat e mirëfillta emancipuese. Të gjitha këto vlera të shtirura të së kaluarës filluan dalëngadalë të përbuzen. Në këtë situatë të mungesës së pikave të referimit shqiptarët nuk dinin se çfarë vlerash duhet të ndiqnin. Gjithçka filluan ta ndërtojnë vetë pa pasur ndonjë model. Ata krijuan qëndrime dhe këndvështrime pragmatiste për jetën, duke menduar “sot për sot” pa e llogaritur dobishmërinë individuale dhe shoqërore të këtyre qëndrimeve për të nesërmen. Edhe sot, pas gjithë këtyre viteve tranzicioni, shoqëria jonë akoma nuk po i formëson dot vlerat morale dhe etike të të jetuarit me respektin e thellë për veten, por edhe ruajtjen e dinjitetit të tjetrit. Këtu është vakuumi i të qenit etik në shoqërinë tonë. Në këtë kontekst media shqiptare nuk mund të jetë e shkëputur nga ky realitet shoqëror. Media është pasqyrim ekzakt i kësaj mangësie vlerash. Realitetit tonë mediatik i mungon trajtimi i problemeve sociale në nivel sociologësh, opinionistësh apo ekspertësh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).