Cilët janë të “pashqetësuarit” nga ndërrimi i pushtetit

 

Cilët janë të “pashqetësuarit” nga ndërrimi i pushtetit

 
Nga Mero Baze
 

Dje pashë disa titra në News 24, ku flitej për një anije të bllokuar të Rezart Taçit në cilësinë e pronarit të kompanisë ARMO. Titrat vazhdonin më tej me shpjegimin se anija ishte bllokuar me urdhër të Sokol Olldashit. U interesova menjëherë pranë portit dhe doganave dhe kishte përgjigje të paqarta për anijen, megjithëse një shpjegim ishte se anija ishte deklaruar me solar dhe ishte me naftë. Nuk ia vlen të merresh më tej me këtë histori të pistë të një modeli biznesmeni që ka kapur shtetin, por detaji shqetësues ishte sjellja e Rezart Taçit si opozitar me pushtetin e Olldashit. Kjo m’u duk e frikshme, pasi katër ditë para zgjedhjeve, biznesmeni simbol i korrupsionit të qeverisë Berisha po përpiqet të distancohet prej qeverisë, me qëllim që të nisë një kapitull të ri korrupsioni me qeverinë pasardhëse. Duke qenë një biznesmen që ka kapur qeverinë Berisha dhe familjen Berisha, Rezart Taçi shikon tani si shans të riciklimit të tij sajimin e një “beteje me Olldashin” për të dalë pa lagur në bregun tjetër dhe për të vazhduar të njëjtën histori.

Guximi i tij për të shpresuar te një riciklim është i arsyeshëm. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili po finalizon një fushatë tejet arrogante, i ka shpëtuar gjatë gjithë fushatës akuzave për korrupsion, pasi ato nuk u bënë pjesë e fushatës elektorale të opozitës. Në gjithë debatet elektorale, akuzat për korrupsion munguan ose u shfaqën tek individë të veçantë opozitarë që ishin të qartë për këto akuza. Rezart Taçi nuk figuron i cituar askund nga opozita si një biznesmen që ka kapur shtetin, madje figuron në axhendat e takimit të Edi Ramës, në kohën kur Berisha i bënte privilegje që bien ndesh dhe me ligjet e shtetit shqiptar për lirinë e tregut dhe konkurrencën e ndershme.

Kjo fushatë elektorale, e cila duhet të ishte arena e një betimi të madh të opozitës kundër korrupsionit që ka kapur shtetin dhe familjen në pushtet, u dominua nga tonet arrogante të Berishës dhe nga një fushatë super e kushtueshme që dëshmon kapjen e shumicës nga korrupsioni dhe nga një agresivitet në ekstrem ndaj figurave opozitare.

Shmangia nga axhenda e opozitës e akuzave për korrupsion ndoshta ishte e menduar si një strategji elektorale prej zotit Rama, por në të vërtetë ngre shumë pikëpyetje për votuesit e dëshpëruar nga zoti Berisha. Të zhgënjyerit kryesorë nga Berisha nuk janë, as ata që prisnin rrugë, as ata që prisnin ujë e drita, dhe as ata që prisnin shkolla dhe hyrjen në NATO. Të zhgënjyerit kryesorë nga Berisha janë ata që besonin se Berisha do të luftonte korrupsionin dhe nuk do të përfshihej në afera korruptive. Kjo kategori e zhgënjyer prej Berishës është sot elektorati pa parti, që ende nuk ka vendosur se për kë të votojë. Dhe arsyeja pse është ende elektorat i pavendosur, është se modeli opozitar nuk është një model që ka dëshmuar kriticizëm ndaj korrupsionit.

Përkundrazi, në disa raste klientët e korrupsionit të Sali Berishës janë njerëz me akses të gjerë në opozitë. Rezart Taçi, që përmenda më lart, është një nga simbolet e kapjes së shtetit në një aferë superkorruptive siç është privatizimi i ARMO-s, është njeri i afërt i opozitës dhe nuk ka asnjë emocion nga ndërrimi i mundshëm i pushtetit, ndërsa të dëmtuarit prej tij, dhjetëra biznese në fushën e tregtisë së naftës, që janë të dëmtuar, janë të dëshpëruar, pasi nuk dinë për kë të votojnë.

