Çuditë e zgjedhjeve europiane

Silvio Berluskoni, manjati mediatik dhe kryeministri i Italisë, donte të dërgonte në Parlamentin e ardhshëm Europian disa fytyra të reja e shumë femërore. Më konkretisht, ai kishte çuar ndërmend se për postin e deputetit evropian ishte plotësisht e mundur të kandidonin femra tërheqëse, mundësisht nga bota e spektakleve televizive, përfshi edhe vajzat që kishin marrë pjesë në shfaqjet e suksesshme italiane të tipit “reality show”. Gjithmonë, sipas mendësisë së Berluskonit, këta individë do t’i sillnin shkëlqim dhe vezullim Parlamentit dhe do të përfaqësonin denjësisht Partinë e tij, Populli i Lirisë.

Por, pikërisht ndërsa gjithçka ishte në të kryer e sipër, bashkëshortja e kryeministrit, Veronica Lario deklaroi se i kishte ardhur në majë të hundës me sjelljen e të shoqit që “frekuentonte minorene”. Ajo, madje e akuzoi atë publikisht për sjellje të padenja. Berluskoni hoqi dorë nga plani i tij për të çuar në Bruksel një ushtri të tërë me gra joshëse. E vetmja që i shpëtoi stuhisë dhe shkurtimeve që pasuan deklaratat e bashkëshortes së Berlusconit, ishte Barbara Matera. Bjonde, me përmasa perfekte të trupit dhe konkurrente e “Miss Italia”, 27-vjeçarja, që është aktualisht prezantuese në TV, por pa asnjë lloj përvoje në politikë, do të konkurrojë për në Parlamentin Europian.

Kjo nuk mund të thuhet me saktësi për Elena Baseskun. 28-vjeçarja ka kaluar vetëm disa orë në Bruksel për një trajnim me një deputet të partisë së të atit, Traian Basesku, president i Rumanisë. Elena në profesion është modele dhe ka një reputacion prej vajze mbrëmjesh e festash, si dhe një jete dashurore shumë të pasur e plot ulje e ngritje. Falë pjesërisht pamjes së saj dhe mënyrës se si sillet, media shpesh e konsideron si “Paris Hiltoni rumun”. Në kundërpërgjigje të këtyre kritikave, ajo vendosi që t’u tregonte të gjithëve se ishte shumë më e zonja nga sa e mendonin, dhe për këtë vendosi që të kandidonte për një vend në Parlamentin Europian.

Të paktën, sipas të atit, presidentit Basesku, ajo përveçse është një vajzë e bukur, është edhe një vajzë mjaft e zgjuar dhe me ambicie të mëdha. Truri nuk ka qenë kurrë problem për një tjetër kandidate për deputete, në një tjetër vend të Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për Rachida Datin, ish-ministrja e Drejtësisë së Francës, e cila ndodhet në listën e kandidatëve për deputetë të së djathtës dhe ka pozicionin e një ylli. Në fakt, karriera e saj si ministre la shumë për të dëshiruar, pasi ish-zyrtarja e lartë 43-vjeçare, një nga femrat e preferuara të presidentit Sarkozy, më shumë ishte e dhënë pas pamjes së jashtme se pas ligjeve. Për më tepër, ajo krijoi mjaft situata të tensionuara me punonjësit e drejtësisë, që shpesh shkuan deri në konfrontime. Kur dhjetorin e kaluar solli në jetë një fëmijë me një baba ende sot anonim, u shndërrua në një rast misterioz. Kjo e mbushi kupën e qëndrimit të saj në qeveri dhe duket se Sarkozy gjeti rastin që ta largonte nga pozicioni i ministres për t’i ofruar atë të eurodeputetes, çka do ta largonte Datin në drejtim të Brukselit. Nëse do t’ia arrijë kësaj, Dati do të ketë mundësinë të takohet në Parlament edhe me Gabriele Pauli, që ka qenë dikur administratorja më e re e distriktit të Gjermanisë.

Pauli u bë e famshme në Gjermani në vitin 2007, kur kritikoi publikisht guvernatorin e atëhershëm të Bavarisë, Edmund Stoiber dhe vuri në lëvizje një mekanizëm që përfundoi me dorëheqjen e kreut të Partisë Kristian-Demokrate, partia-motër e partisë së kancelares Merkel. Pas këtyre ngjarjeve, karriera e saj i qetësoi ritmet, derisa njerëzit mësuan se ambicia e saj e radhës ishte një vend në Parlamentin Europian.

