Çmimet e shtëpive, presioni nuk ndalet

Të dhënat nga agjencitë flasin për valë shitjesh gati nën kosto të apartamenteve dhe dyqaneve

 

Kompanitë e ndërtimit duket se kanë vendosur të mos i ulin më çmimet e apartamenteve dhe dyqaneve që shesin, me shpresë se kriza ekonomike aktuale do të përfundojë shpejt dhe tregu do të stabilizohet. Por pavarësisht pozicionit "në pritje" të kompanive, të cilat zotërojnë edhe një pjesë të konsiderueshme të ofertës në treg, çmimet kanë vijuar të ulen. Zonat periferike janë më të prekurat nga rënia e çmimeve, sipas agjencive.

"Sot gjen njoftime në gazeta apo internet për apartamente në shitje me çmime prej 315 eurosh për metër katror, gjë që qe e paimagjinueshme më parë", thotë një agjent. "Nëse shitësit reklamojnë çmime të tilla, imagjino se çmimet reale mund të jenë edhe më të ulëta", tha ai.

Kriza aktuale e sektorit të ndërtimit u krijua nga një valë e jashtëzakonshme lejesh ndërtimi të dhëna në tri komuna përreth Tiranës, Farka, Kashari dhe Dajti, disa vite më parë. Pallatet e përfunduara në masë të konsiderueshme kanë mbetur pa u shitur. Sot çmimet në këto komuna variojnë nga 400 në 600 euro për metër katror, por agjentët thonë se kriza është vetëm një nga shkaqet e rënies së çmimeve në periferi.

"Njerëzit kanë filluar të kuptojnë se shtëpia në periferi, në rastin e Tiranës, nuk është vetëm larg qendrës, por jetesa atje ka edhe kosto shtesë nga mungesa e transportit të rregullt urban apo shërbimeve publike të dobëta", thotë një ndërtues.

Çmimet janë ulur së fundmi, veçanërisht nga numri i madh i pronarëve që i patën blerë apartamentet më herët për investim apo në këmbim të mallrave dhe shërbimeve të kryera për kompanitë e ndërtimit. Tri vite më parë, kur blloku i apartamenteve të Kasharit sapo kishte filluar, çmimet startonin nga 310 euro për metër katror dhe agjentët mendojnë se ka ende hapësirë për ulje.

Në zonën e Dajtit, çmimet qenë rritur deri në 700-800 euro për metër katror vitin e kaluar, por tashmë ato fillojnë nga 400-500 euro.

"Muajt e fundit kanë prekur çmimet edhe në zonën e "Komunës së Parisit, ku rezistenca qe më e lartë", thonë agjencitë. Njoftimet në internet apo gazeta, ku përfshihen njoftimet e publikut të gjerë, japin çmime që fillojnë nga 650 euro për metër katror.

Edhe çmimet e dyqaneve janë në rënie. Në zonat periferike, vetëm pak muaj më parë, dyqanet fillonin nga 2 mijë euro për metër katror, por tashmë ka oferta për 800 apo 1 mijë euro metri katror.

Kërkesa për apartamente dhe dyqane në Shqipëri pothuajse ndaloi në tetor të vitit të kaluar, si pasojë e panikut të njerëzve nga kriza. Në shkurt, blerjet rinisën, por sërish kërkesa është në nivele shumë të ulëta.

Ofertë e bollshme

Gjatë tre viteve të fundit, në Shqipëri janë ndërtuar një sasi e stërmadhe shtëpish dhe apartamentesh në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të INSTAT, biznesi dhe individët morën leje ndërtimi për 2.9 milionë metra katrorë pallate, shtëpi private e ndërtesa industriale gjatë vitit të kaluar, nga të cilat, 2.2 milionë metra katrorë qenë për hapësira banimi. INSTAT raporton numrin e lejeve të ndërtimit, sipërfaqet dhe kostot e programuara të investimeve.

Sipas statistikave, që nga viti 1994, kur ndërtimi privat filloi, në Shqipëri janë ndërtuar 15.7 milionë metra katrorë shtëpi dhe apartamente, me kosto të përgjithshme ndërtimi prej 400 miliardë lekësh. Kështu, vendi ka ndërtuar 150-200 mijë banesa në 15 vjet, gjë që ka rritur stokun kombëtar të shtëpive me më shumë se një të tretën. Një numër i panjohur banesash janë ndërtuar pa leje të rregullt. Sipas ekspertëve, në shumë kuptime tregu i banesave ka arritur sakaq pikën e ngopjes, pasi kushdo që kishte para për të blerë apartamente, e ka blerë një të tillë tashmë. Ndërsa numri i shtëpive është rritur në mënyrë dramatike, popullata në Shqipëri gjatë 20 viteve të fundit ka mbetur 3 milionë banorë si pasojë e emigrimit. Por ekspertët e demografisë vërejnë se popullata faktike në vend mund të jetë edhe më e ulët për shkak se regjistrimi i fundit i popullatës u bë në vitin 2001 dhe se statistikat aktuale paraqesin popullatën e atij viti plus ndryshimet në lindje dhe në vdekje, por nuk marrin parasysh emigrimin.

Qiratë

Situatë e ftohtë në tregun e qirave

Numri i njoftimeve "shitet ose jepet me qira" është rritur ndjeshëm në stendat e agjencive të pronave të paluajtshme, ndërkohë që çmimet e qirave kanë rënë në kuota "pothuajse të pabesueshme", sipas fjalës së agjentëve. Në të gjithë Tiranën ofertë e bollshme për apartamente dhe dyqane me qira. "Çmimet e dyqaneve me qira në qendër të Tiranës kanë rënë për herë të parë në 5-6 euro për metër katror në muaj", thonë agjentët. Më herët, në rrugët dytësore të qendrës, qiratë e dyqaneve fillonin nga 8 euro për metër katror. Një numër gjithnjë e më shumë dyqanesh kanë menduar të rinegociojnë qiratë apo të zhvendosin aktivitetin në kërkim të qirave më të lira. Çmimet e qirave për qendrat e biznesit janë prekur pak ose aspak nga kriza për shkak se pronarët e tyre nuk parapëlqejnë të hyjnë në detyrime kontraktuale afatgjata përkundrejt çmimeve të ulëta të momentit. Çmimet aktuale të ambienteve për zyra në qendër të Tiranës variojnë nga 12 në 23 euro për metër katror.

2 Komente

 ka qen i kohe, ishte bukur me qen ndertus n'Tiron!!

150% fitim!!! ketyre gazetareve i duket cudi se marzhi i fitimit mund te shkoje atje ku quhet norme normale ne bote. Te 15-20%

 Te pakten per 2009-2010 kriza do te jete prezente. Se ç'do te ndodhi me vone , duhet te presim aty nga 2010 per te folur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).