Bizneset e familjes Berisha, sidomos ato të djalit të tij, Shkëlzenit, janë kryer në ndërmjetësinë e biznesmenit Selmanllari, i cili po ashtu nuk shqetësohet nga ndërrimi i pushtetit, pasi është ortak dhe me kandidatë për deputetë socialistë.

Pronari i kompanisë “Riviera”, që ka zaptuar tokat e Kakomesë dikur nën emrin e Fatos Nanos dhe tani në emrin e Sali Berishës, është po ashtu i qetë nga ndërrimi i mundshëm i pushtetit, pasi miqtë e tij realë gjenden tek e majta. Kjo tablo dëshpëruese e klientelizmit të mafies me pushtetin ka lënë pa një vendim për votën njerëzit që besuan se këtu diçka do të ndryshojë dhe do të luftohet korrupsioni. Është pikërisht kjo shumicë e heshtur dhe e tronditur që mund të bënte realisht diferencën në këto zgjedhje dhe që ende nuk ka marrë mesazhe të qarta nga opozita, pasi ajo ka klientë të njëjtë me pushtetin e Sali Berishës në aferat korruptive.

Duke iu rikujtuar miliona shqiptarëve historitë korruptive të familjes Berisha, dua me këtë të rast t’i kujtoj opozitës se, në rast se ajo tenton të rimbajë klientë sërish këtë grup mafioz që ka kapur shtetin, atëherë asnjë pushtet në këtë vend nuk do të ketë qetësi, edhe sikur të mashtrojë përkohësisht qytetarët shqiptarë.

 

5 Komente

mossss.... vetem foto "boss-ash"  mos na qisni.  smiley   smiley 

ps na leni te vdesim me at perfytyrimin gjithe "shock & awe" qe kemi ne te shkretet knej per billionaret e venit ton, te cilet i menojme kshu (rroft miqsia shqiptaro-turke me ket rast):

 

 

thone qe ky tullaci i imet perdor paret e vehbi alimuces (eshte gjet menyra per ta rikthyer ne loje ate shume monstruoze qe teproi nga piramidat)

Prape me thashetheme?!!

Mendoj se deri sa ne Shqiperi nuk flitet me te dhenat e prokurorise dhe vendimeve te gjykatave per mafiozet apo personat qe kane shkelur ligjet,thashethemet poshte e larte per korrupsionin dhe mafiozet do te te na qendroje gjithmon ne koke si re te zeza!

Eshte per te ardhur keq,qe shtypi nuk eshte ne akordance me Drejtesine,eshte me i perparuar se Drejtesia! Ne fakte levizja duhet te ishte ndryshe,dhe shpejtesia gjithashtu,Drejtesia duhet te jete me e shpejte se shtypi,ne konkluzione te tilla.

A eshte mafioz Thaci?

Shtypi thote po,drejtesia akoma jo!

Politika thote po,(kujtojme Berishen para se te merete pushtetin ne 2005 cthoshte per Thacin..) Drejtesia ala jo!

Kjo tregon se reformat ne drejtesi jane ne nivelin zero!

Rezultat flasin,shtypi,politika,flasim me shpejte,per nje affer,ose korrupsion,se sa drejtesia,e cila ecen si breshka e ugarit(toke e pa mbjellur)!

Të zhgënjyerit kryesorë nga Berisha nuk janë, as ata që prisnin rrugë, as ata që prisnin ujë e drita, dhe as ata që prisnin shkolla dhe hyrjen në NATO. Të zhgënjyerit kryesorë nga Berisha janë ata që besonin se Berisha do të luftonte korrupsionin dhe nuk do të përfshihej në afera korruptive

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).