Por, nuk janë vetëm disa femra kandidatet interesantë të zgjedhjeve europiane. Le të shohim tani edhe disa nga kandidatët meshkuj.

Nga radhët e tyre gjen shumë syresh që janë të çuditshëm. Kemi së pari rastin e kandidatit 48-vjeçar suedez, Christian Engstrom, që ndodhet në krye të listës së Partisë së Piratëve, që lufton për të çliruar internetin nga kontrolli i qeverisë dhe çdo ndërhyrje tjetër. Kjo parti e themeluar në vitin 2006, kishte në thelbin e saj protestën dhe që nga ai vit është rritur, forcuar e shtuar në numër dhe sipas sondazheve është shndërruar sot në partinë e tretë më të madhe në Suedi. Vetë Christiani nuk do ta ketë aspak të vështirë të fitojë për në Bruksel. Me të vënë këmbën aty, ai nuk do ta ketë të vështirë të zhvillojë biseda interesante me një tjetër person të veçantë, këtë herë një politikan çek, Vladimir Remek, që veç të tjerash mban edhe statusin e kozmonautit të parë jo-rus në hapësirë.

Ai është 60 vjeç, dhe sigurisht që nëse do të fitonte do ta kishte për kënaqësi që të kishte koleg një tjetër kandidat, nordikun Ari Vatanen, nga Finlanda. Ai ka qenë 4 herë fitues i garës së famshme Paris-Dakar. Është 57 vjeç, kristian-demokrat dhe shumë i kursyer në fjalë. Në fakt, është pak e vështirë që të imagjinosh se cilat mund të jenë temat e përbashkëta të diskutimit të një kozmonauti çek, një “pirati” suedez dhe një shoferi garash finlandez. Ndoshta, Vatanen mund të shkonte më mirë me Manuele Filiberto Umberto Reza Ciro Rene Maria di Savoia, nipi 36-vjeçar i mbretit italian të shfronësuar që kandidon si kristian-demokrat. Siç e tha edhe vetë në një konferencë për shtyp, Di Savoia zotëron në mënyrë të shkëlqyer 5 gjuhë të huaja, njeh personalisht gjysmën e krerëve të shteteve në Europë dhe me gjysmën tjetër ka lidhje farefisnore ose miqësore. Për liderët e partisë që ai përfaqëson, Umberto është “një person i jashtëzakonshëm dhe i aftë”. Por, deri më tani princi nuk ka arritur ndonjë sukses personal apo profesional në jetën politike. Në fakt, ai madje ka qenë disi fatkeq, si dhe ka kaluar momente të vështira me disa nga partneret, shokët apo punonjësit e tij. Një syresh u përfshi në një skandal prostitucioni, një tjetër person i afërt me të është nën hetim për shmangie taksash, ndërkohë që një tjetër është arrestuar tashmë për lidhjen me mafien. Shqetësime të tilla ka pasur edhe një aspirant i ardhshëm për deputet, George “Gigi” Becali.

Biznesmeni 50-vjeçar rumun, politikan dhe pronar i një klubi futbolli në vendin e tij, së fundi ka kaluar 2 javë pas hekurave për akuzën e keqtrajtimit të një personi. Becali, sigurisht që nuk vjen nga një familje me gjak blu si ajo e kandidatit të Savojëve. Prindërit e tij ishin barinj në Karpate dhe gjithçka që ai ka arritur, ka qenë arritje personale. Vetë Becali e ndjen dhe e shpreh shpesh se ka lindur për të qeverisur. “Unë do të jem një sundimtar i vendosur dhe i drejtë”, - deklaroi ai gjatë fushatës zgjedhore presidenciale, në të cilën u përfshi si kandidat i mundshëm. Tani, me ndihmën e ekstremit të djathtë, ai shpreson që të zërë një vend në Parlamentin Europian. Së fundi deklaroi: “Nëse nuk do të fitoj as këtë herë, ndoshta do t’u kthehem deleve sërish”. Le të shohim tani një kandidat bullgar, 43-vjeçarin Slavi Binev. Ai është pronar diskosh e klubesh nate dhe së bashku me një partnerin e tij kontrollojnë disa biznese shumë fitimprurëse në fushën e ndërtimit, zbavitjes etj. Por, mbi të gjitha, Binev ka reputacion si kampion ndërkombëtar i Tae Kwon Do, në Ballkan në vitet 1990 dhe 1992. Parulla e fushatës së Binev është: “Ajo çka nuk na shkatërron, na bën më të fortë”. Ai është zgjedhur deputet në Parlamentin Europian në vitin 2007 dhe ka përfaqësuar Partinë Ataka, një parti radikale. Silvio Berlusconi është me siguri i vetmi që do t’ua mundte të gjithë kandidatëve të tjerë në para, luks e pushtet. Kryeministri 72-vjeçar i Italisë shquhet, veç të tjerash, edhe për një marrëdhënie shumë të gjatë dhe aspak të këndshme me organet e drejtësisë, të cilat vazhdimisht e kanë akuzuar për çështje e afera të ndryshme korruptive.

Aktualisht ai ka një reputacion të madh në vend, që është dëmtuar rëndë nga një marrëdhënie e mundshme e tij me një 18-vjeçare. Dhe, për Berlusconin, sikur të mos mjaftonin gjithë pushtetet dhe pasuritë, ai ka oreks për të qenë edhe eurodeputet. Berluskoni ka qenë njëherë në këtë pozicion, kur ekzistonte rregulli që një deputet i një vendi të caktuar mund të mbante njëherazi edhe pozicionin e deputetit të Parlamentit Europian. Por, në këtë rast ai nuk u paraqit shumë herë në seancat parlamentare dhe mbeti një person simbolik. Edhe këtë radhë ai do ta fitojë postin, sikundër shpresojnë edhe personazhet e mësipërme, që për hir të së vërtetës nuk kanë ndonjë lidhje të madhe as me politikën, as me ligjet dhe as me mirëqenien e njerëzve.

4 Komente

Bëhet fjalë për Rachida Datin, ish-ministrja e Drejtësisë së Francës

Pa permendur ketu rivalitetin dhe thumbat e shkembyer me madame la présidente te cilet kane mbushur shpesh faqet e gossips francez.

Ne fillim, kur pashe listat e Italise dhe te ca vendeve te tjera te nje niveli ekonomik me te ulet ne  EU, u habita nga mosha e tyre. Me pas dhe nga karriera politike( ose mungesa e saje).

Belgjika kesaj here kishte ajken e politikes te saje ne krye te listes. Voten ia dhashe me bindje te plote sot.

 

Kur Sarkozy zgjodhi Dati-n si ministre e drejtesise kam admiruar civilizimin e demokracine franceze.Dati-marokene e lindur ne Marok,e ardhur e vogel ne France....Nena kamariere ,babai murator.....Imagjino çfare kariere megjithate per Dati-n...Ne Itali kjo nuk ndodh as ne mijevjeçarin e ardhshem.E Sarkozy nuk eshte aspak gauche...perkundrazi....

Zana, ajo qe duhet kuptuar eshte qe komuniteti marokan eshte me nder komunitetet me te fuqishme emigrante ne France dhe ne vendet perreth Frances. Pra ka nje impakt ne ekonomine e ketij vendi, mirepo impakt ekonomik do thote - ne rastin e marokaneve mbas 2 brezash qendrimi-impakt politik. Keto komunitete duan te perfaqesohet nga nje njeri i tyre.

Dhe ketu ku banoj une çdo parti me bindje te moderuara politike ka ne liste kandidate turq, marokene,...Jo sepse jane fan-et me te medhenj te integrimit te ketyre individeve qe akoma hane me kore buke dhe jo me luge, absolutisht jo, por sepse duan te rrjepin votat dhe te komuniteteve me origjine te huaj.

Dati....më shumë ishte e dhënë pas pamjes së jashtme se pas ligjeve....

dhjetorin e kaluar solli në jetë një fëmijë me një baba ende sot anonim....

 

 

bohhhh....shume shume pallavra dhe informacjone vt, qe jane ose te pabaza ose panevojshme per rastin.
 

Kur nje president amerike betohet perpara shtetit dhe popullit....dhe genjen... keto informacjonet e tjera per deputeterit e vegjel, dukeen shume te pakuptimta.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).